1 – Hyrja në banjo pa pasur gjëra ku shkruhet emri i Allahut: Kur personi futet në banjo, nuk duhet të ketë me vete ndonjë gjë, në të cilën shkruhet emri i Allahut, me përjashtim të rastit kur ka frikë, se mos ajo gjë i humbet apo i ekspozohet ndonjë rreziku. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e mbante gjthmonë unazën me vete, ndërsa kur shkonte në banjo, e hiqte atë dhe e linte mënjanë.[1] Në unazën e të Dërguarit tëAllahut (a.s) shkruhej: “All`llah, Muhamed, Resul” dhe lexohej “Muhamed Resulull`llah”.
2 – Mbulimi dhe largimi nga shikimi i njerëzve: Gjatë kryerjes së nevojës, personi duhet të fshihet nga shikimi i njerëzve. Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e kryente nevojën, pa u fshehur në ndonjë vend.”[2]
3 – Thënia e duasë me zë para hyrjes në banjo: Enesi (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) donte të hynte në banjo, thoshte: “Bismil`lah, allahumme ini eudhu bike minel khubthi uel khabaith – Me emrin e Allahut! O Allah! Më mbro nga e keqja dhe të këqinjtë (xhindet)”.[3]
4 – Heshtja gjatë kryerjes së nevojës: Ebu Said Khuderiu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dy persona kryejnë nevojën, nuk duhet të flasin, as nuk duhet të shikojnë auretin e njëri-tjetrit. Allahu i urren këto veprime”[4] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dy persona janë në banjo, nuk duhet të flasin as të dalin nga banjoja të zhveshur dhe duke folur. Dijeni se Allahu i urren këto veprime”[5](144)
5 – Respektimi i Kibles: Është sunnet, që të respektohet Kibla gjatë kryerjes së nevojës, pra që njeriu të mos kthehet nga Kibla, gjatë kohës që kryen nevojat e tij. Abdurrahman ibn Zejd (r.a) tregon: “Dikush i tha Selman Farisiut (r.a): “I Dërguari juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe se si të pastroheni”. Selmani (r.a) ia ktheu: “Po, është e vërtetë…. jemi ndaluar që gjatë kryerjes së nevojës, t`i kthejmë pjesët e turpshme nga Kibla”[6] Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ulet për të kryer nevojën, Kiblen nuk duhet ta ketë as para e as mbrapa”[7] Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka
thënë: “Atij që nuk kthehet (para-pas) nga Kibla gjatë kryerjes së nevojave, i shkruhet një e mirë dhe i fshihet një e keqe”[8] Ibn Umeri (r.a) thotë: “Një ditë shkova në shtëpinë e Hafsas (bashkëshortes së të Dërguarit të Allahut) dhe pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke kryer nevojën, pjesën e përparme të trupit e kishte kthyer nga Shami, kurse pjesën e mbrapme nga Kibla”[9]
Në pamje të parë hadithet duket sikur kanë kontradikta, por harmonizimi mes tyre është: “Nëse dikush kryen nevojën në një vend të hapur e të parrethuar, e ka të ndaluar që ta ketë Kiblen përpara ose pas vetes. Mirëpo nëse ndodhet në një vend me mur të rrethuar, siç janë banjot, nuk ka mëkat nëse drejtohet drejt Kibles ose i kthen shpinën asaj.
6 – Vendi ku kryhet nevoja duhet të jetë i butë, në mënyrë që personi të mos ndotet: Ebu Musa (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) shkoi në një vend të butë dhe urinoi. Ai tha: “Kur ndonjëri kërkon të kryejë nevojën, le të zgjedhë një vend të butë (të përshtatshëm)”[10]
7 – Nevoja të mos kryhet nëpër gropat e tokës: Katade (r.a) tregon, se Abdullah ibn Surxhus (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që të urinohet nëpër gropa”. Katade (r.a) e pyeti: “Përse”? Abdullahu (r.a) tha: “Ato janë shtëpitë e shumë gjallesave”[11]
8 – Nevoja nuk duhet të kryhet në hijet e pemëve, në vendet ku pushojnë njerëzit apo në vendet ku ata kalojnë (në rrugë): Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ruhuni që të mos jeni nga dy grupe që mallkohen nga njerëzit”. E pyetën: “E kë mallkojnë njerëzit”? Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ata që kryejnë nevojën nëpër rrugët dhe hijet e tyre (hijet e pemëve)”[12] Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ruhuni dhe kujdesuni, që të mos jeni nga ata, të cilët ndjellin mallkimin”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Kush janë ata që ndjellin mallkimin?” Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Janë ata që ulen dhe kryejnë nevojën në hijet që përdorin njerëzit, në rrugë dhe tek burimet e ujit”[13]
9 – Ndalohet kryerja e urinës në vaskë dhe nëpër ujëra që nuk rrjedhin: Abdullah ibn Mugaffal (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos urinoni në vaskë dhe pastaj të merrni abdes (me atë ujë)…”[14] Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që të urinohet në ujin e ndenjur.[15] Në një rivajet tjetër thuhet, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar që të urinohet në ujin që lëviz.[16]
10 – Të mos urinohet në këmbë: Aishja (r.a) thotë: “Kush thotë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka urinuar në këmbë, mos i besoni, pasi ai gjithmonë ka urinuar ulur”[17] Tirmidhiu thotë se ky është hadithi më i pranuar që ka ardhur për këtë çështje. Hudhejfe (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) u afrua tek disa plehra dhe urinoi duke qenë në këmbë. Unë u largova, por ai më tha: “Afrohu”. Pasi kreu nevojën, mori abdes dhe fshiu mbi meste”[18] Duket sikur hadithet janë kontradiktore, por harmonizimi mes tyre qëndron, se Aishja (r.a) e ka parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke kryer nevojën vetëm në shtëpi, ndërsa Hudhejfe (r.a) e ka shoqëruar të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) jashtë shtëpie. Ibn Mundhiri: “Urinimi ulur është më i preferuar tek unë, kurse urinimi në këmbë është i lejuar”
11 – El Istinxha: Me termin “Istinxha” nënkuptojmë mënjanimin e papastërtisë nga organet e jashtëqitjes dhe urinimit. Ky mënjanim bëhet me ujë ose me gurë. Pastrimi është sunet i fortë, që nuk duhet të lihet. Nëse papastërtia është e madhe, pastrimi është farz. I Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Kush pastrohet (me gurë), le të pastrohet tek (një herë, tre herë, pesë herë etj). Ai që e kryen këtë veprim, ka vepruar drejt e kush nuk e kryen, nuk ka bërë mëkat”[19] Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të kryeni nevojat, merrni tre gurë me vete që të pastroheni me to, pasi ato mjaftojnë”[20] Enesi (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) shkonte në banjo, unë dhe një djalosh nga ensarët e ndiqnim dhe bartnim një enë me ujë. I Dërguari i Allahut (a.s) pastrohej me këtë ujë”[21]
Nuk lejohet pastrimi me bajgat apo kockat e bagëtive. Ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos u pastroni me bajga dhe kocka, pasi ato janë ushqimi i vëllezërve tuaj prej xhindëve (muslimanë)”[22]
Mospastrimi nga urina ëshë shkak për ndëshkimin në varr. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ruhuni dhe pastrohuni nga urina. Dënimi më i zakonshëm në varr vjen nga pakujdesia gjatë urinimit” [23]Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka kaluar
pranë dy varreve dhe ka thënë: “Këta të dy po dënohen. Ata mendonin se është gjë e lehtë ajo që bënin, por përkundrazi është shumë e rëndë. Njëri prej tyre merrej me thashetheme, ndërsa tjetri nuk ruhej nga urina kur urinonte”[24]
12 – Pastrimi të mos bëhet me dorën e djathtë: Është e ndaluar që personi të pastrohet me të djathtën. Abdurrahman Ibn Zejd (r.a) tregon: “Dikush i tha Selman Farisiut (r.a): “I Dërguari juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe se si të pastroheni”. Selmani (r.a) tha: “Po është e vërtetë…jemi ndaluar që t`i kthejmë pjesët e turpshme para ose pas Kibles gjatë kryerjes së nevojës. Jemi ndaluar që të pastrohemi me dorën e djathtë, jemi ndaluar që të pastrohemi me më pak se tre gurë dhe jemi ndaluar që të pastrohemi me kocka dhe bajga”[25]
13 – Pastrimi i duarve pas kryerjes së nevojës: Larja e duarve pas kryerjes së nevojës është sunet. Xheriri (r.a) tregon: “Isha me të Dërguarin e Allahut (a.s). Ai hyri në banjo për të kryer nevojat. Pasi kreu nevojat, më tha: “O Xherir! Më sill ujë”. Unë i çova ujë. Ai u pastrua dhe më pas e fërkoi dorën për toke”[26] Duart lahen me çdo gjë që i pastron ato.
14 – Spërkatja e organit dhe të mbathurave me pak ujë: Kjo bëhet në mënyrë që personi të mos dyshojë në veten e tij nga urinimi. Sufjan Ibn Hakem (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) urinonte, spërkaste rrobat e brendshme”[27] Në një tekst tjetër të hadithit thuhet: “Ai urinoi, morri abdes dhe spërkati organin”[28] Ibn Umeri (r.a) e lagte organin e tij, derisa i lageshin të mbathurat.[29]
15 – Hyrja në banjo me këmbën e majtë dhe dalja me të djathtën: Është sunet që të hyhet në banjo me këmbën e majtë dhe të dilet me të djathtën. Kjo bazohet në shumë hadithe të vërteta, të cilat i japin përparësi të djathtës për punë të mira dhe të majtës për punët e tjera.
16 – Thënia e duasë pas daljes nga banjoja: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) dilte nga banjoja, thoshte: “gufraneke –Faljen Tënde kërkoj o Zot”[30]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Ebu Daudi (19). Hadithi është Sahih.
[2] – Ebu Daudi (2). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[3] – Buhariu (142) dhe Muslimi (375),
[4] – Ebu Daudi (15), Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[5] – Ibn HUzejme (71). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[6] – Muslimi (262).
[7] – Muslimi (60).
[8] – Tabareniu ne Eusat (1321). Hadithi është Sahih.
[9] – Buhariu (148) dhe Muslimi (266).
[10] – Ebu Daudi (3). Hadithi është Daif.
[11] – Ebu Daudi (29). Hadithi është Sahih.
[12] – Muslimi (265).
[13] – Ahmedi (1/299). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[14] – Ebu Daudi (27). Hadithi është Sahih.
[15] – Muslimi (281).
[16] – Tabareniu (1749) në Eusat. Hadithi është Makbul.
[17] – Tirmidhiu (12). Hadithi është Sahih.
[18] – Buhariu (224).
[19] – Ebu Daudi (35). Hadithi është Sahih.
[20] – Ebu Daudi (40). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[21] – Buhariu (152) dhe Muslimi (271).
[22] – Muslimi (450).
[23] – Darakutni (459). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[24] – Buhariu (218) dhe Muslimi (292).
[25] – Muslimi (262).
[26] – Ibn Maxheh (359). Hadithi është Makbul.
[27] – Ebu Hatim (103). Hadithi është Sahih.
[28] – Ebu Daudi (168). Hadithi është Sahih.
[29] – Abdurrazaku (590). Thënie e vërtetë.
[30] – Buhariu në Edeb (693). Hadithi është Makbul.