Allahu i Madhëruar thotë:
“Ai është Sunduesi mbi njerëzit e Vet. Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka.”
Të dashur fëmijë!
Allahu është i Urti (El Hakimu)
Allahu është i Gjithëdijshmi (El Alimu)
Allahu është i Gjithëinformuari (El Khabiru)
Allahu është Gjithëpërfshirësi(El Uasiu)
Allahu është Dëgjuesi (Es Semiu)
Allahu është Vështruesi (El Basiru)
Allahu është Mbrojtësi (El Hafidhu)
Allahu është Falësi (El Afu’u)
Të dashur fëmijë!
Çdo krijesë të cilën e ka krijuar Allahu i Madhëruar është krijuar për një urtësi të caktuar.
Allahu i Madhëruar e ka krijuar Diellin që ne të ngrohemi nëpërmjet tij.
Allahu i Madhëruar e ka krijuar Tokën të përshtatshme për të gjithë gjallesat.
Allahu i Madhëruar e ka krijuar ujin që është i domosdoshëm për të gjithë gjallesat.
Allahu i Madhëruar i ka krijuar bagëtitë që të përfitojmë nga qumështi dhe mishi i tyre.
Allahu i Madhëruar i ka krijuar sytë që të shikojmë.
Allahu i Madhëruar i ka krijuar veshët që të dëgjojmë.
Allahu i Madhëruar i ka krijuar mushkëritë që të marrim frymë.
Allahu i Madhëruar i ka krijuar njerëzit dhe xhindet që ta adhurojnë Atë.
Ajete kuranore që flasin për urtësinë e krijimit:
Allahu i Madhëruar thotë:
“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne për t’ju gjykuar?!”
“Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve.”
“Vallë a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?!”
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”
Le të mendojmë së bashku!
A e keni vënë re se:
Vetullat na e shtojnë bukurinë dhe gjatë verës pengojnë djersën që del nga balli që të depërtojë në sy. Imagjinoni nëse nuk do ishin vetullat se çfarë do të ndodhte kur djersa do të na binte në sy? Ky është krijimi i Allahut,të Gjithëdijshmit të Urtit.
Me qëllim që jeta të vazhdojë normalisht zemra duhet të rrahë pa ndërprerje. Rrahja e zemrës ndodh automatikisht. Imagjinoni nëse ajo nuk do të rrihte vazhdimisht apo automatikisht se çfarë do të ndodhte. Ky është krijimi i Allahut,të Gjithëdijshmit të Urtit.
Duart e secilit prej nesh janë të barabarta. Po ashtu edhe këmbët. Imagjinoni se sa të shëmtuar do të ishim nëse një dorë apo një këmbë do të ishte më e gjatë se tjetra? Ky është krijimi i Allahut,të Gjithëdijshmit të Urtit
Mollëzat e gishtave janë shumë të ndjeshme. Kurse thonjtë nuk janë të ndjeshëm. Imagjinoni sikur poshtë thonjve do të kishte nerva të ndjeshmërisë çfarë do të ndodhte kur të prisnim thonjtë?! Ky është krijimi i Allahut,të Gjithëdijshmit të Urtit.
Katër gishtat e dorës janë bashkë kurse gishti i madh dorës është veç. Imagjinoni sikur gishti i madh do të ishte bashkë me të tjerët, si do të arrinim t’i kapnim gjërat?! Ky është krijimi i Allahut,të Gjithëdijshmit të Urtit.
Fëmijë të dashur a nuk e shikoni se i Gjithëdijshmi, i Urti çdo gjë gjë e ka krijuar në formën më të përsosur.
Në klasë:
Mësuesi: Selamu alejkum.
Nxënësit: Ue alejkum selam.
Mësuesi: Raidi, për çfarë folëm herën e kaluar?
Raidi: Për diturinë dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
Mësuesi: Ueda, cili është qëllimi që Allahu i Madhëruar i ka krijuar njerëzit.
Ueda: Allahu i Madhëruar i ka krijuar njerëzit që ta adhurojnë Atë.
Mësuesi: Mursel, përse i ka dërguar Allahu i Madhëruar profetët?
Murseli: Allahu i Madhëruar i ka dërguar Profetët që t’i udhëzojnë njerëzit në rrugën e drejtë. Po ashtu edhe Kuranin e ka shpalluar që t’i udhëzojë ata në rrugë të drejtë.
Mësuesi: Franci, A e dimë ne urtësinë e gjithçkaje që Allahu i Madhëruar e ka krijuar?
Franci: Çdo gjë që Allahu i Madhëruar e ka krijuar ka një urtësi, por nuk është kusht që ne ta dimë. Disa prej tyre i dimë dhe të tjera nuk i dimë.
Mësuesi: Esmira, përse Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të bëjmë punë të mira?
Esmira: Sepse ato janë të dobishme.
Mësuesi: Nertila, Përse Allahu i Madhëruar na ka ndaluar që të bëjmë punë të këqija?
Nertila: Sepse ato janë të dëmshme.
Mësuesi: Fatime, Feja islame ka rregulla dhe ligje të cilat duhet të zbatohen. Mund të thuash një urtësi në lidhje me këtë.
Fatime: Rregullat dhe ligjet që Allahu i Madhëruar ka vendosur janë të vlefshme për çdo kohë, vend e popull.
Mësuesi: Ju lumtë fëmijë.
Urtësia e Allahut:
Isli: Mami, dua të bëj disa pyetje në lidhje me urtësinë e Allahut?
Mami: Urdhëro e pyet.
Isli: Ku qëndron urtësia e Allahut kur ne sëmuremit?
Mami: Që ne t’ia dimë vlerën shëndetit, që të bëjmë durim dhe Allahu të na e shpërblejë për durimin tonë.
Isli: Ku qëndron urtësia e Allahut kur ne harrojmë?
Mami: Jo gjithmonë harresa është e keqe. Imagjino sikur të na vijnë nëpër mend – orë e çast – të gjitha ato fatkeqsi që na kanë ndodhur, se çfarë do të ndodhte me ne? Shyqyr Zotit që ne i kemi harruar dhe padyshim kjo është një mirësi nga Allahu i Madhëruar.
Isli: Ku qëndron urtësia e Allahut që disa njerëz janë të pasur dhe disa të varfër?
Mami: Në këtë jetë njeriu do të sprovohet sikur është i pasur ashtu edhe i varfër. Ai që është i pasur duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar, kurse ai që është i varfër duhet të bëjë durim. Nëse i pasuri falenderon dhe i varfri bën durim ai e ka kaluar sprovën. Por nëse i pasuri nuk falenderon, apo i varfri nuk bën durim, atëherë në këtë rast ai nuk e ka kaluar sprovën.
Isli: Ku qëndron urtësia e Allahut tek sprovat që i bijnë besimtarit?
Mami: Sprovat janë si puna e ilaçit që njeriu pi kur është sëmurë. Ilaçi vërtet është i hidhur por ai e përmirëson gjendjen e të sëmurit. Po kështu, vërtet, sprova mund të jetë e rëndë, por nëse njeriu e kalon atë me sukses, Allahu e shpërblen besimtarin me shumë të mira.
Isli: Ku qëndron urtësia e Allahut që unë i lutem Atij dhe përgjigja e lutjes vjen me vonesë?
Mami: Vetë fakti që ti i lutesh Allahut është adhurim dhe kur ti adhuron Allahun nuk ka dyshim që Ai do ta shpërblejë me të mira. Allahu e di se çfarë është e mirë për ty dhe çfarë nuk është e mirë për ty. Ngandonjëherë ti i lutesh Allahut dhe nëse Allahu i përgjigjet lutjes tënde, ajo mund të jetë e dëmshme për ty.
Isli: Faleminderit mami. Allahu ta shpërbleftë me të mira.
Urtësia nga vdekja e babait të imam Gazaliut:
Shumë kohë më parë ka jetuar një imam që është shquar për dijen e tij të madhe. Ai quhej Ebu Hamid El Gazali. Kur imam Gazali ishte i vogël, babai i tij sëmuret rëndë dhe nga kjo sëmundje ai ndërroi jetë duke i lënë imam Gazalin dhe vëllain e tij më të vogël jetimë. Padyshim që imam Gazali dhe vëllai i tij u mërzitën shumë, por ky ishte caktimi i Allahut të Madhëruar. Para se babai i imam Gazalit të ndërronte jetë, i thotë një shokut të tij që të kujdeset për fëmijët e tij të vegjël. Dhe ai e merr përsipër që të kujdeset për dy jetimët. Mirëpo shoku i babait ishte i varfër dhe pas njëfarë kohe detyrohet që t’i çojë dy jetimët në një medrese që kishte konvikt, sepse në konvikt kishte për të ngrënë. Hyrja në medrese ishte çelësi i suksesit të imam Gazalit, i cili do të përkushtohej në rrugën e dijes derisa arriti në pozitën e lartë të dijetarëve të Islamit. Kur imami u rrit teksa po analizonte historinë e vet tha:
Gjithçka që ka ndodhur ka ndodhur me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar. Ajo që në pamje të parë ishte fatkeqsi, në të vërtetë ishte mëshirë nga Allahu i Madhëruar për gjithsecilin prej nesh.
Ishte mëshirë për babain sepse shpëtoi nga vuajtjet e rënda të sëmundjes.
Ishte mëshirë për shokun e babait sepse ai kujdes për dy jetimë.
Ishte mëshirë për ne sepse vajtja jonë në medrese na mundësoi që të mësonim dijen fetare.
Në testin e besimit Jasmina mori notën 10. Ja si i është përgjigjur ajo pyetjes:
Prej urtësisë së Allahut të Madhëruar është se njeriu do të shpërblehet sipas asaj që punon. Jep 5 – së shembuj që e vërtetojnë një gjë të tillë!
Kush ia fsheh një të metë muslimanit, Allahu ia fsheh atij një të metë.
