Gjykimi mbi agjërimin e atij personi që është gjithmonë në udhëtim

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Kam dëgjuar një hadith nga i Dërguari i Allahut (a.s) ku thuhet: “Nuk është nga mirësia të agjërosh gjatë udhëtimit.” Unë punoj si shofer kamioni në linjat ndërkombëtare dhe jam gjithmonë në udhëtim. Për këtë arsye, agjëroj gjatë udhëtimit që të mos më mbetet si borxh për t’u shlyer, veçanërisht tani që ditët janë të shkurtra dhe të ftohta. Cili është gjykimi fetar në këtë rast?

Përgjigja: Me emrin e Allahut, lavdi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij!

Hadithi që përmendi pyetësi nga Profeti (a.s) “Nuk është nga mirësia të agjërosh gjatë udhëtimit” ka një shkak specifik për të cilin është thënë. Ky hadith është transmetuar nga imam Buhariu dhe imam Ahmedi në Musnedin e tij. Xhabir ibn Abdullahu (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte në një udhëtim dhe pa një turmë njerëzish rreth një burri që po i bënin hije. Ai pyeti: Çfarë ka ky?’ Ata thanë: Është agjërues. Atëherë, ai tha: Nuk është nga mirësia të agjërosh gjatë udhëtimit.”[1]

Imam Tabariu ka thënë: “Kushdo që arrin në një gjendje të tillë për shkak të agjërimit, sikurse ky person për të cilin foli Profeti (a.s), atëherë agjërimi i tij nuk është nga mirësia, sepse Allahu ka ndaluar që dikush ta ekspozojë veten ndaj diçkaje që mund t’i shkaktojë dëm, kur ka mundësi shpëtimi.”

Ndërsa Ibn Dekik el-Id ka thënë: “Nga kjo ngjarje kuptohet se agjërimi është i papëlqyeshëm (mekruh) gjatë udhëtimit dhe vlen për ata që përjetojnë vështirësi të mëdha prej tij, ose kur agjërimi e pengon dikë të kryejë akte të tjera të adhurimit që janë më të rëndësishme. Hadithi “Nuk është nga mirësia të agjërosh gjatë udhëtimit” duhet të kuptohet në këtë kontekst.”

Kjo do të thotë se hadithi nuk ka kuptim të përgjithshëm, por lidhet me raste specifike ku agjërimi bëhet i lodhshëm dhe i rëndë për personin. Profeti (a.s) ka lejuar shumë nga shokët e tij që të agjëronin gjatë udhëtimit. Për shembull, Hamza el-Eslemi e pyeti Profetin (a.s): “O i Dërguari i Allahut, unë agjëroj shpesh. A mund të agjëroj edhe gjatë udhëtimit?” Ai u përgjigj: “Nëse dëshiron, agjëro; nëse dëshiron, mos agjëro.”[2]

Po ashtu, Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ndonjëherë agjëronte gjatë udhëtimit dhe ndonjëherë jo. Kështu që, kush dëshiron të agjërojë, le të agjërojë, dhe kush dëshiron të mos agjërojë, le të mos agjërojë.”[3]

Shokët e Profetit (a.s) udhëtonin gjatë Ramazanit; disa agjëronin, disa jo, dhe asnjëri nuk e kritikonte tjetrin për zgjedhjen e tij. Enesi ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Ne udhëtonim me Profetin (a.s), dhe as agjëruesi nuk e kritikonte atë që nuk agjëronte, e as ai që nuk agjëronte nuk e kritikonte atë që agjëronte.”[4]

Prandaj, hadithi “Nuk është nga mirësia të agjërosh gjatë udhëtimit” ka të bëjë me raste specifike ku agjërimi shkakton lodhje të madhe ose vështirësi ekstreme, si për shembull nëse dikush është duke udhëtuar në vapë të madhe ose gjatë një fluturimi të gjatë që e bën agjërimin shumë të vështirë.

Sa për pyetësin, i cili dëshiron të agjërojë dhe është i aftë ta përballojë agjërimin, veçanërisht në ditët e ftohta, e këshilloj që të agjërojë, sepse përndryshe atij i lipset që t’i kompesojë ditët që nuk i ka agjëruar më vonë dhe ndoshta nuk do të ketë mundësi për t’i kompesuar ato ditë që nuk i ka agjëruar për shkak se ka marrë leje vetëm për pak ditë. Megjithatë atij i lejohet të mos agjërojë për shkak se udhëtari e ka të lejuar që të mos agjërojë.

Fetvadhënësi: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

.

 

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Muslimi.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *