Pyetja: Cila është dispozita fetare në lidhje me përdorimin e cigareve elektronike për të hequr dorë nga duhani?
Përgjigja: Pirja e duhanit është e ndaluar nga ana fetare, pasi është vërtetuar dëmi i tij. Prandaj, gjykimi fetar mbi cigaret elektronike varet nga shkalla e dëmit që ato shkaktojnë. Nëse dëmi i tyre është më i madh ose i barabartë me atë të cigareve të zakonshme, atëherë ato janë të ndaluara fetarisht. Nëse dëmi i tyre është më i lehtë dhe përdoren si mjet për trajtim, atëherë lejohet përdorimi i tyre nga ata që i përdorin për të lënë duhanin, por vetëm me këshillën e specialistëve dhe mjekëve. Kjo bazohet në parimin fetar që thotë: “Kur dikush gjendet mes dy të këqijave, zgjedh më të lehtën prej tyre.”
Dëmet e Duhanit
Sheriati Islam ka ardhur për të sjellë dobi dhe për të shmangur dëmet. Sultan i dijetarëve, Izz bin Abd al-Selami thotë në librin e tij “Parimet e Gjykimeve mbi Interesat e Njerëzve”: (I gjithë sheriati është ndërtuar mbi interesa, qoftë për të shmangur dëmet ose për të sjellë dobi. Kur dëgjon që Allahu thotë: ‘O ju që besuat,’ shiko urtësinë që vijon pas kësaj thirrjeje: nuk do të gjesh tjetër veçse një të mirë që të nxit drejt saj, një të keqe që të ndalon prej saj, ose një kombinim mes të dyjave.)
Ndër dëmet që duhen shmangur janë ato që dëmtojnë shëndetin e njeriut, siç janë cigaret. Drejtoria e Fetvave të Egjiptit ka nxjerrë një fetva që ndalon pirjen e tyre bazuar në dëshmitë e mjekëve mbi dëmin që shkaktojnë.
Lënia e duhanit është një dobi për njeriun, sepse ruan jetën e tij dhe e mbron atë nga shkatërrimi. Kjo është një nga qëllimet themelore të sheriatit. Allahu i Lartësuar thotë:“Dhe mos e hidhni veten tuaj në shkatërrim.”[1]
Nuk ka dyshim se pirja e duhanit është një shkatërrim për shëndetin e njeriut, pasi është një nga faktorët kryesorë që shkaktojnë sëmundje të shumta, si:
Kanceri i mushkërive
Pezmatimi kronik i bronkeve
Emfizema e mushkërive
Pamjaftueshmëria e qarkullimit të gjakut në zemër
Bllokimi i enëve të gjakut në gjymtyrë
Kanceri i gjuhës, fytit, ezofagut, pankreasit dhe fshikëzës së urinës
Shkakton abort dhe vdekje të fetusit
Vdekja e parakohshme
Ulçera e stomakut dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore
Studimet dhe eksperimentet shkencore kanë konfirmuar praninë e substancave kancerogjene në katranin e cigareve. Këto dëme janë përmendur në raportin e Komitetit të Ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi duhanin dhe efektet e tij, të mbajtur në Gjenevë në dhjetor të vitit 1974.
Gjykimi për Cigaret Elektronike
Cigaret elektronike vijnë në forma të ndryshme, por funksioni i tyre mbetet i njëjtë. Ato zakonisht janë të ngjashme me cigaret e zakonshme, por funksionojnë me bateri dhe karikohen me energji elektrike. Disa lloje përmbajnë alkool, dhe pa dyshim, këto janë të ndaluara për shkak të përmbajtjes së tyre alkoolike.
Në thelb, cigaret elektronike janë krijuar për qëllime trajtimi. Prandaj:
Nëse dëmi i tyre është më i madh se ai i cigareve të zakonshme, atëherë ato janë të ndaluara.
Nëse dëmi i tyre është i njëjtë me cigaret e zakonshme, atëherë marrin të njëjtin gjykim si ato.
Nëse dëmi i tyre është më i lehtë, atëherë lejohen me kushtin që përdorimi i tyre të bëhet nën mbikëqyrjen e mjekëve specialistë.
Kështu, nëse cigaret elektronike nuk përmbajnë substanca të ndaluara dhe rekomandohen nga mjekët, atëherë përdorimi i tyre lejohet nga ana fetare. Ndërsa, ato që përmbajnë përbërës të ndaluar atëherë zbatohet rregulli për të zgjedhur të keqen më të vogël mes dy dëmeve.
Pra, pirja e duhanit është e ndaluar fetarisht për shkak të dëmeve që shkakton ndaj vetes, pasurisë dhe të tjerëve, si në rastin e duhanpirjes pasive. Parimi themelor thotë se dëmi duhet të shmanget, megjithatë, shkalla e dëmit ndryshon në varësi të natyrës dhe ndikimeve të tij.
Dëmi që vjen nga cigaret e zakonshme, të cilat përmbajnë duhan, nikotinë dhe alkool, është më i madh dhe më i rrezikshëm sesa ai i cigareve elektronike. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për sistemet e shpërndarjes elektronike të nikotinës, i paraqitur në Konferencën e Palëve të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në Moskë, në vitin 2014, është vërejtur se:
Grimcat e krijuara nga sistemet elektronike kanë përmasa të ngjashme me ato të cigareve tradicionale, me shumicën e grimcave që janë ultra të imëta në krahasim me grimcat më të mëdha që gjenden në tymin e cigareve tradicionale. Niveli i grimcave të lëshuara nga sistemet elektronike është më i ulët se ai i cigareve të zakonshme. Ka një mundësi të madhe që përdorimi i cigareve elektronike të ekspozojë përdoruesin ndaj substancave toksike në nivele më të ulëta sesa produktet e djegshme të duhanit. Niveli i substancave toksike, nikotinës dhe grimcave të lëshuara nga një sistem elektronik është më i ulët se ai i cigareve tradicionale. Ka disa raportime që tregojnë se një përqindje e papërcaktuar e përdoruesve të cigareve elektronike kanë ndaluar pirjen e duhanit përmes këtyre produkteve, megjithatë, efektiviteti i tyre nuk është vlerësuar ende në mënyrë sistematike, pasi vetëm një numër i kufizuar studimesh kanë shqyrtuar nëse sistemet elektronike janë një metodë efektive për të lënë duhanin.
Është e përcaktuar fetarisht se dëmi nuk është gjithmonë i njëjtë në shkallë dhe ndikim, por ndryshon në natyrën dhe pasojat e tij. Dëmi i shkaktuar nga pirja e cigareve të zakonshme është më i madh dhe më i rrezikshëm se ai i cigareve elektronike. Parimi themelor thotë se dëmi duhet të shmanget, sipas rregullave: “Dëmi duhet të evitohet” dhe “Nuk ka dëm dhe as shkaktim dëmi”.
Megjithatë, nëse nuk është e mundur të eliminohet plotësisht dëmi dhe një formë e tij është më e rëndë se tjetra, atëherë zbatohet rregulli: “Dëmi më i madh evitohet duke pranuar dëmin më të vogël”. Imam Ibn Nuxhejmi el-Hanafi ka thënë në librin “El-Eshbah ue’n-Nadha’ir”: “Nëse dikush përballet me dy të këqija dhe ato janë të barabarta, ai mund të zgjedhë cilëndo prej tyre. Por nëse njëra është më e lehtë, atëherë duhet të zgjedhë më të lehtën, sepse kryerja e ndaluarës lejohet vetëm në rast domosdoshmërie.”
Prandaj, ligji islam lejon shmangien e dëmit më të madh duke pranuar atë më të voglin. Ky parim është pranuar nga juristët islamë, të cilët kanë pohuar se zgjedhja e dëmit më të vogël është e domosdoshme në raste nevoje. Bazuar në këtë, ai që nuk mund të heqë dorë nga pirja e duhanit, mund të zëvendësojë cigaret e zakonshme me cigare elektronike, pasi kjo ndihmon në ruajtjen e jetës dhe mbrojtjen nga shkatërrimi, duke u larguar nga përdorimi i duhanit dhe nikotinës.
Gjykimi mbi mjekimin me diç të ndaluar në rast nevoje
Dijetarët e shkollave juridike hanefite dhe shafite kanë lejuar mjekimin me substanca të ndaluara në raste domosdoshmërie, me kusht që një mjek i besuar të konfirmojë se përmban shërim. Imam Zejla’i el-Hanafi thotë në “Tebjin el-Hakaik”: “Lejohet mjekimi me substanca të ndaluara, si vera dhe urina, nëse një mjek musliman e dëshmon se përmban shërim dhe nuk gjendet një alternativë e lejuar që të ketë të njëjtin efekt. Ndalesa nuk merret për bazë për shkak të domosdoshmërisë.”
Ndërsa imam Ebu Hasan el-Maverdi el-Shafi’i thotë në “El-Haui el-Kebir”: “I lejohet njeriut që të hajë mish të ngordhur për t’u mjekuar nëse nuk ka ilaç tjetër, edhe pse disa e kanë ndaluar mjekimin me të ndaluara duke u mbështetur në hadithin: «Allahu nuk e ka bërë shërimin tuaj në atë që ju ka ndaluar». Mirëpo ky qëndrim është i gabuar për dy arsye: E para: Mjekimi është një rast domosdoshmërie, ndaj ai që mjekohet është si ai që është i detyruar të hajë mish të ngordhur. E dyta: Helmi është i ndaluar, por përdorimi i tij në mjekësi është i zakonshëm. Është thënë se substanca sakamonia është një helm vdekjeprurës, por gjithsesi përdoret në ilaçe. Po kështu, çdo substancë e ndaluar mund të përdoret nëse përmban shërim dhe nuk ka alternativë tjetër të lejuar.”
Në bazë të këtij parimi, përdorimi i cigareve elektronike si një alternativë për të hequr dorë nga duhani i zakonshëm mund të lejohet, nëse ato janë më pak të dëmshme.
Përfundimi
Bazuar në sa kemi përmendur më lartë, themi se:
Nëse dëmi i cigareve elektronike është më i madh se ai i cigareve të zakonshme, atëherë ato janë më të ndaluara.
Nëse dëmi i tyre është i barabartë me cigaret e zakonshme, atëherë ato marrin të njëjtin gjykim, pra janë të ndaluara.
Por nëse janë më pak të dëmshme, atëherë lejohet përdorimi i tyre për ata që duan të largohen nga duhani, me kushtin që të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe specialistëve, sepse parimi juridik thotë: “Kush gjendet përballë dy të këqijave, zgjedh më të voglën.”
Allahu e di më së miri!
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Bekare: 195.