Çfarë ndodh me marrëdhëniet kur një çip elektronik implantohet në trurin tënd?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Teknologjia e ardhshme është implantimi i një çipi në tru për të krijuar një lidhje midis trurit dhe kompjuterit. Kompania “Neuralink” ka marrë miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për të filluar testimet te njerëzit, duke implantuar çipa inteligjentë në tru të quajtur “Brain Computer Interface”[1]. Qëllimi fillestar është të ndihmojë njerëzit e verbër dhe me paralizë, duke transformuar mendimet në veprime përmes lidhjes direkte mes çipit dhe trurit, i cili merr komandat nga kompjuteri.

Në të ardhmen, njerëzit mund të pajisin trurin e tyre me këtë çip për një kosto të ulët. Kina gjithashtu po bën përpjekje në këtë fushë, duke synuar të arrijë të njëjtin qëllim. Eksperimentet e shumta kanë rezultuar të suksesshme, siç është rasti i një majmuni që iu implantua një çip në tru dhe, përmes komandave nga kompjuteri, ai lëvizi krahun e tij.

Kjo teknologji mund të jetë shumë e dobishme në fushën e shëndetësisë, por çfarë ndodh në fusha të tjera?

Në arsim: Një nxënës që mund të përballojë këtë çip mund të jetë më i suksesshëm në shkollë, pasi çipi i siguron çdo informacion të nevojshëm pa nevojën për të studiuar ose memorizuar. Sistemi arsimor mund të ndryshojë tërësisht; nxënësit nuk do të kenë nevojë të shkojnë në shkollë, pasi mund të ngarkojnë të gjithë kurikulën në tru për pak sekonda. Kjo do të krijojë një hendek mes nxënësve të pasur dhe atyre të varfër, ku të varfrit duhet të mësojnë dhe memorizojnë, ndërsa të pasurit do të mbështeten tek çipi që është instaluar në trurin e tyre.

Në siguri: Ekzistojnë shqetësime për piraterinë dhe kontrollin mbi ata që kanë çip në tru. Mund të zbulohet çfarë mendojnë, planifikojnë ose synojnë të bëjnë. Qeveritë mund ta përdorin këtë teknologji për të spiunuar mendimet e njerëzve ose për të manipuluar vendimet e tyre. Edhe kompanitë mund të mbikëqyrin në mënyrë jo etike punonjësit e tyre përmes kompjuterit.

Në edukim: Prindërit mund të përdorin këtë teknologji për të udhëzuar fëmijët e tyre që të falen ose të sillen mirë, duke dërguar urdhra përmes kompjuterit në trurin e fëmijës. Megjithatë, kjo mund të bëjë që brezat e ardhshëm të mbështeten më shumë tek teknologjia, duke dobësuar aftësitë e tyre për të menduar, analizuar dhe kritikuar. Fëmijët mund të zhvillojnë bindjen se teknologjia mund të zgjidhë çdo problem pa nevojën e prindërve ose të tjerëve. Kjo mund të çojë në rënie të vlerave morale, ku fëmijët nuk do të mësojnë të luftojnë me veten për të përmirësuar karakterin, vetëkontrollin dhe vetëbesimin.

Në ligj: Në të ardhmen, nuk do të jetë e nevojshme të hetohet një person që ka kryer një krim; mjafton të hysh në çipin e tij përmes kompjuterit dhe të marrësh të gjitha mendimet e tij, përfshirë pranimin e krimit.

Në marrëdhëniet martesore: Përdorimi i këtyre çipave mund të ulë nivelin e privatësisë mes bashkëshortëve, nëse njëri prej tyre mund të hyjë në mendimet e tjetrit dhe të zbulojë çfarë mendon ose planifikon para se ta veprojë. Kjo mund të shkatërrojë besimin dhe të rrisë rastet e divorcit. Për më tepër, njëri prej bashkëshortëve mund ta përdorë këtë teknologji për të kontrolluar dhe manipuluar sjelljen e tjetrit.

Këto janë disa mendime që më erdhën ndër mend kur lexova lajmin. Edhe pse aktualisht kontrolli i sjelljes është larg në aspektin e zhvillimit të teknologjië, por në të ardhmen ai mund të zhvillohet deri në këtë pikë. Kjo do të ndryshojë shumë koncepte, si lirinë, besimin dhe zgjedhjen. Për më tepër, sëmundjet mendore mund të shtohen, pasi njerëzit mund të ndihen të privuar nga vullneti i tyre ose privatësia, ndërsa të tjerët lehtësisht mund të zbulojnë mendimet dhe qëllimet e tyre.

Zoti është Mbrojtësi më i mirë.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Teknologji që lidh drejtpërdrejtë trurin e njeriut me një kompjuter që mundëson komunikimin ose kontrollin e pajisjeve përmes sinjaleve të trupit. Sh. pk.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *