Domosdoshmëria e vizionit për të ardhmen në epokën tonë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nëse përgatitja për të ardhmen dhe planifikimi për nesër është një detyrë në çdo kohë, atëherë kjo është edhe më e domosdoshme në epokën tonë, e cila po përjeton ndryshime të mëdha, të thella dhe të shpejta, siç nuk i ka njohur kurrë  më parë njerëzimi, madje as një të dhjetën e tyre, në historinë e gjatë të tij.

Sot, ne kemi më shumë se kurrë nevojë për një vizion të së ardhmes, përkrah vizionit tradicional, i cili e ka bërë një pjesë prej nesh të mbeten të burgosur të së kaluarës. E ardhmja, nga njëra anë, është e fshehtë dhe nuk e di askush përveç Allahut të Madhëruar, prandaj nuk duhet të ngatërrohemi me të, duke pretenduar dije që nuk na takon dhe në të cilën nuk kemi qasje.

Nga ana tjetër, ekziston një pjesë e së ardhmes që hyn në fushën e vrojtimit dhe llogaritjes, e ngjashme me shkencën e meteorologjisë, e cila parashikon gjendjen e motit në një periudhë të caktuar kohore, mbi bazën e rregullave të studiuara dhe dukurive të njohura.

E njëjta gjë mund të thuhet për parashikimin e zhvillimit të industrisë së kompjuterëve dhe të “njeriut artificial” (robotikës), për ambicien e shkencëtarëve në shpikjen e një “makinerie superinteligjente”, disa herë më të zgjuar se njeriu, dhe për rezultatet madhështore që mund të sjellë revolucioni elektronik dhe ai i informacionit.

Kështu mund të thuhet edhe për atë që ka dalë në vitet e fundit në fushën e inxhinierisë biologjike, domethënë inxhinierisë së “përbërësve gjenetikë”, ku studiuesit kanë arritur në mundësinë e ndryshimit të karakteristikave dhe përbërësve gjenetikë të bakterieve, dhe se çfarë pasojash befasuese mund të lindin nga kjo, fakt ky që do të përbënte një revolucion të ri në mjekësi, në industrinë e barnave, në bujqësi dhe në krijimin e racave të reja të gjallesave dhe bimëve. Madje, më e habitshmja është ndërhyrja në vetë natyrën e njeriut!

Të gjitha këto parashikime të së ardhmes, myslimani nuk duhet t’i shpërfillë me pretendimin se ato i përkasin së fshehtës absolute, që vetëm Allahu e di. Këto hyjnë në kategorinë e së fshehtës relative, të cilën Allahu ia ka dhënë mundësinë njeriut ta zbulojë përmes ligjeve dhe shkaqeve mbi të cilat është ngritur sistemi i këtij universi. Kjo përfshihet në kuadrin e fjalës së Allahut: “Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”, që është prej ajeteve të para të shpallura nga Kurani.

Unë besoj se feja jonë – e cila ka si veçori të saj të përgjithshme realizmin – na obligon që të marrim në konsideratë këto ndryshime të mëdha, të studiojmë mundësitë dhe ndikimet e tyre mbi ne, qëndrimet që duhet të mbajmë ndaj tyre, si dhe çfarë duhet të përgatisim për to, qoftë në burime materiale apo njerëzore. Po ashtu, është e domosdoshme që universitetet, qendrat kërkimore dhe i gjithë sistemi arsimor të punojnë për zhvillimin e ideve, metodave dhe mjeteve, në mënyrë që të nxjerrin një njeri besimtar, i cili është i aftë të jetojë në epokën e tij pa e humbur identitetin dhe pa harruar të kaluarën.

Në një shprehje frazeologjike thuhet: “Allahu e mëshiroftë atë që e njeh epokën e tij dhe ndjek rrugën e drejtë.” Ndërsa në hadithin që e transmeton Ibn Hibani në Sahihun e tij thuhet: “I mençuri duhet të jetë i vetëdijshëm për kohën e tij.”

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *