Harami në ligjin e Islamit është gjithëpërfshirës dhe i përhershëm. Nuk ka asgjë të ndaluar për një jo-arab që të lejohet për një arab, nuk ka asgjë të ndaluar për një person me ngjyrë të zezë që të jetë e lejueshme për të bardhët, dhe nuk ka leje apo autorizim të dhënë për një shtresë apo grup njerëzish që të kryejnë veprime sipas dëshirës së tyre në emër të statusit të tyre, qofshin priftërinj, dijetarë, mbretër ose fisnikë. Myslimani nuk ka asnjë privilegj që ta bëjë të lejueshme atë që është e ndaluar për të tjerët.
Jo! Allahu është Zot për të gjithë dhe ligji i Tij është për të gjithë. Çfarë Allahu e ka bërë të lejuar në ligjin e Tij është e lejuar për të gjithë njerëzit, dhe çfarë ka ndaluar është e ndaluar për të gjithë deri në Ditën e Kiametit. P.sh. vjedhja është e ndaluar, qoftë e kryer ajo nga një mysliman apo jo, kushdo qoftë viktima mysliman apo jo. Dënimi i vjedhësit është i domosdoshëm, pavarësisht prejardhjes apo statusit të tij. Kjo është ajo që bëri dhe deklaroi Profeti (a.s): “Pasha Allahun, nëse Fatima bintu Muhammedin do të vidhte, duart e saj do të priteshin.”[1]
Në kohën e Profetit (a.s) ndodhi një vjedhje ku kishte dyshime nëse personi që e kishte kryer atë ishte hebre apo mysliman. Disa të afërm të myslimanit u përpoqën t’ia hidhnin dyshimin hebreut me disa prova, duke e larguar fajin nga myslimani i tyre, i cili në të vërtetë kishte kryer vjedhjen. Profeti (a.s) ishte gati të ndërhynte për të mbrojtur myslimanin, duke menduar se ishte i pafajshëm, por Allahu shpalli ajetin kuranor, i cili denonconte tradhëtarët, e pastroi figurën e hebreut dhe kërkoi prej Profetit të vendoste drejtësinë. Allahu thotë: “Ne të kemi shpallur Librin me të Vërtetën që të gjykosh midis njerëzve me atë që Allahu të ka treguar; mos u bëj avokat i tradhëtarëve. Kërko falje prej Allahut, sepse Ai është i mëshirshëm dhe fal. Mos debatoni për ata që vetveten e tradhëtojnë; Allahu nuk i do tradhëtarët mëkatarë. Ata fshihen nga njerëzit, por nuk mund të fshihen nga Allahu, dhe Ai është me ta kur intrigojnë për çka nuk është e kënaqshme; Allahu përfshin çdo gjë që ata bëjnë. Këta i mbrojët në këtë jetë; kush do të mbrojë Allahun për ta në Ditën e Kijametit?”[2]
Hebrenjtë pretendojnë se kamata është e ndaluar vetëm për hebrenjtë kur i japin njëri-tjetrit hua, por jo për jo-hebrenjtë. Në Dhiatën e Vjetër thuhet:“Mos i jep vëllait tënd me interes, as argjend, as ushqim, as çdo gjë që jepet; por të huajve mund t’u japësh me interes, por vëllait tënd jo.”
Kurani i ka përshkruar këto prirje, duke treguar se ata lejuan tradhëtinë ndaj të huajve dhe nuk e konsideruan atë të gabuar apo mëkat. Allahu thotë: “Disa prej tyre, nëse i beson me një dinar, nuk ta kthen përveç nëse qëndroni të vendosur; kjo është për shkak se thanë: ‘Nuk kemi rrugë për amtarët’ dhe ata gënjejnë Allahun ndërgjegjshëm.”[3]
Kjo prirje izraelite është primitive dhe e papërshtatshme për një fe hyjnore. Etika e vërtetë është e përgjithshme dhe absolute; ajo nuk lejon që ajo që është e ndaluar për një person të lejohet për tjetrin. Diferenca mes nesh dhe të parëve primitivë është në gjerësinë e rrethit moral, jo në mungesën e tij. P.sh., besueshmëria ishte e lavdërueshme për ta, por vetëm brenda fisit të tyre; jashtë fisit, tradhëtia ishte e lejuar, madje e dëshirueshme.
Autori i librit “Historia e Civilizimit” thotë: “Pothuajse të gjitha shoqëritë njerëzore mendojnë se shoqëritë e tjera janë më inferiore. Indianët e Amerikës i konsideronin veten populli i zgjedhur i Zotit; të krijuar nga “Shpirti i Madh” për t’u bërë shembull për njerëzit. Një fis indian e quante veten si njerëzit që nuk kanë të tjerë përveç tyre. Karbitë thanë: Ne jemi njerëz. Për pasojë, njeriu primitiv nuk mendonte të trajtonte fiset e tjera me të njëjtat kufizime morale si fisin e tij; detyra morale shërbente vetëm për forcimin e grupit të tij ndaj të tjerëve. Por për të tjerët, përveçse mysafirëve, gjithçka ishte e lejuar.”
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Sure Nisa: 105 – 109.
[3] – Sure Ali Imran: 75.



















