Bukë dhe kripë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Njëherë e një kohë një tregtar nga Bagdati shkoi në Sham dhe hyri në një restorant të bukur. Tregtari porositi dy feta buke dhe dy racione me ushqim. Ai hëngri një fetë dhe një racion, kurse fetën dhe racionin tjetër nuk e hëngri. Pastaj doli. Këtë veprim ai e bëri çdo ditë.

Veprimin e tij e pikasi një burrë nga Shami, i cili me shumë mirësjellje e pyeti: Përse çdo ditë ha një fetë buke dhe një racion, kurse fetën dhe racionin tjetër nuk e ha? Nga je ti?

Burri tha: Unë jam nga Bagdati. Kam gjezdisur në shumë qytete e vende, por deri më sot nuk kam gjetur askënd të ruajë bukën dhe kripën. Ah sa do të shpresoja të gjeja dikënd. Unë ha një fetë buke dhe një racion, sepse akoma nuk kam gjetur një njeri të përshtatshëm që të hajë fetën e bukës dhe racionin tjetër.

Burri nga Shami tha: Unë jam i gatshëm të ha bashkë me ty fetën dhe racionin tjetër. Tregtarit iu bë qejfi dhe pranoi me kënaqësi që burri të hante fetën e bukës dhe racionin tjetër.

Pastaj të dy së bashku i premtuan njëri-tjetrit besnikëri për shkak të vëllazërisë dhe miqësië që lidhën, ashtu sikur i premtuan njëri-tjetrit që do ta ruanin bukën dhe kripën.

Pas kësaj, burri nga Shami e ftoi tregtarin nga Bagdati në shtëpinë e tij.

Burri nga Shami jetonte në shtëpi me të jëmën dhe me vajzën e xhaxhait, e cila ishte jetime dhe ishte në moshë për t’u martuar. Kur tregtari trokiti në derë, derën ia hapi vajza e xhaxhait. Pasi të dy miqtë hëngrën ushqim, tregtari i tha: Duke qenë se ne e kemi ndarë së bashku bukën dhe kripën, në emër të Allahut, unë dua të martohem me vajzën e xhaxhait tënd. Dhe të lutem mos ma refuzo kërkesën. Burri nga Shami pasi mori pëlqimin e vajzës, i tha tregtarit: Ajo është e jotja. Ata u martuan dhe pas disa kohësh, tregtari bashkë ne nusen e tij shkuan në Bagdad.

Ditët kaluan dhe nëna e burrit nga Shami ndërroi jetë. Burri u detyrua që të shiste shtëpinë dhe pak nga pak filloi t’i shpenzonte paratë derisa iu mbaruan të gjitha, përveç një pakice. Me këtë shumë të vogël që kishte, ai vendosi të shkonte në Bagdad tek miku i tij. Kur mbërriti atje, mori vesh se miku i tij ishte një tregtar i pasur dhe posedonte një kështjellë të madhe. Ai u nis drejt e për në kështjellë dhe kur arriti atje i tha shërbëtorit që të lajmëronte mikun e tij. Pas disa çastesh, shërbëtori u kthye me një qese me florinj dhe ia drejtoi burrit. Burri e mori qesen me florinj e hodhi përtokë dhe i tha shërbëtorit: Unë dua të takohem me mikun tim dhe nuk kam nevojë për para. Pastaj – i ofenduar nga ky gjest i mikut të tij – u largua duke thënë me vete: Kjo është tradhti dhe pabesi.

Sikur mos të mjaftonte kjo, atij iu mbaruan edhe paratë dhe si rrjedhojë nuk kishte se si të kthehej në Sham. Kështu që ditën endej parqeve dhe kopshteve të Bagdatit kurse natën flinte nëpër xhamiat e qytetit.

Një ditë pranë tij u afrua një njeri i moshuar. Pasi u njohën me njëri-tjetrin dhe burri i tregoi për atë që i kishte ndodhur me tregtarin, i moshuari i tha: Unë jam tregtar. Hajde të punojmë së bashku! Unë kam dëshirë të të ndihmoj që të bëhesh një tregtar i zoti. Burri pranoi dhe pas disa vitesh pune në tregti, burri arriti të pasurohej dhe bleu një kështjellë të bukur në Bagdat.

Kur burri hyri në kështjellë një grua e moshuar iu vetëofrua dhe i tha se dëshironte të punonte si shërbëtore në kështjellë kundrejt një pagese. Burri pranoi dhe gruaja e moshuar i shërbeu atij me përkushtim sikur të ishte nëna e tij. Pas disa kohësh, e moshuara kërkoi prej burrit të punësonte një vajzë në kështjellë, e ai pranoi. Me kalimin e ditëve, burri e pëlqeu këtë vajzë dhe i propozoi që të martohej me të. Ai kërkoi prej të moshuarës të ndërmjetsonte tek vajza, e moshuara i tha vajzës dhe ajo pranoi. E kështu ata të dy vendosën të martoheshin.

Në dasëm, burri thirri shumë miq e shokë përveç tregtarit nga Bagdati. E si mund ta thërriste atë në dasëm pas trajtimit që i bëri?! A mund të harrohej aq kollaj ai ofendim?!

Mirëpo në ditën e dasmës erdhi edhe tregtari nga Bagdati. Kur burri e pa i ndryshoi çehreja dhe tërë nerva i tha: Si guxon e vjen në dasmën time pas asaj që më bëre?! Mora gjithë atë rrugë vetëm për t’u takuar me ty, e ti në vend që të takoheshe me mua dërgove shërbëtorin me një qese me flori dhe më trajtove si një lypsar. Po tani çfarë kërkon o bukëshkalë i bukës dhe kripës?

Tregtari i tha: Kur ti trokite në portën e kështjellës unë isha në dritare dhe kur pashë se ti ishe i lodhur nga rruga, rrobat të ishin grisur, po ashtu edhe këpucët, mendova se nuk do të ishte gjë e mirë që ti ta takoje kushërirën tënde – gruan time – në këtë gjendje, prandaj ia dhashë shërbëtorit qesen me flori që ti të shkoje në pazar të blije rroba dhe këpucë dhe pastaj të vije në kështjellë. Mirëpo ti u zemërove dhe…

Po përse nuk më ndoqe – pyeti burri?

E si mund të të ndiqja ty dhe vallë a do të pranoje ti të më takoje – tha tregtari. Megjithatë unë nuk i humba shpresat. A nuk erdhi tek ty një burrë i moshuar?

Po – tha burri.

Epo ai është babai im – tha tregtari dhe unë e porosita atë që të kujdeset për ty dhe ai e kreu porosinë.

Më vonë, a nuk erdhi në kështjellë një grua e moshuar për të të shërbyer?

Po – tha burri.

Epo ajo është nëna ime – tha tregtari dhe unë e porosita atë që të kujdesej për ty sikur të ishe fëmija i saj.

E më vonë a nuk erdhi tek ti një vajzë e re dhe ti i propozove asaj për martesë dhe ja sot ju të dy po martoheni?

Po – tha burri.

Epo nusja është motra ime e vogël – tha tregtari, e cila edhe ajo veproi sipas porosisë time.

Më pas tregtari e thirri nusen e vet, vajzën e xhaxhait të burrit dhe bashkë me të hynë dy fëmijë të bukur, djalë dhe vajzë. Burri u takua me vajzën e xhaxhait dhe fëmijët e saj dhe u përlot.

Në këto momente lotësh gëzimi, tregtari nxorri dy feta buke, njërën e mbajti për vete dhe tjetrën ia dha burrit dhe tha: Bukë dhe Kripë.

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.