Hytbja e Profetit (a.s) në Tebuk

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në vitin 630 Profeti Muhamed (a.s) drejtoi një ekspeditë drejt Tebukut. Në Tebuk ai mbajti një hytbe klasike, që përmbledh shkurtimisht mesazhin e tij. Pasi e madhëroi dhe falënderoi Allahun e Lartësuar, Profeti (a.s) tha:

“Me të vërtetë, fjala më e vërtetë është Libri i Allahut. Fortesa më e besuar është fjala e mirë. Feja më e mirë është feja e Ibrahimit. Shembulli më i mirë është shembulli i Muhamedit. Fjala më e shkëlqyer është thirrja e Allahut. Tregimi më i mirë nga të gjithë tregimet është në këtë Kuran. Puna më e mirë, është ajo që kryet me vendosmëri. Gjërat më të këqija në fe janë ato gjëra, që kryhen pa leje. Rruga më e mirë është rruga, mbi të cilën kanë ecur profetët. Vdekja më fisnike është vdekja e dëshmorit. Verbimi më fatkeq, është mosbindja pas udhëzimit. Vepra më e mirë është ajo që është e dobishme. Udhëzimi më i mirë është ai që vihet në praktikë. Verbimi më i shëmtuar është verbimi i zemrës.

Dora që jep është më e mirë se dora që merr. E pakta që mjafton është më e mirë se ajo që është e tepërt dhe joshëse. Pendimi më i keq është ai që vjen kur vdekja të sheh në sy. Vetmia më e keqe është ajo që do të ndihet në ditën e Ringjalljes.

Disa njerëz nuk vijnë ndryshe në namazin e sabahut, vetëm se me mëdyshje dhe vonesë. Dhe disa prej tyre nuk e kujtojnë ndryshe Allahun, vetëm se me mosdashje. Gjuha që është e dhënë pas gjërave të rreme është burim mëkatesh.

Prona më e çmuar është pasuria e zemrës. Pasuria më e mirë është devotshmëria. Kulmi i urtësisë është frika ndaj Allahut, të Gjithëfuqishmit, të Lartit. Gjëja më e mirë që e mban zemrën gjallë, është besimi dhe bindja; dyshimi është dalje nga feja.

Vajtimi në ankth dhe lavdërimi i tepruar i të vdekurit është vepër pa dije. Tradhtia e shpie njeriun në zjarrin e Xhehenemit. Vera është qymyr zjarri. Poezia e turpshme është vepër e djallit. Vera është nëna e të gjitha të këqijave. Gjëja me e keqe që hahet është pasuria e jetimit. I bekuar është ai që e pranon këshillën e të tjerëve.

Secili prej jush do të kalojë në një vend katërkubikësh (në varr). Punët tuaja do të përcaktohen përfundimisht në botën tjetër. Ëndrra më e keqe është ëndrra e rreme. Çdo gjë e rezervuar është afër.

Të abuzosh me besimtarin është shkelje; të ngresh armët kundër tij është dalje nga feja. Ta përgojosh atë është mosbindje ndaj Allahut. Pacënueshmëria e pasurisë së tij është e ngjashme me atë të gjakut të tij.

Ai që betohet rrejshëm në emër të Allahut, ai e përgënjeshtron Atë. Ai që fal të tjerët, do të falet. Ai që fal të tjerët, do të falet nga Allahu për mëkatet e tij.

Ai që mban zemërimin, Allahu e shpërblen atë. Ai që i përballon fatkeqësitë me durim, Allahu ia kompenson atij. Ai që punon vetëm për famë dhe emër, Allahu e poshtëron atë. Ai që duron dhe vetëpërmbahet, Allahu i jep atij shpërblim të dyfishtë. Ai që nuk i bindet Allahut, Allahu e ndëshkon atë.

Kërkoj falje tek Allahu, kërkoj falje tek Allahu, kërkoj falje tek Allahu.

Autor: A.H. Sidikui

Përktheu: Ermira Dani

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.