Gjykimi (vendimi juridik) për blerjen e aksioneve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Cili është gjykimi (vendimi juridik) për tregtimin me aksione të kompanive amerikane dhe të tjera, duke pasur parasysh se tregtimi me këto aksione nuk garanton fitim, por i ekspozon tregtarët ndaj fitimit dhe humbjes, dhe gjithashtu duke pasur parasysh se veprimtaria e këtyre kompanive që na shfaqet është në fushën e internetit?

Përgjigja: Falënderimi i qoftë Allahut, dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen, shokët e tij dhe mbi këdo që e ndjek rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Për të dhënë një përgjigje të shkurtër lidhur me këtë pyetje, themi: Nga aspekti fetar, aksionet ndahen në tre lloje:

Lloji i parë: Aksionet e kompanive që janë të përkushtuara ndaj Islamit, siç janë bankat islame dhe kompanitë e sigurimeve islame. Nuk ka mospajtim në lejueshmërinë e pjesëmarrjes në to dhe të tregtimit të aksioneve të tyre përmes blerjes dhe shitjes, pasi që pasuritë që përfaqësojnë këto aksione janë shndërruar në pasuri reale dhe përfitime më shumë se 50% të vlerës, prandaj lejohet tregtimi i tyre me çdo mjet të lejuar siç është blerja dhe shitja, dhe nuk kërkohet dorëzim fizik i menjëhershëm, pasi që ky lloj pasurie nuk kërkon dorëzim dorë më dorë.

Lloji i dytë: Aksionet e kompanive që veprimtaria e tyre bazë është e ndaluar në vetvete, siç janë kompanitë e prodhimit të alkoolit, të derrit dhe të tjera të ndaluara; këto me konsensus nuk lejohet të merret pjesë në to e as të bëhet tregti me to. Po kështu edhe bankat që merren me kamatë, kompanitë e zbavitjes që përmbajnë gjëra të ndaluara, etj.

Lloji i tretë: Aksionet e kompanive që veprimtaria e tyre bazë është e lejuar, siç janë kompanitë e makinave, teknologjisë, tregtisë së përgjithshme, bujqësisë, industrisë dhe veprimtari të tjera të lejuara, por në të cilat mund të përzihet harami përmes transaksioneve me kamatë, si marrja dhe dhënia me interes. Këto janë objekt diskutimi midis dijetarëve të kohës sonë. Disa prej tyre ndalojnë pjesëmarrjen, blerjen dhe shitjen, duke u bazuar në faktin se në këto aksione është përzier kamata, e cila është mallkuar së bashku me atë që e ha, atë që e jep, atë që e shkruan dhe dëshmitarin e saj. Prandaj, sipas tyre, nuk lejohet të bëhet tregti me këto në asnjë mënyrë.

Disa prej dijetarëve mendojnë se me këto aksione mund të tregtohet, për shkak të nevojës së njerëzve, por me disa kushte dhe kritere. Ndër këto kushte janë:

1 – Që përqindja e të hollave në dorë dhe borxheve të mos e kalojë 50% – ashtu siç është përcaktuar në vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam. Nëse e kalon këtë përqindje, nuk lejohet tregtimi me to përveçse sipas rregullave të njohura në fikhun islam për këmbimin monetar, si domosdoshmëria e menjëhershmërisë në dorëzim apo shkëmbim i njëkohshëm, apo të ngjashme me to.

2 – Që përqindja e borxheve dhe kredive të marra me kamatë nga kompania të mos e kalojë 30%.

3 – Që përqindja e fitimeve nga interesat të mos kalojë 5% ose maksimumi 10%.

4 – Që këto kompani të jenë nën mbikëqyrje të rreptë, dhe që të pastrohet fitimi nga përqindja e kamatës në to, ose që vetë personi që investon të pastrojë pasurinë e tij nga përqindja e fitimit të përzier me kamatë.

Ky është mendimi i një numri dijetarësh bashkëkohorë që merren me çështjet financiare, për të treguar mirëkuptim ndaj njerëzve dhe për t’ua lehtësuar atyre jetesën. Për këtë çështje ata kanë bërë hulumtime dhe studime.

Nëse kompania për të cilën bëhet pyetja është në fushën e “internetit” dhe aktiviteti i saj bazë është i lejuar, atëherë, nëse është e mundur të respektohen kushtet dhe kriteret e përmendura më sipër, lejohet të tregtohet me të për shkak të nevojës.

Allahu e di më së miri.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *