Humbja e Erdoganit midis zemërimit të lëvizjes islame dhe orientimit nacionalist të shtetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Përmes këtij tiulli i referohem rezultatit të zgjedhjeve lokale që u zhvilluan në Turqi më 31/03/2024 si paralajmërim për partinë në pushtet. Së pari, ne duhet të jemi mirënjohës ndaj presidentit Rexhep Taip Erdogan, i cili i ka ofruar shumë orientimit fetar islam dhe  është vënë në shërbim të popullit turk. Ai është presidenti i vetëm – ndoshta në botë – që është vendosur në fronin e pushtetit për 22 vite të tëra, në majën e piramidës i papërlyer larg manifestimit të dhunës e terrorit. Ai arriti të ketë sukses në modifikimin e shumë prej shtyllave të shtrembërta e të padrejta të shtetit turk. Por gjithashtu, ne duhet të theksojmë se hipja dhe vazhdimësia e tij në fron, nuk ka ardhur si rezultat i vendosjes së programeve që janë në shërbim të qytetarit turk. Në të gjitha zgjedhjet, specifikisht në rajonin tonë, mendimi dhe pikëpamja e përgjithme për jetën është një faktor nxitës për të qenë pro ose kundra. Në shumicën e rasteve, ky mendim qëndron në krye, sepse ka ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Kjo është një prej atyre diferencave midis Lindjes dhe Perëndimit, për shkak se feja luan një rol të madh në orientimin e mendjes dhe shpirtit tek njeriu në Lindje. Një personalitet si ai i Rexhep Taip Erdoganit dhe stafit me të cilin ai ka punuar ka një histori dinjitoze dhe është burim krenarie, vetëm se çështja nuk është më si më parë. Përgjatë tri viteve të kaluara, disa prej themeleve tek të cilat bazohej pikëpamja politike e Erdoganit kanë ndryshuar. Disa prej këtyre themeleve kanë lidhje me politikën e jashtme dhe të tjera kanë lidhje me politikën e brendshme të Turqisë, duke ditur se status quoja e politikës botërore, çështjet e brendshme dhe të jashtme, në shumicën e rasteve unifikohen dhe ndërthurren me njëra-tjetrën.

Pas revolucionit të Pranverës Arabe dhe suksesit të kundërshtarëve të tij, Erdogani u detyrua, pas një rezistence të gjatë dhe dështimit të komplotit kundër tij, të përballonte situatën e re, e cila erdhi si pasojë e përmbysjes së revolucionit. Më pas i erdhi rradha Tufanit të Aksasë dhe luftës së padrejtë të cilën e inicioi pushtuesi ndërkombëtar kundra Gazës. Mirëpo ajo që ndodhi ishte vërtet befasuese,sepse Erdogani vendosi një mur ndarës (barrierë) midis tij dhe luftës duke vepruar në kundërshtim me pritshmëritë. Ai u soll njëlloj si çdo shtet tjetër tradicional që nuk i intereson asgjë që po ndodh përveçse zhurmës mediatike. Ai iu nështrua plotësisht kërcënimeve të Amerikës dhe bëri të ngrijë këndvështrimin konceptual.

Rezultati ishte sa më poshtë:

1 – Lëvizja islame turke – relativisht – nuk ka humbur vetëm krahun konservator brenda shoqërisë, të atyre që në rradhë të parë vërejnë shërbimet dhe më pas në sferën morale dhe sociale, por ajo humbi edhe publikun i cili përfaqëson vizionin gjithpërfshirës islam të jetës dhe që me njerëzit dhe ngjarjet sillet mbi bazë të tij (vizionit islam), sepse publiku e shikon dhe e vlerëson politikën mbi bazë të fesë. Ajo humbi gjithashtu edhe lëvizjen globale islame, e cila e ka pasë përkrahur atë plotësisht, punonte në interes të saj brenda Turqisë dhe që i orientoi politikanët dhe opinionistët të qëndronin në krahun e saj dhe ta mbështetnin atë për shkak të suksesit që kishte dhe projektit që mbarte. Lëvizja globale islame i dha asaj një dimenson arab, islam dhe ndërkombëtar duke i dhënë një atmosferë madhështie. Mirëpo “netrualiteti negativ” që ai mbajti karshi gjenocidit që u ushtrua ndaj Gazës, gjenocid që asnjë stilolaps nuk mund ta shkruajë, asnjë shkrimtar nuk mund ta përshkruajë dhe asnjë poet nuk mund të thurrë vargje,  përballë këtij gjenocidi të paprecedentë, ai nuk bëri asgjë, sakaq kishte mundësi të bënte shumë gjëra. Qëndrimi i tij ishte i ngjashëm me qëndrimin e çdo kryetari shteti, i cili mendonte vetëm si ta shmangte fatkeqësinë nga vetja e tij, megjithëse mbështetja ndaj Gazës jo domosdoshmërisht nënkupton luftë frontale nga toka dhe ajri. Ai kishte mundësi të pezullonte marrëdhëniet me Izraelin dhe ky si veprim është më pak se embargoja, të mbyllte rrugët e anijeve që lundronin në ujërat e Turqisë drejt Izraelit, të cilat nuk kontrolloheshin, apo të mbyllte ato porte detare të cilat Izraeli i përdor për import. 40% e naftës që shkon në Izrael kalon nga porti detar i Ceyhanit në Turqi. Këto ishin kërkesat e përkrahësve të projektit islam dhe të publikut të tij, të cilët përbëjnë frontin popullor me rrënjë të thella dhe një shtrirje të gjerë në mbarë Turqinë. Ai nuk bëri asgjë, i shpërfilli dëshirat e tyre primare ashtu sikur bëri edhe me shkrimet e tyre. Atij i erdhi një paralajmërim në mënyrë të tërthortë, i shkruar nga miku i tij i vjetër dhe një vëlla i afërt, Doktor Mehmet Gormez, ish kreu i çështjeve fetare turke, dijetari i njohur. Në rrjetet sociale ai shkruajti: “Çdo shtet islam dhe çdo udhëheqës i botës islame deri diku është i justifikuar në lidhje me vonesën e mbështetjes ndaj vëllezërve të tij, pavarësisht faktit se është apo ajo i sinqertë. Megjithatë unë i them të gjithëve se interesat politike, bisedimet diplomatike dhe lufta mediatike nuk do të shpëtojnë asnjërin prej jush në llogarinë që do të japë tek Allahu në Ditën e Kijametit, kur të qëndrojë përpara Tij dhe të japë llogari për masakrën që ndodhi në pragun e tij, të japë llogari se e ka dëgjuar klithmën e vëllezërve të tij që vriteshin dhe nga frika për veten apo për pushtetin nuk bëri asgjë.” Që do të thotë se ai ka qëndruar si spektator dhe i kënaqur me pozitën e tij të prapambetur karshi dhimbjeve të Gazës, vetëm për të mbrojtur pushtetin e tij. Dhe me caktimin e Zotit të Madhërishëm ndodhi që ai nuk e përmbushi siç duhet detyrën që kishte ndaj Gazës dhe po ashtu nuk arriti të mbronte pushtetin e tij. Pak a shumë këto janë  shenjat.

2 – Aleanca e tij e detyruar me Partinë e Lëvizjes Nacionaliste nën drejtimin historik të Devlet Bahçeliut e shtyu atë drejt miratimit të propozimeve nacionaliste turaniane në qarqet e brendshme dhe të jashtme dhe e distancoi atë nga propozimet islame. Kjo ndodhi me dosjet nacionaliste të brendshme të cilat rrjedhin gjak, ndodhi me dosjet e çështjeve të jashtme dhe me arabët që jetojnë në Turqi, ndodhi me opozitën siriane e cila është pranë Turqisë dhe që konsiderohet krahu turk në Siri. Dimensioni nacionalist është prezent në marrëdhëniet me ta, që do të thotë se Partia e Lëvizjes Nacionaliste i ofroi shtetit turk një qasje nacionaliste ekstreme gjatë viteve të fundit, në kundërshtim me retorikën e lartë të udhëheqësve të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim që vë theksin në refuzimin ndaj racizmit. Më shumë se njëherë Erdogani kërcënoi se do të ndërmerrte masa ndaj atyre që do të ngacmonin të huajtë, por këto kërcënime nuk patën asnjë efekt. Dhe si rrjedhojë e kësaj, Turqia nga një shtet dhe vend prej të cilit shpresohej modeli islam i ringritjes u shndërrua në një shtet kombëtar turanik që punon për të forcuar marrëdhëniet me Evropën. U shfaqën shenjat e përfitimit të agresionit kundra Gazës dhe qëndrimi i saj ndaj çështjeve të Lindjes së mesme që është i ngjashëm me atë të shteteve tradicionale, prej të cilave nuk pritet asgjë e mirë. Kështu ajo e humbi tiparin dallues dhe shijen e veçantë që e kishte vendosur atë në pararojë të përkrahësve dhe masës së gjerë të njerëzve, të cilët më 15 Korrik të 2016 në urën e Bosforit nuk ngurruan të përballeshin me tanket që i shtypën dhe i copëtuan trupat e tyre. Gjithashtu kjo ishte një derë që çoi në humbjen e Lëvizjes Islame të jashtme dhe paralajmëroi se dora që luftoi për të u tërhoq nga pronari i saj.

Kjo nuk do të thotë se situata e shërbimit nuk ka një rol të dukshëm në ndikimin e rezultateve zgjedhore, por konkurenti që fitoi zgjedhjet nuk është më i mirë se ai, madje ai është më i keq. Ai nuk ka ofruar ndonjë gjë të rëndësishme për Stambollin, megjithatë ai fitoi për herë të dytë. Tani përballë humbjes së publikut kryesor, përkrahjes së fortë dhe humbjes së pushtetit, Rexhep Taip Erdogani qëndron midis dy zgjedhjeve: ose të korrigjojë busullën, ose mos të ketë përfundim të mirë.

Autor: Shiruan Esh Shemirani

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.