“Mund të thuhet se shqiptarët janë të vetmit që nuk i kanë kushtuar kurrfarë rëndësie këtij aspekti…, edhe pse roli i shqiptarëve është më i madh se i shumë popujve ballkanikë, me dallim që ata i kanë studiuar shkrimtarët e tyre, e ndër ne kjo punë merret me nënçmim, të mos themi me përbuzje… Le që boshnjakët janë shumë përpara në studime, por madje edhe serbët edhe sllavo-maqedonasit.” (Hasan Kaleshi)
Shqyrtime hyrëse
Arritja e Islamit në Ballkan e sidomos në trojet iliro-shqiptare nga shekulli 8 e deri në shekullin XV në shkencën dhe politikën shqiptare ende paraqet temë të padëshirueshme, tendencë antikombëtare dhe prishje të imazhit shqiptar, i cili përjashtimisht shikon drejt Evropës. Për të tjerët futja e kësaj teme në itinerarin shkencor paraqet humbje kohe, kurse intelektualët me ndjenjë islame këtë temë nuk e zënë në gojë, sepse o frikësohen nga historia laiko-kristo-centriste shqiptare o bëjnë politikë ditore. Edhe kur e zënë në gojë këtë temë, të tillët disi e theksojnë si hipotezë, mendim të izoluar të një autori anonimus, por kurrsesi t’i kushtojnë rëndësi si një realitet nga i cili nuk duhet të ndiejmë inferioritet, frikë e turp.
Angazhimet tona në këtë fushë, ndonëse jo intensive, janë të vazhdueshme, tashmë mbi dy dekada, dhe me rezultate modeste[1], por pa fuqi më të madhe që arritjet dhe rezultatet të shtyhen dhe të vendosen në vendet relevante shkencore.[2] Në këtë rrafsh më e gatshme është treguar vetëm SHB Logos-A nga Shkupi, e cila i botoi tre libra të veçantë me këtë tematikë dhe së fundi një vepër si tërësi të këtyre shkrimeve.[3]
Kjo temë nuk është trajtuar në asnjë aspekt të saj në institucionet shtetërore në trojet shqiptare. Edhe kur theksohet ndonjë fjali apo paragraf lidhur me këtë temë, kjo bëhet rastësisht ose pa vetëdije për këtë. Është interesant të thuhet se kjo ndodh vetëm në trojet shqiptare, sepse në këtë rrafsh studimet kanë avancuar më mirë edhe te kroatët, edhe te serbët, edhe te maqedonasit e mos të flasim për boshnjakët.
Indiferenca jonë ndaj të vërtetave historike
Janë dy çështje që duhet trajtuar kalimthi. E para është indiferenca jonë ndaj të vërtetave të qarta dhe frika nga “piramida” e krijuar nga historiografia katoliko-centriste dhe pan-sllaviste. Deri sa historianët në dukje shekullaristë e në brendi posedojnë …izma të ndryshëm, edhe mitet e legjendat, edhe ëndrrat i shndërrojnë në histori, njerëzit tonë, madje edhe vetë Bashkësia Islame, frikësohen nga e vërteta. Të tjerët e shtrijnë krishterizmin qysh me lindjen e Jezuit e deri sot dhe atë e quajnë fe burimore, autoktone, të shenjtë etj.etj., ndonëse Jezui ishte aziatik nga Palestina, arameit, kurse Islamin e quajnë trup të huaj, monstrum, që i tëri prodhon dhunë, ekstremizëm dhe obskurantizëm. Madje, këtij karvani të pavërtetash më 2006, pa dashje, i ndihmoi edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës, duke e titulluar një simpozium “Gjashtë shekuj të Islamit ndër shqiptarë”, duke i refuzuar të vërtetat e qarta. Në këtë mënyrë, me apo pa qëllim, ajo i kontribuoi mosprishjes së imazhit të gënjeshtrës të konstruktuar për një kohë të gjatë. Është i diskutueshëm ky qëndrim i organizatorit, kur kemi parasysh se historiografia botërore e pranon tezën që edhe ne e përfaqësojmë. Madje, edhe historiografia ballkanike e pranon këtë fakt dhe në vend të injorimit ajo e studion. Bile, kemi edhe disa studime serioze në këtë rrafsh.[4] Kjo klimë e krijuar, sidomos, gjatë shekullit XIX-XX, kohëve të fundit ka irrituar vetë shkencëtarët e huaj, të cilët thonë se komponenti islam në historinë shqiptare është neglizhuar dhe dëmtuar.
E dyta është koha e ardhjes së Islamit në këto troje, intensiteti i përhapjes së Islamit dhe rruga dhe metodat në këtë rrjedhim. Ajo që flitet në shkrimet e historiografisë shqiptare është periudha osmane, që fillon me intensitet të ulët me Betejën e Kosovës për t’u intensifikuar në gjysmën e dytë të shekullit XV. Mirëpo, shpesh herë këto shkrime nuk bëjnë dallimin ndërmjet marrjes (pushtimit) së një territori dhe procesit të islamizimit në atë vend. Ata nga mosdija apo nga neglizhenca e qëllimshme e fakteve historike, harrojnë ndikimin e pranisë së hershme të Islamit në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare dhe ndikimin që Islami dhe muslimanët e kanë pasur në këto troje. Për këtë arsye, duhet dalluar dy periudha: periudha paraosmane dhe periudha e hershme osmane. Është me shumë rëndësi perceptimi i drejtë i islamizimit të Ballkanit dhe të trojeve iliro-shqiptare sepse kjo çështje është në lidhje të drejtpërdrejtë me perceptimin e mënyrës dhe kohës të ndikimit islam në këtë nënqiell.[5]
Nuk duhet harruar edhe faktin se islamizimi i iliro-shqiptarëve duhet vështruar në kontekstin e gjerë ballkanik, sepse nuk ka mund të përdoret një kriter për ilir-shqiptarët e një kriter për popujt e tjerë. Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe faktin se depërtimi (pushtimi) ushtarak i territorit nga turqit dallon nga zgjerimi i Islamit. Edhe pse me depërtimin e Islamit në Ballkan kryesisht nënkuptohej asimilimi i popujve vendorë në turq apo musliman, prej nga i kemi edhe shprehjet turqizim e islamizim (i dhunshëm), kryesisht ka ndodhur e kundërta, sllavizimi apo iliro-shqiptarizimi i turqve[6], sepse iliro-shqiptarët apo sllavët ishin shumicë kurse ata pakicë. Rasti i sllavizimit dhe ortodoksizimit te bullgarëve, të bogumilëve, turqve vardariotë, peçenegëve, pjesëtarëve të Sari Salltëkut e të tjerë, flasin qartë për këtë fenomen deri tash të njohur në parim por të heshtur në shkencën tonë. Por, një pjesë e këtyre popujve edhe pse u asimiluan në aspektin nacional, megjithatë ata e ruajtën substancën fetare, fenë islame, dhe ua prezantuan popujve të tjerë. Edhe pse depërtimi ushtarak ka të dyja anët e medaljes, edhe atë paqësore edhe atë të dhunës, islamizimi ndërkaq ka qenë i shkallërishëm, i ngadalshëm, i qetë dhe pa dhunë dhe filluar jo me Betejën e Kosovës, por shumë më herët, qysh nga shekulli VIII e pas. Nëse do të merremi me të dhënat e hulumtuesve shkencorë do të vërejmë se procesi i pranimit të Islamit ka zgjatur disa shekuj. Defterët osmanë dhe dokumentet e tjera flasin qartë në favor të mendimit tonë, kurse nuk mund të gjendet asnjë fushatë dhune çfarë e gjejmë me kryqëzatat, inkuizicionin dhe ndërmarrjet e shumta evropiane gjatë shekujve.
Rrugët e përhapjes së Islamit në Ballkan dhe në trojet shqiptare
Ballkani dhe veçanërisht trojet shqiptare karakterizohen me një mozaik multikulturor, fetar, gjuhësor etj. Trojet tona lidhin veriun me jugun dhe lindjen me perëndimin jo vetëm në aspektin ushtarak por edhe në atë tregtar, fetar e kulturor. Kjo natyrë e reliefit gjeografik por edhe përparësitë e tjera e bënin territorin tonë një hapësirë kozmopolite ku koekzistonin popuj e fe të ndryshme gjatë gjithë historisë që e njeh njerëzia.[7]
Zakonisht pranohen tri rrugë të përhapjes së Islamit në Ballkan dhe në trojet shqiptare: nga jugu, lindja dhe veriu. Mirëpo, harrohet të ceket se edhe ana perëndimore nuk është për t’u anashkaluar. Prania tetëshekullore muslimane në Spanjë dhe numri i madh i muslimanëve atje, bëri që prurjet të jenë të konsiderueshme edhe nga Spanja, apo nga Andaluzia e njohur. Kjo sidomos ndodhi kur ushtritë kristiane filluan të godasin në territoret muslimane dhe ta tkurrin territorin e banuar me muslimanë. Me tkurrjen e territorit të tyre, muslimanët nën alternativën e shfarosjes fizike apo të konvertimit përçmues, zgjodhën rrugën e ikjes, të shpërnguljes. Kjo do të rezultojë me formimin e enklavave maure në Ballkan, e sidomos në Bosnjë dhe në trojet shqiptare. Edhe pse këto lëvizje nuk janë studiuar mirë, shumë patronime të vjetra si: Mavra, toponime si (liqeni) Mavrova e të ngjashme, kanë prejardhje nga maurët (muslimanët) spanjollë, të cilët pas ikjes nga shfarosja, u vendosën nëpër vende të ndryshme në Ballkan, e sidomos pranë lumenjve, liqeneve apo bregdeteve.[8]
Normalisht, rrugët kryesore të përhapjes së Islamit janë tradicionale dhe atë nga:
– Jugu – këto fërkime e kontakte janë më të hershmet;
– Lindja – këto lidhje janë më intensivet gjatë historisë;
– Verilindja – jo fort intensive, por të fuqishme dhe;
– Perëndimi – më pak intensive, por të qëndrueshme.
Normalisht, këto lëvizje, fërkime e kontakte janë zhvilluar në pajtim me rrethanat e kohës dhe me mjetet konvencionale karakteristike për mesjetën. Rrugët kryesisht janë ato nëpërmjet tokës që më së shumti vlen për kontaktet e Lindjes dhe Verilindjes, por edhe Perëndimit nëpërmjet detit dhe kjo vlen për kontaktet nëpërmjet Detit Mesdhe, Egje, Jon dhe Adriatik por edhe lumenjve, sidomos Danubit dhe lumenjve më të vegjël. Disa nga këto rrugë janë të njohura prej më herët dhe kanë lidhur perandoritë e lashta të bizantinëve e persianëve, por edhe rrugët e quajtura “dubrovnikane”, “bizantine” etj. Këto rrugë lidhnin mes veti trojet ballkanike me qendrat e mëdha botërore.
Sigurisht kontakti i parë i shënuar i popujve ballkanikë, dhe sidomos iliro-shqiptarëve, dhe Islamit u zhvillua gjatë ekspansionit të armatës së përzier bullgare-arabe dhe disa fiseve turke nga Azia qendrore. Këtë armatë të përzier më 679 e udhëhoqi kani Asperuhi (644-701), e cila e kaloi lumin Danub në Bullgari dhe e pushtoi Dobruxhën dhe Moesinë. Kanati i Asperuhit ishte i fuqishëm dhe në vitin 680 i sulmoi kufijtë verior bizantines në Ballkan dhe njëkohësisht e shtriri ekspansionin drejt qendrës së Ballkanit. Edhe një rast tjetër është sinjifikues. Kur më 639 Omer El-Hattabi e mori Jerusalemin, mundësia e ndikimit islam tek evropianët e sidomos në trojet iliro-shqiptare u bë e mundshme.[9] Siguria e hanxhinjve dhe e rrugëtimit të tyre shpesh ishte objekt i delegacioneve te shtetarëve muslimanë dhe kristianë, sikur ajo e Harunur-Rrashidit dhe Karlit të Madh, Riçardit I dhe Salahuddinit, El-Kamilit dhe Fridrihit II etj.[10]
Kjo ishte një periudhë e dobësisë bizantine edhe për shkak të fërkimeve të brendshme por edhe për shkak të invadimeve të avarëve, arabëve, persianëve, sllavëve, bullgarëve, peçenegëve, hazarëve, kumanëve të cilët tashmë ishin vendosur në pjesë të ndryshme të perandorisë bizantine.[11]
Mirëpo, këto fërkime e kontakte, nuk patën vetëm karakter ushtarak e shfrytëzues, por edhe karakter fetaro-kulturor e historik dhe praninë e parë të Islamit në brendi të Ballkanit.[12] Meqë territori për të cilin flitet kryesisht ishte i banuar me trakë, dakë e ilirë, do të pohojmë se iliro-shqiptarët kanë qenë ndër muslimanët e parë vendorë.
Ardhjen e popujve të ndryshëm muslimanë nga Lindja e ndihmuan edhe vendorët, duke ua huazuar monoksilat (lloj barke) për kalimin e Bosforit dhe lumenjve të mëdhenj dhe daljen në Evropë. Kjo ka rëndësi të madhe, sepse muslimanët e rinj jetuan dhe vepruan përgjithnjë në këto troje, ndonëse përjetuan ngritje dhe rënie.
Në Analin e Popit të Duklës (840-841) është shkruar se “në këtë kohë dolën nga Sicilia shumësi e madhe e anijeve saracene” … “anijet e tilla në gjuhën greke quhen “miria armeni” kurse në gjuhën latine quhen “decem milia vella” (dhjetë mijë vela). [13] Vëllimin e anijeve muslimane drejt bregdetit ballkanik e konfirmon edhe perandori bizantin Konstantin Porfirogeni (shek. X), i cili ka shkruar se “si 36 anije kanë ardhur deri në Dalmaci.” [14]
Harta historike e Sicilisë nga Piri Reis:
Përndryshe, Sicilia u pushtua për herë të parë nga muslimanët qysh në kohën e Osmanit r.a. në vitin 652, por ushtria muslimane është tërhequr. Përfundimisht, Sicilia ra në duar të muslimanëve në vitin 965-1072. Këtë gjendje e përshkruan murgu Teodosius, i sjellë nga Sirakuzi me kryepeshkopin Sofronies, duke e përshkruar qytetin Palermo thotë: “Përplotë me qytetarë dhe të huaj, kështu që duket se aty është mbledhur gjithë populli Saracenë nga Lindja në Perëndim, dhe nga Veriu në Jug … të përzier me sicilianë, grekë, lombardianë dhe jehudijë; aty ka arabë, berberë, persianë, tatarë, zezakë, disa të mbështjellë me mantela të gjatë dhe turbanë, disa të veshur me lëkurë e disa gjysmë lakuriq …”. [15] Kurse Ibn Xhubejri e përshkruan Palermon si vijon: “Është metropol i ishullit; duke i bashkangjitur pasurinë dhe shkëlqimin e saj, aty ke gjithçka që dëshiron, të vërteta apo të qarta, të gjitha nevojat e jetesës, të staxhionuara dhe të freskëta. Është një qytet antik dhe elegant, madhështor dhe i këndshëm e joshës për ta parë. … Gratë krishtere të këtij qyteti ndjekin modën e grave muslimane; kanë të folur të rrjedhshëm, mbështillen me mantel dhe janë të mbuluara.” [16]
Por, nën kontrollin musliman ranë edhe shumë qytete të tjera, si Tivari, Ulqini etj.[17] Me këtë rast, shumë muslimanë u vendosën në këto vendbanime: tregtarë, zejtarë, misionarë e të tjerë në kërkim të kushteve më të mira. Këto lëvizje dhe vendbanime të muslimanëve i shënon edhe Idrisi, gjeografi e hartografi më i njohur musliman, duke shkruar se në “Ballkanin romakë ka fusha të kultivuara jashtëzakonisht mirë, të rrethuara me vendbanime.” [18] Konkretisht, ekzistimi i “Xhamisë së Marinarëve” në Ulqin është një nga provat e shumta materiale të jetëgjatësisë së muslimanëve në trojet shqiptare shumë kohë para osmanlinjve. Të dhënat e shkruara flasin se kur osmanlinjtë në vitin 1571 erdhën në Ulqin aty gjetën xhaminë që njihej si “Xhamia e maurëve apo e arabëve.”[19] Ndikimi nëpërmjet bregdetit Adriatik ndodhi edhe në muzikë, siç janë trubadurët.[20] Nga Verdikti i Peshkopit të Ohrit, Demetrius Komantianos, drejtuar Peshkopit të Durrësit, sipas kërkesës së tij, më 1220, se si të veprojë me minoritetet fetare, lexojmë: Grupet minoritare (fetare), duke përfshirë çifutët dhe muslimanët, duhet të kenë liri të kufizuar … Vendet e kultit të tyre nuk duhet toleruar jashtë vendbanimit të tyre.”[21]
Kurse historiani Porfirogeniti (905-959), mbret dhe historian bizantin, shënon se Peçenegët dhe grupimet e tjera muslimane në Ballkan, të cilët jetojnë përbri Danubit “jetojnë jetë nomade dhe lidhin vendbanime të tëra.”
Në këtë nënqiell kemi Hungarinë mesjetare dhe popujt e shumtë muslimanë si: peçenegët, kazarët, bullgarët nga Vollga, havarizët, kumanët, saracenët etj. këta përmendet nga autorë të shumtë muslimanë e jomuslimanë gjatë shekullit XI dhe XII. Ebu Hamid El-Garnati, Jovan Kinamosi dhe Nikita Homije i përmednin këto grupime në kontekste të shumta.[22] Edhe autori tjetër, Ibn Fadlani, ambasador i halifit abasit El-Muktedir, në veprën Kitāb ilā Mulk ‘il-Sakāliba (كتاب إلى ملك الصقالبة), [23] ka ecur nëpër Ballkan në pjesën e parë të shekullit X, dhe me këtë rast ka përshkruar grupimet muslimane.[24] Është interesant të theksojmë se autorët e lashtë arabë rrëfejnë në kronikat e tyre se muslimanët evropianë në mesjetë kryesisht janë të medhhebit hanefij, çfarë janë të gjithë muslimanët e Ballkanit.[25]
Muslimanët i gjejmë edhe në aleanca luftarake, kështu që bani boshnjak Borisi e mbrojti Bosnjën nga bizantinët së bashku me muslimanët. Ebu Hamid El-Garnati, i cili e vizitoi Hungarinë, shënoi se gjatë luftës ndërmjet Hungarisë dhe Bizantit (1151-1155) në të dyja anët kishte ushtarë muslimanë. Madje, disa feudalë boshnjakë në kapërcell të shekullit XIII dhe XIV. Kanë pasur emra muslimanë. Po në këtë kohë, mbreti boshnjak e dërgoi përfaqësuesin boshnjak musliman me emrin Reuf të bëjë kontratë me Dubrovnikun. Kjo është rreth 150 vjet para ardhjen osmane në Bosnjë/ Ballkan.[26] Mendohet se numri i muslimanëve me ndikim në shoqëri sidomos u shtua pas Betejës së Kosovës. [27]
Edhe autori i njohur Ricaut cek se ushtarët muslimanë në kufijtë e Hungarisë dhe Moravisë lexonin në gjuhën sllave por edhe lexonin në gjuhën arabe, lexonin Kur’an e madje lexonin libra edhe në gjuhën perse. Ishte dukuri normale përhapja e shkrimeve islame. Madje edhe misionari kristian dhe themeluesi i alfabetit çirilik, Çirili dhe Metodi (shek. IX), përveç gjuhëve sllave e njihte edhe gjuhën arabe[28], që e pati mësuar në vendlindjen e tij. Madje thuhet se edhe në Athinë ka ekzistuar një vendbanim me arabë.[29] Te çdo sundues bizantin do të gjejmë praninë e grupimeve muslimane, sikur edhe gjatë Andreut II dhe Ladislav Kumanit numër i madh muslimanësh e ka populluar brendinë e Ballkanit. Madje, mbreti hungarez Emeriku i kishte ismailitët për farkues të monedhave. Këta farkues ishin të gjallë në lëvizjet e tyre dhe në këmbimin e vlerave materiale, kulturore dhe fetare me popujt përreth.[30] Duke e marrë parasysh se pozita gjeostrategjike e trojeve iliro-shqiptare ishte në kryqëzim të rrugëve kontinentale, rajonale dhe lokale, që lidhnin Evropën dhe Azinë, Veriun dhe Jugun, por edhe qendrat brenda Ballkanit.
Lëvizjet (tarikatet) sufiste
Lëvizjet e dervishëve janë të hershme por gjithnjë të përcjella me misteriozitet. Ata kanë lëvizur pa ndonjë datë apo shkak tjetër, pos që të arrijnë në vende të ndryshme dhe ta prezantojnë fjalën e Zotit. Kjo mënyrë e tyre e punës ka bërë që mos të kemi data të sakta të lëvizjeve të tyre. Mendoj se këto lëvizje janë edhe gjatë shekujve IX, X e pas. Në këtë na shtyn të mendojmë kur lexojmë për synimin e tyre, metodat e tyre të punës dhe mënyrën e jetës së tyre askete. Megjithatë, shenjat e para konkrete i kemi rreth shekullit XIII ne Bosnjë, në Kosovë, Maqedoni e gjetiu. Metodat e tyre tejet fleksibile, elastike dhe humaniste, jeta askete dhe modeste i tërhiqte njerëzit përreth. Është dalluar lëvizja e Sari Salltëkut dhe e nxënësve të tij thuajse në tërë Ballkanin. Shtrirja e tyre bëri që ata 1-2 shekuj para osmanlinjve të themelojnë kampet e tyre të punës. Varret që prekin tërë Ballkanin, sidomos varri i Sari Salltëkut në Krujë, pastaj në Ohër, Pejë e vende të tjera provojnë se muslimanët qenë të pranishëm në këto troje gjatë shekullit XIII e pas. [31] Ky aktivitet i tyre ka ndikuar në formimin fetar dhe kulturor të nënqiellit kozmopolit të Ballkanit dhe tokave shqiptare. Tarikatet dhe prijësit e tyre, por edhe dijetarët endacakë nga Lindja e Perëndimi, sikur edhe delegacionet shtetërore të nivele të ndryshme, karvanët tregtarë e të tjera ndikuan që fjala e Zotit të dëgjohet çdo ditë e më shumë në mesin e popujve të shumtë, por më së shumti ndër shqiptarët. Duhet theksuar se këto lëvizje grupore apo individuale zakonisht kanë qenë jashtë strukturave oficiele. Me rritjen e numrit ë tyre ata krijuan enklava të caktuara, ndërtuan edhe xhamitë e objektet tjera. Megjithatë, ata përndiqeshin nga armiqtë e tyre kurse vlerat e tyre fetare dhe kulturore janë shkatërruar dhe zhdukur.
Kolonitë muslimane në Ballkan
Ndonëse një pyetje e tillë është e vështirë të merr përgjigje përfundimtare, për shkak të studimeve ende të brishta, megjithatë disa gjera janë të sigurta. Banishtat e para muslimane në Ballkan, kurse Ballkanin në këtë periudhë më së shumti e përbënin iliro-shqiptarët, do t’i gjejmë nga shekulli VIII e deri në shek. XIII. Përbërja e tyre ishte kryesisht nga fiset e ndryshme turke por edhe nga pjesë të tjera. Njëkohësisht, kemi edhe muslimanët e parë vendorë të islamizuar në këtë kohë. Edhe pse shtrirja e muslimanëve ishte pothuaj në të gjitha territoret, dendësia e tyre ishte e theksuar sidomos në territorin iliro-shqiptar, d.m.th. poshtë Danubit e deri në Selanik dhe nga Dobruxha në Traki e deri në Durrës e Ulqin në Adriatik.
Sipas Ebu Hamid El-Garnatit poshtë Danubit kemi disa grupime muslimanësh. Aty gjejmë emrat Magribitët, Ismailitët dhe Havarizmët etj. Deri sa për Ismailitët (mbase Peçenegët) thuhet se ishin luftëtarë dhe kalërues të mire, për Havarizmët thuhet se ishin këshilltarë mbretëror, tregtarë, doganierë, prerës monedhash etj.
Ardhja e muslimanëve në Bullgarët e Vollgës, që ndodhi rreth shek. VIII-IX krijoi një klimë të re, sepse Islamin filluan ta pranojnë jo vetëm banorët e zakonshëm, por edhe sundues të caktuar. Emrat e disa kanëve bullgarë gjatë shekullit X këtë më së mirë e dëshmojnë: Xhafer, Ahmed, Hasan, Naser, Mumin, Hajdar, Muhamed, Ibrahim, Sygyd, Burazh, Murad etj.[32]
Si rezultat i lëvizjeve të shumta të grupimeve muslimane, të formimit të banishtave të tyre të qëndrueshme dhe preokupimeve të tyre jetësore dhe intelektuale, do të gjejmë shumë emërtime toponimesh, patronimesh apo emërtime të tjera që asocojnë qartë në autoktoninë e tyre në Ballkan dhe trojet iliro-shqiptare.
Kemi toponime apo patronime me emrin Saraç që buron nga emërtimi saracen (musliman nga lindja), pastaj Agaren, që buron nga emri Haxhere, apo pasardhësit e Haxheres, d.m.th. muslimanët.
Një autor grek nga shek. XII thotë se “bezermanët janë të së njëjtës fe me arabët, persianët dhe turqit”. Toponimet dhe patronimet si Kozara janë me prejardhje nga Hazarët, Kalesia nga Kalisët, Halisët, Peçani, Peçenoviq, Peqin nga peçenegët etj. Edhe toponimet Mavrovë apo patronimet Mavra qartë asocojnë në praninë e maurëve (muslimanëve të ikur nga Spanja)[33], apo fshati Arapaj në Durrës dhe Berati, i cili këtë emërtim e mbanë para ardhjes osmane.[34] Edhe patronimi i lashtë në tokat shqiptare Saraçini (musliman) mbanë prejardhjen paraosmane. Po këtë emër e hasim në shekullin XV në Shkodër, ku përmendet fshati me emrin Saracinopol.[35] Sipër Tivarit kemi emrin e fshatit Turçin (Villa Iturchi) para kohës osmane, kurse është e qartë se formimi i një fshati nuk është punë dite, por e një kohe më të gjatë. [36] Po këtë e kemi edhe me emrin e qytetit Kumanovë, që asocon në Kumanët, të cilët bashkë me peçenegët i banonin këto troje në mesjetë.[37]
Krahas Idrisit, gjeografit më të njohur musliman, që e konfirmon praninë muslimane në bregdetin Adriatik, këtë e bënë e Toma Arhidakoni (1200-1260), i cili thotë se sllavët e Adriatikut kanë mbajtur kontakte me muslimanët “gjatë ekspansionit arab të bregdetit Adriatik.” Këtë e argumenton edhe prania e fjalëve të shumta arabe nga kjo kohë, si fjala xhumruk (tatim për çdo direk anijeje), mogoris (tatim për copë toke). Praninë e muslimanëve e dëshmon edhe udhëpërshkruesi i madh musliman Jakut El-Hameviu në veprën monumentale të tij Mu’xhem’ul-Buldan (Kajro, 1906), i cili pohon se “atje jetojnë grupe sllave dhe muslimane që jetojnë njëri pranë tjetrit.”[38] Përveç të përmendurve kemi edhe grupimin e vardariotëve të cilët kryesisht përshkruhen si kufitarë që kanë gëzuar lirinë e praktikimit fetar. Këta i ka përshkruar edhe Muhammed El-Istahri El-Farisi “si ushtarë dhe tregtarë të cilët udhëtojnë mjaft.”[39]
Mbishkrimi i xhamisë origjinal: 688 h./1289.
Do ta cekim edhe vendbanimin Mlik në Gorë të Dragashit. Në këtë fshat në vitin 1095 u vendos familja e Ahmed El-Agës nga qyteti Halep i Sirisë. Edhe sot kjo lagje quhet Halebie. Kjo familje në vitin 688 h./1289 e ndërtoi edhe xhaminë, e cila ka ruajtur edhe mbishkrimin. Kjo xhami është objekti më i vjetër në Kosovë e rajon që ekziston e për të cilin kemi të dhëna.
Muftinia e Halepit, Siri, vërteton se familja e Ahmed Agës është nga Halepi.
Të gjitha banishtat me etni muslimane të periudhës paraosmane kryesisht ishin rezultat i shkrirjes dhe asimilimit të qetë dhe të përshtatshëm me elementin bashkëjetues, me të cilët jetonin, bashkëvepronin dhe këmbenin vlerat fetare dhe kulturore.
Farkimi i monedhës ndër muslimanët
Punëtoritë e shumta islame për farkimin (prerjen) e monedhave kryesisht me inskriptimet arabe të stilit kufik ishin në qarkullim të dendur qysh gjatë shekullit IX-X në hapësirat evropiane si rezultat i lidhjeve tregtare por edhe i lidhjeve të tjera. Po në këtë kohë edhe në mbretërinë hungareze, që ishte në kufij të iliro-shqiptarëve. Mirëpo, punëtoritë e para për prerje monedhash islame në Ballkan i kemi nga koha e halifit Mervan II El-Himarit (688-750), e të cilat janë gjetur afër Mostarit në Bosnjë. Por, monedha janë gjetur edhe nga koha e Sulejman b. ‘Abd al-Malikut (sundoi 715-717), El-Mutewekkilit (sundoi 861-862) e sundues të tjerë.
Nga historiani boshnjak Ali Dede nga shekulli XVI lexojmë se në shek. IX-X në Perandorinë Bullgare të mesjetës kanë ekzistuar punëtori prerje monedhash islame me emrat e latuar në monedha të emirit samanidas të Ismail ibn Ahmedit (892-907), pastaj të El-Muktefiut (902-908), sikur edhe të kanit bullgar Xhafer ibn Abdullahut.[40]
Në nënqiellin iliro-shqiptar të mesjetës kemi edhe monedha me prejardhje selxhuke, të cilat përcilleshin nëpërmjet tregtarëve dhe misionarëve anembanë territorit.[41] Të gjitha këto lëvizje edhe pse kryesisht zhvillohen në trojet iliro-shqiptare nuk vënë në pah elementin shqiptar. Kjo nga arsyeja sepse shqiptarët nuk posedonin shtet apo struktura qeverisëse, por duke e marrë parasysh se shtrirja e bullgarëve etj. ishte në territoret iliro-shqiptare, elementi iliro-shqiptar është evident.[42]
Roli i bogumilëve në përhapjen e Islamit në Ballkan
Roli i bogumilëve në përhapjen e Islamit në Ballkan është i pakontestueshëm, megjithëse ende me vakume të caktuara. Përse e themi këtë? Sepse, historianët boshnjakë, nën ndikimin e historisë serbe-kroate, prejardhjen e tyre e shohin si sllave.[43] Mendoj se kjo hipotezë e tyre nuk është e qëndrueshme dhe kryesisht rezultat i indoktrinimit nga serbët. Trojet boshnjake në lashtësi ishin të banuara me ilirë dhe këtë e vërtetojnë shumë prova materiale dhe historike. Ky fakt nuk mund të ndryshojë përkundër invadimit sllav në shumicë në Ballkan. Elementi sllav dominoi por popullsia vendore e ruajti substancën e saj fetare dhe tradicionale, edhe pse gjuhësisht u asimilua. Ngjashëm rezistoi edhe popullsia ilire, që për dallim prej boshnjakëve e ruajti edhe gjuhën. Normalisht, përzierje pati, por nuk është e rastit që vetëm shqiptarët dhe boshnjakët janë ndryshe popujve të tjerë në Ballkan. Këtë element “ndryshe”, këtë substancë të ruajtur, elementi bogumil e gjeti si faktor bashkëpunues, kurse Islami ishte ideja udhëheqëse dhe shpëtimi i tyre nga zhdukja fizike. Këtu e shoh rolin e tyre prej shekullit X e pas në pranimin e fesë islame. Ata, për shkak të afërsisë doktrinale me Islamin, përqafuan fenë islame dhe u integruan me popullsinë vendore me prejardhje ilire, dhe në këtë mënyrë, bashkë me shqiptarët shpëtuan nga asimilimi i tërësishëm sllav.[44]
Periudha e hershme osmane & Në vend të përmbylljes
Shtrirja osmane në Ballkan nuk paraqiste kontaktet dhe fërkimet e para të Islamit dhe popullsisë vendore, sepse kjo tashmë kishte ndodhur shumë më herët. Kjo prani e hershme muslimane në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare qysh nga shekulli VIII-IX, lehtësoi kontaktin me Islamin dhe muslimanët në shekullin XIV e pas dhe përgatiti terrenin për kalimin më të shpejtë dhe më të lehtë në Islam[45]. Mirëpo, shpesh herë, në kërkim të faktorëve për pranimin e Islamit, historianët dhe analistët përmendin shumë faktorë: ushtarak, ekonomik, politik, kulturor, por e harrojnë faktorin e tërheqshmërisë së jashtëzakonshme të Islamit. Këtë fakt në shekullin XIX fetarisht e elaboroi edhe teologu kolosal Muhammed Abduhu[46], kurse këtij fakti legjitimitet historik i dha historiani e orientalisti anglez Th. W. Arnold[47].
Edhe pse është rëndë të përcaktohet roli dhe shkalla e secilit faktorë veç e veç në pranimin e Islamit[48], megjithatë veçimi i një faktori, siç është ai ushtarak e ekonomik, nuk çon në zgjidhje të çështjes por në ngatërrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një pasqyre ndryshe realitetit, të përmbushur me paragjykime dhe urrejtje nacionale dhe fetare.
Pranimi i Islamit në këto troje ishte një kontinuitet që nga shekulli VIII e IX, për të vazhduar dhe intensifikuar në shekujt XIV e XV e më pas, pa kalime radikale dhe pa kthesa e valë revolucionare. Islami u pranua nga të gjitha klasat e shtresat e popullit dhe nga të gjitha ritet fetare.[49] Gjithashtu, pranimi i vazhdueshëm i Islamit nga masat popullore dhe angazhimi për Islamin nuk ishte “fenomen religjioz” por fakt dhe realitet historik se Islami ishte përgjigjja më adekuate për nevojat e popullsisë deri atëherë të latinizuar apo helenizuar / sllavizuar. Këtë bukur e shprehi Hasan Kaleshi: “Vetëm islamizimi mund të shpëtonte shqiptarët nga asimilimi i huaj. Konvertimi në fenë e pushtuesve aziatikë do t’i jepte mundësi popullit shqiptar t’i rezistojë sllavizimit në veri, helenizimit në jug dhe romanizimit në qendrat bregdetare, ku mbizotëronte elementi i huaj, sidomos venedikas…”.[50] Në fund të fundit, kjo ishte një fitore e frymës Islame kundrejt fitores së forcës që i karakterizonte forcat jomuslimane të kohës.
Autor: Nexhat Ibrahimi
Literatura:
1 – Ferdinand Schevill, Ballkani, historia dhe qytetërimi, Tiranë, 2002.
- Filip Hitti, Istorija arapa od najstarijih vremena do danas, Sarajevë, 1973,
- Georges Castellan, Histori i Ballkanit, Tiranë, (-).
- Hajrudin S. Muja, Ulqini dhe Tivari – Ndërmjet Krishterimit dhe Islamit, Shkup, 2009.
- Halil Inaldzik, Od Stefana Dusana do Osmanskog Carstva, në: Prilozi za orijentalnu filologiju i istoriju jugoslovenskih naroda pod turskom vladavinom, III-IV, 1952-1953, Sarajevë, 1953.
- http://en.wikipedia.org/wiki/Ahmad_ibn_Fadlan .
- http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
- http://sr.wikipedia.org/sr/%D0%9F%D0%BE%D0%BA%D1%80%D1%88%D1%82%D0%B0%D0%B2%D0%B0%D1%9A%D0%B5_%D0%A1%D0%BB%D0%BE%D0%B2%D0%B5%D0%BD%D0%B0 .
- Ismet Busatlic, Studije o sljedbenicima knjige, Sarajevë, 1428/2007.
- Ismet H. Karamanaga, Kalaja legjendë dhe art, Ulqin, 2006.
- Jacques Le Golf, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Tiranë, 1998.
- Muhammed Abduhu, Risalet-ut-tewhid, Sarajevë, 1989.
- Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë, 2009.
- Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009
- Rade Bozovic, Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpskohrvatskom jezickom podrucju, Beograd, 1977.
- Roberto dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë, 1994.
- Salah Zaimeche, Sicilia – ngritja dhe rënia e muslimanëve, Shkup, 2009.
- Steven Runciman, Rënia e Konstantinopojës, Tiranë, 2006.
- Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004.
- Džavid Haveric, Dolazak islama na Balkanu i u Bosni, në: http://bosnjaci.net/prilog.php?pid=18823&DOLAZAK_ISLAMA_NA_BALKAN_I_U_BOSNU .
[1] Shih: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009, +770 faqe, sidomos faqet 83 e tutje dhe 353 e tutje. Qëllimisht, nga shkrimet tona më mëhershme nuk kemi shfrytëzuar të dhëna, apo ku ka qenë e domosdoshme, vetëm i kemi cekur.
[2] Kërkesat gjithnjë e më të fuqishme për rishkrimin e historisë shqiptare janë konfirmim i tezës sonë se provenienca islame në studimet shqiptare është shpërfillur gjatë të kaluarës. Përkundër rezistencës nga vetë shkruesit e historisë aktuale, të cilët ende mbajnë pozita të larta dhe kanë ndikim të fuqishëm në qeverisje, mendojmë se nuk do të vonojë e do të kemi përmirësime në këtë rrafsh. Edhe oferta e shtetit turk që dokumentet për Ballkanin mund të hulumtohen nga studiuesit është një hallkë me rëndësi në këtë drejtim.
[3] Këto vepra janë:
- Nexhat Ibrahimi, Kontaktet e para tëIslamitme popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, fq. 102.
- Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet ilir-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998, fq. 300 dhe tri botime të mëvonshme.
- Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shek. IX-XIV, Shkup, 2002, fq. 160.
- Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009, +770.
[4] Rade Bozovic, Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpskohrvatskom jezickom podrucju, Beograd, 1977 e studime tjera.
[5] Shih një studim serioz: Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë, 2009.
[6] Bullgarët mbajnë prejardhje nga Azia dhe janë një nga fiset turke, e të cilët gjatë shekujve IX-X u sllavizuan dhe krishterizuan. Sipas: Ferdinand Schevill, po aty, fq. 91-92.
[7] Ardhja e sllavëve asimiloi (pjesërisht) tre popujt ekzistues në Ballkan: ilirët, grekët dhe latinët. Sipas: Ferdinand Schevill, Ballkani, historia dhe qytetërimi, Tiranë, 2002, fq. 77.
[8] Ferdinand Schevill, po aty, fq. 84.
[9] Albert Rebic, Fenomen hodocascenja u Bibliji i u islamu, Bogoslovska smotra, Zagreb, 1984, 4, sipas: Ismet Busatlic, Studije o sljedbenicima knjige, Sarajevë, 1428/2007, fq. 10.
[10] Filip Hitti, Istorija arapa od najstarijih vremena do danas, Sarajevë, 1973, fq. 573. Jacques LE Golf, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Tiranë, 1998, fq. 74.
[11] Georges Castellan, Histori i Ballkanit, Tiranë, (-), fq. 36 e tutje.
[12] Sipas: Džavid Haveric, Dolazak islama na Balkanu i u Bosni, në: http://bosnjaci.net/prilog.php?pid=18823&Dolazak islama na Balkanu i u Bosni .
[13] Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
[14] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[15] J. D. Breckenridge, The two Sicilies, p. 43, sipas: Salah Zaimeche, Sicilia – ngritja dhe rënia e muslimanëve, Shkup, 2009, fq. 11.
[16] The travels of Ibn Jubayr, sipas: Salah Zaimeche, po aty, fq. 14.
[17] http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
[18] http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily . Krhs.: Salah Zaimeche, po aty, fq. 49-56.
[19] Sipas: Ismet H. Karamanaga, Kalaja legjendë dhe art, Ulqin, 2006, fq. 56.
[20] Jacques LE Golf, po aty, fq. 524.
[21] Cituar sipas: Hajrudin S. Muja, Ulqini dhe Tivari – Ndërmjet Krishterimit dhe Islamit, Shkup, 2009, fq. 149.
[22] Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Shkup, 2009, fq.
[23] Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Ahmad_ibn_Fadlan .
[24] http://en.wikipedia.org/wiki/Ahmad_ibn_Fadlan .
[25] http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
[26] http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
[27] http://en.wikipedia.org/wiki/Sicily .
[28]http://sr.wikipedia.org/sr/%D0%9F%D0%BE%D0%BA%D1%80%D1%88%D1%82%D0%B0%D0%B2%D0%B0%D1%9A%D0%B5_%D0%A1%D0%BB%D0%BE%D0%B2%D0%B5%D0%BD%D0%B0 .
[29] Sipas: Ismet Busatlic, po aty, fq. 20.
[30] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[31] Gjerësisht për Sari Salltëkun: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, po aty, fq. 425-443.
[32] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[33] Ferdinand Schevill, po aty, fq. 84
[34] Hajrudin S. Muja, Ulqini dhe Tivari – Ndërmjet Krishterimit dhe Islamit, Shkup, 2009, fq. 149.
[35] Milan Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët, Tiranë, 2002, fq. 49 dhe 83.
[36] Milan Shuflaj, po aty, fq. 152.
[37] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[38] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[39] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[40] Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[41] Monedhat e njohura nga kjo kohë janë: monedhat e argjendta të Kilicarsanit II i farkuar në vitin 1186; ajo e Sulejmanit II nga 1201, ajo e Keyhusrevit I nga viti 1205, Keykavusit I nga viti 1212; ajo e bakrit të Sulejmanit II (pa datë apo shenjë), ajo e Mugisuddin Tugrul shahut nga viti 1215 dhe e Mesudit II nga viti 1287-1289, sipas: Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[42] Lëvizjet e popujve myslimanë kanë shkuar deri në Skandinavi. Para disa kohësh në qytetin Hurum të Norvegjisë u zbulua monedha islame, dirhem, prej argjendi, tre gramë, e vitit 805-806. Haushang Hazai, zbulues pranë muzeut kulturo-historik të Universitetit të Oslos thotë se monedha në fjalë është përdorur dhe është shfrytëzuar në qytetin Muhamedie të Iranit. Supozohet se i takon kohës së dinastisë abasite, me fjalë të tjera i përket kohës së halifës Harun er-Rrashid. Shih: http://forumi.kurandhesunet.net/shkencat-natyrore(154)/zbulohet-monedha-islame-e-viti-805-ne-norvegji(39729).html (e shënuar më 25. 12. 2010).
Po ashtu, më 1841 në Angli u zbulua një monedhë me mbishkrim arab, që i përkiste mbretit anglosakson Offa, që sundoi Anglinë për 39 vjet (757-796 e.s.). Mendohet se monedha i përket vitit 157 hixhrij.
[43] Shih: Ismet Busatlic, Studije o sljedbenicima knjige, Sarajevë, 1428 h./2007, fq. 50 e tutje.
[44] Bogumilët kishin simpati për Islamin dhe këtë e shënojnë edhe hereziografët e historianët e lashtë mysliman si Ebul-Feth Esh-Shehrestaniu (-1153) dhe Ali Ibn Ahmed Edh-Dhahiriu (-1064) dhe ai kristian Seid ibn Bitrik (-940). Sipas: Džavid Haveric, po aty.
[45] Shih edhe: Ferdinand Schevill, po aty, fq. 47 e tutje.
[46] Muhammed Abduhu, Risalet’ut-tewhid, Sarajevë, 1989.
[47] Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004.
[48] Historianët F. Kuprulu dhe P. Wittek kanë vërejtur se vendosja e kadinjëve në postet më të larta politike dhe shoqërore ka ndikuar që qeverisja të bazohet në Ligjet islame, të cilat kanë mirëkuptim të plotë ndaj feve të tjera. Kjo ndikoi që banorët jomyslimanë të kenë simpati ndaj Islamit dhe një pjesë dërmuese e tyre gjatë kohës ta pranojë atë. Shih: Halil Inaldzik, Od Stefana Dusana do Osmanskog Carstva, në: Prilozi za orijentalnu filologiju i istoriju jugoslovenskih naroda pod turskom vladavinom, III-IV, 1952-1953, Sarajevë, 1953, fq. 53.
[49] Steven Runciman, Rënia e Konstantinopojës, Tiranë, 2006, fq. 15.
[50] Roberto dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë, 1994, fq. 22 e pas.
Marre ne www.breziiri.com