Kush ia zbulon një të metë muslimanit, Allahu ia zbulon atij një të metë.
Kush i toleron dhe i mëshiron të tjerët, Allahu e mëshiron atë.
Kush ia lehtëson barrën një njeriu, Allahu ia lehtëson atij një barrë në këtë botë dhe tjetrën.
Kush fal dikënd, Allahu e fal atë.
Abdullahu në xhami:
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se:
Allahu i Madhëruar i ka dhuruar dituri dhe urtësi familjes së Ibrahimit (a.s)
Allahu i Madhëruar i ka dhuruar dituri dhe urtësi Profetit Daud (a.s)
Allahu i Madhëruar i ka dhuruar dituri dhe urtësi Profetit Isa (a.s)
Allahu i Madhëruar i ka dhuruar dituri dhe urtësi Profetit Muhamed (a.s)
Allahu i Madhëruar i ka dhuruar dituri dhe urtësi Lukmanit.
Allahu i jep dituri dhe urtësi kujt të dojë
Kujt i jepet dituri e urtësi i është dhënë një Mirësi e Madhe.
Si duhet të sillet muslimani ndaj gjërave që ndodhin me dijen dhe urtësinë e Zotit?
Ndoshta ne duam që të na vijë një e mirë, por ajo nuk ndodh për shkak se është e dëmshme për ne. Ose mund të urrejmë që të ndodhë diçka e ajo ndodh për shkak se është e dobishme për ne. Çdo gjë që ndodh në univers ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar e di fundin e çdo gjëje që na ndodh. Prandaj është shumë e rëndësishme për ne që kur na ndodh diçka – na pëlqen apo jo – ne duhet të themi duke qenë të bindur plotësisht me gjithë zemër se kjo gjë ka ndodhur me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar i Cili e di të fshehtën, duhet të jemi të kënaqur me caktimin e Allahut dhe duhet ta falenderojmë Atë.
Urtësia nga historia e Jusufit (a.s):
Njëherë e një kohë, dikush shkoi tek një hoxhë dhe i drejtoji këtë pyetje:
Hoxhë i nderuar! Pas humbjes së Jusufit (a.s ) vite me rradhë, të Benjamit dhe djalit tjetër, Profeti Jakub (a.s) tha: “Unë do të duroj, me shpresën që Allahu do të më bashkojë me të gjithë. Vërtet, Ai është më i Dijshmi më i Urti.” E ku qëndron urtësia në këtë mes?
Në këtë histori ka disa urtësi dhe jo vetëm një – tha hoxha.
Ishte Jusufi (a.s) ai që e shpëtoi Egjiptin dhe rrethinat e tij nga zia e urisë në kohën e thatësirës.
Vëllezërit e Jusufit (a.s) e kuptuan gabimin dhe kërkuan falje.
Njeriu kur përballet me vështirësi duhet të bëjë durim, ashtu siç bënë Jakubi (a.s) dhe Jusufi (a.s)
Shejtani përpiqet që të fusë përçarjen midis vëllezërve, miqve e shokëve. Prandaj ne duhet të bëjmë kujdes nga kurthet dhe dredhitë e shejtanit.
Njeriu duhet të krijojë raporte të mira me Allahun e Madhëruar në çdo situatë e rrethanë në të cilën ndodhet. Këtë gjë ne e vërejmë shumë qartë në të gjitha situatat dhe rrethanat me të cilat u përball Profeti i Allahut, Jusufi (a.s). Ai ishte i lidhur me Allahun kur vëllezërit e hodhën në pus, kur pjestarët e karvanit e shitën, kur qëndroi në shtëpinë e Azizit, kur u sprovua me sprovën e grave, kur e futën në burg, kur doli nga burgu, kur u bë ministër i financave të shtetit, kur u takua me vëllezërit dhe kur u bashkua me të gjithë familjen.
Ja se si lutet Kenza:
O Zot ma shto diturinë dhe më dhuro urtësi
O Zot me dijen dhe urtësinë Tënde më dhuro atë që është e hajrit për mua
O Zot, Ti je i Gjithëdijshmi i Urti na e bëj të dashur besimin në zemrat tona.
O Zot me urtësinë Tënde na krijove që të të adhurojmë, na e mundëso të të adhurojmë ashtu siç e meriton të adhurohesh.
Për të qeshur:
Njëherë Nastradini hyri në një kopësht dhe u shtri nën hijen e një peme arre. Aty ku u shtri ishin gjethet e kungullit. Ai filloi të mendonte me vete duke thënë: Gjithë kjo pemë kaq e madhe dhe nxjerr kokrra të vogla (arre) kurse nga këto gjethe del një kungull kaq i madh.Përse mos të ishte kokrra e arrës e madhe sa një kungull dhe kungulli të ishte sa një arrë. Teksa po mendonte kështu, papritur në kokë i bie një kokër arre. Menjëherë Nastradini tha: I Lartmadhëruar qofsh o Allah që nga pema e arrës del një kokër arre dhe jo kungull.
Përgaditi: Elton Harxhi