Shoqata kulturore “Ardhmëria” zhvilloi më 20–21 dhjetor 2025 Asamblenë e Përgjithshme Vjetore dhe Asamblenë Zgjedhore, në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e shoqatës.
Ditën e parë u prezantua raporti i veprimtarisë për vitin 2025, duke përfshirë punën islame, aktivitetet qendrore verore dhe projektet kryesore të shoqatës. Asambleja u hap me lexim Kur’ani dhe vijoi me fjalë përshëndetëse nga drejtues dhe përfaqësues të institucioneve partnere, si dhe nga kryetari i shoqatës kulturore “Ardhmëria”, prof. Sabaudin Jashari. U shfaqën inserte video që pasqyruan veprimtarinë e punës islame, aktivitetet dhe projektet kryesore të vitit. U vlerësua kontributi i shoqatës kulturore “Ardhmëria” në ftesë, edukim dhe projekte me ndikim shoqëror, si dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit institucional.
Asambleja u nderua nga i ftuari special François Burgat, studiues i njohur francez i shkencave politike dhe studimeve arabe, i cili mbajti dy ligjërata me interes të veçantë për pjesëmarrësit.
Fjalë përshëndetëse mbajtën:
Adem Gerlegiz, këshilltar për çështjet fetare pranë ambasadës së Turqisë në Tiranë.
Mesut Özbaysar, drejtor i fondacionit “Maarif” në Shqipëri.
Korab Hajraj, kryetar i shoqatës “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim” nga Kosova.
Klodjan Bregu, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, të shoqatës kulturore “Ardhmëria”.
Tarik Aldun, përfaqësues i CEM – Council of European Muslims (Këshilli i Myslimanëve Evropianë).
Ditën e dytë u zhvillua Asambleja Zgjedhore. Procesi zgjedhor u realizua në mënyrë të rregullt, të qetë dhe transparente, përmes votimit elektronik të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe anonim. Kryetar u rizgjodh me shumicë vote prof. Sabaudin Jashari. Anëtarët ushtruan të drejtën e votës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, në përputhje me kriteret dhe përfaqësimin e përcaktuar në aktet themelore të shoqatës. Në përfundim u shpallën rezultatet dhe Asambleja u përmbyll me fjalën përshëndetëse të kryetarit të shoqatës kulturore “Ardhmëria”.



















