Domosdoshmëria e dijes gjatë thirrjes dhe edukimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nëse dija është e domosdoshme për gjykimin dhe fetvanë, ajo është po aq e domosdoshme edhe për thirrjen islame dhe edukimin. Allahu i Lartësuar i ka thënë të Dërguarit të Vet: “Thuaj: Kjo është rruga ime; unë thërras te Allahu me vizion të qartë, unë dhe ata që më ndjekin.”[1]

Pra, çdo thirrës te Allahu – prej ndjekësve të Muhamedit (a. s) – duhet që thirrja e tij të bëhet me vizion dhe njohuri të qartë. Kjo do të thotë se ai duhet të ketë vetëdije të plotë për atë që thërret, të dijë: në çfarë po thërret? Kë po thërret? Dhe si duhet të thërrasë?

Për këtë arsye është thënë për “rabbanijun”: ai është që mëson, zbaton dhe mëson të tjerët. Këtë e përmend edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Por bëhuni njerëz të përkushtuar ndaj Zotit, sepse ju mësoni Librin dhe e studioni atë.”[2] Ibn Abasi e ka shpjeguar termin “rabbani” duke thënë: “Janë të urtë dhe juristë të ditur”.

Gjithashtu, është thënë: “Rabbaniu është ai që i edukon njerëzit me pjesët e vogla të dijes përpara atyre të mëdhave.” Dijetarët kanë thënë: me “pjesët e vogla të dijes” nënkuptohet ajo që është e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar; ndërsa me “pjesët e mëdha” ajo që është e thellë dhe e ndërlikuar. Është thënë gjithashtu: i mëson pjesët dytësore para atyre thelbësore, ose degët para bazave, ose hyrjet para përfundimeve.

Qëllimi në të gjitha këto është përparimi i shkallëzuar në mësimdhënie, duke marrë parasysh rrethanat dhe aftësitë e nxënësve, dhe ngritja e tyre gradualisht nga një nivel në tjetrin.

Nga ajo që kërkon dija në fushën e thirrjes dhe mësimdhënies është që thirrësi dhe mësuesi t’i trajtojnë njerëzit me lehtësi e jo me vështirësi, me gëzim e jo me frikësim. Siç thuhet në hadithin e saktë  “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos i largoni njerëzit.”[3]

Hafiz Ibn Haxheri në shpjegimin e këtij hadithi ka thënë: “Qëllimi është afrimi i atyre që sapo kanë hyrë në Islam, duke mos qenë i ashpër me ta që në fillim. Po kështu, ndalimi nga mëkatet duhet të bëhet në mënyrë graduale, sepse kur diçka në fillim të saj paraqitet e lehtë, ajo bëhet e dashur për atë që hyn në të, e pranon me kënaqësi dhe zakonisht përparon në të, ndryshe ndodh në të kundërtën.”

Lehtësimi, megjithatë, nuk është i kufizuar vetëm për ata që janë rishtas në Islam, siç mund të kuptohet nga fjala e hafizit, por është një parim i përgjithshëm dhe i përhershëm. Ai është më i nevojshëm për ata që sapo janë kthyer në Islam apo në pendim, ose për çdo njeri që ka nevojë për lehtësim – si i sëmuri, i moshuari apo ai që gjendet në vështirësi.

Një tjetër domosdoshmëri e dijes është që thirrësi t’i japë njerëzve nga dituritë fetare vetëm aq sa mund të përballojnë dhe ta kuptojnë me mendjen e tyre, pa i ngarkuar me çfarë nuk e kapin arsyet e tyre, sepse kjo mund të bëhet shkak sprovoje për ta ose për disa prej tyre.

Në këtë drejtim, Aliu (r.a) ka thënë: “Mësoni njerëzit me atë që njohin dhe kuptojnë, e lini atë që e mohojnë; a doni që Allahu dhe i Dërguari i Tij të përgënjeshtrohen?”

Ndërsa Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “Nuk i flet një populli me diçka që mendjet e tyre nuk e kapin, veçse ajo bëhet për disa prej tyre shkak sprovoje.”

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Jusuf: 108.

[2] – Sure Ali Imran: 79.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *