Familja dhe stuhitë e globalizmit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Familja është njësia themelore e shoqërisë dhe burimi kryesor i ndjenjave, duke u konsideruar si një nga marrëdhëniet më fisnike njerëzore. Ajo është vendi i parë ku matet vlera e një personi përmes sjelljes së tij ndaj familjes, dhe burimi kryesor nga i cili individi merr modelet e të menduarit, sjelljes, veprimtarisë dhe marrëdhënieve.

Familja konsiderohet një shtyllë e rëndësishme për stabilitetin social, ekonomik dhe kulturor. Me zhvillimin e jetës, familja është përballur me presione dhe sfida të shumta, ku ndër më kryesoret janë ato ekonomike, teknologjike, sociale dhe kulturore, të cilat ndikojnë në shoqëri në përgjithësi. Të gjithë anëtarët e shoqërisë ndiejnë pasojat e këtyre sfidave, siç janë shkatërrimi i familjes, tensionet e brendshme, ulja e nivelit të arsimimit dhe dimensionet psikologjike të problemeve brenda një familjeje.

Familja nuk është e izoluar nga bota dhe ajo që ndodh përreth saj; bota është bërë një fshat i vogël, dhe revolucioni teknologjik ka ndikuar fuqishëm tek të gjithë individët dhe grupet e shoqërisë me tendencat e tyre të ndryshme.

Përveç kësaj, globalizimi dhe ndikimi i tij kulturor tek fëmijët, si dhe ndikimi i rrjeteve sociale tek të vegjëlit, adoleshentët dhe të rinjtë në përgjithësi, kanë bërë që ato të jenë pjesë e pandashme e jetës së tyre të përditshme.

Pa dyshim, pajisjet inteligjente kanë ndikuar shumë në marrëdhëniet brenda familjes, duke rritur tensionet dhe problemet e pafundme, veçanërisht kur familja përpiqet të ndërtojë një themel të fortë. Nëse dëshiron të ndërtosh një komb të madh, fillo me edukimin e individëve brenda familjeve të forta. Mësimi i vlerave në shtëpi krijon udhëheqës të së ardhmes, dhe forcimi i imazhit ideal të familjes myslimane është thelbësor, një qëllim për të cilin punojnë të gjitha familjet, brenda dhe jashtë vendit. Sigurisht, gjendja e familjes është një pasqyrë e vogël e shoqërisë. Asnjë individ nuk lind në boshllëk; çdo personalitet i madh ka pasur pas vetes një familje të madhe që ka përkushtuar për edukimin e duhur.

Mirëqenia e shoqërisë lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e familjes, e cila rrit forcën dhe qëndrueshmërinë e saj. Sipas një raporti të UNICEF-it, stabiliteti familjar jo vetëm që ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, por u jep atyre aftësinë për të përballuar sfidat me besim.

Lidhjet e sigurta familjare kontribuojnë në stabilitetin e familjes. Profeti ynë i dashur, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e tij, dhe unë jam më i miri për familjen time”[1]

Prandaj, një nga faktorët e stabilitetit të shoqërisë sot është ofrimi i shembujve të suksesshëm, mësimi i aftësive jetësore për fëmijët dhe si të përshtaten në një epokë të mbushur me tundime, përmes programeve mësimore dhe zhvillimit të ndjeshmërisë për përgjegjësinë shoqërore.

Në kushtet e revolucionit të jashtëzakonshëm digjital dhe përhapjes së pajisjeve inteligjente, familja kërkohet të marrë një rol të ri, ndryshe nga rolet tradicionale, për të garantuar mbijetesën dhe vazhdimësinë e saj. Ky revolucion digjital dhe varësia e tepruar nga pajisjet inteligjente kanë krijuar një hendek të madh ndërmjet brezave dhe kanë zvogëluar dukshëm ndërveprimin dhe afërsinë familjare. Prandaj, këto sfida nuk kufizohen vetëm në kohën aktuale, por shtrihen dhe ndikojnë tek brezat e ardhshëm.

Në Islam, familja mbetet themeli i çdo shoqërie që formon identitetin e saj. Prandaj, është e domosdoshme të ketë një reagim pozitiv ndaj sfidave që ajo përballet, sepse familja është shtylla kryesore; suksesi i saj nënkupton mbrojtjen e shoqërisë dhe ndërtimin e brezave të aftë për inovacion dhe përparim përballë ndryshimeve të shpejta, përmes forcimit të identitetit kombëtar, ofrimit të mbështetjes familjare, përforcimit të vlerave dhe mbështetjes së aktiviteteve kulturore dhe familjare.

Shkurtimisht: më e mira që një individ mund të ndërtojë është një familje e fortë dhe e qëndrueshme, me themele të bashkuara, e cila është një nga prioritetet kryesore të parimeve islame. Familja është atdheu i parë dhe shtëpia që kërkojmë pavarësisht sa të rritur jemi.

Autore: Mina El Xhuhenij

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Tirmidhiu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *