Farzet e namazit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Farzet e namazit ndahen në dy grupe:

1- Farze që kryhen para namazit dhe vazhdojnë edhe gjatë namazit. Këto quhen ndryshe Sharte (kushte).

2- Farze që kryhen vetëm gjatë faljes së namazit. Këto quhen ndryshe Erkane apo Rukn (shtylla).

Shartet (kushtet) e namazit

Namazi ka 6 (gjashtë) sharte. Ato janë:

1- Abdesi/Gusli pas kryerjes së nevojës dhe para faljes së namazit: Enesi (r.a) tregon:“I Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes për çdo namaz, kurse ne i falnim namazet me një abdes”[1] Nafia tregon, se kur Abdullah Ibn Umerit (r.a) i dilte gjak nga hundët, ai largohej nga namazi, shkonte të merrte abdes, pastaj kthehej dhe e vazhdonte namazin aty ku e kishte lënë, por gjatë kësaj kohe nuk fliste me askënd” Ibn Umeri (r.a) thotë: “Nëse namazliut i del gjak nga hundët, apo vjell, apo ndjen që i ka dalë Medh`j, le të largohet dhe të marë abdes. Më pas le të kthehet dhe të plotësojë atë që ka faluar më parë, me kusht që (gjatë kësaj kohe) të mos ketë folur”

2- Pastrimi i papastërtive të trupit, rrobës dhe vendit ku do të falet namazi: Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe rrobat e tua pastroji”[2] Ebu Said Khuderiu (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) po përgatitej të falej me sahabët e tij, ku në moment i hoqi nallet (këpucët) e tij dhe i vendosi në të majtë të tij. Kur njerëzit e panë duke vepruar kështu, i hoqën edhe ata këpucët. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) mbaroi namazin, pyeti: “Çfarë ju detyroi t`i hiqnit këpucët”? Ata thanë: “Të pamë ty që i hoqe, prandaj i hoqëm edhe ne”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më lajmëroi, se këpucët që kisha veshur, kishin papastërti. Nëse dikush prej jush vjen në xhami, le t’i shikojë këpucët e tij. Nëse shikon në to papastërti, le t’i fshijë për toke e më pas le të falet me to”[3] Selman Ibn Jesar (r.a) thotë: “E kam pyetur Aishen (r.a) për spermën që bie mbi rroba dhe ajo më ka thënë: “Unë e laja atë nga rroba e të Dërguarit të Allahut (a.s), ai dilte për namaz me këtë rrobë dhe në të shikoheshin gjurmët që kishte lënë uji”[4]

Përsa i përket pastërtisë së vendit, Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”[5]

3- Mbulimi i auretit: Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni”[6] Dijetarët e tefsirit thonë, që ky ajet ka për qëllim mbulimin e auretit. I Lartësuari thotë: “..dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre”[7]

Said Ibn Xhubejr, Atau dhe Euzaiu thonë në lidhje me këtë ajet: “Fjala është për fytyrën, duart dhe rrobat”

Fytyra dhe duart e grave nuk janë pjesë të turpshme, kurse rroba është zbukurim dhe mund të përdoret, por me kusht që të mos jetë e tejdukshme.

Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e femrës, e cila është futur në pubertet, nëse ajo nuk mbulohet[8]

Në lidhje me këmbët e femrës (deri tek kyçet), ato nuk janë pjesë e auretit në namaz, mirëpo më e mira është, që edhe ato të jenë të mbuluara.

Amr ibn Shuajb (r.a) tregon nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën 7 vjeçare, urdhërojini për namaz, ndërsa kur të arrijnë moshën 10 vjeçare, nxitini për namaz, duke i rrahur nga pak (nëse kjo është e nevojshme) dhe ndajini nga shtrati (le të mos flenë bashkë)…..çfarë ndodhet poshtë kërthizës deri tek gjunjët është auret[9]

Muhamed Ibn Xhahsh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi afër Muamerit, që ishte ulur në korridorin e xhamisë dhe pa se kofsha e tij ishte zbuluar. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha:Mbuloje kofshën o Muamer, kofsha është auret (pjesë e turpshme)”[10]

Disa dijetarë janë të mendimit, se aureti i mashkullit është dy llojesh; auret jashtë namazit, ku tolerohet kofsha dhe auret brenda namazit, ku nuk lejohet të falet namazi me kofshë të zbuluara.

4- Nijeti: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Veprat janë sipas nijeteve (qëllimeve)”[11] Përsa i përket sinqeritetit të Nijetit, Allahu I Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë”[12] Nijeti bëhet me zemër dhe më e mira është që ai të mos bëhet me zë. Abdullah ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Bëjeni shprehi të mirën, sepse e mira fitohet me shprehi. Kujdesuni për nijetet tuaja në namaz

5- Drejtimi nga Kibla: Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni (o besimtarë), kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë”[13]

Abdullah Ibn Umeri (r.a) thotë: “Ndërkohë që njerëzit po falnin namazin e Sabahut në Kuba, erdhi një lajmëtar dhe tha: “Të Dërguarit të Allahut (a.s) i ka zbritur Kuran dhe na urdhëron që të kthehemi drejt Kibles (Qabes). Njerëzit ishin të drejtuar me fytyrë drejt Shamit (Kudsit) dhe sapo dëgjuan këtë lajm, menjëherë u kthyen në drejtim të Qabes”[14]

Nëse hyn koha e namazit dhe personi nuk është i sigurtë për drejtimin e Kibles, ai falet në atë drejtim që mendon se është Kibla. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Distanca mes lindjes dhe perëndimit është Kible[15]

6- Hyrja e kohës: Argumentet për hyrjen e kohës i shpjeguam më lart.

Ruknet (shtyllat) e namazit

Ruknet janë veprime të detyrueshme gjatë namazit dhe pjesë përbërëse të tij. Nëse lihet një nga ruknet, namazi bëhet i pavlefshëm dhe ai rekat duhet përsëritur. Kjo ndodh në rastin kur personi harron. Pasi të lexojë Teshehudin, namazliu duhet të bëjë Sexhde Sehuin. Nëse ai qëllimisht nuk e kryen një nga ruknet, namazi i tij bëhet i pavlefshëm dhe namazi duhet të falet nga fillimi. Ruknet (elementet bazë) e namazit janë:

1- Tekbiri fillestar: Allahu i Madhëruar thotë: “Zotin tënd madhëroje”[16] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Çelësi i namazit është pastërtia, hyrja në të bëhet me anë të tekbirit, kurse dalja nga namazi bëhet duke dhënë selam[17]

Fjala e cila shlyen këtë shtyllë të namazit, është “All`llahu ekber” apo çdo lloj forme tjetër dhikri që lartëson Allahun, si p.sh All`llahul ekber, All`llahul eaz etj.

2- Qëndrimi në këmbë: Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë”[18]

Imran Ibn Husajn (r.a) thotë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut (a.s) për namazin dhe ai më tha: Falu në këmbë, nëse nuk mundesh, falu ulur dhe nëse as kështu nuk mundesh, atëherë falu shtrirë[19]

Qëndrimi në këmbë është obligim në namazet farz dhe në namazin e vitrit, si dhe është tepër i kërkuar në sunetet në përgjithësi dhe në sunetin e Sabahut në veçanti.

Aishja (r.a) thotë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të falet ndonjëherë ulur gjatë natës, përveçse pasi u shty në moshë. Në këtë kohë ai (a.s) lexonte Kuran ulur, më pas kur donte të bënte rukunë, ngrihej, lexonte edhe 30 apo 40 ajete dhe pastaj bënte rukunë”[20] Lejohet që namazi sunet të falet ulur, por namazliu merr gjysmën e shpërblimit. Imran ibn Husajni (r.a) tregon, se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s) për atë person që e fal namazin ulur. I Dërguari i Allahut (a.s) i është përgjigjur: “Më e mira është që të falet në këmbë. Nëse falet ulur do të ketë gjysmën e shpërblimit dhe nëse falet shtrirë do të ketë gjysmën e shpërblimit të atij që falet ulur”[21]

3- Leximi i Kuranit: Allahu i Madhëruar thotë: “…këndoni nga Kurani atë që është më e lehtë për ju”[22] Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë: “Dil në Medine dhe lajmëroi njerëzit, se namazi është i vlefshëm vetëm kur në të lexohet Kurani, qoftë edhe vetëm Fatihaja[23]

Leximi i imamit mjafton edhe për pasuesin. Abdullah Ibn Sheddad (r.a)tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Kush falet pas imamit, leximi i tij (imamit) është lexim edhe për pasuesin[24]

Nëse një person nuk ka mundësi që të mësojë asnjë ajet nga Kurani, atëherë ai në vend të sures thotë: “Subhanall`llah, uel hamdu lil`lah, ue la ilahe il`lall`llahu uall`llahu ekber”. Abdullah ibn Ebi Eufa (r.a) tregon: “Një person erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “Unë nuk mundem të mësoj asgjë nga Kurani, prandaj më mëso diçka që e shlyen leximin e tij”. Ai (a.s) i tha: “Thuaj: “Subhanall`llah, uel hamdu lil`lah, ue la ilahe il`lall`llahu uall`llahu ekber, ue la haule ue la ku`uete il`la bil`lahil alij`jul adhim”. Personi i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është për Allahun, po për mua?! I  Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Thuaj: “All`llahum`merrahmni uerrzukni ue afini uehdini”. Kur u largua, ai bëri shenjë me dorë (se i mësoi këto). I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky person i mbushi duart plot me mi”[25]

4- Rukuja: Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Përkuluni (në ruku) dhe bini me fytyrë përtokë (në sexhde), adhuroni Zotin tuaj dhepunoni mirësi që të mund të jeni të fituar”[26]

Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ishte në xhami, kur një burrë hyri dhe u fal. Më pas ky person i dha selam të Dërguarit të Allahut (a.s). I Dërguari i Allahut (a.s) ia ktheu selamin dhe i tha: Kthehu falu, pasi nuk je falur (siç duhet)”. Ai u kthye dhe u fal. Më pas erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i dha selam. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha përsëri: Kthehu

falu, pasi ti nuk je falur siç duhet. Kjo ndodhi tre herë. Më pas personi tha: “Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, unë nuk mund të falem më mirë, prandaj më mëso”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: Kur të ngrihesh për namaz, merr tekbir, pastaj lexo çfarë të të vijë më lehtë nga Kurani, bjer në ruku dhe qetësohu në të, pastaj ngrihu nga rukuja derisa të drejtohesh, pastaj bjer në sexhde aq sa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu nga sexhdeja dhe qetësohu në ulje. Këto veprime bëji në të gjithë namazin[27]

5- Sexhdja (vënia e ballit në tokë): Allahu i Madhëruar thotë: “…bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd”.[28]Pjesët që vihen në sexhde janë shtatë: dy pëllëmbët e duarve, dy gjunjët, dy këmbët, balli dhe hunda. Abas ibn Abdul Mutalibi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur robi bën sexhde, bashkë me të bëjnë sexhde edhe shtatë pjesë të tij; fytyra, pëllëmbët, gjunjët dhe këmbët[29]

Hudhejfe (r.a) pa një person, që falej shumë shpejt (nuk e plotësonte rukunë dhe sexhden si duhet). Ai i tha atij: “Sa kohë ke që falesh kështu”. Personi i tha: “Kam dyzet vjet që falem kështu”. Hudhejfe (r.a) i tha: “Ti ke dyzet vjet që nuk je falur fare. Nëse do të vdisje kështu siç e ke falur namazin, nuk do të vdisje në fitren (fenë e pastër) me të cilën Allahu i Lartësuar e dërgoi Muhamedin (a.s)”[30]

Ali ibn Shejbani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nuk vlen namazi i atij që nuk drejton shpinën në ruku dhe sexhde”[31]

6- Ulja në rekatin e fundit (Teshehudi i fundit): Hamadi ka marrë dorën e Ebu Hanifes dhe i ka mësuar Teshehudin, duke i thënë: “Ibrahim En Nahi’j më ka marrë dorën dhe më ka mësuar teshehudin, Alkameh ia ka marrë dorën Ibrahimit dhe i ka mësuar atij teshehudin, kurse Abdullah Ibn Mes’udi (r.a) ka marrë dorën e Alkames dhe ia ka mësuar teshehudin. I Dërguari i Allahut (a.s) ka marrë dorën e Abdullah Ibn Mes’udit (r.a) dhe ia ka mësuar tesheh`hudin, duke i thënë: Thuaj: “et`tehij`jatu lil`lahi ues`salauatu uet`taj`jibatu, es selamu alejke ej`juhen`nebij`ju ue rahmetull`llahi ue berekatuhu, es selamu alejna ue ala ibadil`lahis`salihin, eshhedu en la ilahe il`lall`llah, ue eshhedu enne muhammeden abduhu ue resuluhu.

Përshëndetjet dhe lutjet më të mira janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi ty o i Dërguar. Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e përkushtuar. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”.

Dijetarët eminentë të hadithit janë të një mendimi, se teshehudi i Abdullah Ibn Mes’udit (r.a) është më i vërteti. Ai është shënuar nga Ebu Hanife, Buhariu, Muslimi etj. Gjithashtu është përcjellë edhe tesheh`hudi i IbnAbasit i Umerit, i Ibn Umerit, i Ebu Musa El Eshariut dhe i Aishes.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[2] – Sure Mudethir: 4.

[3] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Sure Haxh: 26.

[6] – Sure A’raf: 31.

[7] – Sure Nur: 31.

[8] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[9] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[10] – Hakimi, Ahmedi, etj. Hadithi është i saktë.

[11] – Buhariu dhe Muslimi.

[12] – Sure Bejjine: 5.

[13] – Sure Bekare: 144.

[14] – Buhariu dhe Muslimi.

[15] – Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.

[16] – Sure Mudethir: 3.

[17] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[18] – Sure Ali Imran: 191.

[19] – Buhariu.

[20] – Buhariu dhe Muslimi.

[21] – Buhariu.

[22] – Sure Muzemil: 20.

[23] – Ebu Daudi, Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[24] – Mueta. Hadithi është i saktë.

[25] – Ebu Daudi, Nesai,etj. Hadithi është i saktë.

[26] – Sure Haxh: 77.

[27] Buhariu dhe Muslimi.

[28] – Sure Alak: 19.

[29] – Muslimi.

[30] – Buhariu.

[31] – Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *