Drejt familjes muslimane: Bazat e shëndosha të përzgjedhjes së dy bashkëshortëve (001)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, i Cili prej ujit krijoi njeriun dhe e bëri atë me lidhje gjaku e krushqie; e madhëroi çështjen e farefisnisë dhe i dha asaj vlerë; e ndaloi imoralitetin si pengesë dhe ndëshkim; e nxiti martesën dhe thirri drejt saj si pëlqim dhe urdhër.

Paqja dhe bekimet më të plota e më të përsosura qofshin mbi hazreti Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe paqja qoftë mbi ta deri në Ditën e Gjykimit.

Ndër problemet më të rrezikshme me të cilën muslimani përballet sot është përzgjedhja e bashkëshortes, edukimi i fëmijëve me edukatë të drejtë islame e të shëndoshë, si dhe drejtimi i familjes me ekuilibër, larg krizave psikologjike dhe sëmundjeve shoqërore e sjellore.

Familja sot lëkundet mes dy rrymave shkatërruese:

E para: rryma e zakoneve dhe traditave të prishura, që janë larg nga feja e Allahut të Madhëruar, ku gjuha e gjendjes thotë: “Ne i gjetëm prindërit tanë në një fe dhe ne po ndjekim gjurmët e tyre”

E dyta: rryma e kulturës perëndimore materialiste, e largët nga besimi dhe sheriati ynë, ku mbizotëron shpërbërja dhe çlirimi nga çdo kufi moral në të cilin na ka thirrur Islami.

Rryma e parë është ajo që na shpie te rryma e dytë, e cila ka qenë dhe vazhdon të përpiqet me ngulm për shkatërrimin e plotë të familjes muslimane, më keq se shkatërrimi që ka goditur vetë familjet e saj. E vërtetë është fjala e Allahut: “Dhe ata që ndjekin epshet duan që ju të devijoni një devijim të madh”.

Perëndimi nisi të kurdisë plane kundër familjes muslimane, e cila është bërthama e shoqërisë islame. Nuk gjeti rrugë tjetër për ta shkatërruar familjen veçse përmes gruas. Filloi ta nxitë gruan kundër Islamit dhe etikës së tij, me pretendimin se Islami nuk i ka bërë drejtësi asaj, nuk e ka respektuar njerëzinë e saj dhe nuk i ka garantuar të drejtat e plota. Kështu, e thirri të heqë dorë nga etika dhe vlerat islame; e nxiti drejt zhveshjes dhe shfaqjes, drejt rebelimit ndaj bashkëshortit dhe largimit nga rruga e Allahut të Madhëruar, derisa sot shohim disa shtëpi muslimane të rrethuara nga shkatërrimi, që jetojnë jetë mjerimi e ngushtice, në vend të jetës së qetësisë, dashurisë dhe mëshirës.

Kështu, disa burra e gra qëndrojnë para fjalës së Allahut: “Dhe nga shenjat e Tij është se Ai krijoi për ju, nga vetvetja juaj, bashkëshorte që të gjeni prehje tek ato dhe vuri mes jush dashuri e mëshirë”, dhe pyesin: ku është qetësia, dashuria dhe mëshira në martesë? Ata thonë: ne e shohim martesën si ferr, jo si begati. Prandaj u shmangën nga martesa dhe ndoqën rrugën e haramit, duke menduar se kështu do ta arrinin lumturinë.

Ne u themi këtyre: A mund të ndryshojnë ligjet e Allahut në krijim? A mundet Allahu i Madhëruar ta thyejë premtimin e Tij?

Përgjigjja e pyetjes së parë vjen nga Libri i Allahut. Ai thotë në suren Isra: “Ky është ligji i atyre që Ne i dërguam para teje prej të dërguarve Tanë, dhe nuk do të gjesh ndryshim në ligjin Tonë”.
Dhe në suren Ahzab: “Ky është ligji i Allahut për ata që ishin më parë, dhe nuk do të gjesh kurrë ndryshim në ligjin e Allahut”. Është e pamundur, krejt e pamundur, që ligji i Allahut të ndryshojë.

Sa i përket pyetjes së dytë, edhe kjo vjen nga Libri i Allahut. Ai thotë në suren Ali Imran: “Zoti ynë, Ti do t’i mbledhësh njerëzit në një Ditë për të cilën s’ka dyshim; Allahu nuk e thyen premtimin.” Dhe po në të njëjtën sure: “Zoti ynë, na jep atë që na ke premtuar përmes të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën eKiametit; Ti nuk e thyen premtimin”. Premtimi i Allahut nuk thyhet dhe gjithësia e dëshmon këtë.

Atëherë, ku qëndron defekti?

Përgjigjja merret nga fjala e Allahut në suren Bekare: “Kur t’ju vijë prej Meje udhëzim, kush e ndjek udhëzimin Tim nuk do të ketë frikë dhe as do të pikëllohet”; dhe nga fjala e Tij në suren Ta-Ha: “Kur t’ju vijë prej Meje udhëzim, kush e ndjek udhëzimin Tim nuk do të humbasë dhe as do të jetë i mjerë. E kush largohet nga përkujtimi Im, ai do të ketë një jetë të ngushtë dhe Ne do ta ringjallim Ditën e Kiametit të verbër”.

Pra, defekti është tek ne; defekti është në largimin tonë nga udhëzimi që na erdhi nga Allahu. Premtimi i Allahut nuk thyhet: kush e ndjek udhëzimin, nuk frikësohet dhe nuk pikëllohet. A ka lumturi më të madhe se lumturia e atij që nuk frikësohet nga e ardhmja dhe nuk pikëllohet për të kaluarën? A ka lumturi më të madhe se lumturia e atij për të cilin Allahu ka garantuar se, nëse ndjek udhëzimin, nuk humb në mendje dhe nuk mjeron në jetë?

Pra, problemi është tek ne: në injorancën tonë, në largimin nga Islami ynë, në mosnjohjen e jetës së Profetit (a.s) dhe në mosnjohjen e planeve të ndryshme të perëndimit që thurrin për prishjen, tronditjen dhe shkatërrimin e familjes muslimane.

Kjo injorancë e dyfishtë na çoi në keq-drejtim dhe vlerësim të gabuar, gjë që solli humbjen dhe prishjen e familjes.

Ja disa shembuj nga realiteti ynë i hidhur:

Një baba që nuk njeh rrugë tjetër për edukimin e fëmijëve veç ashpërsisë dhe dhunës në sjellje; qëndrimi i tij me gruan dhe fëmijët është: “Unë nuk ju tregoj veçse atë që shoh”. Ai mendon se kjo është rruga më e mirë për ruajtjen e familjes.

Një baba tjetër që mendon se lufta kundër prishjes në shtëpi bëhet vetëm me të bërtitura, sharje, mallkime dhe rrahje.

Një baba tjetër që nuk e sheh rregullimin e familjes veçse duke e detyruar gruan dhe fëmijët të lexojnë një libër të caktuar, por pa reflektuar

Një baba tjetër që ia lë krejtësisht frerët gruas dhe fëmijëve, pa ndjekje dhe pa udhëzim.

Prandaj, është e domosdoshme të kthehemi te udhëzimi që na erdhi nga Allahu i Madhëruar, për ta ruajtur familjen tonë e, rrjedhimisht, shoqërinë tonë. Ky është obligim sheriatik. Lum ai njeri që e dëgjon fjalën e të Dërguarit tonë (a.s), e kupton dhe e përcjell; sepse shpeshherë ai që e merr mesazhin është më i vetëdijshëm se ai që e dëgjon.

Abdullah ibn Amr ibn el-Asi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Bota është përfitim, dhe përfitimi më i mirë i saj është gruaja e mirë.”[1]

Ebu Umame (r.a) transmeton  se Profeti (a,s) ka thënë: “Nuk ka përfituar besimtari, pas devotshmërisë ndaj Allahut, gjë më të mirë se një bashkëshorte të mirë: nëse e urdhëron, ajo i bindet; nëse e shikon, e gëzon; nëse betohet ndaj saj, ajo e përmbush; dhe nëse ai mungon, ajo e ruan veten dhe pasurinë e tij.”[2]

Theubani (r.a) transmeton se kur zbritën ajetet për arin dhe argjendin, shokët pyetën: cili pasuri është më e mira? Profeti (a.s)tha: “Më e mira është një gjuhë që përmend Allahun, një zemër falënderuese dhe një bashkëshorte besimtare që e ndihmon në besimin e tij.”[3]

Profeti (a.s) ka thënë: “Prej lumturisë së birit të Ademit janë tri gjëra: bashkëshortja e mirë, banesa e mirë dhe mjeti i mirë; e prej mjerimit të tij janë tri: bashkëshortja e keqe, banesa e keqe dhe mjeti i keq.”[4]

Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, prejardhjen, bukurinë dhe fenë. Kapu pas asaj që ka fe, duart e tua u mbulofshin me dhe!”[5] Kjo shprehje është nxitje për zgjedhjen e një gruaje fetare, dhe nuk nënkupton mallkim për varfëri.

Përveç kësaj, Profeti (a,s) na paralajmëroi nga martesa me gruan e bukur, të pasur e me prejardhje, por pa fe. Ai tha: “Kush martohet me një grua për krenarinë e saj, Allahu nuk do t’ia shtojë veçse poshtërim; kush martohet për pasurinë e saj, Allahu nuk do t’i shtojë veçse varfëri; kush martohet për prejardhjen e saj, Allahu nuk do t’ia shtojë veçse përulësi. Ndërsa kush martohet me një grua vetëm që të ulë shikimin, të ruajë nderin dhe të mbajë lidhjet farefisnore, Allahu e bekon atë në të dhe e bekon atë në të.”

Ebu Esued ed-Du’eli u thoshte fëmijëve të tij: Ju kam bërë mirë para se të lindnit. Ata e pyetën: Si? Ai tha: Zgjodha për ju një nënë që të mos turpëroheni prej saj.”

Ashtu siç Profeti (a.s) i urdhëroi të rinjtë të kërkojnë gruan me fe dhe moral, ai i urdhëroi edhe kujdestarët e vajzave që t’u zgjedhin atyre burra të denjë me fe dhe moral.

Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse ju vjen për martesë dikush me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni; nëse nuk e bëni, do të ketë trazira në tokë dhe shthurrje të madhe.”[6]

Aishja (r.a) transmeton  se Profeti (a.s) ka thënë: “Zgjidhni për farën tuaj dhe martoni të denjët.”[7]

Esmaja (r.a) ka pasë thënë: “Martesa është robëri, prandaj secili të shikojë se kujt po ia jep robërinë e të dashurës së tij.”

Prandaj unë them se: kushdo që dëshiron lumturinë e vajzës së tij, le t’i kërkojë një burrë me fe dhe moral; sepse vajza është amanet në qafën e tij dhe do të pyetet për të Ditën e Kiametit. Nëse ai e lë mënjanë fenë dhe moralin e kërkon vetëm pasurinë e pozitën, ai i ka bërë padrejtësi vajzës së tij, dhe do të ikë prej saj Ditën e Kiametit: “Atë ditë njeriu do të ikë nga vëllai i tij, nga nëna dhe babai i tij, nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij”

Dhe në fund, le ta dëgjojmë udhëzimin e Allahut në Kuranin e Madhërishëm: “Martoni të pamartuarit prej jush dhe të ndershmit nga robërit dhe robëreshat tuaja; nëse janë të varfër, Allahu do t’i pasurojë nga begatia e Tij”.

Kjo është një thirrje për të gjithë kujdestarët, që të martojnë të pamartuarit prej djemve dhe vajzave.

Dhe le të marrin shembull nga Kurani i Madhërishëm, nga martesa e Musait (a.s) me njërën nga vajzat e Shuajbit (a.s).

Është nder i madh t’ia ofrosh vajzën tënde një të riu musliman të devotshëm, edhe nëse është i varfër, sepse Allahu ka premtuar begati dhe bereqet për të sapomartuarit. Mos e shikoni varfërinë, as të dhëndrit e as të nuses; begatia e Allahut është e gjerë dhe depot e Tij nuk shterojnë.

Prandaj Profeti (a.s) ka thënë: “Tre janë ata që Allahu i ndihmon: ai që martohet për dëlirësi, ai që kërkon të shlyejë borxhin dhe luftëtari në rrugën e Allahut.”

Ibën Mes’udi (r.a) ka pasë thënë: “Kërkojeni pasurinë në martesë.” Kurse Ebu Bekri es-Siddiku (r.a) ka pasë thënë: “Bindjuni Allahut në atë që ju ka urdhëruar për martesën, dhe Ai do t’ua realizojë premtimin e pasurisë.”

Kur Shuajbi (a.s) e martoi vajzën e tij me Musain (a.s) edhe pse ishte i varfër, Allahu e pasuroi, dhe çfarë pasurie! E bëri profet dhe të dërguar, madje nga të dërguarit e vendosur.

Po kështu, Omeri (r.a ) ia ofroi vajzën e tij Hafsën (r.a), të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ajo u ajo u martua me të, ndërsa Uthmani u martua me Ummu Kulthumin.

Prandaj, kush dëshiron një familje muslimane të lumtur, pikë së pari le të vendosë bazat e shëndosha të saj: të bërë përzgjedhjen e mirë të bashkëshortëve, mbi bazën e fesë dhe moralit.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve

Autor: Ahmet Sherif Na’san

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muslimi.

[2] – Ibn Maxheh dhe Nesai.

[3] – Tirmidhiu.

[4] – Ahmedi dhe Tabaraniju.

[5] – Buhariu dhe Tirmidhiu.

[6] – Tirmidhiu.

[7] – Ibn Maxheh.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *