Imam Shafi’i: Filozofi teolog (1/5)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ky emërtim nuk është pjellë e ideve të mia, por i përket lavdërimit që imam Ahmed ibn Hanbeli i bën imam Shafi’i-ut. Imam Ahmedi në këtë kontekst ka thënë: ”Shafi’iu është filozof në katër gjëra: në linguistikë, në divergjencat e njerëzve, në artikulime dhe në fikh (dispozitat juridike fetare)”[1].

Duket qartë se imam Ahmedi, në këtë thënie të tij, nuk nënkuptonte thjesht diturinë e Shafi’i-ut në këto çështje, por kishte për qëllim disponime edhe më të skajshme, sa i përket botëkuptimit linguistik dhe vetëdijes së tij shkencore mbi divergjencat. Nuk është aspak çudi që Shafi’iu [r.h] ishte filozof për sa në fjalë.

Ndërsa, sa i përket qenies së tij si teolog i përkushtuar ndaj Zotit, ky emërtim i atribuohet sepse ai natën e ndante në tre pjesë: Një të tretën për kërkimin e diturisë, një të tretën tjetër për të falur namaz dhe kryer adhurim nate dhe një të tretën për të fjetur[2].

Për më tepër, imam Ahmedi e kandidoi Shafi’iu-n për gradën e reformatorit të premtuar nga Profeti [a.s], gjë e cila vjen në hadithin e saktë: “Realiteti qëndron se Allahu i dërgon këtij kombi në krye të çdo njëqind vjeçari, dikë që t’ia reformojë atij fenë e tij”[3].

Imam Ahmedi [r.h] ka thënë: “Në qindëshen e parë ishte Omer ibn Abdulazizi, ndërsa në qindëshen e dytë ishte Shafi’iu[4]”.

Lindja dhe rritja e imam Shafi’i-ut [r.h]:

Shafi’iu është i pari, që shkroi një autobiografi. Ai e bëri këtë, duke u distancuar tërësisht nga mburrja dhe pretendimi fals, teksa dihet e vërteta se njeriu më i vlerësuar është ai njeri, që i njeh vlerat e tij personale. Janë thënë shumë fjalë të bukura për fëmijërinë e imam Shafi’i-ut.

Shafi’iu thotë: “Jam lindur në Askalan –territor palestinez në Rripin e Gazës-. Mamaja ime më barti për në Meke, kur unë isha dy vjeçar”[5].

Shafi’iu u lind në atë vit që vdiq Ebu Hanifja, madje disa kanë thënë, se ai ka lindur pikërisht ditën në të cilën vdiq Ebu Hanifja, gjë që ka ardhur me një zinxhir të mirë transmetimi, por fjala ditë mund të merret në trajtën e përgjithshëm dhe jo atë të përveçme[6].

Shafi’iu [r.h] ka thënë: “Merresha shumë me qitje, aq sa doktori më thoshte: Kam frikë se do të të bjerë tuberkulozi për shkak të qëndrimit tënd të shumtë në zheg. (Tha:) Në dhjetë goditje, nëntë i godisja në shenjë”[7].

Imam Shafi’iu thotë gjithashtu: “Unë kam qenë jetim, në përkujdesjen e nënës sime. Ajo nuk kishte me se ta paguante arsimtarin, kështu që arsimtari qe pajtuar me mua që ta zëvendësoja kur ai ikte”[8].

Imam Shafi’iu ka thënë po kështu: “E memorizova (e mësova përmendësh) Kuranin teksa isha shtatë vjeç, ndërsa El Mueta’e-n (librin e imam Malikut) e memorizova teksa isha dhjetë vjeç”[9].

Po kështu ai ka thënë: “Kam jetuar në mesin e arabëve njëzet vite, gjatë të cilave kam nxënë nga vjershat dhe gjuha (linguistika) e tyre”[10].

Paskëtaj, në vitin 184 hixhri, Shafi’iu u thirr në Bagdad, nisur nga një raportim që i kish arritur Harun er Rashidit për të dhe një grup Alauijun-ësh, ku ai akuzohej se po thurte komplot kundër Shtetit Abasit. Në prani të tij u goditën nëntë veta. I fundit prej tyre ishte një i ri nga Medina, i cili i tha Rashidit: Nuk kam për t’iu kthyer asaj ku isha. Pastaj iu lut ta linte t’i dërgonte një letërkëmbim të ëmës në Medine, mirëpo Harun er Rashidi nuk i dha amnisti, por e ekzekutoi”.

Kur i erdhi radha Shafi’i-ut [r.h], ai i tha Harun er Rashidit: “O prijës i besimtarëve! Unë nuk jam as Talibi as Aleui, por jam futur në mesin e atij grupi njerëzish padrejtësisht dhe nga armiqtë e mi. Në realitet unë jam një burrë prej Benu Mutalib ibn Abdul Menafit dhe posedoj një kapacitet të konsiderueshëm diturie dhe fikhu (direktivash juridike fetare). Kadiu (gjykatësi) e di këtë”.

Kadiu ishte Muhamed ibn Hasen esh Shejbani, që gjendej ulur në prani të Harun er Rashidit. Ai (Esh Shejbani) i tha atij: “O prijës i besimtarëve! Po. Unë e njohë këtë. Ai disponon rezerva të mëdha diturie dhe ajo që të është raportuar ty nuk ka të bëjë me të”.

Rashidi tha: “Merre atë derisa të hulumtoj mbi çështjen e tij”. Kadiu e mori Shafi’i-un dhe ky ishte edhe shkaku i shpëtimit të tij. Mbi këtë çështje Shafi’iu është shprehur: “Padyshim, ajo ishte një çështje, që e deshi Allahu (të ndodhte)”[11].

Kjo ngjarje u bë shkak, që Shafi’iu të qëndronte në Bagdad për dy apo më shumë vjet, kohë gjatë së cilës ai u bë nxënës i Muhamed ibn Hasen esh Shejbanit.

Sa i përket Ebu Jusufit, Shafi’iu nuk e ka takuar atë dhe nuk ka marrë mësim prej tij, duke qenë se Ebu Jusufi [r.h] vdiq para se Shafi’iu të vinte  në Bagdad. Kësisoj, transmetimi ku transmetohet se Shafi-iu e takoi dhe e pa Ebu Jusufin, është një transmetim fals dhe i shpikur.

Pas vdekjes së Malikut, Shafi’iu u bë myftiu më i famshëm në Hixhaz, për rreth nëntë vjet. Pastaj ai erdhi në Bagdad, ku u takua me Ahmed ibn Hanbelin, më të cilin qe takuar më parë në Meke. Pas dy vjetësh Shafi’iu udhëtoi për në Egjipt, qeverisësi i të cilit e donte shumë dhe qëndroi në të derisa vdiq në vitin 204 hixhri, në moshën pesëdhjetekatër vjeçare.

Këtë moshë të shkurtër ai e ndërthuri me një sërë udhëtimesh në Jemen dhe mbarë fiset arabe. Ai ishte i angazhuar në tubimin e shkencave të fikhut, mjekësisë, gjuhës dhe perceptimit.

Intelekti dhe linguistika e Shafi`iut [r.h]:

Njeriu është vërtet i vogël në intelektin dhe linguistikën e tij, ndërsa Shafi’iu në këtë kuadër ishte në kulmin e arritjes. Ai ishte i urtë dhe inteligjent në kulm. Shumë persona të kualifikuar kanë dhënë dëshminë e tyre mbi intelektin e tij të lartë, madje Ebu Ubejde [r.h] ka thënë: “Nuk kam parë person më inteligjent se Shafi’iu”[12].

Njëjtë është shprehur edhe Junus ibn Ebul Eale, aq sa ka thënë: “Nëse tubohet krejt kombi, atyre do t’u mjaftojë intelekti i tij (Shafi’i-ut)”[13].

Imam Ahmedi u ka thënë disa personave prej shoqërisë së tij: “Nëse të shpëton (ikën pa përfituar) intelekti i këtij djaloshi, kam frikë se nuk ke për ta gjetur atë deri në Ditën e Kiametit”[14].

Junus es Sadefiu [r.h] ka thënë: “Nuk kam parë më inteligjent se Shafi’iu. Debatova me të një ditë lidhur me një çështje dhe pastaj u ndamë. Ai më takoi, ma mori dorën dhe më tha: O Ebu Musa! A nuk do ishte e drejtë që të jemi vëllezër, edhe nëse nuk jemi në pajtim mbi një çështje të caktuar”[15].

Dhehebiu, duke interpretuar këtë thënie brilante të Shafi’i-ut, ka thënë: “Kjo tregon mbi kompletimin e intelektit të këtij imami dhe vetvetiu mbi fikhun (botëkuptimin e gjerë) e tij. Ndërsa debatuesit vijojnë të jenë në konflikt”[16].

Kjo është një nga çështjet, që më bëri të ndalem në biografinë e Shafi’i-ut [r.h], pasi fjala që ai i tha personit: “A nuk do ishte e drejtë që të jemi vëllezër, edhe nëse nuk jemi në pajtim mbi një çështje të caktuar”, tregon vetvetiu mbi botëkuptimin, intelektin dhe fisnikërinë e tij. Imam Shafi’iu percepton, se nuk është e mundur që njerëzit të pajtohen dhe të bien dakord sa i përket mendësive, qasjeve, diturisë dhe personaliteteve të tyre. Ata nuk është e mundur të pajtohen mbi çdo gjë. Ata kanë para tyre një prej dy alternativave: Ose të hyjnë në një konflikt të skajshëm, ose të vendosin për vetet e tyre rregulla dhe kritere të përgjithshme, mbi tërësinë e të cilave u duhet të bien dakord, por ndërkaq u duhet të pranojnë pikëpamjet e ndryshme lidhur me detajet dhe degëzimet e tyre.

Kur do të disiplinohen njerëzit e denjë me këtë disiplinë të arrirë?! Kur do të zgjerohen kraharorët e tyre për opozitarët e tyre dhe t’i japin përparësi origjinës së vëllazërisë karshi ngjasisë së opozitës margjinale?!

Por a është e mundur që njerëzit të bien dakord?

A mundet një person, që ka një këndvështrim ndryshe nga ai i yti, që vetëm për hatrin tënd, ta fshehë fetarizmin e tij, me të cilin i përkushtohet Allahut?! A i lejohet atij, që për të t’u bindur ty, t’i kundërvihet Allahut dhe të Dërguarit të Tij?! Apo mos dëshiron prej tij, atë që ti vetë nuk po e bën?!

Nëse ti vetë ke bindjen, se ty nuk të lejohet të bësh lajka me fjalë për një gjë prej çështjeve të fesë, intelektit apo personalitetit, ose të krijosh një mendim të caktuar vetëm për hatër të këtij apo atij, atëherë si dëshiron për të tjerët atë gjë që nuk e pëlqen për veten tënde?!

Intelekti i Shafi’i-ut [r.h] e rrënjosi këtë rregull në fikhun (jurisprudencën) e opozitës midis muslimanëve.

Prej intelektit të tij gjithashtu ishte edhe fjala e tij: “Intelekti ka një kufi ku arrin dhe po kështu edhe vështrimi ka një kufi ku arrin”[17].

Ai [r.h] e perceptonte intelektin natyral të kompozuar tek njeriu si një mekanizëm të kuptimit, intuitës dhe vështrimit, ndërsa vështrimin e perceptonte si një mekanizëm të shikimit dhe intuitës. Ashtu sikurse shikimi ka një kufi ku arrin dhe mbaron, sikurse në rastin e skajit të distancës, murit etj, po kështu edhe intelekti apo mendja ka një kufi ku arrin dhe nëse e kapërcen atë, atëherë prishet.

Përbri diapazonit të gjerë të intelektit të tij [r.h], ai ishte elokuent dhe kompetent i akredituar në linguistikë, prandaj dijetarët e konsiderojnë fjalën e Shafi’i-ut dhe të folurin e tij si argument gjuhësor të arabishtes, fakt mbi të cilin kanë dhënë dëshminë e tyre liderë prestigjioz sikurse Thealebe, El Muberidi, Ebu Mensur el Ez’heriu dhe Ibn Hishami.

Madje El Xhahidh-i ka thënë: “Kam parë në librat e atyre njerëzve të famshëm, që kanë spikatur në dituri dhe nuk kam këqyrur përpilues më të mirë sesa Shafi’iu. Ai përpilonte sikurse të koleksiononte diamante”[18].

Junus ibn Abdul Eale [r.h] thotë: “Shafi’iu s’kishte si të ishte veçse “magjistar”. Nuk dinim se çfarë thoshte, teksa qëndronim të ulur rrotull tij. Fjalët e tij ishin si sheqer. I ishte bërë hise ëmbëlsia e intelektit, perfeksionimi i oratorisë, inteligjenca e skajshme, mendja e rrjedhshme, kompletimi i elokuencës dhe dhënia e argumentit”[19].

Shafi’i-ut [r.h] i thanë: “Si është pasioni yt për literaturën?” Ai tha: “Dëgjoj një artikulim që s’e kam dëgjuar më parë dhe tërë gjymtyrët e mija më mbajnë mbërthyer si të kishte gjithsecila prej këtyre gjymtyrëve vesh që dëgjon dhe kënaqet me këtë gjë, ashtu siç kënaqet veshi”. Iu tha: Si është angazhimi yt për të (literaturën)? (Tha:) Njëjtë me angazhimin për depozitimin e klasifikimeve të ndryshme të mallit. Iu tha: “Si është kërkimi (nxënia) jote për të (literaturën)?” Tha: “Ashtu siç kërkon nëna fëmijën e saj të vetëm, i cili ka humbur”.

Autor: Selman Aude

Përktheu: Elmaz Fida

[1] Transmeton Bejhakiu në “Mearifetu Sunen uel Ether“ (118/1) dhe Ibn Asekiri në “Terikhu Dimashk“ (350/51).

[2] Shiko: “Sijerul Ealemi Nubele“ (35/10).

[3] Transmetuar nga Ebu Daudi (4291) nga hadithi i Ebu Hurejrës [r.a].

[4] “Terikhu Dimashk“ (339/51). Shiko: “Keshful Khife“ (283-282/1).

[5] “Terikhu Bagdad“ (59/2).

[6] Shiko: “Sijerul Ealemi Nubele“ (12/10).

[7] Shiko: “Terikh Dimashk” (281/51).

[8] Shiko: “Terikh Dimashk” (282/51).

[9] Shiko: “Sijerul Ealemi Nubele” (11/10).

[10] Shiko: “Terikh Dimashk” (297/51).

[11] Shiko: “Terikh Dimashk” (286-287/51).

[12] Shiko: “Tehdhijbul Kemel” (372/24) dhe “Huljetul Eulije” (94/9).

[13] Shiko: “Sjerul Ealemi Nubele“ (15/10).

[14] Shiko: “El Xherhu ue Teadil“ (203/7) dhe “Huljetul Eulije“ (99/9).

[15] Shiko: “Sjerul Ealemi Nubele“ (16/10).

[16] Shiko: “Sjerul Ealemi Nubele“ (17/10).

[17] Shiko: “Ruhul Meani“ (142/1).

[18] Shiko: “Menekibu Shefi’i” me autor Fekhru Razi (faqja 87) dhe “Mukadimetu Risele” (faqja 15).

[19] Shiko: “Sijerul Ealemi Nubele“ (48/10).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *