Hadithet vijnë nga profeti, të cilit iu shpall Kurani. Ato u dëgjuan, u vunë në praktikë, u transmetuan, u ruajtën dhe u përpiluan sipas udhëzimeve të tij dhe në përputhje me urdhrat e Zotit.
Kur brezi më i mirë i njerëzimit që ka jetuar ndonjëherë, kuptoi se Zoti i qiejve po u drejtohej drejtpërdrejt me fjalën e Tij në gjuhën, të cilën ata e zotëronin më mirë se ndonjë komb ka zotëruar ndonjëherë ndonjë gjuhë, ata e kuptuan se Allahu jo vetëm kishte caktuar njeriun më me vlera mes tyre për të mbajtur mesazhin për njerëzimin, por edhe se Ai e kishte bërë besimin tek i dërguari më i nderuar dhe më i dalluar, një kusht përbërës të besimit tek Ai vetë, duke thënë vazhdimisht: “Besoni Allahun dhe të dërguarin”.
Ata u urdhëruan gjithashtu nga Allahu “t’i binden Atij dhe të dërguarit”. Ata kuptuan se Allahu ua kishte theksuar, se ky i dërguar ishte shembulli i lartë i sjelljes dhe i besimit tek Allahu dhe Dita e Fundit. Ata kuptuan se duhet ta duan dhe ta ndjekin atë.
Ata kuptuan më tej nivelet e kërkuara për ta ndjekur profetin siç duhet dhe me të vërtetë, ku varej besimi i vërtetë tek Allahu: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre…”. Por ta bësh profetin gjykatës nuk mjafton, kjo duhet të bëhet pa ndonjë rezervim kundrejt profetit dhe vendimit të tij: “…e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt…”. Edhe ky pranim i pastër i gjykimit të profetit nuk mjafton. Ata duhet ta pranojnë plotësisht zemrën, mendjen dhe shpirtin e profetit (a.s).: “…dhe (derisa) të mos binden sinqerisht”[1]
Ata vunë re gjithashtu, se Allahu e kishte bërë këtë dashuri dhe ndjekjen e profetit të Tij gjënë më të lehtë dhe më të natyrshme në botë për njerëzit me zemër të fortë, sepse profeti i bekuar përfshinte të gjitha cilësitë njerëzore të imagjinueshme. Ata e kuptuan më shumë këtë, kur vetë Allahu theksoi se çfarëdo karakteri i mrekullueshëm njerëzor të ekzistonte, profeti e zotëronte atë, madje dhe më shumë.
Prandaj duke dëgjuar Kuranin e mrekullueshëm dhe duke pranuar mesazhin e tij, shokët e profetit e kuptuan, se mësimi dhe vënia e tij në praktikë kërkonin studimin, kuptimin dhe imitimin absolut të vetë profetit (a.s). Këta njerëz të zgjuar dhe pragmatikë, të cilët Allahu i zgjodhi si shokët dhe miqtë e profetit të Tij të dashur, i vunë vetes detyrën e bindjes, ndjekjes, imitimit dhe dashurisë për profetin Muhamed (a.s), ashtu si asnjë lider apo shpëtimtar nuk ishte ndjekur, dashur apo imituar më parë.
Kështu ata mësonin nga profeti dhe bënin adhurimin me profetin (a.s). Ata lëviznin me profetin dhe pushonin me të. Ata përpiqeshin të shikonin përmes syve të tij, të dëgjonin me dëgjimin e tij, të luftonin kur ai luftonte, të bënin paqe kur ai e bënte këtë gjë, të shijonin atë që ai shijonte, të donin atë që ai donte dhe të urrenin atë që ai urrente. Ata dëshironin të kishin mendimet e tij. Ata dëshironin ta vizitonin, ta shikonin dhe të dëgjonin prej tij. Ata jetonin për të qenë mburojat e tij njerëzore nga shigjetat dhe shtizat, apo të jepnin jetën për ta mbrojtur atë. Kur ai fliste, ata ishin shumë të vëmendshëm. Ata ishin shumë të kujdesshëm në praninë e tij në mënyrë që të kuptonin, të mësonin përmendësh, t’i bindeshin dhe t’ia mësonin njëri-tjetrit gjithçka që ai thoshte apo bënte. Ata e dinin se Allahu i kishte ndryshuar plotësisht në duart e tij, duke e kthyer njeriun më të thjeshtë prej tyre, në reformuesin e gjithë njerëzimit!
Profeti (a.s) i nxiti ata dhe tha: “Allahu e bën dritë fytyrën e robit që regjistron dhe përçon atë që dëgjon nga unë”. “Transmetojeni fjalën time. Ata që janë të pranishëm le t’i mësojnë ata që nuk janë”. Ai tregoi gojën e tij dhe tha: “Prej këtu del vetëm e vërteta”.
Atëherë Allahu i bëri ata në duart e profetit, mësuesit e përkryer të shtresës së ardhshme e kështu me radhë: “Në çdo brez që do vijë njerëzit e drejtë do ta transmetojnë këtë dije me radhë….” “Kjo dije është feja, prandaj, kini kujdes nga kush e merrni atë…”.
Shokët e dinin më mirë se kushdo tjetër, se ai ishte qenie njerëzore dhe ata panë tek profeti (a.s), përsëri më mirë se kushdo tjetër, një Kuran të gjallë që pasurohej pafundësisht me të gjitha llojet e cilësive të përsosmërisë. Arabët e sinqertë regjistruan “urtësinë” e tij profetike, që Allahu e përmend në shumë ajete, që i referohet asaj që ne e quajmë Suneti i profetit (a.s). Ai përfshin jo vetëm ato që duhen dhe që s’duhen bërë në fe, të cilat shpjegojnë dhe ilustrojnë vendimet kuranore, por edhe betejat e tij historike, traktatet, sundimin e tij, udhëtimet, martesat etj. të cilat ne i quamë Sira; gjendjen e tij, karakterin, moralin, tiparet morale dhe psikologjike, të cilat formojnë gjininë që e quajmë Shemail; dhe karakteristikat e tij shumë të veçanta dhe specifike, që i quajmë Khasais.
Kjo urtësi profetike e Sunetit vjen tek ne në formën e thënieve të transmetuara, të cilat në arabisht quhen hadithe. Ajo që është e rëndësishme është se ky Sunet dhe ata që e venë atë në praktikë prej të afërmve të Allahut, përfaqësojnë profetin mes nesh – një trup i gjallë i dijes dhe praktikës profetike, prej të cilës umeti nuk do të ndahet asnjëherë, pa të cilën nuk ka Kuran, dhe prej të cilët Kurani nuk ndahet, derisa të dyja të kthehen tek profeti në parajsë.
Paraardhësit tanë e kishin këtë përgjegjësi dhe besim të madh. Ata transmetuan në mënyrë kolektive dhe individuale gjithë informacionin, që Allahu donte që bashkësia e fundit e mëshiruar e njerëzimit ta merrte dhe ta ruante. Asnjëri tjetër nuk mund ta bënte punën e tyre më mirë se ata, sepse ata ishin të zgjedhurit e Allahut. Ai ishte dhe është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të, Ai i do ata dhe ata e duan Atë. Allahu thotë: “Muhamedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në ruku), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (Allahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh”[2]
Allahu i lartë i zgjodhi ata dhe ata janë të drejtët. Ai i bëri ata me kujtesë të fortë, me gjuhë të saktë, të njohur me karakterin e profetit dhe zotërues të shpalljes që ai kishte sjellë, Kuranin dhe Sunetin në gjuhën, kuptimet, shpjegimet dhe zbatimin e tij.
Krijuesi e bëri dijen për hadithin dhe shkencat që lidhen me të karakteristikën ekskluzive të qytetërimit mysliman. Të vetëm mes kombeve që vinin në tokë, umeti e mori dhe e ruajti këtë besim hyjnor bashkë me Kuranin dhe ua kaloi brezave pasues të pandryshuar me një sërë disiplinash të përmirësuara për verifikimin dhe vërtetësinë e tyre.
Mes këtyre disiplinave, kritika dhe metodologjia e hadithit siguruan, se asgjë e huaj nuk ka hyrë në Sunetin e profetit, që është transmetuar nga transmetuesit e saktë dhe të drejtë, të njohur si të besueshëm. Kur e pyetën Ibn al-Mubarakun për hadithet e trilluara ai u përgjigj: “Dijetarët e mëdhenj i përjashtojnë ato!”. Pastaj lexoi: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”[3]. Pra ai përsëriti në mënyrën më të saktë se Suneti profetik dhe hadithi autentik janë pjesë përbërëse e Shpalljes së fundit – gjë që asnjë mysliman nuk e mohon! – dhe se Ligjvënësi e ruan librin (Kuranin) e Tij nëpërmjet mjeteve më të sigurta njerëzore të imagjinueshme.
Për këtë qëllim shokët e profetit dhe trashëgimtarët e tij të njohur si huffaz, i bënë të gjitha përpjekjet. Ata ishin mbrojtës të Allahut nga akuzat e rreme, ruajtësit, kujdestarët e besimit. Me kujtesën e tyre fotografike, me shishe boje në duar ata gjurmonin thënien e profetit dhe transmetuesit e saj deri në fund të botës, pa ngrënë dhe pa pirë, duke shitur rrobat që kishin dhe duke ngrënë bar kur ishte e nevojshme ashtu si Muhamed ibn Ismail Buhariu, duke humbur shikimin nga puna e gjatë e natës me qiri, ashtu si i ndodhi studentit të palodhur Abu Isa al-Tirmidhi, duke shqyrtuar thëniet e vërteta nga të pavërtetat, të saktat nga të dobëtat, profetiket nga joprofetiket, ato me zinxhir të ndërprerë dhe hadithet e trilluara, për të jetuar vetëm për tre fjalë “Kale Resul Allahi“, të cilat i përpiluan në manualë dhe u dhanë emra të ndryshëm si:
– Përpilimet e llojit Xhami, d.m.th enciklopedi të përshtatura sipas nënndarjeve të aktualitetit. Për shembull, nga Sufjan al-Theuri, Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu…
– Përpilimet e llojit Muvata, Musnaf dhe Athar, që përqendrohen tek vendimet ligjore dhe përfshijnë fetva joprofetike. Për shembull nga Maliku, Abd Razzaq dhe Ebu Hanife.
– Përpilimet e llojit Sunen: si lloji i mësipërm, por përbëhen vetëm nga tregimet profetike, për shembull Suneni i Ebi Davudit, i Nasait, Tirmidhiut, Ibn Maxhes, Darimiut e të tjerë.
– Përpilimet e llojit Musned, për shembull nga Imam Ahmedi dhe Ishaq ibn Rahujah.
– Përpilimet e panumërta të llojit Xhuz d.m.th. “monogramet” për një temë të vetme ose nga një tregimtar i vetëm e kështu me radhë.
– Përpilimet e llojit Muxham d.m.th. Musnadet alfabetike të shokëve ose autoriteteve të tjera që transmetojnë nga shokët e profetit, për shembull veprat e al-Taberanit.
Mes dorëshkrimeve të përmbledhjeve të panumërta të haditheve të përpiluara në shekullin e parë të hixhrit, të cilat janë ruajtur, janë: al-Sahifat al-Sadika i Abdullah ibn Amr ibn al-Asit, që fillimisht përmbante rreth 1 000 hadithe, prej të cilave vetëm 500 kanë ardhur deri në ditët tona , të cilat janë shkruar nga Abdullahu direkt nga profeti dhe janë transmetuar për ne nga stërnipi i tij Amr ibn Shuajbi; al-Sahifa al-Sahiha i Hammam ibn Munabbih që ka arritur deri në ditët tona i plotë në dy dorëshkrime që përmbajnë 138 hadithe të transmetuara nga Hammami nga Ebu Hurejra nga profeti; dhe në shekullin e dytë të hixhrit Musanafi i mësuesit jemenas të hadithit Abd al-Razzaq ibn Hamam ibn Nafi al-Sanani, që përfshin përmbledhjen e mësuesit të tij Mamar ibn Rashid al-Azdi, të dy burime kryesore të dy imamëve të mëdhenj Buhariut dhe Muslimit në “Sahih“-ët e tyre dhe me 21 000 transmetimet e tij, është burimi më i madh autentik i hadithit ekzistues.
Sirat më të hershme ose biografitë profetike janë dorëshkrimet e humbura të Abanit (105), djali i Uthman ibn Afanit (35), prej të cilit ka transmetuar Muhamed ibn Ishaq ibn Jasej el-Muttalibi (80-150/152); veprat e përfunduara të Urëas (92-95), djali i al-Zubejr ibn al-Avam dhe nipi i Esmës dhe Aishes, vajzat e ditura të Ebu Bekrit të sinqertit, që urdhëroi të digjeshin, pasi ua kishte mësuar të tjerëve gjatë gjithë jetës, gjatë plaçkitjes së Medinës nga ushtritë e Sirio-Palestineze nën drejtimin e Jazid ibn Muavijeh në vitin 63; Sira më e besueshme e Muhamed ibn Shihab al-Zuhrit, një pjesë të madhe të së cilës e mori Ibn Is`haq; Maghazi dhe Manakib al-Sahaba e Asim ibn Umar ibn Katada ibn al-Numan al-Ansari (120 ose 129), një burim tjetër kryesor thika nga Ibn Ishaq dhe al-kakidi; vëllimi i Abdullah ibn Ebi Bakr ibn Muhamed ibn Amr ibn Hazm el-Ansari (135), një burim tjetër kryesor për Ibn Is`haq, al-Ëakidi, Ibn Sadin dhe Tabarin; Sira më e besueshme dhe e ruajtur pjesërisht e Musa ibn Uqba al-Asadi (141), e lavdëruar nga Imam Maliku dhe e përdorur nga Ibn Sadi dhe al-Tabari; Sira e Muhamed ibn Is`haq, e lavdëruar nga Imam Shafiiu, dorëshkrimi më i vjetër i ruajtur; Maghazi i Ibn A\’idh al-Azdi; dhe al-Ridda ual –Futuh e Sajf ibn Umer al-Tamimi (200). Një bashkëkohës i Ibn Is`haq, dijetari Muhamed ibn Umer ibn Uakid el-Aslami al-Vakidi (207) përpiloi mes të tjerave Maghazi dhe Futuh al-Sham. Ai është burimi kryesor i Imam al-Taberi (310) në Tarikh-un e këtij të fundit dhe nxënësi dhe shkruesi i tij Muhamed ibn Sad u mbështet shumë tek ai për “Tabakat“-in e tij.
Mësuesit e hershëm dhe të mëvonshëm kanë projektuar mënyra shkencore të sinkronizuara për verifikimin e vërtetësisë së hadithit. Hadithet e dy sahihëve të Buhariut (194-256) dhe Muslimit (204-261) dhe Muvatas së Imam Malikut (93-179) janë të vërtetë dhe nuk kanë nevojë për verifikim të mëtejshëm. Për sa i përket besueshmërisë, pas tyre vijnë sunenet e mësuesve të mëdhenj, Tirmidhiut (210-279), Ebu Davudit (202-275), Nasait (215-303), Darimit (181-250) dhe Ibn Maxhe(207-273) si dhe Musnadi i Imam Ahmed ibn Hanbelit (164-241). Pastaj vijojnë (sipas rëndësisë) përmbledhjet më të vogla si Sahihu i Ibn Huzejme(223-311), treçereku i të cilit është humbur; ai i studentit të tij Ibn Hibban (354); al-Ahadith al-Xhuad Mukhtara i al-Dija Makdisit(567-643); al-Sunan al-Sihah i Ibn al-Sakanit (294-353); al-Muntak min al-Sunan al-Musnada i Ibn al-Jarudit (307); Musnadi i Abu Auana (316); Mustadraku i al-Hakimit (321-405). Pastaj vijnë sipas rendit kronologjik përpilimet e Ebu Davud al-Tayalisit (204), Ibn Abi Shayba (235), Ibn Abi Asim (287), al-Harith ibn Abi Usama (282), al-Bazzar (215-292), Abu Yala (210-307), al-Tahaui (229-321), al-Tabarani (260-360), al-Darakutni (306-385), Abu Nuaym (336-430), al-Bayhaqi (384-458), al-Khatib al-Bakhdadi (392-463), al-Baghau (516), Ibn Asakir (499-571) dhe shumë të tjerë duke përfshirë burimet e Siras që janë përmendur më lart.
Hadithet e trilluara janë identifikuar dhe nuk lejohet që ato të përdoren apo te transmetohen si hadithe profetike. Dija parandaluese e haditheve të trilluara është një pjesë e domosdoshme e shkencës së hadithit. Këshillë për këtë është vendimi i autoriteteve të kësaj shkence. Profeti thoshte herë pas here: “Mos i thoni fjalët e mia përveç se kur jeni të sigurt për ta. Ai që gënjen për mua me dashje, ai do ta marrë që tani vendin e tij në zjarr!”. Ky kërcënim i tmerrshëm u drejtohet jo vetëm atyre që gënjejnë qëllimisht, por edhe atyre myslimanëve që kanë qëllim të mirë, të cilët në rrjedhën e dauas apo në ndonjë mënyrë tjetër, zakonisht i atribuojnë profetit çështje të pavërtetuara. Qëllimet e tyre të mira le të mos bëhet ligji i tyre mbi urdhrin e theksuar të Ligjvënësit! Ne i përkasim Allahut dhe tek ai do të kthehemi.
Kjo ishte shkurtimisht historia e hadithit profetik, origjina e tij dhe si u përpilua. Allahu e bekoftë profetin, familjen dhe shokët e tij dhe qoftë i kënaqur me të gjithë dijetarët e sinqertë dhe studentët e hadithit deri në Ditën e Gjykimit!
[1] – Sure Nisa: 65.
[2] – Sure Muhamed: 29.
[3] – Sure Hixhr: 19.



















