Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun dhe e mësoi të shprehet, duke vendosur në shpirtin e çdo njeriu energji të fshehura dhe dhunti të shumta.
Dëshiroj të flas për një çështje madhështore, për një metodë profetike të mençur që na nevojitet në shtëpitë tona, në shoqëritë tona, në shkollat dhe institucionet tona. Ajo është: edukimi profetik nëpërmjet nëpërmjet zbulimit të aftësive.
Profeti ynë (a.s) ishte udhëheqës dhe edukator, i cili dinte si të zbulonte energjitë tek njerëzit, dhe si ta vendoste secilin në vendin e duhur. Ai nuk bazohej tek lidhjet farefisnore apo tek miqësitë, por i vlerësonte njerëzit sipas aftësisë dhe meritës. Kjo metodë e drejtë është prej nevojave më madhore të umetit tonë sot.
Ndër arritjet më të mëdha të të Dërguarit (a.s) gjatë misionit të tij është se ai nuk u mjaftua vetëm duke i thirrur njerëzit në teuhid, por edukoi një brez ku çdo individ ishte një projekt i një umeti të tërë. Edukimi i tij nuk kishte të bënte vetëm me drejtimin e çështjeve shoqërore, por me rregullimin e tyre në përputhje me fenë dhe jetën, sipas ligjit të Allahut. Ai (a.s) kishte aftësinë të zbulonte talentet, të zhvillonte aftësitë, të kujdesej për dhuntitë, të edukonte me dije, trajnim dhe motivim, duke i orientuar drejt shërbimit të fesë dhe umetit, derisa ata u bënë udhëheqës në çdo fushë.
Kështu, Amr ibn el-As, megjithëse pranoi Islamin vonë, në vitin e tetë hixhri, Profeti (a.s) e caktoi menjëherë komandant të ushtrisë, edhe pse aty kishte sahabë që ishin bërë muslimanë shumë më herët. Ai kishte aftësi dhe energji që e bënin të aftë për atë detyrë. Dhe vërtet, ai arriti fitore të mëdha.
Gjithashtu, Profeti (a.s) pa tek Halid ibn Uelidi dhuntinë e tij ushtarake dhe e quajti: “Shpatë nga shpatat e Allahut, që Allahu e nxori kundër jobesimtarëve dhe hipokritëve.”
Tek Zejd ibn Thabiti pa zgjuarsi dhe nxënie të shpejtë të njohurive, ndaj e urdhëroi të mësonte gjuhën siriane, të cilën e zotëroi brenda pak ditësh.
Tek Abdullah ibn Abasi pa një mendje të ndritur për dituri dhe interpretim, ndaj iu lut për të: “O Allah, bëje të kuptojë fenë dhe mësoja atij interpretimin.” Ai u bë dijetari më i madh i umetit.
Profeti (a.s) i zbulonte këto dhunti herë pas here duke vëzhguar me kujdes, e herë duke i provuar ata. Ai dallonte karaktere të ndryshme dhe i përgatiste për rolet që u përputheshin aftësive të tyre.
Kështu, Ebu Bekri u shqua për butësi dhe mëshirë, ndaj Profeti (a.s) tha: “Më i mëshirshmi ndaj umetit tim është Ebu Bekri.” Ai u bë këshilltar dhe mbështetësi më i madh i Profetit.
Omeri u shqua për forcë dhe vendosmëri: “Më i forti prej tyre në çështjet e Allahut është Omeri.”
Othmani për turp dhe ndrojtje: “Më i turpshmi prej tyre është Osmani.”
Aliu për urtësi dhe gjykim: “Më i miri ndër ju në gjykim është Aliu.”
Kalidi për vendosmëri dhe luftë.
Zejdi për zgjuarsi dhe shkrim.
Secili prej këtyre sahabëve nuk do të dilte në pah, po të mos ishte ai që i zbuloi dhe i drejtoi: Profeti (a.s).
Por sot jetojmë në një kohë ku talentet shuhen pa u zhvilluar, ku inovatori quhet mendjemadh, ku i përkushtuari përjashtohet, dhe ku mendjet nënvlerësohen. Të rinjtë tanë shpesh nuk janë të humbur nga padituria, por nga mungesa e dikujt që t’i zbulojë dhe t’i udhëzojë.
Sira profetike nuk është thjesht histori për tu lexuar, por është metodë për të ndërtuar njeriun, për të përgatitur udhëheqës dhe për të ringritur umetin. Nëse duam zhvillim dhe ringjallje, duhet të rikthehemi tek kjo metodë profetike: të zbulojmë talentet e të rinjve, të mos vlerësojmë vetëm kujtesën, por edhe shpikësin, inovatorin, artizanin, shkrimtarin, udhëheqësin…etj.
Në shtëpi, sa fëmijë të zgjuar i kemi thyer me fjalën: “Ti nuk kupton!” Sa vajza të talentuara I kemi shtypur, vetëm sepse donim t’i bënim kopje të të tjerave! Në shkolla, sa nxënës kanë humbur, sepse u është ofruar vetëm një rrugë e ngushtë! Sa mësues kanë shpërfillur talentet e nxënësve, vetëm sepse nuk përputheshin me programin!
Sot kemi nevojë të ngjallim metodën profetike në edukim: të hapim rrugë që çdo talent të shprehet, të ndërtojmë shkolla që nuk vrasin krijimtarinë, xhami që orientojnë, dhe familje që dëgjojnë ëndrrat e fëmijëve të tyre pa i tallur.
Profeti (a.s) nuk kishte laboratorë apo universitete, por kishte vizion, mëshirë dhe urtësi. Me to ai ndërtoi brezin më të veçantë, duke nxjerrë njerëz nga errësira e injorancës në dritën e dijes, nga humbja në rrugët e devijimit tek udhëzimi i Allahut.
Autore: Reula Edib Es – Sejid
Përktheu: Elton Harxhi