Prej detyrimeve të vëllazërisë në Islam janë: bashkëpunimi, mëshira dhe ndihmesa e ndërsjellë. Sepse ç’vlerë ka vëllazëria nëse ti nuk e ndihmon vëllanë tënd kur ka nevojë, nuk i qëndron pranë në vështirësi dhe nuk e mëshiron kur është i dobët?! I Dërguari fisnik e ka përshkruar me një ilustrtim të thellë shkallën e bashkëpunimit dhe lidhjes ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë myslimane, kur ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa: njëra pjesë e tij forcon tjetrën”, dhe ndërthurri gishtat e tij. Sepse një tullë, sado e fortë të jetë, e vetme mbetet e dobët; dhe mijëra tulla të shpërndara nuk ndërtojnë asgjë. Ndërtesa e fortë formohet vetëm kur tullat vendosen ngjitur, të lidhura, në rreshta të rregullt sipas një rregulli të caktuar; atëherë ato bëhen mur i qëndrueshëm, e prej mureve ngrihet një shtëpi e fortë, të cilën duart e shkatërruesve e kanë të vështirë ta dëmtojnë.
Po kështu, ai ka përshkruar shkallën e mëshirës dhe të ndërvarësisë së shoqërisë myslimane me fjalët: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e tyre është si trupi i vetëm: kur një gjymtyrë ankohet, pjesët e tjera i përgjigjen me ethe dhe pagjumësi.” Është një lidhje e brendshme, ku asnjë pjesë nuk mund të shkëputet nga tjetra, as të jetojë pa të. As sistemi i frymëmarrjes nuk mund të shkëputet nga ai tretës, e as këta nga sistemi i qarkullimit të gjakut apo ai nervor. Çdo pjesë plotëson tjetrën; me bashkëpunimin dhe harmoninë e tyre jeton i tëri dhe vazhdon rritja e prodhimi i tij.
Ai gjithashtu ka thënë: “Myslimanët janë të barabartë në gjakun e tyre; mbrojtjen e tyre e jep edhe më i ulti mes tyre, dhe më i largti prej tyre i mbron të gjithë. Ata janë dorë e vetme kundër të tjerëve; i forti i tyre i kthehet në ndihmë të dobëtit, dhe i shpejti të ngadaltit.” Dhe në ndihmën që i jepet myslimanit hyn edhe një element i ri, kur ai tha: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë dhunues apo i dhunuar.” U pyet: “O i Dërguar i Allahut, ndihma për atë që është i dhunuar është e qartë, por si ta ndihmojmë dhunuesin?” Ai tha: “Ta kapësh për dore dhe ta ndalosh nga padrejtësia; kjo është ndihmë për të.”
Kurani i Madhërueshëm urdhëron bashkëpunimin, me kusht që ai të jetë bashkëpunim në të mirë dhe në devotshmëri, dhe e ndalon atë nëse është në mëkat dhe armiqësi. Allahu thotë: “Dhe bashkëpunoni në të mirë dhe devotshmëri, e mos bashkëpunoni në mëkat dhe armiqësi”[1]. Po ashtu, Ai i paraqet besimtarët si ndihmues e mbrojtës të njëri-tjetrit në bazë të kontratës së besimit: “Besimtarët dhe besimtaret janë përkrahës të njëri-tjetrit: urdhërojnë të mirën dhe ndalojnë të keqen”[2] Ndërsa për hipokritët thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë njëri prej tjetrit: urdhërojnë të keqen dhe ndalojnë të mirën.”[3]
Kurani i përshkruan sahabët me fjalët: “Të ashpër ndaj jobesimtarëve, të mëshirshëm ndërmjet tyre.”[4] Mëshira është prej shenjave kryesore të shoqërisë myslimane. Kjo kërkon që i forti t’i japë krah të dobëtit, i pasuri t’i vijë në ndihmë të varfrit, dijetari t’i ndriçojë udhën të paditurit, i madhi të mëshirojë të voglin, i vogli të nderojë të madhin, dhe të gjithë të qëndrojnë të bashkuar në kohë sprovash, qofshin ato ushtarake apo paqësore. Allahu ka thënë: “Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar, sikur të ishin ndërtim i ngjeshur.”[5]
Në rrëfimet e Kuranit kemi panorama jetike të bashkëpunimit të frytshëm me karakter ndërtues. Ndër to është bashkëpunimi mes Musait (a.s) dhe vëllait të tij, Harunit (a.s). Musai (a.s) iu lut Allahut: “Dhe më cakto një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllain tim; forcoje me të krahun tim dhe më bëje bashkëpunëtor me të në çështjen time…”[6] Përgjigjja hyjnore ishte: “Ne do të të forcojmë krahun me vëllain tënd dhe do t’ju japim pushtet”[7] Kështu Haruni (a.s) u bë ndihmës i Musait (a.s) në praninë e tij dhe zëvendësues i tij për popullin në mungesë të tij.
Po ashtu, prej panoramave të bashkëpunimit është edhe ajo që na rrëfen Kurani për ndërtimin e digës madhështore të Dhul Karnejnit, për të ndalur sulmet shkatërruese të Jexhuxh dhe Mexhuxhët. Ajo qe fryt i bashkëpunimit ndërmjet sundimtarit të drejtë dhe popullit të frikësuar nga padrejtësia e të fuqishmëve. Allahu tregon fjalët e tyre: “Ata Thanë: “O Dhul Karnejn, Jexhuxh dhe Mexhuxhët bëjnë shkatërrime në tokë; a mund të të japim një pagesë që të na ndërtosh një pengesë mes nesh dhe tyre?” Ai tha: “Ajo që më ka dhënë Zoti im është më e mirë; vetëm më ndihmoni me fuqi, që të vendos mes jush dhe tyre një barrierë…”[8]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Maide: 2.
[2] – Sure Teube: 71.
[3] – Sure Teube: 67.
[4] – Sure Fet’h: 29.
[5] – Sure Saff: 4.
[6] – Sure Taha: 29-35.
[7] – Sure Kasas: 35.
[8] – Sure Kehf: 94-98.



















