Po afrohen ditët e bekuara të haxhit dhe haxhilerët po përgatiten për udhëtim drejt vendeve të shenjta. Kujtimet dhe spiritualiteti i haxhit po ndihen vërtet. Haxhilerët nuk i mbajnë dot lotët, tek shohin këtë tubim madhështor që po marshon drejt shtëpisë së Allahut me një nënshtrim dhe përkushtim të plotë ndaj Tij. Luten me përulje, i kërkojnë Allahut t’ua shlyejë mëkatet, t’ua pranojë Haxhin dhe t’u falë lumturi në këtë botë dhe në tjetrën.
Po a duhet kufizuar vallë kjo botë ndjenjash thjeshtë në ditët e Haxhit? Haxhin e kam menduar gjithmonë si një udhëtim, qëllimi i të cilit është të na mësojë dhe udhëzojë se si të ecim në rrugën e jetës. Ai është model sipas të cilit muslimanët duhet të sistemojnë jetën e tyre. Kjo lidhje mes haxhit dhe jetës është e një rëndësie të veçantë; mbi të gjitha që të dy janë udhëtime që kërkojnë parapregatitje dhe synime të veçanta.
Për shembull, shihni pregatitjet e para të haxhilerëve, para se të nisen për haxh. Shlyejnë të gjitha borxhet, lahen dhe veshin roba të pastra. Mësimi që nxjerrim këtu është, se jeta jonë duhet të ngrihet mbi pastërti dhe dëlirësi. Sa e bukur do të ishte jeta, nëse secili nga ne do t’i përmbahej këtij parimi. Sikur çdokush të mundohej të pastronte gjithçka që njollos besimin dhe dobëson lidhjen e tij me Allahun! Mund të ndodhë që muslimanët të bëjnë mëkate apo të ndjekin cytjet e shejtanit, por sapo të ndodhë kjo gjë, menjëherë nxitojnë të “lajnë” dhe “pastrojnë” shpirtin. Ashtu siç veshin rroba të pastra kur nisen për haxh, ashtu janë të mallëngjyer për ta takuar Allahun me zemër të pastër dhe të dëlirë, kur udhëtimit të jetës t’i ketë ardhur fundi.
“Lebbejk Allahume, lebbejk. Iu përgjigja thirrjes tënde o Allah, iu përgjigja”. Kjo thirrje e përjetshme nga miliona haxhilerë muslimanë e mbush besimtarin akoma më shumë me frymëzim. Ata i përgjigjen thirrjes së Allahut me kënaqësi pavarësisht nga sfidat dhe rreziqet; vijnë tek Ai duke deklaruar nënshtrimin dhe përuljen ndaj Tij me fjalë dhe vepra- bindjen pa kushte ndaj urdhrave të Tij, dashurinë ndaj asaj çka Ai do dhe nderin për atë çka Ai nderon. Ky është dhe shpirti që duhet ta ngrejë muslimanin peshë gjatë gjithë jetës. “Lebbejk Allahume, lebbejk. Iu përgjigja thirrjes tënde o Allah, iu përgjigja”. Kjo nuk është thjesht një frazë rituale, që duhet thënë vetëm gjatë haxhit e të harrohet më pas; ajo është motoja dhe drejtimi i çdo muslimani.
Pas një udhëtimi të lodhshëm prej disa orësh – madje prej ditësh apo dhe muajsh- haxhilerët arrijnë në Mekë me sy që mbushen para Shtëpisë së Shenjtë. Gjatë gjithë kohës së Haxhit, në lëvizjet e tyre nga një vend në tjetrin, nga një rit në tjetrin, muslimanët kujtojnë skenat madhështore të kurbanit të stërgjyshërve të tyre, të profetit Ibrahim (a.s) dhe familjes së tij, profetit Muhamed (a.s) dhe shokëve të tij fisnikë. Këto skenarë kaq të mrekullueshëm na frymëzojnë dhe na motivojnë për t’u përballur me sfidat e jetës me një zemër të fortë si dhe na rrisin përgjegjësinë për të punuar dhe sakrifikuar në mbrojtje të fesë dhe për ecjen përpara të umetit.
Për më tepër, në haxh, haxhilerët i bashkojnë ndjenja vëllazërisë. Ata takojnë muslimanë nga e gjithë bota- nga Azia dhe Afrika, nga Veriu dhe Jugu, arabë dhe joarabë, të bardhë dhe të zinj, të pasur dhe të varfër. Muslimanë anembanë globit takohen në këtë tubim madhështor me përulësi dhe nështrim të plotë ndaj Allahut. Ata bëjnë të pamundurën për të qenë të mirë me njëri-tjetrin dhe për të mos shkaktuar as fijen më të vogël të dëmtimit dhe shqetësimit. Të gjithë i përfshin një ndjenjë uniteti dhe solidariteti me muslimanët e tjerë; të ndjesh se je pjesëtar i një familje të madhe që ngërthen në gjirin e vet të gjithë muslimanët prej ngado qofshin; të kujdesesh për motrat dhe vëllezërit e tu; të shmangësh çdo shqetësim dhe bezdisje; të ndihesh keq për vuajtjet e tjetrit dhe të të lumturojë lumturia e tij. E gjithë kjo është e rëndësishme jo vetëm gjatë haxhit, por përjetë.
Për më tepër, haxhi është një mundësi e mirë për të skalitur durimin dhe për të shijuar ëmbëlsinë e qëndrueshmërisë. Të gjendur mes kaq shumë njerëzve, haxhilerët janë gati për t’u përballur me këto vështirësi dhe probleme, dhe pse mund të kenë të drejtë të zemërohen nga sjellja e disa haxhilerëve. Megjithatë, që haxhi i tyre të pranohet, ata tregohen të kujdesshëm dhe të durueshëm në maksimum. Ky është një mësim që duhet ta mësojmë dhe zbatojmë në jetën tonë; në shtëpi, në punë e kudo. Na duhet të jemi të durueshëm me bashkëshortët tanë, me kolegët dhe shokët. Kjo është e një rëndësie të veçantë për mbarëvajtjen e jetës sonë dhe mbi të gjitha për të fituar dashurinë e Allahut.
Së fundmi, mësimet që nxirren nga Haxhi janë të panumërta dhe furnizimi shpirtëror që merret prej tij për udhëtimin e jetës është i pallogaritshëm. Mendoj se duke vënë ura lidhëse mes këtyre dy udhëtimeve- haxhit dhe jetës- dhe duke depërtuar sa më thellë në urtësitë e haxhit, haxhilerët mund të marrin dhe prej ajkës së tij dhe të mbeten haxhilerë përjetë.