Burimet e Islamit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Parimi i dytë:

Imam Hasan El Benna ka thënë: “Kurani Famëlartë dhe Suneti i pastër janë burime absolute të çdo muslimani për njohjen e dispozitave të Islamit. Kurani kuptohet në bazë të rregullave të gjuhës arabe, pa stërhollime, teprime dhe arbitrarizma, ndërsa Sunetin e pastër e kuptojmë përmes dijetarëve të besueshëm të hadithit.”

Në këtë parim trajtohet:

Burimi i parë i dispozitave islame është Kurani Famëlartë

Burimi i dytë është Suneti i Pejgamberit (a.s)

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, të Dërguarit të Tij dhe prijësve tuaj. Nëse keni ndonjë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, kthehuni te Allahu dhe profeti i Tij.”[1]

“Në të vërtetë ky Kuran orienton për tek ajo që është me e mira.”[2]

“Ne ta kemi zbritur Librin, sqarues për gjithçka.”[3]

“Atë që ua jep Profeti merreni e atë që ua ndalon hiqni dorë prej saj.”[4]

Burimi i parë: Kurani

Kurani është burimi i parë, për shkak se ai është fjala, mrekullia e Allahut dhe shpallja e Tij e zbritur te Profeti i Tij, Muhamedi (a.s), i shkruar në mus’hafe, i transmetuar në mënyrë autentike dhe leximi i tij konsiderohet adhurim.

Dispozitat e Kuranit janë dy llojesh:

1 – Dispozita që synojnë shprehjen e drejtpërdrejtë të bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut, të cilat përfshijnë besimin dhe adhurimet.

2 – Dispozita, me të cilat synohet rregullimi dhe administrimi i shtetit, shoqërisë, marrëdhënieve ndërmjet individëve, etj. Këto dispozita përfshijnë marrëdhëniet mes njerëzve, kodin penal, kodin familjar, kushtetutën, marrëdhëniet ndërkombëtare e çështje të tjera.

Dispozitat e Kuranit nuk pranojnë ndarje dhe as shkëputje, për shkak se tekstet hyjnore ndalojnë që të punohet me disa prej tyre e të nënvlerësohen të tjera, ashtu siç është i papranueshëm besimi i disa dispozitave kuranore e mohimi i të tjerave. Prandaj kërkohet që të punohet me të gjitha dispozitat, pasi Allahu thotë në Kuran: “A besoni një pjesë të Librit dhe mohoni një pjesë të tij?!”[5]

Shehidi Abdul Kader Audeh ka thënë: “Nga besimi buron unifikimi i ndjenjave, adhurimet përfaqësojnë unifikimin e riteve, ndërsa sistemi paraqet unitetin legjislativ. Sheriati është mishërim i dispozitave të fesë dhe të jetës së kësaj bote. Besimi i muslimanëve në sheriatin islam i ka garantuar atij (sheriatit) vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë, si dhe ka mbjellë tek njerëzit shpirtin e bindjes dhe kënaqësisë. Ky besim i fton njerëzit të pajisen me virtytet më të larta morale. Po ky besim i ka garantuar sheriatit një forcë të pashtershme respektimi dhe pranimi nga përfaqësuesit e tij, veçori që nuk e karakterizon asnjë ligj tjetër i vendosur nga njerëzit, sado i përsosur të jetë në aspektin parimor dhe praktik.”

Çfarë ka nevojë të dijë komentuesi i Kuranit?

1 – Gjuhën dhe prejardhjen e fjalëve

2 – Sintaksën dhe morfologjinë

3 – Letërsinë dhe retorikën

4 – Njohuritë e Kuranit

5 – Njohuri mbi bazat e fesë dhe besimit

6 – Bazat e fikhut

7 – Njohuri të hadithit, fikhut dhe sires

8 – Njohuri të tjera ndihmëse shoqërore, si historia, filozofia, gjeopolitika..etj.

Burimi i dytë: Suneti i Profetit (a.s)

Me Sunet kuptojmë çfarë transmetohet rreth të Dërguarit të Allahut (a.s) prej thënieve, veprave dhe miratimeve të tij.

Thëniet profetike: Janë thëniet e të Dërguarit të Allahut (a.s) të cilat i ka thënë në raste të ndryshme.

Veprat profetike: Janë veprimet e tij, siç është kryerja e haxhit, forma e faljes së namazit..etj.

Miratimet profetike: Vepra apo fjalë të kryera nga bashkëkohësit e Profetit (a.s) dhe të miratuara nga ai (a.s) përmes heshtjes së tij dhe mosrefuzimit ose përmes miratimit. Kështu që fjala apo vepra e sahabiut konsiderohet si të jetë kryer nga Profeti (a.s)

Pyetje: Përse imam Hasan El Benna është mjaftuar vetëm me përmendjen e Kuranit dhe Sunetit, pa i përmendur burimet e tjera të dispozitave, siç janë konsesusi (ixhmai) analogjia (kijasi), dobia apo interesi..?

Përgjigja: Për shkak se ai ka dashur t’i bashkojë zemrat e Umetit rreth burimeve unanime që janë Kurani dhe Suneti. Dhe për shkak se burimet e tjera rrjedhin nga vetë Kurani dhe Suneti, dhe referimi te këto dy burime thelbësore të pakontesueshme do të thotë t’i referohesh origjinës dhe nuk do të thotë mohim i argumenteve të tjera.

Vërejtje:

Bazat për kuptimin e Kuranit:

Imam shehid Hasan El Benna ka pohuar se bazë për kuptimin e Kuranit është gjuha e qartë arabe, me kuptimet e saj reale, origjinale dhe të kapshme, si dhe e ka ndaluar teprimin dhe shtirjen në të kuptuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi zbritur Kuranin në gjuhën arabe.”[6] E në një ajet tjetër thotë: “Në gjuhën e pastër dhe të qartë arabe.”[7]

Bazat për kuptimin e Sunetit:

Dijetarët e besueshëm të hadithit janë personat më kompetentë për t’i dalluar hadithet e vërteta nga ato të dobëta, si dhe për të treguar kuptimin dhe qëllimin e tyre.

Vërejtje:

Kurani dhe Suneti janë burime të ftesës selefiste.

Respektimi rigoroz i këtij parimi si dhe qëndrueshmëria në të janë garanci për ruajtjen nga devijimi dhe humbja.

Kjo ua ka mbyllur derën njerëzve të humbur dhe në rrugë të gabuar, të cilët kërkojnë të luajnë me njerëzit nëpërmjet interpretimeve dhe komentimeve në të cilat ka teprime dhe lëshime.

Në ndalimin e teprimit si dhe të ekzagjirimit në të kuptuar, do të thotë ruajtje të unitetit të individit dhe umetit. Sa e sa njerëz kanë devijuar dhe sa e sa kanë gabuar për shkak të teprimit dhe lëshimit, duke mos u mjaftuar me atë ç’ka është e qartë dhe e kthjellët.

Arbirtrarizëm: Veprimi pa dituri dhe udhëzim, zgjidhje e çështjeve pa përfillur ligjet e rregullat dhe pa marrë parasysh vërtetësinë e veprimit dhe për këtë arsye është quajtur padrejtësi.

Stërhollimi: Futja në gjëra të padobishme, të vështira dhe të pamundura.

Autor: Sabaudin Jashari.

[1] – Sure Nisa: 59.

[2] – Sure isra: 9.

[3] – Sure Nahl: 89.

[4] – Sure Hashr: 7.

[5] – Sure Bekare: 85.

[6] – Sure Jusuf: 2.

[7] Sure Shuara: 195.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.