Historia e shkencave kuranore

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Shkencat kuranore zënë fill qysh në çastin e zbritjes së ajeteve të para të Kuranit në shpellën Hira. Qysh me zbritjen e ajeteve të para, marrin jetë këto disiplina kuranore: shpallja, pjesa e parë e shpallur, kiraetet e Kuranit etj. Në vazhdimësi të Shpalljes u plotësuan llojet e tjera të disiplinave kuranore. Megjithëse këto shkenca nuk ishin të kodifikuara, apo të sistemuara në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe të sahabëve, ato ishin të rrënjosura natyrshëm tek ai brez, por për rrethanat e asaj kohe nuk ishte e nevojshme kategorizimi i tyre, ashtu siç i njohim sot.

Uthman ibn Afani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai, i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve[1] Do të ishte e gabuar të mendohej, se hadithi ka për qëllim vetëm mësimin përmendësh të Kuranit dhe mësimin e tij (Kuranit) të tjerëve. Ky hadith është përgjithësues dhe jo specifik, prandaj me të drejtë mund të thuhet, se ky hadith përfshin të gjitha llojet e disiplinave kuranore, si: mësimin përmendësh tëKuranit, shpjegimin e tij, analizat e  ajeteve të tij, etj.

Abdurrahman Sulemi – i cili e transmeton këtë hadith nga Uthmani (r.a) thotë: “Na kanë treguar ata, të cilët na lexonin Kuranin – Uthman ibn Afani, Abdullah ibn Mesudi dhe shumë të tjerë – se mësonin 10 ajete nga i Dërguari i Allahut (a.s) dhe nuk mësonin të tjera, pa ditur atë që kërkohej prej ajeteve dhe pa i zbatuar ato”

Abdullah ibn Mesudi (r.a) thotë: “Betohem në Allahun, i Cili është Një dhe nuk ka zot tjetër përveç Tij! Nuk ka ndonjë sure në Kuran, që të mos e di se ku (në ç`vend) është shpallur dhe nuk ka ndonjë ajet në librin e Allahut, që të mos e di se për kë është shpallur. Betohem në Allahun! Nëse do të kishte një person tjetër që e di Kuranin më mirë sesa unë dhe do të më duhej të udhëtoja me deve

për të arritur tek ai, do të nisesha”[2]

I Dërguari i Allahut (a.s) i kushtonte rëndësi mësimit të dijeve të Kuranit, gjë që pasqyrohet në lutjet e tij (a.s) dhe në zellin e sahabëve për të përvetësuar nga oqeani i dijeve kuranore. Abdullah ibn

Abasi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) më përqafoi dhe tha: “O Allah! Mësoja këtij Librin (Kuranin)[3] Në një transmetim tjetër qëndron: “O Allah! Mësoja urtësinë dhe shpjegimin e Librit[4] Kjo lutje përfshin disa disiplina kuranore, si: mësimin përmendësh të Kuranit, kira`etet(17) dhe llojet e tij, njohjen e shpalljes së Kuranit (vahjin), njohjen e shkaqeve të zbritjes së Kuranit, ajetet muhkem dhe muteshâbih, ajetet anuluese dhe të anuluara etj. Në hadith është bërë lutje posaçërisht për komentimin e Kuranit. Dihet se komentuesi i Kuranit e ka për detyrë, që të njohë të gjitha shkencat që kanë të bëjnë me Kuranin.

Gjatë shpjegimit të ajetit: “Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe[5] Ibn Abasi (r.a) thotë: “Bëhet fjalë për diturinë mbi Kuranin: ajetet e anuluara dhe anuluese, ajete e qarta dhe të paqarta, ajetet e zbritura në fillim dhe ajetet e zbritura në fund të Shpalljes, hallallin dhe haramin, si dhe shembujt

kuranorë”

Tek brezi i sahabëve dhe i tabi`inëve, koncepti i shkencave kuranore ka qenë shumë më i gjerë sesa konceptimi dhe përkufizimi që i bëhet Kuranit në ditët e sotme, pasi në atë kohë, çdo gjë që kishte lidhje me Kuranin, konsiderohej shkencë apo disiplinë e tij.

Shkrimi i shkencave kuranore

Shkrimi në fushën e Kuranit ka filluar në kohën e tabi`inëve. Në atë kohë, tefsiri i Kuranit (komentimi i tij) ishte shqetësimi i tyre, kështu që ata përpiluan shumë libra në këtë fushë. Sidoqoftë, kushdo që lexon librat e shkruar për tefsirin e asaj kohe, do të gjejë disiplina të ndryshme të shkencave kuranore si: suret e shpallura në Meke dhe në Medine, shkaqet e shpalljes së Kuranit, llojet e kiraeteve, tregimet kuranore, ajetet e anuluara dhe anuluese etj.

Nga të parët që kanë shkruar në fushën e tefsirit janë:

Said ibn Xhubejri (49-95 Hixhri / 664-714). Ai ka shkruar një tefsir të Kuranit me kërkesë të kalifit Abdulmelik ibn Meruan (26-86 Hixhri / 646-705).

Muxhahid ibn Xhibr (21-104 Hixhri / 642-722). Ai ka shkruar një tefsir të Kuranit, duke u bazuar tek komentet e Ibn Abasit (r.a). Gjithashtu edhe Kasim ibn Ebi Beze (v. 115 Hixhri / 733) shkroi një tefsir Kurani, duke u bazuar në komentet e Muxhahidit.

Hasan Basriu (24-110 Hixhri/ 642-728). Ai ua ka diktuar tefsirin e tij nxënësve të tij, të cilët më pas e shkruajtën atë.

Atije Aufi (v. 111 Hixhri / 729). Ai ka shkruar një libër tefsiri me komentet e Ibn Abasit (r.a).

Prej atyre që dallohen për shkrimin e librave të tefsirit në kohën e tabi`inëve dhe brezit pas tyre përmendim gjithashtu:

Abdulmelik ibn Xhurejxhi (80-150 Hixhri / 699-767),

Mukatil ibn Sulejmani (v. 150 Hixhri / 767),

Sufjan Theuri (97-161 Hixhri / 716-778),

Uekia ibn Xherah (129-197 Hixhri / 746-812) dhe

Jahja ibn Selam (124-200 Hixhri / 742-815).

Në këtë kohë kemi përpjekjet e para për shkrimin e librave, që trajtojnë çështje të ndryshme të shkencave kuranore. Nga librat më të njohur që trajtojnë disiplina të veçanta kuranore të asaj kohe janë:

El-Mektû`a ue`l-Meusûl” me autor Abdullah ibn Amir Jahsabi (21-118 Hixhri / 642-736). Libri shqyrton mënyrën e leximit të fundit dhe fillimit të ajeteve, se ku duhet ndaluar gjatë leximit, ku duhet vazhduar leximi etj.

En-Nâsikhu ue`l-Mensûkh” me autor Hamam ibn Jahja (80 – 164 Hixhri / 699-781) i cili ka bërë përmbledhjen e fjalëve që ka dëgjuar nga Katade ibn Duame (61-117 Hixhri / 680-736). Libri shqyrton ajetet e anuluara dhe anuluese.

“Tenzîlu`l-Kurâni bi Meke ue`l-Medine” me autor Zuhriun (58-124 Hixhri / 678-742). Libri shqyrton suret që janë shpallur në Meke dhe ato që janë shpallur në Medine.

“En-Nâsikhu ue`l-Mensûkh” me autor Zuhriun. Libri shqyrton ajetet e anuluara dhe anuluese.

El-Vuxhûh ue`n-Nedhâir” me autor Mukatil ibn Sulejman. Libri studion homonimet, fjalë që shkruhen dhe shqiptohen njësoj, por që kanë kuptime të ndryshme.

Muteshâbihu`l-Kurâni” me autor Mukatil ibn Sulejman. Libri shqyrton ajetet e muteshâbih.

Uakfu`t-Tamâm” me autor Nafi` ibn Abdurrahman ibn Ebi Nuajm (70 -169 Hixhri / 689-785). Libri shqyrton mënyrën e leximit të ajetit apo leximit të fjalës së fundit të tij.

Meâni`l-Kurân” me autor Hamza Kesai (119-189 Hixhri / 737 – 805). Libri shpjegon fjalët kuranore nga ana gjuhësore.

Garîbu`l-Kurân” me autor Muerixh Sudusi (v. 195 Hixhri/ 810). Libri shpjegon fjalët e rralla në Kuran.

“Mushkilu`l-Kurâni” me autor Muhamed ibn Mustenir (v. 206 Hixhri / 821). Libri shqyrton ajetet muteshâbih.

Mexhâzu`l-Kurâni” me autor Ebu Ubejdeh Muamer ibn Muthena (110- 209 Hixhri / 728-824). Libri shqyrton alegorinë në Kuran.

Fadâilu`l-Kurâni” me autor Ebu Ubejde Kasim ibn Selam (157- 224 Hixhri / 774-838). Libri shqyrton vlerat e mësimit të Kuranit, si dhe vlerat e sureve dhe ajeteve të tij.

Esbâbu`n-Nuzûl” me autor Ali ibn Medini (161-234 Hixhri / 778-849). Libri trajton shkaqet e zbritjes së ajeteve dhe sureve të Kuranit.

Meritën më të madhe për shkrimin e një libri, që përmbledh pjesën më të madhe të disiplinave kuranore e ka Harith Muhasibi me veprën e tij “Fehmu`l Kuran”. Gjithashtu edhe Muhamed ibn Ali ibn Ahmed Udfuvi është nga të parët, që ka shkruar në këtë fushë dhe libri i tij titullohet “El-Istigna fi Tefsiri`l-Kuran”.

Më pas, shkencat kuranore morën hov të madh dhe pas shekullit V Hixhri u shkruan shumë libra për disiplinat kuranore, ku ndër më të rëndësishmit përmendim:

El-Burhân fî Ulum Tefsîri`l-Kurân” me autor Ali ibn Ibrahim ibn Said Hufi. Pjesa më e madhe e studiuesve e konsiderojnë atë si themeluesin e shkencave kuranore.

El-Hidâje ilâ Bulûgi`n-Nihâje” me autor Meki ibn Ebi Talib (335-437 Hixhri / 966-1043).

Et-Tahsîl li Fevâidi`l-Kitâb” me autor Ahmed ibn Amar Mehdevi (v. 440 Hixhri / 1048).

Funûnu`l-Efnân fî Axhâib Ulûmi`l-Kurân”, me autor Ibn Xheuzi (510-597 Hixhri / 1116-1201).

Shekulli i VIII dhe IX Hixhri konsiderohet epoka e artë e shkrimit të shkencave kuranore. Në këtë periudhë dallohen këto libra:

El-Muxhtebâ fî Ulumi Tete`aleku bi`l-Kurâni” me autor Ibn Xheuzi.

Xhemâlu`l-Kurâ” me autor Alemudin Sakhaui (558- 643 Hixhri / 1163-1245).

El-Murshidu`l-Uexhiz fî Ulûmi Tetaleku bi`l-Kurâni`l-Azîz” me autor Ebu Shame (599-665 Hixhri / 1202-1267).

El-Burhânu fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Zerkeshin (745- 794 Hixhri / 1344-1392).

Mevâkiu`l-Ulûmi fî Mevâkiu`n-Nuxhûm” me autor Xhelaludin Bulkini (762-824 Hixhri / 1361-1421).

Et-Tejsîr fî Kavâid Ilimi`t-Tefsîr” me autor Muhamed ibn Sulejman Kafixhi (788-879 Hixhri / 1386-1474).

El-Itkân fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Xhelaludin Sujutin (849-911 Hixhri / 1445-1505).

Et-Tahbîr fî Ulûmi`t-Tefsîr” me autor Xhelaludin Sujutin.

Ez-Zijâde ue`l-Ihsân fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Ibn Akile Meki (1100-1150 Hixhri / 1688-1737).

Epoka e rizgjimit

Pas imam Sujutit nuk është se kemi ndonjë përpjekje të madhe apo interesim për disiplinat kuranore. Në fillimet e shekullit XX kemi rizgjimin e shkencave kuranore, në shkrimin dhe studimin e tyre. Në këtë kohë, shumë dijetarë iu qasën shkencave kuranore në mënyrë të strukturuar. Nga librat më të njohur të kësaj periudhe janë:

Mehâsinu`t-Te`uîli” me autor Xhemaludin Kasimin (1300-1367 Hixhri / 1883-1914).

Menâhilu`l-Irfâni fî Ulûmi`l-Kurâni” me autor Abduladhim Zerkanin (v. 1948).

Et-Tibjân li Badi`l-Mebâhithi el-Mutealikati bi`l-Kurân” me autor Tahir ibn Ashur (1296-1393 Hixhri / 1879-1973).

Mebâhith fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Subhi Salih (1345-1407 Hixhri / 1926-1986).

Mebâhith fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Mene`a Katan (1345-1420 Hixhri / 1925-1999).

El-Mukaddimât El-Esâsije fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Abdullah ibn Jusuf ibn Xhudeja (lindi në vitin 1378 Hixhri / 1959).

Libri më i mirë në fushën e shkencave kuranore është El-Itkân fî Ulûmi`l-Kurân. Të gjithë ata që kanë shkruar më pas për shkencat kuranore, janë bazuar në këtë libër unik dhe të veçantë.

Në ditët tona, nga librat më të mirë të shkruar mbi shkencat kuranore janë:

Mebâhith fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Mena Katan,

Mebâhith fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Subhi Salih dhe

El-Mukaddimât El-Esâsije fî Ulûmi`l-Kurân” me autor Abdullah Xhudej.

Në fushën e disiplinës së komentimit të Kuranit, nga librat më të mirë dhe gjithëpërfshirës është libri “Et-Tefsîr ue`l-Mufessirûn” me autor Dr. Muhamed Dhehebiun.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Buhariu (5027).

[2] – Buhariu (5002).

[3] – Buhariu (72).

[4] – Buhariu (3756).

[5] – Sure Bekare: 269.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.