Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mbi çfarë bazash ndërtohet nacionalizmi ynë?

O vëlla musliman! Eja të dëgjojmë së bashku zërin e krenarisë hyjnore që kumbon në horizonte, që mbush tokën dhe shtatë qiejt, që insipiron ndjenjat më të larta të lavdisë dhe krenarisë në shpirtin e çdo besimtari. Qiejt, toka dhe ç`përmbajnë ato, janë të vëmendshëm ndaj kësaj ftese, që nga koha kur Besniku (a.s) e përcolli atë në këtë botë, për të vazhduar deri në amshim, duke i përcaktuar përjetësinë: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë”.([1])

Po, po, vëllai im! Kjo është thirrja e Zotit tënd për ty! Prandaj le të themi së bashku: “T`u përgjigja o Zot, t`u përgjigja, Ty të takon falënderimi dhe mirënjohja! Ne nuk mund të të lavdërojmë ashtu siç Ti e meriton. Ti dhe vetëm Ti je Mbrojtësi i besimtarëve, Ndihmuesi i aktivistëve të kësaj rruge. Ti je Mbrojtësi i atyre që u është bërë padrejtësi, të cilët u luftuan në shtëpitë e tyre dhe u përzunë nga vendbanimet e tyre. Është i fortë dhe krenar ai që kërkon strehim tek Ti, është fitimtar ai që kërkon ndihmën Tënde: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm”.([2])

Po, po, vëllai im! Eja të dëgjojmë së bashku zërin e Kuranit Fisnik, të shijojmë leximin e ajeteve të tij të qarta dhe të përjetojmë bukurinë e kësaj krenarie, që përmban ky Libër i Pastër në faqet e tij.

Eja me mua! Eja me mua vëllai im dhe së bashku të dëgjojmë Fjalën e Allahut të Madhëruar:

1- “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë”.([3])

2- “Por, Allahu është Mbrojtësi juaj dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë”.([4])

3- “Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut”.([5])

4- “Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët”.([6])

5- “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët”.([7])

6- “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t`u frikësuar dhe as për t`u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut)”.([8])

7- “Kjo, për shkak se Allahu është Mbrojtës i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës”.([9])

A nuk e shikon se Allahu i Madhëruar të cilëson të Tijin në këto ajete të qarta, të dhuron mbrojtjen e Tij dhe të jep Hirin e Madhështisë së Tij?! Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.([10]) Në një hadith fisnik, i Përzgjedhuri (Paqja qoftë mbi të) transmeton nga Zoti i tij: “Në Ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar do të thotë: “O njerëz! Ju përcaktuat lidhjet tuaja farefisnore dhe unë përcaktova lidhjen Time! Ju thatë: “Filani, i biri i filanit” ndërsa Unë thashë: “Më i miri prej jush është ai, i cili e ka më shumë frikë Allahun”.([11]) Sot, Unë do të lartësoj lidhjen Time dhe do të nënçmoj lidhjen tuaj([12]).

Vëllai im i dashur! Për këtë shkak, paraardhësit e devotshëm parapëlqyen që t`i lartësonin lidhjet e tyre (shpirtërore), duke ia atribuar ato Allahut të Madhëruar (parapëlqyen termin “rob i Allahut” në vend të “biri i filanit” etj), duke i bërë themel të lidhjeve të tyre dhe bosht të punës së tyre. Për ta realizuar këtë, ata i thonin njëri-tjetrit: “Më thirr vetëm “Robi i Tij” sepse ky është emri im më fisnik tek Ai”. Kur njëri prej tyre u pyet, se nga ishte babai i tij – nga fisi Temim apo Kajs – ai ia ktheu: “Babai im është Islami dhe nuk kam baba tjetër, ndërsa të tjerët le të mburren me Kajsin apo Temimin”.

Nuk ka lavdi tjetër pas kësaj përkatësie

O vëllai im i shtrenjtë! Njerëzit mburren me paraardhësit e tyre, për shkak se në veprat e paraardhësve gjejnë lavdinë dhe fisnikërinë. Ata mundohen, që tek zemrat dhe shpirtërat e bijëve të tyre të ndezin zjarrin e krenarisë dhe të lavdisë. Mirëpo nga këto dy objektiva ata nuk përfitojnë asgjë.

Përsa i përket lavdisë dhe nderit, a nuk e di se t`i përkasësh Allahut është ambicja më e lartë e synuar nga ambiciozët? “Lavdia i takon vetëm Allahut”.([13]) Kjo është gjëja e parë që të lartëson në shkallat më të larta dhe që frymëzon shpirtin, për t`u ngritur dhe bashkëvepruar me njerëzit që punojnë. Ku ka nder më të madh dhe motiv më të lartë, sesa të jesh “Rrabbânî – i përkushtuar në çdo detaj ndaj Allahut”: lidhja jote është me Allahun dhe prej Tij buron përkatësia jote?! Allahu i Madhëruar thotë për këtë: “Përkundrazi, ai thotë:Bëhuni robër të ditur të Zotit (Rrabanijun), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë”.([14])

Burimet më të mëdha të fuqisë

Pretendimi se dikush i përket Allahut të Madhëruar ka një parakusht, të cilin e kupton vetëm ai që e ka përjetuar këtë lloj përkatësie. Ky parakusht është uragani që buron nga besimi dhe bindja për sukses, të cilat e mbushin zemrën tënde. Nëse të gjithë njerëzit të frikësojnë dhe e gjithë bota qëndron para teje duke u munduar  të cënojë besimin tënd apo të minojë parimet e tua, ti mos ki frikë prej tyre: “(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” por kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm”.([15])

Kishte raste kur një nga ata të paktit – që besonte në Allahun dhe kishte bindje të sigurtë tek Ai dhe tek përkrahja e Tij – qëndronte i vetëm para hordhive zhurmuese dhe ushtrive gjigande, pa pasur frikë për sulmin apo persekutimin që mund t`i bënin, por duke pasur frikë vetëm Allahun e Madhëruar. Ku ka forcë më të madhe se forca që buron nga zemra e një burri besimtar, nga gjoksi i të cilit shpërthen Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nëse ju ndihmon Allahu, s`ka kush t`ju mposhtë”?!([16])

Nacionalizmi ynë është përkatësi universale

Është një aspekt shumë i rëndësishëm shoqëror, kur ne theksojmë se të gjithë njerëzit i përkasin Allahut të Madhëruar. Ky aspekt është vëllazëria mes popujve, marrëdhëniet shoqërore reciproke dhe zhdukja e ambicjeve të të pangopurve, të cilat ushqejnë fanatizmin dhe ndezin zjarrin mes popujve, duke sjellë ndasi dhe përplasje. Kush dëshiron të shpëtojë botën, duke u bashkuar fuqishëm rreth flamurit të Allahut”?

Autor: Imam Hasan El Benna

([1]) – Kurani: Bekare, ajeti: 257.

([2]) – Kurani: Haxh, ajeti: 40.

([3]) – Kurani: Bekare, ajeti: 257.

([4]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 150.

([5]) – Kurani: Maide, ajeti: 55.

([6]) – Kurani: Araf, ajeti: 196.

([7]) – Kurani: Teube, ajeti: 51.

([8]) – Kurani: Junus, ajeti: 62-63.

([9]) – Kurani: Muhamed, ajeti: 11.

([10]) – Kurani: Munafikun, ajeti: 8.

([11]) – Kurani: Huxhurat, ajeti: 13.

([12]) – Hadith shumë i dobët. Hakimi (3725, 3726) dhe Bejhakiu në “Shuabu`l-Îmân”, (4775). Bejhakiu e shënon gjithashtu në “Shuabu`l-Îmân”, si thënie sahabiu, por vargu i thënies është i dobët.

([13]) – Kurani: Nisa, ajeti: 139.

([14]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 79.

([15]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 173.

([16]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 160.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.