Çdo histori ka një fillim, dhe historia e zhvillimit njerëzor shpesh fillon me një imazh që të mahnit: ndërtesa prej xhami që shtrihen drejt qiellit, ura të varura që përshkojnë ujin si fijet e dritës, dhe qytete inteligjente që premtojnë lehtësi dhe efikasitet. Ky është imazhi i “qytetërimit” që njohim, një imazh i zhurmshëm, shkëlqyes dhe materialist. Por, nëse përqendrohemi pak pas zhurmës së makinerive të ndërtimit dhe pas dritës që reflektohet nga fasadat e xhamit, mund të dëgjojmë një pëshpëritje të butë që ngre një pyetje shqetësuese: Ku janë njerëzit në të gjithë këtë? Ku është shpirti?
Pse disa nga hapësirat tona publike, megjithë bukurinë e dizajnit të tyre, duken të ftohta dhe të huaja? Dhe pse ndonjëherë ndjejmë një vetmi të pashpjegueshme në lagjet më moderne, megjithë shërbimet e luksit? Këto janë pyetje që nuk i ngrejnë tabelat e të dhënave apo raportet e efikasitetit ekonomik, por që përcaktojnë dallimin midis ndërtimit të “banesave” dhe ngritjes së “shtëpive”, midis ngritjes së “ndërtesave” dhe krijimit të një “qytetërimi” të vërtetë.
Përgjigjja qëndron në një “balancë” të ndjeshme dhe të hollë, një balancë që s’shikohet me sy, por ndjehet me zemër. Në njërën anë të peshores vendosen planet e inxhinierisë, buxhetet financiare dhe teknologjitë moderne. Në anën tjetër të peshores vendosen kultura, vlerat, identiteti, kujtimet e vendit dhe rrjeti i marrëdhënieve njerëzore. Kur kjo balancë prishet dhe pesha materiale e anës së parë merr dominim mbi të dytën, fillojnë të plasariten ndërtesat më të bukura, jo në themelet e tyre të betonit, por në bazën e tyre njerëzore.
“Qytetërimi”: Ndërtimi i shpirtit para ndërtimit të ndërtesave
Koncepti i “qytetërimit” në kulturën tonë është më i gjerë dhe më i thellë se sa thjesht ndërtimi me tulla dhe beton. Rrënja e tij gjuhësore, “Ajn, mim, ra”, nuk do të thotë vetëm “ndërtoi dhe ngriti”, por gjithashtu do të thotë “gjallëroi, jetoi dhe përmirësoi”.
Qytetërimi është shpërndarja e jetës në një vend; është e kundërta e shkatërrimit dhe zbrazëtisë. Ai përfaqëson gjendjen ku jeta njerëzore lulëzon në të gjitha dimensionet e saj: shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike. Në këtë kuptim, ngritja e një qiellgërvishtësi në një shkretëtirë zemre të thatë nuk është qytetërim, por thjesht një strukturë e shurdhër.
Ne mund të dallojmë midis dy llojeve të ndërtimit: “qytetërimi i formës” dhe “qytetërimi i shpirtit”. I pari është trupi, është gjithçka e dukshme dhe e matshme: kilometrat e rrugëve, numri i apartamenteve, lartësia e kullave. Ndërsa i dyti është shpirti që rrjedh brenda këtij trupi: sistemi i vlerave që udhëheq marrëdhëniet midis njerëzve, besimi reciprok, ndjenja e përkatësisë ndaj vendit, historitë e përbashkëta që tregohen nga muret e një lagjeje të vjetër, dhe ngrohtësia e marrëdhënieve që fqinjët konsiderohen si një familje.
Kur planet e zhvillimit fokusohen tek “qytetërimi i formës” dhe neglizhojnë “qytetërimin e shpirtit”, ato ndërtojnë një trup të bukur, por pa jetë. Një trup që mund të tërheqë shikimet, por që nuk ofron strehim të vërtetë për banorët, nuk u jep qetësi dhe nuk i bën të ndihen pjesë e vendit.
Simptomat e shqetësimit të balancës: Kur dëshmojnë faktet
Kur kultura neglizhohet në fushën e zhvillimit, rezultatet nuk janë thjesht shifra në një raport, por bëhen realitet i përjetuar që e shohim në detajet e jetës sonë të përditshme. Disa nga simptomat më të dukshme janë:
Evropianizimi shoqëror
Ndonjëherë, lagje të reja banimi projektohen sipas modeleve të huaja që injorojnë “kulturën e lagjes” të trashëguar. Njësitë banimi bëhen thjesht kuti të vendosura radhazi, ndarë nga fqinjët me mure të trasha dhe hapësira sociale të mëdha bosh. Fqinjët kalojnë vite pa njohur njëri-tjetrin, dhe rrjetet e ndihmës dhe solidaritetit që dikur ishin siguri për komunitetin zbehen. Humbim atë ndjenjë se “fqinjët janë më të afërt se të afërmit”.
Projektet jetimë
Sa projekte janë ndërtuar sipas standardeve më të larta, e pastaj kanë mbetur të braktisura pa u përdorur nga askush? Një treg modern që tregtarët nuk e vizitojnë sepse nuk i përshtatet mënyrës së tyre të zakonshme të shitjes dhe ekspozimit, ose një qendër kulturore që ofron programe që nuk prekin shpirtin e komunitetit dhe nuk flasin gjuhën e tij. Këto projekte nuk janë dështim inxhinierik, por dështim kulturor, sepse nuk lindën nga zemra e komunitetit, por zbritën nga lart, i emetuan duke i lënë jetimë pa prindër.
Erozioni i identitetit
Qytetërimi është kujtesa materiale e një kombi. Kur shkatërrojmë një lagje të tërë me vlera historike për të ngritur në vend të saj një qendër tregtare moderne, nuk heqim thjesht gurë të vjetër, por fshijmë historinë, kujtimet e brezave. Fshijmë mençurinë e paraardhësve në përshtatjen me klimën, artin e tyre në ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore, dhe estetikën e tyre që pasqyronte identitetin e tyre. Gradualisht, qytetet tona bëhen kopje të njëra-tjetrës, pa shije, pa ngjyrë dhe pa aromë të veçantë.
Rikthimi i balancës: Si të ndërtojmë një zhvillim që na përfaqëson?
Dallimi i çrregullimit është gjysma e rrugës drejt përmirësimit. Gjysma tjetër qëndron në adoptimin e një metodologjie të re zhvillimi, një metodologjie që i rikthen kulturës vendin e saj në zemër të ekuacionit. Kjo kërkon tre shtylla kryesore:
Së pari: Dëgjimi para planifikimit
Çdo projekt zhvillimor duhet të fillojë jo në një zyrë konsulence, por në këshillin e lagjes, në tregun e fshatit dhe mes njerëzve. Inxhinieri dhe planifikuesi duhet të bëhen dëgjues dhe nxënës, të mësojnë nga mençuria e banorëve të vendit, të kuptojnë nevojat e tyre të vërteta dhe të respektojnë ëndrrat e tyre. Pjesëmarrja komunitare nuk është luks, por kompas që drejton anijen e zhvillimit drejt sigurisë.
Së dyti: Mençuria e shkrirjes midis origjinalitetit dhe modernitetit
Përparimi i vërtetë nuk do të thotë të shkëputesh nga e kaluara. Krijimet më të mëdha janë ato që arrijnë të thurrin fijet e së kaluarës së pasur në petkun e ardhmërisë së ndritshme. Mund të ndërtojmë qytete inteligjente që marrin frymëzim nga dizajni i shtëpisë arabe të vjetër, për mençurinë e ventilimit natyral dhe privatësinë. Dhe mund të themelojmë kompani teknologjike që udhëhiqen nga vlerat e besueshmërisë dhe bamirësisë të rrënjosura në kulturën tonë.
Së treti: Matja e asaj që ka vërtet rëndësi
Është koha të tejkalojmë matjet ekskluzivisht materiale të suksesit. Përveç matjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, duhet të krijojmë mjete për të matur “kapitalin shoqëror”, nivelet e besimit në komunitet, pjesëmarrjen në punë vullnetare, dhe ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë së njerëzve. Fitimi i vërtetë nuk është ai që hyn në xhepa, por ai që ngulitet në zemra dhe shpirt.
Përfundim: Ndërtimi i Tokës… adhurim dhe kujdes për krijesën
Në fund të fundit, përpjekja për të ndërtuar një “qytetërim” nuk është thjesht një projekt ekonomik ose inxhinierik, por në thelb është një veprim shpirtëror i thellë. Ai është realizimi i kuptimit të “mëkëmbësia e njeriut në Tokë” detyrë që i është ngarkuar njeriut. Dhe kjo detyrë madhështore nuk mund të kryhet me një zemër të shpërqendruar nga natyra e njerëzve, apo me një mendje që injoron pasurinë dhe diversitetin e kulturave.
Zhvillimi që e sheh njeriun vetëm si një numër në ekuacionin e prodhimit është një zhvillim i çrregullt, sado i gjatë të duket. Ndërsa zhvillimi i balancuar është ai që sheh në çdo projekt një mundësi për të forcuar lidhjet, për të thelluar vlerat dhe për të nderuar identitetin njerëzor. Ai është zhvillimi që nuk ndërton vetëm rrugë dhe ndërtesa, por ndërton ura besimi dhe ngrit strukturat e dinjitetit. Ky është qytetërimi që lë gjurmë, tregon historitë e tij dhe ku jeta është e ëmbël.
Autor: Abdullah Hysejn En Ni’me
Përktheu: Elton Harxhi