Fundi i ushtrisë që do të sulmojë Qaben

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Aishja (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ka thënë: “Një ushtri ka për të sulmuar Qaben. Kur ajo të mbërrijë në një tokë të shkretë, do të fundosen të gjithë(ushtarët)nga i pari deri tek i fundit”. Unë e pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Si është e mundur që të fundosen të gjithë, kur ka prej atyre që janëtregtarë dhe të tjerë që nuk kanë ardhur për të luftuar?”“Do të fundosen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit dhe kur të ringjallen, do të ringjallen në varësi të nijetit që kanë pasur”– u përgjigj ai”.[1]

Jetëshkrimi i transmetues së hadithit:

Ajo ështëAishja, nëna e besimtarëve,e bija e Ebu Bekër Es Sidikut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy). Ajo ka transmetuar 2210 hadithe nga Profeti (a.s).

Ajo është fejuar me Profetin (a.s), kur ishin endenë Meke dhe pas betejës së Bedrit në muajin Sheval, ajo lidhi kurorë me të. Ajo qëndroi e martuar 9 vjet me Profetin (a.s), derisa ai (a.s) ndërroi jetë. Ajo ka qenë një prej bashkëshorteve më të dashura tëProfetit (a.s)  dhe gëzonte një pozitë të lartë tek ai. Për pozitën e lartë të saj dëshmon hadithi i Profetit (a.s), i cili ka thënë: “Shumë burra kanë qenë të kompletuar, ndërsa nga gratë e kompletuara kanë qenë vetëm Asija – gruaja e Faraonit – dhe Merjemja – e bija e Imranit. Vlera e Aishes karshi grave të tjera,është si vlera e gjellës me mish karshi ushqimeve të tjera”[2].Njëherë Amr ibn As (r.a) e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Kush është njeriu më i dashur për ty?” Profeti (a.s) u përgjigj:“Aishja”. Amri (r.a) pyeti: “Po nga burrat?” Profeti (a.s) tha: “Babai i saj[3].

Kur hipokritët shpifën ndaj saj, Allahu i Lartësuar zbriti ajete kuranore, që e shfajësonin Aishen (r.a) nga ajo shpifje e shëmtuar. Këto ajete do të lexohen deri në Ditën e Kijametit.

Përsa i përket dijes së saj, themi se ajo konsiderohet prej njerëzve më të dijshëm dhe me aftësi mendore mjaft të mira. Ez Zuhri ka thënë: “Nëse dija e Aishes (r.a) do të krahasohej me dijen e bashkëshorteve të tjera tëProfetit (a.s) dhe të grave të tjera, dija e Aishes (r.a) do të kishte mëtepër vlerë”. Ata’ ibn Ebu Rebahka thënë: “Aishja (r.a) ishte njeriu më i ditur dhe ishte më mendjemprehta”. Në periudhën e Hilafetit të Umerit (r.a) dhe Uthmanit (r.a), sahabët që kishin më shumë peshë si: Umeri, Uthmani e shumë të tjerë merrnin fetva dhe dije prej saj.

Shpjegimi i hadithit:

Qyteti i Mekës është qytet i shenjtë e i sigurtë.Allahu i Lartësuar e ka përmendur Shenjtërinë e Mekesnë Kuranin fisnik: Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë(Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në tëështë i sigurt. Ai që ka mundësi, e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd[4]Po ashtu,shenjtëria e Qabes është përmendur edhe në suren El Maide: Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabes, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera tëpërhershme për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe se Ai është i Gjithdijshëm për çdo gjë”.[5]

Hadithi profetik i lartpërmendur na njofton, se Qaben do ta sulmojnë armiqtë e fesë Islame. Ky është një paralajmërim profetik, prandaj muslimanët duhet të përgatiten ushtarakisht për ta mbrojtur vendin e shenjtë, në mënyrë që të zbatojnëurdhëresën hyjnore: Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë që ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh[6].

Ky paralajmërim profetik nuk nënkupton sulmin që i ka bërë mbreti Ebreha Qabes, por këtu flitet për njësulm tjetër të jobesimtarëve. Ashtu siç Allahu i Lartësuar e shkatërroi ushtrinë e mbretit Ebreha, duke lëshuar ndaj saj gurë nga sqepat e shpendëve dhe duke e bërëushtrinë si gjeth të grimcuar, ashtu ka për të shkatërruar edhe ushtritë e tjera, që do të tentojnë ta sulmojnë Qaben. Allahu i Lartësuar do ta ndëshkojë këtë ushtri mizore dhe gjakatare, e cila do të tentojë të shkatërrojë Qaben, duke i fundosur të gjithë ushtarët e saj, nga i pari deri tek i fundit.

Profeti (a.s) nuk na e ka përcaktuar, se kur do të ndodhë kjo gjë, ndoshta për faktin se sulmet ndaj saj do të jenë të vazhdueshme dhe se muslimanët duhet të jenë gjithmonë vigjilentë. Mirëpo Profeti (a.s) e ka përcaktuar përfundimin e kësaj ushtrie. Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij, i ruan banorët e Mekës, pasi kjo ushtri do tëshkatërrohet jashtësaj, në një tokë të shkretë. Kjo ushtri do të shkatërrohet, sepse ajo nuk respekton shenjtërinë e Qabes. Nga hadithi kuptojmë, se shkatërrimi i kësaj ushtrie nuk vjen nga njerëzit, por nga ndëshkimi hyjnor, i njëjti ndëshkim me tëcilin Allahu i Lartësuar ndëshkoi Karunin: Karunin dhe shtëpinë e tij, Ne e fundosëm thellë nëtokë. Atë askush nuk arriti që ta mbronte nga ndëshkimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mundi që të mbrojë vetveten”.[7]

Le të meditojmë pak rreth dialogut të zhvilluar ndërmjet Profetit (a.s) dhe Aishes (r.a). Pyetja që Aishja (r.a) i drejton të Dërguarit të Allahut (a.s), ka të bëjë me një çështje themelore të fesë islame, që është: përgjegjësia që mbart individi në sajë të vullnetit dhe nijetit të tij. Aishja (r.a) e pyet Profetin (a.s), jo për ta kundërshtuar, por të ditur të vërtetën. Ajo e mëson të vërtetën nga goja e Profetit (a.s), i cili jep një përgjigje të shkurtër, por shumë domethënëse, që ka të bëjë me nijetin e çdonjërit prej tyre; pra të gjithë pa përjashtim do të fundosen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit dhe kur të ringjallen, do të ringjallen në varësi të nijetit që kanë pasur. Prandaj njeriu- dhe muslimani në veçanti- duhet të bëjë kujdes se me kë shoqërohet. Nëse i duhet qëtë shoqërohet me njerëzit e këqinj, ai mund ta bëjë këtëvetëm në rast nevoje.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Shenjtëria e Qabes.

2 – Animi nga veprat e zullumqarëve.

3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit.

4 – Paralajmërimet e Profetit (a.s).

5 – Dialogu reciprok me pyetje – përgjigje.

6 – Sqarimi i të vërtetës.

1 – Shenjtëria e Qabes:

Qabja është shtëpia e parë, qëështë ndërtuar në sipërfaqen e tokës për adhurimin e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë(Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në tëështë i sigurtë. Ai që ka mundësi e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson Allahu nuk ka nevojë për askënd[8]. Ajo është vendgrumbullimi i njerëzve: Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe siguri për njerëzit[9]. Imam Ibn Kethiri thotë: “Allahu e ka bërë atë të sigurtë nga armiqtë (pra ajo nuk mund të pushtohet prej tyre)dhe nga mbajtja e armëve brenda në të (nuk leohet të mbahen armë brenda haremit të Qabes). Qysh në periudhën paraislame, njerëzit bënin Tafav rreth Qabes dhe që të gjithë ishin të sigurtë”[10].

Qabja është drejtimi, nga ku duhet të drejtohen muslimanët gjatë faljes së tyre. Allahu i Lartësuar thotë: Ne do të kthejmë ty për nga kibla që të kënaq. Prandaj ktheje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë (Qabja)!Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë”.[11]

Rituali i Haxhit përfshin edhe Tavafin që bëhet rreth Qabes. Allahu i Lartësuar thotë: Ne e urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: Pastrojeni shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur[12]. Allahu i Lartësuar e urdhëroi të dashurin e Tij, Ibrahimin (a.s), që të ndërtonte shtëpinë e shenjtë, në mënyrëqë ajo të ishte epiqendra e botës islame.

Po ashtu, shenjtëria e Qabes konsiston edhe në faktin, se ajo është e begatë dhe sjell bereqet. Ai i cili kryen një adhurim brenda saj, shpërblimi i shumfishohet, gjithashtu Qabja nuk mund të jetë bosh për asnjë moment, pasi ajo gjithmonë do të ketë njerëz, të cilët bëjnë Tavaf dhe ibadet brenda saj pa ndërprerje.

Orvatjet për shkatërrimin e Qabes përgjatë historisë së njerëzimit:

Historia e njerëzimit ka dëshmuar për një sërë përpjekjesh nga individë të caktuar të cilët janë përpjekur dhe orvatur për ta shkatërruar Qaben. Disa prej këtyre përpjekjeve kanë ndodhur në të kaluarën, disa të tjera kanë ndodhur në ditët e sotme dhe kush e di se sa përpjekje do të ketë në të ardhmen. Madje do të vijë dita që Qabja do të shkatërrohet sepse shkatërrimi i saj është prej shenjave të Ditës së Gjykimit. Më poshtë po rendisim rastet kur është tentuar shkatërrimi i Qabes përgjatë historisë së njerëzimit:

Ushtria e Ebrehasë:

Në vitin 535 të erës sonë një mbret nga Abisinia (Jemeni) i quajtur Ebreha ndërtoi një kishë madhështore me qëllim që arabët të bënin peligrinazh në kishën e tij në vend që të shkonin në Qabe. Mirëpo arabët as që shkuan për ta vizituar kishën e tij e jo më të bënin peligrinazh atje. Kjo e irritoi jashtë mase Ebrehanë, i cili vendosi të përgatiste një ushtri e të shkonte e ta shkatërronte Qaben. Me vete Ebrehaja kishte edhe një elefant nga Afrika të stërvitur më së miri.

Gjatë rrugës për në Mekë, disa fise arabe u përpoqën për ta penguar marshimin e tij drejt Mekës, por ai arriti që t’i mposhte ato dhe si rrjedhojë vazhdoi rrugën drejt Mekës për t’ia arritur qëllimit për të cilin kishte ardhur.

Asokohe, zotëriu i Mekës ishte gjyshi i Profetit (a.s), Abdul Mutalibi. Kur mori vesh për ushtrinë e Ebrehasë, Abdul Mutalibi i këshilloi njerëzit e Mekës që të largoheshin nga qyteti me qëllim që të ishin të sigurtë nga ushtria e Ebrehasë. Abdul Mutalibi shkoi tek Qabja dhe iu lut Allahut të Lartësuar që ta mbronte Qaben nga ushtria e Ebrehasë. Ai iu lut Allahut të Lartësuar me këto fjalë: “O Zot, njeriu e mbron shtëpinë e tij, ndaj mbroje shtëpinë Tënde nga sulmi i abisinasve.”

Ushtria e Ebrehasë mbërriti në rrethinat e Mekës dhe ngritën çadrat e tyre atje. Qëlloi që ushtarët e Ebrahasë i sekuestruan Abdul Mutalibit 200 deve. Ebrehaja kërkoi që të takohej me Abdul Mutalibin dhe ata u takuan në tendën e të parit. Ebrehaja ishte ulur në fronin e tij kur në tendë hyri Abdul Mutalibi. Ebrehaja, në shenjë respekti për Abdul Mutalibin u çua në këmbë, e uli atë në fronin e tij dhe tha se qëllimi i tij i vetëm ishte shkatërrimi i Qabes e jo për të vrarë njerëzit. Pastaj Ebrehaja e pyeti Abdul Mutalibin për nevojat që mund të kishte. Abdul Mutalibi i tha: Ushtria më ka marrë 200 deve, të lutem urdhëroi që të m’i kthejnë ato. Kur Ebrehaja i dëgjoi këto fjalë nga goja e tij u habit dhe tha: Kur të pashë, të respektova, por ti me fjalët e tua po më zhgënjen, unë kam ardhur për të shkatërruar Qaben dhe ti kërkon devetë e tua?! Abdul Mutalibi tha: Unë mbroj devetë e mia kurse Zoti im mbron shtëpinë e Tij.  Ebrehaja me përçmim tha: Unë nuk mendoj ashtu. Kurse Abdul Mutalibi tha: Të shohim. Këtu bideda mori fund dhe Abdul Mutalibi u kthye në Mekë, konkretisht në Qabe dhe u lut me lot në sy: “O Zoti im, njeriu mbron shtëpinë e tij nga sulmet, kështu që mbroje dhe Ti shtëpinë Tënde nga ky sulm.”

Të nesërmen në mëngjes, ushtria e Ebrehasë u nis për të shkatërruar Qaben. Në krye të ushtrisë qëndronte elefanti me urdhrin e vetë Ebrehasë me qëllim që ai të shkatërronte Qaben. Mirëpo kur elefanti iu afrua Qabes, ndaloi në vend dhe nuk iu bind atij që e drejtonte. Drejtuesi i elefantit e fshikulloi atë me kamzhik, por ai nuk lëvizi fare nga vendi. Kur elefantin e kthyen në drejtimin për nga Jemeni, ai filloi të ecte dhe kur e kthenin me drejtim nga Qabja, ai nuk lëvizte fare. Teksa Ebrehaja dhe ushtria e tij po përpiqeshin që ta bindin elefantin që të përparonte, në horizont shfaqet një tufë zogjsh të cilët në sqepat dhe kthetrat e tyre mbanin gurë të vegjël prej zjarri. Zogjtë u vërsulën mbi ushtrinë e Ebrehasë dhe i goditën ata me gurët që mbanin në sqepët dhe kthetrat e tyre. Ebrehaja tentoi që të largohej por zogjtë e sulmuan duke e goditur me gurët prej zjarri. Ebrehaja mbërriti në kryeqytetin e tij në Sana por u rrëzua nga kali në hyrje të qytetit.

Pas kësaj ndodhie, banorët e Mekës u kthyen në shtëpitë e tyre. Ata ishin të gëzuar sepse Allahu i Lartësuar e kishte mbrojtur nga agresioni i ushtrisë së Ebrehasë. Këtë vit, njerëzit e quajtën “Viti i elefantit”, vit në të cilin lindi Profeti Muhamed (a.s).

Shkatërrimi i Qabes në periudhën e sundimit të Jezid ibn Mua’uijes:

Në vitin 60 hixhri (679 të vitit lunar) në fronin e halifes së muslimanëve hipi Jezid ibn Mua’uije. Jezidi kërkoi prej njerëzve që t’i jepnin besën si halife i muslimanëve, mirëpo një grup prej sahabëve refuzoi që t’ia jepte besën atij. Njëri prej tyre ishte edhe Abdullah ibn Zubejr (r.a) Jezidi i shkroi guvernatorit të Medines që të merrte me forcë besën ndaj atyre që kishin refezuar, mirëpo Abdullahu këmbënguli në të tijën dhe si rrjedhojë shkoi në Mekë dhe u strehua në Qabe. Në vitin 64 hixhri (685 të vitit lunar), Jezidi dërgoi një ushtri me në krye Husajn ibn Numejrin, për të sulmuar Abdullahun i cili ishte në Mekë. Kur Husajni mbërriti në Mekë e rrethoi atë, rrethim i cili zgjati 64 ditë. Gjatë ditëve që zgjati rrethimi, Husajni e sulmoi Abdullahun – që ishte strehuar në Qabe – nga jashtë qytetit duke e goditur me katapultë. Nga këto goditje një pjesë e mureve të Qabes u dogj. Pavarësisht kësaj, Abdullahu i rezistoi rrethimit derisa Jezidi ndërroi jetë dhe si rrejdhojë në rradhët e ushtrisë mbizotëroi kaosi dhe rrëmuja. Pas vdekjes së Jezidit, Husajni u tërhoq nga rrethimi dhe bashkë me ushtrinë e tij u drejtua për në Sham. Pas rrethimit, Abdullahu e rindërtoi Qaben në të njëjtën mënyrë që e kishte ndërtuar edhe Profeti Ibrahim (a.s).

Shkatërrimi i Qabes në periudhën e sundimit të Abdulmelik ibn Mervanit:

Në periudhën e sundimit të halifes Abdulmelik ibn Mervanit, në vitin 73 hixhri (693 të vitit lunar), Abdulmeliku dërgoi ushtrinë e tij nën komandën e Haxhaxh ibn Jusufit për t’i dhënë fund revoltës së  Abdullah ibn Zubejrit dhe pasuesve të tij. Haxhaxhi hipi në kodrën Ebi Kubejs dhe prej andej filloi të godiste me katapultë drejt Qabes derisa arriti ta vriste Abdullah ibn Zubejrin duke i dhënë fund revoltës së tij. Pas shtypjes së revoltës, me urdhër nga Abdulmeliku, Haxhaxhi e rindërtoi Qaben ashtu sikurse ka qenë në kohën e Profetit Muhamed (a.s).

Vërejtje: Nga dy ngjarjet e lartpërmendura vërejmë se Qabja është shkatërruar dy herë, njëherë në periudhën e sundimit të Jezid ibn Mua’uijes dhe herën e dytë në periudhën e sundimit të Abdulmelik ibn Mervanit. Por këtu është e rëndësishme të theksojmë se në të dyja këto raste, si Jezidi po ashtu edhe Abdulmeliku nuk kishin për qëllim shkatërrimin e Qabes, por thjesht shtypjen e revoltës së Abdullah ibn Zubejrit.

Keramitët dhe marrja e gurit të zi:

Në vitin 317 hixhri (930 të vitit lunar), një grup njerëzish nga Iraku me në krye Mensur Ed Dejlemi u nisën drejt Mekës për të kryer haxhin. Në mesin e këtyre njerëzve ishte dhe një njeri i quajtur Ebu Tahir Keramiti. Haxhilerët shkuan shëndoshë e mirë në Mekë dhe filluan të kryenin ritualin e haxhit normalisht, derisa në ditën e “Teruijes” Ebu Tahir dhe njerëzit e tij filluan të sulmojnë e të vrasin të gjithë njerëzit që u dilnin përpara. Njerëzit (haxhilerët) u kapën pas mureve të Qabes, por as ky veprim i njerëzve nuk i pengoi Keramitët që t’i vrisnin ata. Pasi vrau një numër të madh njerëzish, urdhëroi që të vrarët të varroseshin pranë burimit të Zemzemit. Ai urdhëroi që të shembej kubeja e burimit të Zemzemit, të shkulnin nga vendi derën e Qabes dhe të hiqnin mbulesën e saj. Pasaj ai urdhëroi dikënd prej burrave të tij që hipte lart dhe të shkatërronte ullukun. Personi filloi të ngjitej dhe teksa po përpiqej për ta shkulur atë u rrëzua dhe ra i vdekur përtokë.. Pas kësaj, Ebu Tahiri hoqi dorë për ta shkulur ullukun. Pastaj ai urdhëroi që të merrnin gurin e zi. Në këtë moment u afrua një burrë dhe ai e goditi dhe me mëndjemadhësi tha: “Ku janë zogjtë e Ebabilit që godasin me gura nga zjarri?!” Pastaj ai u largua duke marrë me vete  paratë e haxhilerëve dhe gurin e zi i cili qëndroi tek Keramitët përreth njëzet e dy vjet. Prijësi i Mekës Ibn Muhaleb dhe një grup fisnikësh të Mekës kërkuan prej tij (Ebu Tahirit) që mos ta merrte gurin e zi dhe i ofruan një shumë të hollash që i kishin grumbulluar, por Ebu Tahiri e vrau atë dhe bashkë me të edhe fisnikët e Mekës. Thuhet se Keramitët burgosën disa dijetarët të hadithit, por që pas njëfarë kohe Allahu ua mundësoi këtyre dijetarëve që të shpëtonin prej tyre.

Mehdiu i rremë dhe Xhuhejmani:

Në vitin 1400 hixhri (1979 të vitit lunar), Muhamed Abdullah Kahtani, i cili pretendonte se ishte Mehdi i shumëpritur dhe Xhuhejman Atibi punonjës i gardës kombëtare të shtetit Saudit, deklaruan se kishte ardhur koha e shfaqjes së kalifatit të ri islamik dhe se ata të dy do të merreshin me përmirësimin e çështjeve të  muslimanëve.

Pas faljes së namazit të sabahut, Xhuhejmani dhe Muhamed Abdullah Kahtani hynë në haremin e Mekës (Qabe) dhe deklaruan përpara muslimanëve për shfaqjen e “Mehdit të shumëpritur” Ata kërkuan prej muslimanëve që t’i jepnin besën Muhamed Kahtanit duke qenë se ai ishte “Mehdiu” ndaj të cilit muslimanët e kanë për detyrë që t’ia japin besën. Gjatë kësaj deklarate, përreth 400 burra që ishin pasues të këtyre dy gënjeshtarëve arritën të mbyllnin dyert e Qabes dhe u strehuan brenda në të.

Qeveria saudite e asaj kohe e gjeti veten të papregatitur kundrejt këtij agresioni. Por pavarësisht këtij fakti, ndërhyrja ishte e domosdoshme. Prandaj hapi i parë që qeveria saudite ndërmori ishte marrja e një fetvaje nga dijetarët të cilët do të lejonin shkëmbimin e zjarrit midis qeveresisë dhe agresorëve brenda në Qabe. Mirëpo garda kombëtare saudite dështoi në përpjekjen e saj për të përzënë nga Qabja Muhame Kahtanin, Xhuhejmanin dhe pasuesit e tyre. Gjatë shkëmit të zjarrit u vranë 127 persona por kjo nuk solli ndonjë dobi sepse agresorët akoma vazhdonin të sundonin në territorrin e Qabes.

Pas këtij dështimi nga garda kombëtare, qeveria saudite u detyrua që të kërkonte ndihmë nga forcat speciale franceze. Por këtu qeveria hasi në një problem: ushtarët e forcave speciale franceze nuk mund të hynin në Qabe për shkak se ishin mosbesimtar. Për zgjidhjen e këtij problemi u vendos që gjatë një ceremonije, ushtarët francez formalisht të deklaronin islamin dhe kështu ndodhi.

Pas dy javësh rrethimi, në mëngjes, në bashkëpunim me njëra-tjetrën forcat saudite dhe franceze,  filluan sulmin kundra agresorëve dhe në darkë arritën që ta përmbushnin misionin për të cilin ishin ngarkuar. Ata arritën që të çlironin Qaben nga agresorët dhe të shpëtonin pengjet. Gjatë shkëmbimit të zjarrit pati rreth 250 të vrarë dhe 600 të plagosur.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Muhamed Kahtani u vra kurse Xhuhejmani mbeti i gjallë, por më vonë autoritet saudiane dhanë urdhrin për ekzekutimin e tij dhe të bashkëpunotorëve të tij.

Shpërthime rreth haremit:

Më 10 korrik 1989 (6/12/1409) ndodhën dy shpërthime përreth Haremit. Shpërthimi i parë ndodhi në njërën prej rrugëve që të shpiente për tek Qabja, kurse shpërthimi tjetër ndodhi sipër një ure që ishte pranë Qabes. Nga këto dy shpërthime pati një të vrarë dhe 16 të lënduar.

Shkatërrimi i Qabes përpara se të ndodhë Kijameti:

Profeti (a.s) na ka paralajmëruar se përpara se të ndodhë Kijameti, Qabja do të shkatërrohet. Ai që ka për ta shkatërruar është një njeri i zi nga Etiopia me këmbë të holla. Ky njeri ka për ta shkatërruar Qaben me vare duke i hequr gurët (tullat) e saj një e nga një. Gjithashtu ai do ta heqë mbulesën e Qabes dhe ka për të konfiskuar për veten e tij të gjitha stolitë e saj. Dhe pasiqë Qabja të shkatërrohet nuk ka për t’u rindërtuar më. Në një hadith, Profeti (a.s) ka thënë: “Sikur po e shoh atë; një njeri i zi me këmbë të holla duke hequr gurët e Qabes një e nga një.”[13]

2 – Animi nga veprat e zullumqarëve:

Nga ky hadith nënkuptojmë, se njerëzit që janë pjesë e ushtrisë së përmendur, do të fundosen të gjithë pa përjashtim. Kjo do të thotë, se njeriu duhet të qëndrojë sa më larg mizorëve dhe zullumqarëve, në mënyrë të qëtë mos ndëshkohet edhe vetë për shkak të tyre, pavarësisht se mund të jetë i pafajshëm. Kurani Fisnik e ka ndaluar një shoqëri të tillë. Allahu i Lartësuar thotë: Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë zjarri[14]. Në komentimin e këtij ajeti kuranor, imam Sa’di ka thënë: “Mos anoni nga ata, të cilët bëjnë të këqija, sepse nëse ju veproni kështu, duke i miratuar apo duke qenë të kënaqur me veprat e tyre të këqija, atëherë do t’ju përcëllojë Zjarri, ku nuk keni asnjë përkrahës që t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar. Nga ky ajet nënkuptojmë, se njeriu duhet të bëjë shumë kujdes që të mos anojë nga ata, që bëjnë vepra të këqija e që sillen mizorisht ndaj të tjerëve. Nëse ky është ndëshkimi për ata,tëcilët anojnë dhe janë të kënaqur me padrejtësinë dhe veprat e këqija, vallë si do të jetë ndëshkimi i atyre,që sillen padrejtësisht ndaj të tjerëve?!”[15]

3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit:

Profeti (a.s) na tregon, se e gjithë ushtria – nga i pari deri tek i fundit – do të fundoset. Në mesin e ushtrisë do të ketë njerëz, që synojnë të sulmojnëqëllimisht Qaben, ashtu siç do të ketë edhe të tjerë,që janëtë imponuar ta sulmojnë Atë, por që nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Të gjithë do të fundosen dhe në Ditën e Gjykimit do të ringjallen, por secili do të marrë atë që meriton, në varësi të nijetit që ka pasur për qëllim. Pikërisht për këtë arsye, imam Ibn Haxheri ka thënë: “Veprat vlerësohen në varësi të nijetit të njeriut”[16].

Për shembull, njeriu nuk shpërblehet për disa vepra që janë të mira, sepse ato nuk janë bërë për hir të Allahuttë Lartësuar dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh[17]. Bisedat që bëhen fshehtas, janë të ndaluara, përveç atyre bisedave që bëhen për mirë, si për të dhënë sadaka, apo për të bërë paqe mes dy njerëzve. Këto dy vepra konsiderohen të mira, edhe nëse nuk bëhen për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, sepse dobia arrin tek të tjerët. Nëse njeriu i bën këto vepra të mira, duke pasur për qëllim që të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, atëherë ai shpërblehet, por nëse nuk ka për qëllim që të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, atëherë ai nuk merr shpërblim.

4 – Paralajmërimet e Profetit (a.s):

Ajo që na tregon Profeti (a.s) në këtë hadith,është një ndodhi që do të ndodhë në të ardhmen. Prej mrekullive të shumta të Profetit (a.s), janë edhe paralajmërimet e tij, që tregojnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Paralajmërimet e bëra nga Profeti (a.s) janë aq të shumta, saqë nuk mund të numërohen. Një prej këtyre paralajmërimeve është edhe rasti i ushtrisë, që do të tentojë për të sulmuar Qaben. Profeti (a.s) na ka paralajmëruar për të gjitha këto nëpërmjet frymëzimit hyjnor, sepseai (a.s) nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por transmeton vetëm atë që i shpallet nga Allahu i Lartësuar. Këto paralajmërime dëshmojnë qartë për profetësinë e tij (a.s).

5 – Dialogu reciprok me pyetje – përgjigje:

Kjo vërehet nga dialogu që zhvillohet ndërmjet Profetit (a.s) dhe Aishes (r.a).Dialogu ka qenë një prej formave dhe metodave, qëProfeti (a.s)i ka praktikuar më së shumti me bashkëbiseduesit. Dialogu qëzhvillohet me pyetje -përgjigje, ka shumë efekt, sidomos tek ata që parashtrojnë pyetjetdhe në të njëjtën kohë presin përgjigjen. Po ashtu përfitojnë edhe të tjerët që dëgjojnë dialogun. Ndodh zakonisht,që njerëzit pyesin të diturit dhe ata që gëzojnë respekt në mesin e tyre, për të gjetur kurën e duhur për atëç’ka i mundon dhe i shqetëson.

6 – Sqarimi i të vërtetës:

Sqarimi i të vërtetave është prej kushteve themelore, që ftuesi duhet ta ketë parim bazë të ftesës së tij, sepse ftesa bazohet tek qartësia dhe kthjelltësia e çështjeve të fesë, tek të mirat materiale të kësaj bote dhe begatitë e botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: Ty, (o Muhamed) të zbritëm Kuranin, me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë[18].  Mauerdi ka thënë: “Pjesë e moralit të dijetarëve është, se ata nuk tregohen kopracë për t’ua mësuar të tjerëve diturinë dhe as nuk i privojnë të tjerët për të përfituar nga dija e tyre. Ne duhet ta dimë mirë, se në këtë rast kopracia është padrejtësi, ndërsa privimi nga dituria tregon për smirë dhe konsiderohet mëkat. Ali ibn Ebu Talib (r.a) ka thënë: “Allahu nuk i ka lejuar injorantët që të japin mësim, por ka lejuar dijetarët.][19] Në hadithin që trajtuam, Profeti (a.s) ka folur aq qartë rreth ndëshkimit të kësaj ushtrie, saqë ka larguar çdo dyshim të Aishes (r.a), duke e njoftuar se të gjithë do të fundosen, por në Ditën e Gjykimit, ata do të gjykohen nga Allahu (xh.sh) në varësi të nijetit të tyre.

Argumentet e hadithit:

1 – Ushtria që do të sulmojë Qaben, do të jetë shumë e madhe.

2 – Mosshoqërimi me zullumqarët.

3 – Kur zbret ndëshkimi hyjnor, përfshin zullumqarët dhe të tjerët që mund të jenë me ta.

4 – Njeriu gjykohet në varësi të nijetit të tij.

5 – Allahu i Lartësuar e mbron Qaben nga sulmi i ushtrisë zullumqare të përmendur në këtë hadith.

6 – Motivimi për t’u shoqëruar me njerëz të mirë e të devotshëm.

7 – Muslimani e ka për detyrë, që të besojëtek paralajmërimet profetike, pa as më të voglin hezitim.

8 – Nuk ka dyshim, se njerëzit do të ringjallen dhe çdonjëri do të marrë atë që meriton.

Epilog:

Tregohet për dy vëllezër, se njëri e adhuronte shumë Allahun e Lartësuar, ndërsa tjetri ishte mëkatar i madh. Vëllai që adhuronte Allahun e Lartësuar, qëndronte në katin e dytë të shtëpisë, ndërsa vëllai që bënte mëkate, qëndronte në katin e parë. Vëllai që jetonte në katin e dytë, dëshironte të shikonte shejtanin, i cili iu shfaq një ditë dhe i tha: “Më vjen keq shumë për ty, që i harxhove 40 vjet nga jeta jote, duke e lodhur veten me adhurim. Të kanë mbetur ende edhe 40 vjet të tjera për të jetuar, prandaj jepu pas dëfrimeve dhe epsheve shfrenuese”.Ai tha me vete: “Po zbres në katin e parë tek vëllai im, të ha, të pi e të bëj qejf me të për 20 vjet, ndërsa për 20 vitet e tjera do të pendohem dhe do të adhuroj Allahun”. Me këtë nijet ai nisi tëzbriste për në katin e parë tek vëllai tjetër.

Ndërkohë, vëllai i tij mëkatar e pa veten e tij në një situatë teje të mjerueshme. Kishte urinuar dhe ishte shtrirë përdhe. I gjendur në këtë situatë, ai mendoi: “E harxhova gjithë kohën duke bërë mëkate, ndërkohë që vëllai im e adhuron Allahun dhe bën vepra të mira. Ai do të futet në Xhenet për shkak të punëve të mira, ndërsa unëdo të hyj në Zjarr për shkak të mëkateve”. Prandaj ai vendosi të pendohej, të bënte punë të mira dhe të bashkohej me vëllain për të adhuruar Allahun e Lartësuar.

Kështu ai nisi të ngjitej tek i vëllai i tij, me nijetin për të bërë punë të mira.Ndërkohë, vëllai tjetër, i cili po zbriste për të bërë mëkate, rrëshqiti, ra mbi të dhe vdiqën që të dy. Ditën e Kijametit, adhuruesi do të ringjallet me nijetin për të bërë mëkate, ndërsa mëkatari do të ringjalletme nijetin për të bërë punë të mira.

Autor: Elton Harxhi

 

 

 

[1] – Buhariu (2118) me tekstin në fjalë, si dhe Muslimi (2884).

[2] – Buhariu (3411).

[3] – Buhariu (2662).

[4] – Sure Ali Imran: 96-97.

[5] – Sure Maide: 97.

[6] – Sure Enfal: 60.

[7] – Sure Kasas: 81.

[8] – Sure Ali Imran: 96-97.

[9] – Sure Bekare: 125.

[10] -“Tefsiri i Ibn Kethirit”, fq: 2/58 .

[11] – Sure Bekare: 144.

[12] – Sure Bekare: 125.

[13] – Buhariu (1595).

[14] – Sure El Hud: 113.

[15] – “Tefsiri i Sa’dit” i Abdurrahman Es Sa’dit, fq: 367.

[16] -“Fet’hul Bari”i Ibn Haxher Askalanit, fq: 4/341.

[17] – Sure Nisa: 114.

[18] – Sure En Nahl: 44.

[19] -“Edebud dunja ued din” i  Mauerdit  87.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *