Themelimi dhe personalitetet më të shquara:
1 – Baza kryesore e besimit druz është kalifi Fatimid: Ebu Ali el-Mensur ibn el-Aziz bil-lah ibn el-Mu‘izz li-Din Allah el-Fatimi, i quajtur “El-Hakim bi Emrilah”. Ai lindi në vitin 375 H / 985 pas Krishtit dhe u vra në vitin 411 H / 1021 pas Krishtit. Ishte ekstrem në mendimet, sjelljet dhe qëndrimet e tij – i ashpër, kontradiktor dhe me urrejtje ndaj njerëzve – vrasjet dhe torturat e tij ishin pa arsye të dukshme.
2 – Themeluesi real i kësaj doktrine është: Hamza bin Ali bin Muhamed ed-Druzi (vdiq më 375 H / 430 H), i cili në vitin 408 H shpalli se “shpirti i Zotit” ishte shfaqur te el-Hakim dhe i ftoi njerëzit ta besonin këtë, duke shkruar libra për besimet e druzëve.
3 – Muhamed bin Ismail ed-Darazi, i njohur si Dërzi: ai ishte me Hamzën në formimin e besimeve druze, por ai u nxitua kur deklaroi hyjnizimin të el-Hakimit në vitin 407 H. Kjo e zemëroi Hamzën dhe e bëri popullin të ngrihej kundër tij. Ai iku në Sham, ku ftoi njerëzit drejt fesë së tij. Atje u paraqit sekti i druzëve që u lidh me emrin e tij, edhe pse vetë ndjekësit e mohojnë këtë lidhje, pasi ai devijoi nga mësimet e Hamzës dhe u vra në vitin 411 H.
4 – El-Husajn ibn Hajdar el-Fergani, i njohur si el-Ekrem apo el-Eraxh: ai ishte lajmëtari që ftonte njerëzit drejt thirrjes së Hamzës.
5 – Behaudin Ebu el-Hasan Ali ibn Ahmed es-Sumuki, i njohur si el-Baidh: pati ndikim të madh në përhapjen e doktrinës gjatë mungesës së Hamzës në vitin 411 H. Ai botoi shumë nga shkrimet e tyre, si: “Letra e këshillës, qortimit, largimit dhe përjashtimit.” Ai është ai që mbylli derën e ixhtihadit, duke theksuar qëndrueshmërinë e doktrinës dhe duke vendosur autoritetin e tij dhe të Hamzës mbi të gjithë ndjekësit.
6 – Ebu Ibrahim, Ismail ibn Hamid et-Temimi: dhëndri i Hamzës dhe krahu i djathtë i tij i thirrjes së njerëzve drejt sektit. Ai ishte pas tij (Hamzës) në status.
Ndër udhëheqësit bashkëkohorë të këtij sekti janë:
1 – Kamal Xhumblatt: Një udhëheqës politik libanez, themelues i Partisë Socialiste Progresive i cili u vra në vitin 1977.
2 – Valid Xhumblatt: Ai është udhëheqësi i tyre aktual dhe pasardhës i babait të tij në udhëheqjen e druzëve dhe drejtimin e partisë.
3 – Nexhib es-Serraui: Kryetar i lidhjes druze në Brazil.
4 – Adnan Beshir Rashid: Kryetar i lidhjes druze në Australi.
5 – Sami Mekarim: Ai kontribuoi bashkë me Kamal Xhumblatt në disa libra për mbrojtjen e druzëve.
Njerëzit në besimin druz ndahen në tri kategori:
1 – “el-‘Ukalā” (Të mençurit) – janë klasa e burrave që e studiojnë fenë dhe kujdesen për të. Janë të ndarë në tri nivele, dhe udhëheqësi i tyre quhet “Shejh el-‘Akl”.
2 – “el-‘Ajeuid” – janë ata që janë ngritur mbi të tjerët në njohjen dhe zbatimin e mësimeve të fesë.
3 – “el-Juhhal” (Të paditurit) – janë masa e përgjithshme e popullit.
Bindjet dhe besimet:
1 – Besojnë në hyjnizimin e “Hakimit bi Emrillah”. Kur ai vdiq, ata thanë se ishte fshehur dhe do të rikthehet.
2 – Mohojnë të gjithë profetët (a.s) dhe të dërguarit (a.s) dhe i akuzojnë të gjithë ata për mashtrues.
3 – Besojnë se Isai është predikuesi i tyre Hamza.
4 – I urrejnë të gjithë ndjekësit e feve të tjera, sidomos myslimanët. E lejojnë gjakderdhjen dhe marrjen e pasurisë së tyre në mënyrë të shenjtë.
5 – Besojnë se feja e tyre ka shfuqizuar të gjitha fetë që e kanë paraprirë, dhe mohojnë të gjitha dispozitat dhe adhurimet islame së bashku me burimin e tyre.
6 – Disa prej dijetarëve të tyre bashkëkohorë shfaqen si hindu dhe pretendojnë se besimi i tyre buron nga urtësia indiane.
7 – Besojnë se njeriu nuk bëhet fetar përveç nëse lexon “Marrëveshjen e Veçantë”.
8 – Besojnë në metempsikozë, d.m.th. shpërblimi dhe ndëshkimi ndodh përmes kalimit të shpirtit nga një trup në një tjetër, qoftë në trupin e një të lumturi ose të një të mjeruari.
9 – Mohojnë ekzistencën e Xhenetit, Zjarrit, shpërblimit dhe ndëshkimit të botës tjetër.
10 – Mohojnë Kuranin Famëlartë dhe pretendojnë se Selman el-Farisi ka vendosur për ta një Mus’haf të veçantë enkas për ta.
11 – Besimi i tyre rrjedh nga epokat e lashta; ata krenohen se e kanë prejardhjen nga faraonët e Egjiptit të lashtë dhe dijetarët e Indisë së vjetër.
12 – Historia e tyre fillon në vitin 408 H, vit në të cilin Hamza shpalli hyjnitetin e el-Hakimit.
13 – Ata besojnë se Kiameti do të ndodhë kur të rikthehet el-Hakimi. Ai do t’i udhëheqë për të shkatërruar Qaben, për të zhdukur myslimanët dhe të krishterët nga faqja e dheut dhe për të sunduar botën përgjithmonë. Sipas tyre, myslimanët janë të detyruar t’u paguajnë xhizje, ndërsa ata i nënçmojnë dhe i përbuzin myslimanët.
14 – Ata besojnë se el-Hakimi ka dërguar pesë profetë që janë: Hamzai, Ismaili, Muhamed el-Kelime, Ebu el-Hajr dhe Beha-in.
15 – Ata e kanë të ndaluar të martohen me persona jashtë besimit të tyre, të japin lëmoshë ose të ndihmojnë të huajt. Gjithashtu, u ndalohet poligamia dhe rikthimi i gruas së divorcuar.
16 – Ata i privojnë vajzat nga trashëgimia.
17 – Ata nuk lejojnë që askush të futet në fenë e tyre, por as edhe të dalë.
18 – Shoqëria druze bashkëkohore – siç ka qenë edhe më parë – ndahet nga ana fetare në dy kategori:
Shpirtërorët (El-ruḥanijîn): Atyre u janë besuar sekretet e sektit dhe ndahen në: krerë, të mençur dhe të devotshëm.
Truporët (El-jeshmanijîn): Ata që merren me çështjet tokësore dhe ndahen në dy kategori: princa dhe të padijshëm.
Ndërsa nga aspekti shoqëror, ata nuk e njohin autoritetin e pushteteve aktuale, por udhëhiqen nga “Shejhu i mendjes”.
19 – Ata besojnë në atë që besonin filozofët, se Zoti krijoi “mendjen universale”, dhe përmes saj u krijua “shpirti universal”, e prej saj rrjedhin të gjitha krijesat.
20 – Kanë thënie të papranueshme për sahabët, ndër të cilat më të njohurat janë: Ebu Bekri dhe Omeri janë simbol i të keqes dhe imoralitetit.
21 – Fshehtësia dhe fshehja janë ndër bazat e besimit të tyre. Këtë gjë ata nuk e bëjnë prej “tukjes” (mbrojtjes për shkak të frikës), por për arsye se një gjë e tillë është e ligjshme sipas parimeve të tyre.
22 – Në zonat ku ata banojnë nuk ka xhami, madje ata shhmangen prej tyre. Ata grumbullohen në dhoma të fshehta për adhurim, në të cilat nuk lejojnë të tjerët të marrin pjesë.
23 – Nuk agjërojnë në Ramazan, nuk shkojnë për Haxh në Qabe, por shkojnë në një vend të fshehtë për adhurim në fshatin Hasbaja në Liban. Nuk shkojnë për të vizituar xhaminë e të Dërguarit (a.s), por vizitojnë kishën maronite në fshatin Ma’lula në provincën e Damaskut.
24 – Ata nuk ia bartin besimin e tyre askujt dhe nuk i thërrasin të tjerët në të, dhe askush nuk është i detyruar përqafojë fenë e tyre derisa të arrijë moshën dyzet vjeç, e cila është mosha e maturisë sipas tyre.
25 – Ata përfshihen në mesin e sekteve ezoterike (batini) për shkak të besimit të tyre në fshehtësinë dhe pranimet sekrete të besimeve.
26 – Besojnë në reinkarnim, që do të thotë: nëse vdes një njeri, shpirti i tij kalon në trupin e një njeriu tjetër të sapolindur, e nëse ai vdes, kalon te një tjetër e kështu me radhë – në faza të njëpasnjëshme për çdo individ.
27 – Numri pesë ka një pozitë të veçantë dhe të gjerë në besimin druz.
Disa nga librat e druzëve:
Druzët kanë libra të shenjtë që quhen “Mesazhet e Urtësisë”, numri i tyre arrin 111 mesazhe. Ato janë shkruar nga Hamza, Bahaudin dhe të tjerë.
Ata kanë një mus’haf të veçantë që quhet “Mus’hafi i Besimit të Veçantë”.
“Libri i Piketave dhe Rrezeve” i atribuohet Hamza ibn Aliut, dhe disa besojnë se ai i përket Abdulgafar Nexhmudin al-Maghribit, i cili u vra në vitin 900 h.
“Besëlidhja e Kohës” – është libri i Hamza ibn Aliut, të cilin një druz e merr në momentin kur njihet me besimin e tyre.
“Defekti i Fshehtë” – ai që përfshin mohim të të gjitha ligjeve fetare, veçanërisht të pesë shtyllave të Islamit.
“Dritat mbi rrugën e Teuhidit” – nga Dr. Sami Makarem.
Rrënjët e ideologjisë dhe besimit
Në përgjithësi ata janë ndikuar nga ezoterizmi, dhe veçanërisht nga ezoterizmi greko-platonik, i përfaqësuar në mitet e Platonit dhe ndjekësve të tij, duke e konsideruar atë si mësues shpirtëror.
Shumë prej bindjeve të tyre burojnë prej sektit ismailit.
Ata e mohojnë ringjalljen dhe jetën e përtejme duke u ndikuar nga materialistët.
Ata janë ndikuar nga budizmi në shumë ide dhe besime, po ashtu janë ndikuar edhe nga disa filozofë persianë, indianë dhe nga faraonët e lashtë.
Përhapja dhe zonat e ndikimit:
Druzët sot jetojnë në Liban, Siri dhe Palestinë.
Shumica e tyre janë në Liban dhe një përqindje e madhe e tyre ndodhet në Palestinën e pushtuar. Disa prej tyre kanë marrë nënshtetësinë izraelite dhe punojnë në ushtrinë izraelite.
Ata kanë lidhje e tyre në Brazil, Australi dhe diku tjetër.
Në Liban, ata kanë ndikim shumë të fortë nën udhëheqjen e Valid Xhumblattit. Përfaqësojnë Partinë Progresiste Socialiste dhe kanë luajtur rol të madh në luftën libaneze. Armiqësia e tyre ndaj myslimanëve nuk fshihet nga askush.
Numri i ndjekësve të tyre arrin rreth 250 mijë persona të shpërndarë midis Sirisë (121 mijë), Libanit (90 mijë), Palestinës dhe disa shteteve të emigracionit.
Nga ajo që u përmend më sipër kuptohet:
Se druzët janë një sekt ezoterik (batini), i cili e mori pushtetin nga kalifi fatimid el-Hakimi, u shfaqën në Egjipt pastaj u shpërngulën në Sham. Ata mohojnë profetët dhe të dërguarit dhe besojnë se Mesihu i tyre është predikuesi Hamza. Dhe sipas kësaj, ata konsiderohen si të devijuar.
Burimi: Enciklopedia e Përmbledhur mbi Fetë, Sektet dhe Grupacionet Bashkëkohore
Përktheu: Elton Harxhi