El Afuvu – Mëkatfalësi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Emri që do të trajtojmë në këtë temë, ka lidhje të forta me një nga netët më të dashura tek Zoti, Natën e Kadrit. Ky emër është emri El-Afuvvu. Madje, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar që këtë natë, të lutemi me lutjen: “O Zot im! Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Emri i Zotit El-Afuvvu është përmendur pesë herë në Kur’an. Katër herë shoqërohet me ermin El-Gafur dhe një herë me emrin El-Kadir. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Me të vërtetë që All-llahu është Mëkatfalës dhe Gjithëfalës.”[1] 

Kurse ajeti ku përmendet i shoqëruar me emrin El-Kadir, është: “All-llahu është Mëkatfalës dhe i Plotfuqishëm.”[2]

Kjo temë do të përqendrohet në katër pika kryesore:

1 – Kuptimi i emrit El-Afuvvu.

2 – Ndryshimi mes emrit El-Afuvvu (Mëkatfalës) dhe El-Gafuru (Gjithëfalës) dhe disa emrave të përafërt në kuptim.

3 – Ç’lidhje ka ky emër, me Natën e Kadrit?

4 – Si ta përjetojmë këtë emër në jetën tonë?

1 – Kuptimi i emrit El-Afuvvu

Emri i Zotit El-Afuvvu rrjedh nga folja “Afe”, e cila ka dy kuptime kryesore: Kuptimi i parë është që t’i japësh dikujt, me vullnet të lirë, nga pasuria jote hallall, pa të kërkuar. Ky është qëllimi me fjalën “Tepricë” në ajetin e mëposhtëm: “Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën!”[3]

Kuptimi i dytë i foljes “Afe” është fshirja, zhdukja dhe eleminimi i gjurmëve. Kështu emri i Zotit El-Afuvvu do të thotë: Ai që i fshin gjynahet, shenjat dhe gjurmët që lënë këto gjynahe. Në të njëjtën kohë, Ai është i kënaqur dhe të jep nga të mirat e Tij, pa ia kërkuar.

2 – Ndryshimi mes emrit El-Afuvvu (Mëkatfalës) dhe El-Gafuru (Gjithëfalës) dhe disa emrave të përafërt në kuptim

Emri El-Afuvvu është më gjithëpërfshirës sesa emri El-Gafuru. Kur folëm mbi emrin e Zotit El-Gafuru, thamë se është Ai që t’i mbulon gjynahet dhe të metat në këtë botë, t’i mbulon në botën tjetër dhe nuk të ndëshkon për këto gjynahe. Kjo, edhe pse këto gjynahe janë vepruar dhe janë të regjistruara në regjistrat e veprave të tua.

Kurse kur flasim për emrin El-Afuvvu është njëlloj sikur nuk ke vepruar gjynahe dhe sikur nuk ke asnjë të metë. Kjo, pasi të është falur dhe të është fshirë nga regjistri i veprave, njëlloj sikur të mos kishte ekzistuar më parë. Kështu, Allahu i Madhërishëm ua mbulon të metat disa prej robërve të Tij dhe nuk i ndëshkon në botën tjetër. Kurse disa robërve të tjerë, Ai ua fal këto të meta dhe ua fshin nga regjistrat e veprave, sikur të mos ekzistonin më parë. Kjo, edhe nëse dikush mund të ketë vepruar nga gjynahet e mëdha.

Që ta sqarojmë më mirë ndryshimin mes këtyre dy emrave, le të marrim një shembull:

Le të imagjinojmë një fletë të mbushur me gjynahe dhe të meta dhe në krah të secilit prej tyre, ndodhet ndëshkimi që Allahu i Madhërishëm ka caktuar për këdo që vepron atë gjynah. Në fund të kësaj flete shkruhet: ”Personi që ka vepruar këto gjynahe, nuk do të ndëshkohet për ato që ka vepruar.” Por kjo fletë është prezente dhe të kujton ato që ke vepruar, edhe pse Zoti i Madhërishëm t’i mbuloi dhe nuk të ndëshkoi për to. Ky është emri i Zotit, El-Gafuru. Në një fletë tjetër, janë të gjithë gjynahet që ke vepruar dhe në krah të tyre ndëshkimi për secilin. Ajo që ndodh është se kjo fletë, riciklohet dhe kthehet e bardhë siç ishte më parë, duke fshirë të gjitha gjynahet që ndodheshin të regjistruara. I tillë është emri i Zotit El-Afuvvu.

Kushdo që punon në institucione shtetërore apo kompani private, e di sesa herë të mungosh pa arsye apo të vonohesh pa arsye, këto quhen shkelje dhe regjistrohen në dosjen tënde përkatëse. Edhe pse eprorët e tu mund të t’i falin, ekzistenca e tyre në dosje të shqetëson dhe të streson. Ajo që do të bënte të ndiheshe i qetë, është vetëm kur eprori të marrë shkrepsen dhe të djegë fletët ku janë regjistruar shkeljet dhe gabimet e tua.

Për këtë, kur Aisheja [radijall-llahu anha] e pyeti Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Me çfarë të lutem, nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai iu përgjigj: ”Thuaj: ”O Zot im, ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Po të shohim në historinë e Jusufit [alejhis-selam], do të gjejmë se vëllezërit e tij janë fajtorë për vuajtjet e tij. Në fund të historisë, pasi Jusufi [alejhis-selam] bashkohet përsëri me vëllezërit, u thotë: “Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë! Ai është më Mëshirues i mëshiruesve!”[4] Ky ajet tregon se Jusufi [alejhis-selam] nuk i qortoi dhe nuk u hakmor për sjelljen e vëllezërve ndaj tij. Por kjo nuk tregon se ai e harroi atë që kishin vepruar vëllezërit dhe e konsideroi sikur të mos kishte ndodhur. Këto fjalë nuk tregojnë se Jusufi [alejhis-selam] e konsideronte të harruar atë që kishte ndodhur. Kurse në fjalët e mëposhtme, duket qartë diçka e tillë: “O babai im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve u solli nga shkretëtira, pasi djalli pat futur përçarje mes meje dhe vëllezërve të mi.”[5]

E veçanta e këtij ajeti qëndron në atë se Jusufi [alejhis-selam] nuk flet mbi pusin ku e hodhën vëllezërit e tij, por flet mbi burgun. Këtë e bën me qëllim që të mos i lëndojë. Ai e konsideronte një kapitull të mbyllur dhe të harruar atë që kishte ndodhur mes tij dhe vëllezërve.

Diçka e tillë pothuajse i ndodh secilit prej nesh. Ka raste kur e falim dikë për një faj që ka bërë, por nuk ia harrojmë të keqen. Ka raste të tjera, kur fajin dhe gabimin e tij, e konsiderojmë të harruar dhe nuk e përmendim kurrë, sikur të mos ekzistonte fare.

Si i fal dhe i fshin Zoti i Madhërishëm gjynahet dhe të metat tona?

Kjo ndodh duke të bërë ty dhe melekët që ta harroni gjynahun që ke vepruar. Gjynahu që veprove fshihet përfundimisht nga regjistri i veprave dhe e harron edhe meleku i krahut të djathtë. Ditën e Kijametit, Allahu i Madhërishëm nuk të pyet dhe nuk të kërkon llogari për atë gjynah. Është njëlloj sikur të mos e kishe vepruar. “E do të vijë secili njeri e bashkë me të edhe grahësi edhe dëshmitari.”[6]

Edhe vetë meleku nuk do e kujtojë dot atë që ke vepruar, nëse ta ka falur dhe ta ka fshirë El-Afuvvu. Nëse do të supozonim se dikush do përpiqej t’ia kujtojë melekut, se ky njeri ka dhe një gjynah tepër të rëndë, melekut nuk do i kujtohej, pasi Allahu i Madhërishëm e ka fshirë nga regjistri i veprave dhe nga kujtesa e melekëve.

Ditën e Kijametit do të ketë njerëz që do të vijnë me regjistrat e veprave të bardhë si bora. Kjo, pasi Allahu i Madhërishëm ua ka falur dhe ua ka fshirë të gjitha gjynahet që kanë vepruar që nga dita që lindën dhe deri ditën që vdiqën.

Nata e Kadrit është një natë në të cilën të jepet një mundësi e tillë. Në këtë natë, ke mundësi që regjistrin e punëve ta fillosh nga fillimi, nga zeroja.

“Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.”[7]

Nëse Allahu i Madhërishëm t’i fal dhe t’i fshin gjynahet, ti do të përjashtohesh nga ky ajet.

Ditën kur të ringjallen të gjithë krijesat edhe ti, o vëlla, do të ringjallesh dhe do të pajisesh me të gjitha organet që ke pasur në këtë botë. Do të jepet dhe kujtesa dhe do të kujtosh gjithçka ke vepruar në këtë botë, përveç atyre gjynaheve që t’i ka falur dhe t’i ka fshirë Allahu i Madhërishëm. Edhe pse ti i ke vepruar dhe ke vuajtur nga këto gjynahe, nuk i kujton tashmë, pasi të janë fshirë nga regjistri i veprave dhe, gjithashtu, të janë fshirë nga kujtesa jote. Një fshirje e tillë e gjynaheve, mund të ndodhë për shkak se ti e arrite Natën e Kadrit, e adhurove Zotin dhe Ai t’i fali gjynahet.

Ashtu siç është Nata e Kadrit, natë e faljes dhe e fshirjes së gjynaheve, është edhe Dita e Arafatit. Fudejl ibn Ijjad në këtë ditë e luste Zotin e Madhërishëm me përkushtim që ta falë dhe t’ia fshijë gjynahet. Është zakon që me të ardhur mbrëmja e asaj dite, njeriu gëzohet, pasi shpreson në faljen dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm. Kurse Fudejl ibn Ijjad me të ardhur mbrëmja filloi të qajë. Kur e pyetën mbi shkakun, ai u tha: ”Më vjen turp nga Allahu i Madhërishëm për ato gjynahe që kam vepruar, edhe nëse Ai m’i ka falur dhe m’i ka fshirë.”

Padyshim që të arrish një gradë të tillë, ku të falen dhe të fshihen gjynahet, sado të rënda të kenë qenë, ka si kusht kryesor pendimin nga këto gjynahe.

Beduinët e shkretëtirës, kur caktojnë vendin ku do të ngrehin çadrat e tyre për një periudhë kohe, bëjnë disa gërmime, kanale dhe gropa, për sistemimin e çadrave dhe të mallrave. Kur vjen koha për t’u larguar drejt një vendi të ri, ata nuk i mbushin gropat dhe nuk i sheshojnë kodrat e dheut, por i lënë ashtu siç janë. Po të vish në të njëjtin vend pas një viti, do të shohësh se të gjitha gropat dhe kodrat janë sheshuar nga rëra e shkretëtirës. Në të njëjtën mënyrë, Allahu i Madhërishëm i fshin gjynahet dhe të metat e robërve të Tij të mirë. Ashtu siç vë në lëvizje erërat, të cilat mbushin gropat e hapura nga beduinët, po ashtu  Allahu i Madhërishëm fshin dhe mbulon të metat e robërve të Tij.

Diçka tjetër e veçantë e emrit El-Afuvvu është se Ai jo vetëm që t’i fal dhe t’i fshin gjynahet, por është edhe i kënaqur me ty.

Një shembull tjetër për të kuptuar ndryshimin mes emrit El-Afuvvu dhe El-Gaffaru, është se Ditën e Kijametit do të vijë një besimtar dhe do të paraqitet para Zotit të Madhërishëm. Me t’u afruar pranë, Allahu i Madhërishëm do të lëshojë një perde, me qëllim që njerëzit e tjerë të mos e dëgjojnë bisedën mes Tij dhe robit të Tij. Allahu i Madhërishëm do e pyesë robin e Tij: ”A e kujton filan gjynah? Po filan gjynah?….” Njeriu do t’i përgjigjet me “Po!” për çdo pyetje, derisa të mendojë se është nga të humburit me gjithë gjynahet e përmendura. Por në fund, Allahu i Madhërishëm do t’i thotë: ”Unë t’i mbulova këto gjynahe në dynja dhe Unë t’i mbuloj e t’i fal ato edhe në ahiret. Një falje e tillë ka të bëjë me emrin El-Gaffaru. Kurse do të ketë njerëz të tjerë që Zoti do t’u thotë: ”O filan, Unë jam i kënaqur me veprat e tua në dynja, prandaj shko dhe hyr në Xhennetin që kam përgatitur për ty.” Cilën prej këtyre do të zgjedhësh ti, o vëlla?

El-Gafuru mund të t’i falë gjynahet, por nuk është i kënaqur me ty. Kurse El-Afuvvu t’i fal gjynahet, t’i fshin ato dhe është i kënaqur me ty. Është njëlloj si një gotë, e cila është e papastër dhe e palarë. Ti e merr, e lan mirë dhe e mbush me mjalt ose diçka të ëmbël. E gjitha kjo, pasi ti, o njeri, je krijesa më e dashur tek Allahu i Madhërishëm. Ai e krijoi Xhenetin për kënaqësinë dhe lumturinë tënde. Zoti e krijoi tokën dhe nënshtroi gjithçka në të për dobitë e njeriut. Si është e mundur që Zoti të do, kurse ti, o njeri, largohesh prej Tij?! Si është e mundur që Zoti kërkon miqësinë tënde, kursi ti i kthen shpinën?! Si është e mundur që Ai të fal dhe t’i fshin gjynahet, kurse ti nuk e adhuron dhe nuk i bindesh?!

Sufjan eth-Theuri thotë: ”Lutja më e pëlqyeshme për mua në Natën e Kadrit është ajo me të cilën na porosit i Dërguari i Zotit. Gjatë gjithë kësaj nate, unë përsëris lutjen: ”O Zoti im, ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Sulejman ed-Darimij thotë: “Nëse Allahu i Madhërishëm do të më pyesë mbi gjynahet e mia Ditën e Kijametit, unë do t’i kërkoj faljen dhe mëshirën e Tij. Kjo, pasi nuk kam rrugë tjetër, përveçse t’i kërkoj falje.”

3 – Ç’lidhje ka ky emër me Natën e Kadrit?

Para se të flasim mbi lidhjet e këtij emri me Natën e Kadrit, le të flasim mbi lidhjet që ka ky emër me emrin e Zotit El-Tevvab (Pranues i pendimit).

Çdo njëri prej nesh bën gabime dhe gjynahe. Besimtari dhe njeriu i mirë, sa herë që vepron gjynahe, pendohet dhe i kërkon Allahut të Madhërishëm falje. Ajo që ndodh është se sa më shumë të veprosh gjynahe dhe të pendohesh, aq më shumë fillon të të vijë zor që t’i kërkosh Zotit falje dhe mëshirë për gjynahet që ke bërë. Fillon të krijohet një barrierë dhe pengesë, e cila të bën të vijë turp që të pendohesh dhe t’i kërkosh Allahut të Madhërishëm falje. Fillon të krijohet një barrierë mes teje dhe Zotit, e cila të bën ta braktisësh pendimin.

Allahu i Madhërishëm, duke dashur që t’i të pendohesh dhe të kërkosh falje gjithmonë, të bën një dhuratë të shtrenjtë, e cila do t’i thyejë të gjitha barrierat mes teje dhe mes Tij. Kjo dhuratë është Nata e Kadrit dhe falja e gjynaheve në këtë natë. Të arrish këtë Natë, do të thotë që të fshihen të gjitha gjynahet e vepruara më parë dhe të thyhen barrierat që të pengonin të pendoheshe. Kështu emri i Zotit El-Afuvvu të udhëheq sërisht drejt emrit El-Tevvab (Pranues i pendimit). Ka njerëz që jetojnë me dhjetëra vite larg Allahut të Madhërishëm dhe nuk u shkon mendja që të pendohen për gjynahet dhe të fillojnë një faqe dhe një jetë të re. Allahu i Madhërishëm ua mundëson fshirjen e të gjitha gjynaheve, vetëm për një natë, atë të Kadrit. Duke ditur se në këtë Natë të falen dhe të fshihen të gjitha gjynahet, udhëzohesh drejt pendimit dhe pendohesh për gjithçka ke vepruar.

Sado të mëdha qofshin gjynahet e tua, sado e gjatë të jetë periudha që e ke jetuar të mbushur me gjynahe dhe ke jetuar larg Zotit të Madhërishëm, nëse Natën e Kadrit e kalon me adhurim, lutje, istigfar, pendim… të gjitha gjynahet të falen dhe të fshihen. Thuaj sa më shumë në këtë Natë: “O Zoti im, Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Shumë herë kur përmenden gjynahet e mëdha në Kuran, përmendet edhe falja e Zotit. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: “Dhe kur i premtuam Musait (t’i japim Teuratin) për dyzet net, ju adhuruat viçin, duke qenë të padrejtë. Më pas ju falëm me qëllim që të falënderoni.”[8] Pra gjynahu që kishin bërë, kishte nevojë për faljen e Allahut të Madhërishëm.

“Me të vërtetë që ata që lanë (fushën e betejës) atë ditë kur u takuan dy ushtritë, ishte shejtani ai që i shtyu për shkak të gjynaheve që kishin bërë, por Allahu ua fali atyre gabimin.”[9]

Gjynahet e mëdha dhe telashet në të cilat e ke futur veten, kanë nevojë për emrin e Allahut El-Afuvvu, në mënyrë që t’i falë dhe t’i fshijë përgjithmonë.

Edhe nëse je konsumues droge apo alkooli, edhe nëse ke kryer imoralitet… nëse pendohesh, e lut Zotit të të falë, përkushtohesh, thua shpesh: “O Zoti im, Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”, të jesh i sigurtë se Allahu i Madhërishëm t’i fal këto gjynahe, madje i fshin përgjithmonë ato nga regjistri i veprave, sikur të mos ekzistonin fare.

Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.”[10]

Një e veçantë tjetër e Natës së Kadrit është se ajo është nata në të cilën caktohen të mirat dhe fatkeqësitë që do t’i ndodhin secilit prej nesh, për një vit. Sa gjë e bukur është që në natën që zbulohet për melekët caktimi i atyre që do të ndodhin në tokë për një vit, të falen dhe të të fshihen gjynahet e kaluara!

Falja dhe fshirja e gjynaheve të robërve të Zotit, përveçse bëhet nga dashuria e Zotit për njerëzit, bëhet dhe për një shkak tjetër të rëndësishëm: Duke e ditur se njeriu është përgjegjës për mbarëvajtjen e rregullit në tokë, ai ka nevojë për ripërtëritje të besimit, energjive dhe lidhjeve të tij me Zotin e Madhërishëm. Një njeri që jeton vetëm me gjynahe, është një njeri i lodhur dhe i paaftë për të kryer këtë rol. Nata e Kadrit është një natë në të cilën umeti musliman, përtërin energjitë e tij për vitin e ardhshëm.

Duke u lutur: “O Zoti im, Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”,  ti nuk lutesh vetëm për veten tënde, por lutesh për të gjithë umetin musliman.

Tani le të përmendim disa hadithe kudsij, të cilat flasin mbi faljen e Allahut të Madhërishëm:

“Çdo ditë deti i kërkon leje Zotit, duke i thënë: “O Zot, më lejo ta përmbys njeriun, pasi ai ushqehet nga furnizimi Yt dhe falënderon dikë tjetër.” Qiejt i thonë: “O Zot, na lejo ta shkatërrojmë njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër.” Toka i thotë: “O Zot, më lejo ta përpij njeriun, pasi ai ushqehet me furnizimin Tënd dhe falënderon dikë tjetër.” Por Zoti u përgjigjet: “I lini, pasi dhe ju nëse do t’i kishit krijuar do t’i mëshironit.”

Në një hadith tjetër thuhet: “Kur një rob gjynahqar ngre duart drejt qiellit duke thënë: “O Zot!”, melekët e fshehin zërin e tij. Njeriu e përsërit përsëri dhe melekët ia fshehin përsëri zërin... Në herën e katërt, Zoti të do thotë: “Deri kur do e fshihni zërin e robit Tim?! Të përgjigjem, o robi Im, Të përgjigjem, o robi Im, Të përgjigjem, o robi Im.”

“O biri i Ademit, të krijova me dorën Time dhe të dhashë nga mirësitë e Mia, kurse ti kundërshton urdhërat e Mi dhe nuk më bindesh?! Nëse do të kthehesh nga Unë, Unë do të pranoj. Ku do të gjesh zot si Unë, Mëshirues dhe Mëshirëbërës?”

“O robi im, të nxora në jetë nga asgjëja. Të pajisa më shikim, dëgjim, zemër dhe mendje. O robi im, Unë të mbuloj (gjynahet), kurse ty nuk të vjen turp prej Meje?! O robi Im, Unë të kujtoj, kurse ti më ke harruar?! Mua më vjen turp prej teje, kurse ty nuk të vjen turp prej Meje. Kush është më Bujar se Unë? Kush është ai që ka trokitur në derën Time dhe nuk ia kam hapur? Kush më ka kërkuar dhe nuk i kam dhënë? A koprac jam Unë që njeriu tregohet koprac ndaj Meje?”

Shkoi një njeri tek profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i tha: ”O i Dërguari i Zotit, unë kam shumë gjynahe. Nëse pendohem dhe i kërkoj falje Zotit, a mundet të m’i falë ato?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Po!” Burri e pyeti përsëri: ”O i Dërguari i Zotit, a i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e mia?!” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Ai i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e tua!” I habitur, burri e pyeti përsëri: ”O i Dërguari i Zotit, edhe pabesitë dhe poshtërsitë e mia?!” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj përsëri: ”Ai i fal edhe pabesitë dhe poshtërsitë e tua!” Duke u larguar, burri qante dhe thoshte: ”Allahu është më i Madhi. Ai fal pabesitë dhe poshtërsitë e mia!”

Shkoi një beduin tek Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kush do t’u kërkojë llogari njerëzve Ditën e Kijametit?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia ktheu: “Zoti!” – “Vetë Zoti?” – e pyeti përsëri beduini. – “Vetë Zoti” –iu përgjigj Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Beduini buzëqeshi kur e dëgjoi këtë. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pyeti: “Përse buzëqesh, o vëlla?” Ai ia ktheu: “O i Dërguari i Allahut, Bujari kur ka në dorë diçka fal dhe kur kërkon llogari përsëri të fal.” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: “Ashtu është, nuk ka kush të jetë më bujar se Allahu.”

Nga falja e Zotit është se Ditën e Kijametit do të vijnë fëmijët dhe foshnjat që kanë vdekur të vegjël dhe do t’u thuhet që të shkojnë në Xhenet. Por ata do të refuzojnë që të hyjnë në Xhenet pa prindërit e tyre. Atëherë, Allahu i Madhërishëm do t’i falë prindërit e tyre dhe do të urdhërojë të bashkohen dhe të hyjnë në Xhenet së bashku. Padyshim që ne qajmë dhe ndiejmë dhimbje kur na vdes një fëmijë, por Allahu i Madhërishëm këtë dhimbje na e kompenson me faljen dhe mëshirën e Tij Ditën e Kijametit.

Një falje e veçantë do të jetë edhe për umetin musliman në Ditën e Kijametit. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Më janë paraqitur kombet që do të vijnë Ditën e Kijametit. Pashë profetë që kishin me vete vetëm një njeri. Pashë një profet tjetër që kishte vetëm dy burra pas. Pashë profetë të tjerë që me vete kishin një grup njerëzish. Më pas m’u paraqit para syve dicka e zezë (koka njerëzish) shumë e madhe. Unë thashë: ”Umeti im, umeti im.” Por dikush më tha: ”Jo, ky është Musai me popullin e tij, por shiko në horizontin tjetër.” Pashë dhe gjeta njerëz më shumë. Atëherë më thanë: ”Ky është umeti yt. Me ta janë 70.000 që do të hyjnë në Xhennet pa llogari dhe pa u ndëshkuar.” Unë i kërkova Zotit që t’i shtojë dhe Zoti i shtoi me çdo një mijë, 70.000 të tjerë.”         

Një falje tjetër në Ditën e Kijametit, do të jetë edhe për ata njerëz që për shkak të gjynaheve, do të hyjnë në zjarr. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Do të hyjnë besimtarët në Xhenet, por do të ketë njerëz nga umeti im që do të jenë në zjarr. Atëherë do të thërras: “O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do më thotë: “O Muhammed, shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur besim sa një kokër elbi.” Do të shkoj, do t’i nxjerr dhe përsëri do të thërras: “O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do të më thotë: “O Muhammed, shko dhe nxirre nga zjarri kë ka pasur besim sa një thjerrëz.” Do të shkoj, do t’i nxjerr dhe përsëri do të shkoj poshtë Arshit dhe do të thërras: “O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do të më thotë: “O Muhammed, shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur sa një atom besim.” Do të shkoj dhe do të nxjerr shumë prej tyre, por do të mbeten edhe shumë prej umetit tim në zjarr, të cilët nuk kanë pasur besim as sa një atom, por do të më vijë zor të shkoj dhe t’i këkoj Zotit më shumë. Atëherë Zoti do të thotë: “Ndërmjetësuan profetët, ndërmjetësuan melekët, ndërmjetësoi i dashuri Im, Muhammedi. Tani nuk ka mbetur veçse Mëshiruesi i mëshiruesve. I kam falur të gjithë ata që kanë mbetur në zjarr nga umeti i Muhammedit.“ Do vendosë Zoti dorën e tij në zjarr dhe do të nxjerrë kë ka mbetur aty nga umeti i Muhammedit, të cilët kanë thënë qoftë edhe një herë: “La ilahe il-lall-llah, Muhammed resulull-llah.” Kur të dalin nga zjarri, do të dalin me trupin si qymyri. Do të lahen në një lum, i cili quhet Lumi i Jetës dhe do të duken sikur mbijnë nga toka. Më pas do t’u thuhet: “Shkoni dhe hyni në Xhennet.” Në ballin e tyre do të jetë e shkruar: ”Këta janë të shpëtuarit e Zotit nga zjarri.” Kur të hyjnë në Xhennet, banorët e Xhennetit do t’u thonë: “Këto janë xhehenemlinjtë që kanë dalë nga zjarri.” Por Zoti do t’u thotë: “Nuk janë xhehenemlinj, por janë të shpëtuarit e Mëshiruesit.”

4 – Si ta përjetojmë këtë emër në jetën tonë?

Këshilla më e rëndësishme është: Fali njerëzit, me qëllim që të falë Allahu i Madhërishëm ty dhe të t’i fshijë gjynahet dhe të metat.

Ai njeri që i është bërë padrejtësi nga ortaku, le ta falë! Ajo grua që e ka shkurorëzuar burri i saj pa të drejtë dhe është sjellë keq me të, le ta falë!

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith thotë: “Dy njerëz nga umeti im, do të vijnë Ditën e Kijametit dhe do të gjunjëzohen para Arshit. Njëri prej tyre do të thotë: “O Zot, merrma hakun nga ky që më ka bërë padrejtësi!” Zoti do t’i thotë tjetrit: “Jepja hakun!” Por ai do i përgjigjet: “O Zot, më janë mbaruar të mirat e mia.” Zoti do t’i thotë të parit: “I janë mbaruar të mirat.” – “O Zot, – do të thotë i pari, – merr nga të këqiat e mia dhe hidhja atij!” Por Zoti do t’i thotë: “A nuk do të dëshiroje diçka më të mirë?” – “Çfarë është ajo, o Zot?” – do pyesë ai. – “Ngrije kokën dhe shiko!” – do t’i thotë Zoti. Do e ngrejë kokën dhe do të shohë një pallat prej diamanti dhe floriri, gjë që nuk kish parë të tillë më parë.

I habitur do e pyesë Zotin: “I kujt shehid është ky, o Zot?” Zoti do t’i përgjigjet: “Është i atij që mund ta paguajë çmimin e tij.” Njeriu do e pyesë: “Po kush mund ta paguajë çmimin e tij, o Zot?” – “Ti! “– do t’i thotë Zoti. – “Po si, o Zot?“ – do e pyesë njeriu. – “Duke e falur vëllanë tënd.”- do t’i përgjigjet Zoti. – “E kam falur, o Zot, e kam falur.” – do të thotë njeriu. Zoti do t’i thotë: “Merre vëllanë tënd dhe hyni së bashku në Xhenet!”

Vajza e Ebu Bekrit dhe gruaja e profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], Aisheja [radijall-llahu anhu], u akuzua padrejtësisht për çështje nderi. Ai që ndikoi në përhapjen e kësaj akuze, ishte vetë djali i dajës së Aishes, Mistah ibn Esaseh. Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] i jepte Mistah ibn Esases një rrogë mujore, pasi ai rridhte nga një familje e varfër. Pasi u vërtetua pafajsia e Aishes, Ebu Bekri thotë: ”Për Zotin, nuk do e ndihmoj më Mistah ibn Esasen. Ai nuk e meriton diçka të tillë.” Por atë ditë u shpall verseti i Kur’anit që thotë: “Të mos betohen të pasurit nga mesi juaj, se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Zotit lanë vendlindjet e tyre. Por le t’i falin dhe ta kalojnë këtë. A nuk dëshironi që Zoti t’ju falë edhe juve?”[11]

Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] kur e dëgjoi këtë verset, tha: ”Sigurisht! Unë dua të më falë Zoti.” – dhe vazhdoi ta ndihmojë Mistahin.

Nëse je grindur me vëllanë, djalin e xhaxhait… harroji grindjet, zënkat dhe fjalët dhe Natën e Kadrit pajtohu me ta. Mos prano të të zërë gjumi në këtë natë, pa folur me ata që nuk flisje më parë. Nëse ndodheni larg njëri-tjetrit dhe vizita është e pamundur, merre në telefon.

Natën e Kadrit Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] qëndroi në mes të njerëzve në xhami dhe u tha: “O njerëz! Në këtë Natë unë i kam falur të gjithë ata që më kanë bërë padrejtësi dhe nuk do t’i mbaj inat askujt.” Më pas ngrinte duart lart dhe thoshte: “O Zot! Unë fala, tani më fal Ti mua!”

Fali në këtë Natë të madhe të gjithë ata që të kanë bërë padrejtësi, o vëlla dhe o motër! Fali që të falë Allahu i Madhërishëm dhe të fitosh Xhenetin.

”O Zot im, Ti je Mëkatfalës, e pëlqen faljen, prandaj na fal neve!”

Amin.

Autor: Amër Halid

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Nisa: 43.

[2] – Sure Nisa: 149.

[3] – Sure Bekare: 219.

[4] – Sure Jusuf: 92.

[5] – Sure Jusuf: 100.

[6] – Sure Kaf: 21.

[7] – Sure Jasin: 65.

[8] – Sure Bekare: 50 – 51.

[9] – Sure Ali Imran: 155.

[10] – Sure Shura: 30.

[11] – Sure Nur: 22.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *