Busulla e thirrësit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

“O thirrës (në fe).. rregulloni busullën.”

Një sëmundje e fshehtë që futet në shpirt nën emrin “kritikë”; por në të vërtetë ajo shndërrohet në vetë-pëlqim dhe përçmim të njerëzve; duke sjellë lëndim në zemër,  që prish marrëdhëniet, shoqëritë, duke shpërndarë përpjekjet dhe duke mohuar një shoqëri të bekuar. Në këtë kontekst, vjen fjala profetike për të zgjuar ndërgjegjen dhe për ta rikthyer busullën e zemrës e të gjuhës:

Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse njeriu thotë: Janë shkatërruar njerëzit, ai vetë është më i shkatërruari prej tyre.”[1]

Shprehja “Ehlekuhum (janë shkatërruar)” mbart dy kuptime

1 – Nëse thuhet “ehlekuhum”: domethënë ai është më i shkatërruari prej tyre, sepse e thotë këtë ose për t’i përçmuar njerëzit dhe për ta ngritur veten mbi ta, ose duke i gjykuar se meritojnë dënimin, duke i bërë të humbin shpresën nga mëshira e Allahut.

2 – Nëse thuhet “ehlekehum” domethënë ai që i shpall të shkatërruar me mendimin e tij, jo me argument nga feja.  Megjithatë kuptimi i parë është më i njohur ndër dijetarë.

Kjo do të thotë se: njeriu që vazhdimisht i përgojon njerëzit, përmend të metat e tyre, thotë “njerëzit janë prishur, janë shkatërruar”, i Dërguari (a.s) thotë: ky njeri është më i shkatërruari, sepse bie në mëkat duke përgojuar, përçmuar dhe ndoshta tregohet edhe mëndjemadh duke menduar se është më i mirë se ata.

Imam Ibn Abdul-Berr (r.h) ka thënë: “Kuptimi i këtij hadithi, sipas dijetarëve, është se ai që e thotë këtë fjalë me përçmim ndaj njerëzve dhe vetëpëlqim është përfshirë në kërcënim. Ndërsa nëse e thotë me pikëllim, me dhimbje dhe frikë për ta, për shkak të së keqes që sheh tek veprat e tyre, atëherë nuk hyn në këtë hadith.”[2]

Pra dallimi është se: në rastin e parë, njeriu është i kënaqur me veten, mendjemadh, përçmues ndaj të tjerëve; kurse në rastin e dytë, njeriu është i pakënaqur me veten, e qorton atë dhe nuk e lartëson.

Muslim ibn Jesar (r.h) ka thënë: “Mjafton si e keqe për myslimanin që të mendojë se është më i mirë se vëllai i tij.”

Pasojat e fjalës “Janë shkatërruar njerëzit”:

1 – Dëgjuesi mund të humbasë shpresën nga mëshira e Allahut dhe të largohet nga feja.

2 – Dobëson besimin tek përpjekjet e atyre që punojnë për fenë e Allahut, duke prishur bashkëpunimin në të mirën dhe devotshmërinë.

3 – Nxit përçarje në mesin e institucioneve thirrëse dhe të dashamirëve të tyre.

Gjykime nga hadithi:

1 – Nuk lejohet gjykimi i përgjithshëm mbi të gjithë njerëzit si të këqij e të prishur, edhe nëse duket qartë se ata janë të tillë.

2 – Nuk lejohet që njeriu t’i bëjë të tjerët të humbasin shpresën nga mëshira e Allahut dhe mundësia për t’u përmirësuar.

Zbatimi i tij në jetën e thirrësve:

Thirrësi duhet t’i këshillojë myslimanët, të punojë për përmirësimin e gjendjes së tyre dhe t’i shohë me dhembshuri dhe jo me përçmim.  Ai duhet të përdorë fjalë të buta dhe shpresëdhënëse, duke u treguar se edhe nëse kanë mangësi, ende ka gjëra të mira tek ata.

Zbatimi në jetën e edukatorëve:

Ky hadith është një parim madhor në edukim: njerëzit, kur ndihen të respektuar dhe të aftë, ngrihen me forcë dhe dëshirë për arritje; por kur përçmohen e poshtërohen, bien në dëshpërim. Prandaj hadithi ndalon përçmimin dhe humbjen e shpresës, e urdhëron respektin dhe inkurajimin, që është themeli i edukimit të shëndoshë.

Paqja dhe bekimet qofshin për Profetin fisnik e mëshirues, të cilit Allahu i mësoi çfarë nuk dinte, dhe e nderoi që të shprehet me fjalë të shkurtra, por që kanë domethënie gjithëpërfshirëse.

Allahu e di më së miri qëllimin.

Autor: Teufik Zebadi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muslimi (2623).

[2] – “Istidhkar”, fq: 8/549.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *