Përpjekjet e të kotës për të penguar dritën e së vërtetës janë të ngjashme dhe të përsëritura. Shpesh ndodh që e kota të duket sikur fiton përkohësisht, madje fryhet dhe paraqitet si e fuqishme, derisa ta godasë e vërteta në zemër dhe ta zhdukë plotësisht. Allahu thotë: “Por Ne e hedhim të vërtetën kundër të kotës, e ajo e triumfon mbi të, dhe ja, e kota zhduket. Mjerë ju për ato që i përshkruani Allahut.”[1]
Një nga periudhat më të vështira dhe më të gjata të përballjes ndërmjet të kotës dhe thirrjes profetike ishte ajo e rrethimit të Profetit (a.s), së bashku me shokët dhe farefisin e tij, në grykën (Shuab) e Ebu Talibit. Ky rrethim filloi në vitin e shtatë të shpalljes profetike dhe përfundoi në muajin Muharrem të vitit të dhjetë.
Shkaku që kurejshët iu drejtuan kësaj politike rrethimi ishte dështimi i tyre në ndalimin e thirrjes së Profetit (a.s) përmes torturave dhe presioneve. Si pasojë, ata u bashkuan në qëllimin për ta vrarë të Dërguarin e Allahut (a.s). Kur Ebu Talibi mori vesh këtë plan të rrezikshëm, ai mblodhi njerëzit e fisit të tij dhe i ftoi të fusnin Profetin (a.s) në “Shi’b” për ta mbrojtur nga kurthet e Kurejshëve. Fisi u bashkua në këtë qëllim, si myslimanët ashtu edhe jobesimtarët – disa prej tyre nga ndjenja e krenarisë fisnore, e disa nga besimi dhe bindja.
Kur kurejshët kuptuan se Profeti (a.s) ishte marrë në mbrojtje nga fisi i tij, ata morën një vendim unanim: të mos uleshin me ta, të mos tregtonin me ta, derisa ta dorëzonin Profetin. Ky vendim u përforcua me një marrëveshje të shkruar në një letër, e cila u vendos brenda Qabes. Ata u betuan se do të ndërprisnin çdo lidhje me banorët e “Shi’bit”: nuk do t’u shisnin, nuk do të blinin prej tyre, nuk do të martoheshin me ta dhe as do të lejonin martesë me vajzat e tyre.
Fisi i Benu Hashimit e pranoi këtë rrethim, madje edhe ata që nuk besonin në mesazhin profetik, nga ndjenja e përkatësisë fisnore dhe përkrahjes ndaj nipit të tyre. Këtë qëndrim e përshkruan Kurani:“Ata i pengojnë (të tjerët) prej tij, por vetë qëndrojnë larg tij.”[2]
Gjendja e tyre mund të përmblidhet me fjalët e udhëheqësit të tyre, Ebu Talibit, i cili iu përgjigj kërkesës kërcënuese të Kurejshëve me këtë varg poetik:
“Ta dorëzojmë (Muhamedin) derisa të vritemi për të,
e të harrojmë fëmijët tanë dhe gratë tona?!”
Nga ky unitet i Benu Hashimëve për të mbrojtur të Dërguarin e Allahut (a.s) bëri përjashtim vetëm Ebu Lehebi, biri i Abdulmutalibit. Qëndrimi i tij u lavdërua nga Hind bint Utbe, e cila i tha:
“E ndihmove Lat-in dhe Uzzën, o Ebu Utebe!”
Ashpërsimi i rrethimit në Shi’b dhe thyerja e heshtjes
Rrethimi ndaj banorëve të Shi’bit u bë gjithnjë e më i ashpër, derisa njerëzit filluan të hanin gjethe pemësh, dhe gojët e tyre u çanë nga uria. Kjo gjendje erdhi si pasojë e mbylljes së rreptë të hyrje-daljeve dhe kontrollit të fortë të Ebu Xhehlit mbi të gjitha rrugët dhe kalimet që të çonin në Shi’b. Ai bënte gjithçka për të mos lejuar që asgjë të arrinte te të rrethuarit – madje edhe kur ndonjë furnizim i rrallë depërtonte fshehurazi, kjo ndodhte vetëm kur rojat e bojkotit ishin të pakujdesshme.
Në një rast, kur një përpjekje e tillë u zbulua, Ebu Xhehli e takoi Hakim ibn Hizam ibn Huejlidin, i cili kishte me vete një shërbëtor që mbante një thes me grurë për ta dërguar te halla e tij, Hadixheja (r.a), e cila ndodhej në Shuab. Ebu Xhehli u kap pas tij dhe i tha:
“Po çon ushqim për Benu Hashimët?! Pasha Allahun, nuk do të të lë ty dhe ushqimin tënd të ikni, derisa të të turpëroj në Mekë!”
Në atë moment ndërhyri Ebu Buhturi ibn Hishami dhe i tha:
“Ç’të duhet ty me këtë njeri?”
Ebu Xhehli iu përgjigj:
“Po çon ushqim për Benu Hashimët!”
Ebu Buhturi ia ktheu:
“Ky është ushqim që ai i detyrohet hallës së tij. Do ta ndalosh të çojë ushqim te halla e vet?! Lëre të lirë këtë njeri!”
Pas kësaj, mes tyre shpërtheu një përleshje, ku Ebu Buhturi e mundi Ebu Xhehlin.
Ky moment shënoi fillimin e një lëvizjeje për ta sfiduar rrethimin dhe për të përballuar padrejtësinë dhe kokëfortësinë e Ebu Xhehlit, si dhe të atyre që pranuan ta mbështesin këtë akt çnjerëzor ndaj vëllezërve të tyre të një gjaku.
Fillimi i fundit të rrethimit – pesë burra përballë një padrejtësie
Si zakonisht në të gjitha projektet e ndryshimit, gjithçka nis me një ide – dhe ide ka sa të duash – por ajo që bën dallimin është personi që ka aftësinë për të vepruar dhe për të ndikuar. Ajo që bëri Ebu Buhturi me Ebu Xhehlin i shtyu edhe të tjerët të thoshin: “Pse jo? Pse të mos e zgjerojmë idenë dhe ta thyejmë plotësisht rrethimin?”
Kësaj radhe, nisma erdhi nga Hisham ibn Amru, një burrë nga fisi Benu Amir bin Lu’ej. Ai vendosi që i pari me të cilin do ta ndante këtë ide të ishte Zuhejr ibn Umeje el-Mahzumi, dhe kjo për dy arsye:
Së pari: Sepse ai (Zuhejri) ishte nga fisi Benu Mahzum, fis prej të cilit ishte edhe Ebu Xhehli, mbrojtësi më i flaktë i rrethimit — dhe siç thuhet: “Pemën nuk e tund kush tjetër, përveç një degë e saj.”
Së dyti: Nëna e tij ishte ‘Atike bint Abdulmuttalib, halla e të Dërguarit të Allahut (a.s), prandaj (Hishami) e preku në ndjenjat e nderit familjar duke i thënë: “Ne hamë dhe pimë, ndërsa dajat e tu nuk kanë as ushqim, as ujë. Po të ishin ata dajat e Ebu’l-Hakemit (Ebu Xhehlit), ai kurrë nuk do ta pranonte një gjë të tillë për ta!”
Zuhejri tha:“E çfarë të bëj, kur jam i vetëm?” Hisham ibn Amru i tha: “Unë jam me ty për këtë çështje.” Ai ia ktheu:“Atëherë gjejmë një të tretë.” Hishami zgjodhi Mut’im ibn Adij ibn Nuefel ibn Abdulmenaf, njeri me qëndrim fisnik, me peshë në mesin e Kurejshëve dhe nga fisi Benu Abdulmenaf — i cili kishte lidhje gjaku me të Dërguarin e Allahut (a.s) — dhe ai pranoi, por tha: “Gjejmë një të katërt.”
Hishami shkoi te Ebu Buhturi ibn Hishami, emri i të cilit ishte el-As, i njohur për qëndrimin e tij ndaj Hakim ibn Hizamit. Ai ishte nga fisi Benu Esed, fisi i Hatixhes (r.a.), dhe pranoi menjëherë dhe kërkoi një të pestë. Kështu u zgjodh kushëriri i tij, Zem’a ibn el-Esued el-Esedi, dhe kështu numri u plotësua në pesë burra.
Ata përgatitën planin dhe ranë dakord që të shkelnin marrëveshjen e bojkotit dhe të rrethimit. Zubejr ibn Umejje tha: “Unë do ta nis i pari, do të jem i pari që flet.”
Kur erdhi mëngjesi, ata u drejtuan për në Qabe dhe Zubejri i thirri banorët e Mekës. Kur ata u mblodhën, ai tha:
“O njerëz të Mekës! A do të hamë dhe pimë, ndërsa Benu Hashimët po vdesin për bukë e ujë?! Nuk u shesim, nuk blejmë prej tyre?! Pasha Allahun, nuk do të ulem derisa të griset kjo fletë e padrejtë!”
Ebu Xhehli, udhëheqësi i bojkotit dhe rojtari i kalimeve, u ngrit me ashpërsinë e tij të zakonshme dhe tha:
“Po gënjen! Pasha Allahun, nuk do të griset!”
Atëherë u ngrit Zem’a ibn el-Esuedi dhe tha:
“Ti, pasha Allahun, je ai që po gënjen! Ne nuk ishim dakord me atë fletë, qysh kur u shkrua!”
Pastaj u ngrit Ebu Buhturi ibn Hishami dhe tha:
“Zem’a ka thënë të vërtetën. Ne nuk pajtohemi me atë që është shkruar aty dhe nuk e pranojmë!”
Pas tij u ngrit Mut’im ibn Adij dhe tha:
“Të dy keni thënë të vërtetën, dhe ka gënjyer kushdo që thotë të kundërtën (duke nënkuptuar Ebu Xhehlin). Ne distancohemi para Allahut nga ajo fletë dhe çfarëdo që është shkruar aty.”
Pastaj u ngrit Hisham ibn Amru, ideatori i gjithë kësaj lëvizjeje, dhe tha të njëjtën gjë si Mut’imi, duke përforcuar kërkesën për të shfuqizuar fletën.
Në këtë moment, Ebu Xhehli e kuptoi se ishte i rrethuar nga pesë prej krerëve dhe njerëzve me fjalë të rëndësishme në shoqëri, dhe e kuptoi se kjo nuk ishte një rastësi. Prandaj tha:
“Kjo është një çështje që është vendosur natën!” (domethënë: u është përgatitur paraprakisht, me plan.)
Ebu Talibi, xhaxhai i Pejgamberit (a.s), ishte ulur në një qoshe të xhamisë kur i Dërguari i Allahut (a.s) i tregoi atij për atë që Allahu e kishte informuar në lidhje me pergamenën (marrëveshjen e bojkotit): se Ai kishte dërguar mbi të një termit (insekt i ngjashëm me milingonën), i cili kishte ngrënë çdo gjë që përmbante padrejtësi, shkëputje dhe zullum, përveç përmendjes së Allahut – të Lartësuar qoftë Ai. Pastaj Pejgamberi (a.s) ia tregoi këtë lajm xhaxhait të tij.
Ebu Talibi e përcolli këtë informacion para njerëzve dhe tha: “Nëse është gënjeshtar (Muhamedi), ne do t’ju lëmë të lirë për ta trajtuar si të doni; por nëse është i sinqertë, atëherë ju duhet të hiqni dorë nga bojkoti dhe padrejtësia që po na bëni.” Ata thanë: “Ke folur drejt.”
Pasi biseda u zhvillua mes njerëzve dhe Ebu Xhehlit, el-Mut’im bin Adij shkoi te pergamena për ta grisur, dhe pa që termiti e kishte ngrënë të gjithën, përveç fjalëve: “Me emrin Tënd, o Allah”. Çdo përmendje e emrit të Allahut kishte mbetur pa u ngrënë. Ai e grisi pergamenën dhe i Dërguari i Allahut (a.s) bashkë me ata që ishin me të në Shuab (grykën) dolën prej saj.
Mësimet e nxjerra:
Nga kjo ngjarjeje madhështore, po përmendim disa mësime për të përfituar më shumë:
Së pari: Gjatë gjithë periudhës së rrethimit, asnjë nga të rrethuarit nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij, dhe asnjëri nuk hezitoi në parimin e tij – përfshirë edhe jobesimtarët nga fisi Benu Hashim.
Së dyti: Çështja nuk ishte thjesht një vendim për të ndihmuar birin e vëllait të tyre, por shkoi deri në atë pikë sa ishin të gatshëm të sakrifikoheshin për të. Ebu Talibi shpesh e ndërronte vendin ku flinte Pejgamberi (a.s) natën, pasi të gjithë të tjerët shtriheshin për të fjetur, dhe urdhëronte dikë tjetër të flinte në vendin ku kishte qenë ai më parë.
Së treti: Nderi arab dhe krenaria fisnore – nëse kanë mbetur ende – mund të orientohen drejt së mirës dhe për të larguar të keqen.
Së katërti: Ebu Talibi e nisi rrugëtimin me djalin e vëllait të tij, Muhamed ibn Abdullahin, me përkujdesje dhe mbrojtje. Ky përkushtim u rrit me kalimin e kohës dhe nuk iu nda kurrë deri në vdekje. Pejgamberi (a.s) tha: “Kurejshët nuk më kanë prekur aspak për të më dëmtuar derisa vdiq Ebu Talibi.”
Së pesti: Veprat e mëdha i bëjnë njerëzit me shpirtra të mëdhenj. Zgjedhja e duhur e përkrahsëve është hapi i parë drejt suksesit dhe arritjes së qëllimit.
Së gjashti: Edhe pse iniciuesi i thyerjes së bojkotit, Hisham ibn Amru, nuk u bë mysliman deri në çlirimin e Mekës, nga të gjithë shokët e tij vetëm Zuhejr ibn Umejje el-Mahzumi e përqafoi Islamin më herët.
Së shtati: Ebu Bukhturi ibn Hisham doli me Kurejshët për të luftuar kundër Pejgamberit (a.s) në betejën e Bedrit, por Pejgamberi (a.s) tha: “Kushdo që e has Ebu Buhturin, le të mos e vrasë!” Kjo si vlerësim për qëndrimin e tij fisnik. Ai ishte ndër njerëzit më të përmbajtur ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s) . Në të njëjtën betejë, Pejgamberi (a.s) përmendi veprat e mira të Mut’im ibn Adijit dhe tha: “Sikur të ishte gjallë Mut’imi dhe të më kërkonte lirimin e këtyre të ndoturve (robërve të Bedrit), do t’ia lija atij.”
Kjo është prej mësimeve më të mëdha për shpërblimin e të mirës dhe mirënjohjes për ata që të bëjnë mirë.
Së teti: Rrethimi është metodë e keqbërësve, qoftë në të kaluarën, qoftë sot. Por umeti i dy miliardë myslimanëve nuk mund të gjejë pesë burra si ata të Hisham ibn Amru – të cilët ishin jobesimtarë – që të dalin përballë arrogancës së Ebu Xhehlit dhe të thyejnë rrethimin mbi Gazën, për hir të fqinjësisë dhe lidhjes së besimit. Jemi bërë një mes dy gjendjeve: nuk jemi as vëllezër në Islam, e as të nderuar nga krenaria xhahile!
Thirrja e fundit për Ummetin Islam:
Vazhdimi i paaftësisë është paralajmërim për ndërrim të brezit! Ligjet e Allahut në univers nuk favorizojnë askënd: Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ju shmangeni, Ai do të zëvendësojë popullin tuaj me një tjetër, dhe ata nuk do të jenë si ju”[3]
Sa për banorët e Gazës, ata janë të bindur se fitorja vjen me durim, se lehtësimi vjen pas vështirësisë, dhe se pas ngushticës vjen çlirimi.
Autor: Muhamed es Sagir
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Enbija: 18.
[2] – Sure En’am: 26.
[3] – Sure Muhamed: 38.