Imani, ibadeti dhe muxhahede (përpjekja këmbëngulëse në adhurim)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Besimi i sinqertë konkretizohet me bindjen e fortë dhe pasimin e vërtetë. Besimi – ashtu siç e përkufizon edhe profesori i nderuar Jusuf Karadavi – është: “Faktor shpirtëror që arrin thellësitë e shpirtit dhe përfshin perceptimin, vullnetin dhe ekzistencën. Nevojitet patjetër një perceptim mendor që zbulon të vërtetat e ekzistencës ashtu siç janë ato, mirëpo ky proces realizohet vetëm nëpërmjet shpalljes së mbrojtur (Kuranit). Ky perceptim duhet të jetë medoemos bindje e sigurtë, e cila nuk tronditet nga dyshimi: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilët besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij ‎dhe pastaj nuk dyshojnë” Njohuritë e konsoliduara duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me nënshtrimin e tyre ndaj zemrës dhe vullnetit, ndërsa më pas ato mishërohen në bindje dhe adhurim, në kënaqësi dhe nënshtrim: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty ‎për gjykatës për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ‎ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht” Adhurimi i saktë konkretizohet me nijet të pastër dhe pasim të praktikës së të Dërguarit të Allahut (a.s).

Në lidhje me përpjekjen/xhihadin, ajo është shumë dimensionale. Ndër format e saj përmendim:

– lufta ndaj vetes derisa njeriu të ketë shpirt të qetë,

– lufta ndaj pasioneve dhe egos derisa ato të kanalizohen sipas Sunetit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të),

– lufta ndaj shejtanit duke iu bindur Mbretit të Gjithësisë, i cili e urdhëron besimtarin me urdhëresat e Tij, derisa të konkretizohet devotshmëria.

Transmetohet se Umer ibn Khatabi (r.a) e ka pyetur Ubej ibn Kabin (r.a): “Ç`është devotshmëria”? Ubej ibn Kabi (r.a) i tha: “O prijësi i besimtarëve! A ke kaluar ndonjëherë në një rrugë me ferra”? Umeri (r.a) ia ktheu: “Po”. Ubeji e pyeti: “Si ke vepruar”? Umeri (r.a) i tha: “Jam përveshur dhe përpjekur që të mos prekem prej tyre”. Ubeji (r.a) i tha: “Kështu është edhe devotshmëria”. Pra mundohesh t`iu shmangesh mëkateve dhe përpiqesh të bësh sa më shumë adhurime.

Nga dhuntia e madhe e Allahut të Madhëruar ndaj robërve të Tij është, se u ka dërguar atyre profetë (a.s) të cilëve u ka dhënë libra. Jo vetëm kaq, por e ka ndihmuar njeriun me një engjëll fisnik, i cili qëndron përballë (kundër) shejtanit të mallkuar. Sa herë që shejtani e urdhëron apo e cyt njeriun për një të keqe, engjëlli e nxit njeriun me urdhërin e Allahut të Madhëruar, prandaj njeriu duhet ta njohë mirë veten e tij. Atij shpirti që urdhëron për keq, Allahu i Madhëruar i ka ofruar si alternativë shpirtin e qetë, i cili ia bën shprehi të mirën. Allahu i Madhëruar i ka dhuruar njeriut dritë, mendjehollësi, zgjuarsi dhe intelekt. I mençur është ai, i cili udhëzohet në rrugë të drejtë.

Besimtari duhet ta kryejë një urdhëresë, t`i shmanget një ndalese dhe ta përballojë me durim caktimin (Kaderin). Kështu ai është gjithmonë mes kryerjes së urdhëresave, shmangies së ndalesave dhe durimit ndaj caktimit (Kaderit).

Shejtani e sulmon zemrën e njeriut me dy armë:

1 – Pasionet dhe epshet, pasi kështu shkatërrohet sjellja dhe vepra e njeriut.

2 – Dyshimet dhe dilemat, pasi kështu shkatërrohet ideja, perceptimi dhe besimi i njeriut.

Nga dhuntia që na ka dhënë Allahu, është se na ka pajisur me disa armë mbrojtëse, që t`i kundërvihemi këtij armiku. Ato janë:

1 – Durimi me të cilin luftojmë pasionet dhe epshet.

2 – Bindja e sigurtë, me të cilën luftojmë dilemat dhe dyshimet.

Allahu ka thënë të vërtetën në fjalët e Tij: “Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ‎ishin të durueshëm dhe besonin bindshëm”.

Medito mbi gjendjen e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta), të cilëve u lotonin sytë dhe jeta e kësaj bote nuk kishte asnjë vlerë për ta. Njëri prej tyre, teksa po hante disa hurma, tha: “Mes meje dhe hyrjes në Xhenet janë këto hurma. Betohem në Allahun se kjo kohë është shumë e gjatë (koha që nevojitet për ngrënien e këtyre hurmave)”.

Gjithashtu kemi shembullin e një sahabiu, i cili u tregua i sinqertë me Allahun e Madhëruar. Kur atij i çuan pjesën që i takonte nga plaçka e luftës, ai i tha të Dërguarit të Allahut (a.s): “Unë nuk të kam dhënë besën për këtë”. Ai (a.s) e pyeti: “Por për çfarë ma ke dhënë besën”? Sahabiu tha: “Të goditem me ‎shigjetë këtu – dhe bëri me shenjë në fyt”. I Dërguari i Allahut ‎‎(a.s) i tha: “Nëse je i sinqertë me Allahun në atë që thua, Allahu do ta realizojë ‎sinqeritetin tënd”. ‎Pas njëfar kohe, atë  e sollën të  vdekur para të  Dërguarit të  Allahut i cili u tha atyre që  e sollën në  kraë: ‎“A është vërtet ai”? Thanë: “Po, ai është”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: ‎‎“Ishte i pastër (i sinqertë) me Allahun dhe Allahu e vërtetoi pastërtinë e tij”.

Ne kemi parë me sytë tanë njerëz të kësaj kategorie, të cilët ndjekin shembullin e sahabëve. I kemi parë ata në burgje dhe paraburgime, ku ndëshkimi dhe torturat janë çnjerëzore. Kemi parë prej vëllezërve tanë, të përkushtuar ndaj Allahut, të cilëve u lotojnë sytë nga frika ndaj Zotit, qëndrojnë të thjeshtë para madhështisë së Tij, gjatë gjithë kohës falin namaz, agjërojnë dhe durojnë ndaj dhimbjeve dhe torturave të keqbërësve, duke thënë vetëm: “Allahu është Një, Allahu është Një”. Kemi parë një vëlla tonin, të cilin e futën në një birucë me qen të tërbuar, mirëpo ai kaloi aty net të tëra pa iu prekur një fije floku. Pasi doli nga biruca, një nga vëllezërit e pyeti me shaka: “Si i ke kaluar netët”? Ai iu përgjigj: “Nuk ka gjë më të mirë sesa planifikimi i Allahut. Mos vallë e kam përzgjedhur unë këtë gjendje?! Kjo gjendje është përzgjedhja e Allahut për mua. Betohem në Allahun, se kam fjetur i qetë, e kam kaluar kohën duke përmendur Allahun, me lutje dhe përgjërime ndaj Tij. Kështu e kam kaluar këndshëm edhe “ndëshkimin” në rrugë të Allahut”.

Këtu nuk ka asgjë për t`u çuditur dhe mahnitur, pasi Allahu i Madhëruar e ka bërë zemrën e njeriut që të përjetojë lumturinë dhe fatkeqësinë, ashtu siç ka bërë trupin të përjetojë sëmundjen dhe shëndetin. Imami i njohur – Ibn Kajim Xheuzije – e përshkruan lumturinë me këto fjalë: “Treguesit e lumturisë së njeriut janë tre: “Kur i dhurohen mirësi, falenderon (Allahun), kur sprovohet, duron (për hir të Allahut) dhe kur mëkaton, kërkon falje (Allahut)”. Kjo është gjendja e besimtarëve falenderues dhe durimtarë.

Një njeri mund të jetë fatkeq edhe pse ka pasuri, famë dhe pushtet. Po ashtu, dikush tjetër mund të jetë i lumtur edhe pse është i varfër, ka pak pasuri e fëmijë. Kur zemra e robit besimtar mbushet me besim të sinqertë, nuk ka dyshim se kjo sjell një jetë të këndshme dhe të mirë për të: “Çdo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ‎ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur”, besimi bëhet drita me të cilën ai ecën: “Ne i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve”, “Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë”, besimi bëhet shpirti me të cilin besimtari jeton dhe gjallëron: “Po kështu me urdhërin Tonë, Ne të shpallëm ty shpirtin (Kuranin)” Kështu besimtari jeton me shpirt të qetë dhe mendje të patrazuar në Xhenetin e kësaj bote, duke falenderuar Allahun e Madhëruar, duke duruar për hir të Tij dhe duke i kërkuar përherë falje Atij. Pas përjetimit të këtij Xheneti në këtë botë, vallë a ka fatkeqësi, devijim, mjerim dhe zhytje në mëkate për një besimtar të tillë?! Të vërtetën ka thënë Zoti ynë: “Kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në ‎mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, ‎në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha ‎shikuar më parë”? (Allahu) Do t`i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po ‎kështu sot do të jesh i harruar”

Nuk ka dyshim se besimi i sinqertë ka një ëmbëlsi që e shijon ai besimtar, i cili është kënaqur me Allahun si Zotin i tij, me Islamin si fenë e tij dhe më Muhamedin (a.s) si profetin dhe të Dërguarin e tij. Besimin e sinqertë e shijon ai rob, i cili qëndron i përkushtuar para Zotit të tij, në këmbë, në ruku dhe sexhde, duke e përjetuar kështu ëmbëlsinë e besimit të tij. Kjo nuk është një ëmbëlsi abstrakte, por besimtari e përjeton si të prekshme atë, sapo ta shijojë. Po si të mos e ndjejë këtë shije besimi, kur ai thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”?! Një besimtar i tillë e ka adhuruar Allahun me ato adhurime që Ai i do dhe i pranon, e ka falenderuar Allahun për mirësitë dhe e ka dashur Atë nga thellësia e zemrës. Ai person, të cilit Allahu i Madhëruar ia ka dhuruar këtë mirësi të përjetimit dhe shijimit të besimit, kur të ringjallet, do të jetë: “…me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të ‎mrekullueshëm janë këta”

Nëpërmjet këtij besimi të sinqertë dhe të vërtetë, ti o besimtar, ke hyrë në parajsën e kësaj bote. Atëherë si mund të privohesh nga parajsa në Ahiret?! Shejhul Islam – Ibn Tejmije – thotë: “Për besimtarin ka dy xhenete: xhenet në këtë botë dhe Xhenet në Ahiret. Xheneti në Ahiret është i ndaluar për ata që nuk kanë hyrë në Xhenetin e kësaj bote”

Në Xhenetin e kësaj jete ne futemi me bindje, besim dhe përkushtim ndaj Allahut, me frikën ndaj Tij, me ruku, sexhde, istigfar dhe pendim të sinqertë. Kështu, robi i përkushtuar kalon nga një adhurim në një tjetër, duke e pranuar caktimin (Kaderin) e Allahut si një furnizim prej Tij, me qetësinë dhe sigurinë e shpirtit, me pastërtinë e zemrës dhe duke qenë i lumtur në këtë jetë.

Ti o musliman jeton me këtë besim në mesin e njerëzve, duke mbajtur lidhjen farefisnore me atë që i shkëput, duke e falur atë që të bën padrejtësi dhe duke i dhënë atij që nuk të jep, pasi vetëm kështu Allahu i Madhëruar të pranon, ashtu siç i ka hije Atij. Kur Allahu e pranon robin e Tij, Ai thërret: “O Xhibril! Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti”. Xhibrili thërret në mesin e engjëjve të qiellit: “O engjëj të Allahut! Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju”. Banorët e qiellit e duan atë. Më pas, Allahu i Madhëruar e bën këtë person të pranueshëm në mesin e banorëve të tokës”. Kështu vërtetohet fjala e Allahut të Madhëruar: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t`u ‎dhurojë dashuri”, e cila do t`iu dhurohet qysh në këtë botë, madje edhe më shumë se kaq, pasi dhuntia dhe mëshira e Allahut të Madhëruar ndaj robit të Tij do të derdhet edhe në çastin, kur robi të jetë në agoninë e vdekjes, ndërsa engjëjt do ta qetësojnë atë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj vazhdojnë të ‎vendosur në rrugën e drejtë, do t`iu zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t`iu thonë: ‎‎“Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është ‎premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni ‎çfarë t`ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”

Kur njeriu shkon në një vend të panjohur, shoqërohet gjithmonë nga një lloj frike, mirëpo Allahu i Madhëruar ia heq robit të Tij frikën në momentet e agonisë së vdekjes, kur akoma nuk ka ndërruar jetë, duke ia zbritur engjëjt e mëshirës, të cilët i thonë: ‎‎“Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është ‎premtuar”

Sa përgëzim i madh dhe sa qetësi e bukur për shpirtin. Kur robi futet në varr, atë do ta mbrojë namazi, agjërimi, zekati dhe punët e mira. Kështu besimtari jeton në një prej kopshteve të Xhenetit edhe duke qenë në varr. Ai vazhdon t`i përjetojë këto mirësi, derisa ta takojë Allahun dhe: “Kur do t`i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, ‎përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata ‎përnjëherë do të ngjallen e do të presin. Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të saj dhe do të vendoset Libri (i ‎veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me ‎drejtësi, e nuk do t`iu bëhet asnjë padrejtësi. Secilit do t`i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, sepse Ai e di më së miri se çfarë ‎kanë punuar”

Po çfarë do të ndodhë pas kësaj?! Në mënyrë që të plotësohet gëzimi i besimtarit me atë grup, në të cilin gjente prehje dhe qetësi në jetën e dunjasë, ai do të bashkohet ma ta edhe në Ahiret: “Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. ‎Kur t`i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t`u thonë atyre: ‎‎“Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe ‎qëndroni përgjithmonë”! Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Tij e na dha në ‎trashëgim Xhenetin, ku të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është ‎shpërblimi i atyre që kanë punuar drejt”

O musliman! Ku ka qetësi më të madhe shpirtërore se kjo, ku mund të gjesh lumturi më të madhe në këtë botë dhe në botën tjetër, ku edhe engjëjt i kërkojnë falje Allahut të Madhëruar për ty: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e ‎tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata kërkojnë falje për besimtarët, duke thënë: ‎‎“O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ‎ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të ‎Zjarrit flakërues”!

Atij që kërkon apo synon Xhenetin, do t`i përmendim një hadith, ku i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Më garantoni se do t`i bëni vazhdimisht gjashtë gjëra dhe unë ju garantoj hyrjen në Xhenet: Kur të flisni, thoni gjithmonë të vërtetën, kur të premtoni përmbajuni premtimit, kur t`iu jepet amaneti kthejeni si duhet, ruani nderin tuaj (si meshkujt dhe femrat), ruani shikimet tuaja (nga harami) dhe ruani duart tuaja (nga fitimi haram, konsumi haram, etj)” Ky hadith përcakton pastrimin e brendshëm (shpirtëror) dhe të jashtëm (moral), në jetën private dhe publike. A ka ndonjë të mençur që ta ketë si plan zbatimin e këtij hadithi, në mënyrë që të gëzohet me hyrjen në Xhenet?! Katade thotë: “Allahu i Madhëruar i ka krijuar engjëjt me logjikë por pa epsh, ndërsa kafshët i ka krijuar me epsh por pa logjikë. Njeriun e ka krijuar me logjikë dhe epsh. Kur epshi mbizotëron ndaj arsyes, njeriu bie në nivelin e kafshëve dhe kur arsyeja mbizotëron ndaj epshit, njeriu arrin nivelin e engjëjve”

Një mendje e stërvitur për bindje vetëm ndaj Allahut të Madhëruar, arrin të ketë një shpirt të qetësuar, të cilin e thërret Zoti i tij: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty”. Ibn Abasi (r.a) thotë: “Kur u shpall ky ajet, Ebu Bekri ishte afër të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Sa gjë e bukur qenka”! I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Kjo do të të thuhet ty, o Ebu Bekër, do të të thuhet ty”

Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut (a.s) i mësoi njërit prej sahabëve këtë lutje: “Thuaj: “O Allah! Të lutem më jep një shpirt që gjen prehje tek Ti, beson në takimin me Ty, e pranon caktimin Tënd dhe është i kënaqur me atë që Ti i ke dhënë”

Muhamed ibn Ebi Amri – një nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s) – ka thënë: “Nëse një njeri sapo lind, e vendos fytyrën në tokë duke adhuruar Allahun dhe vazhdon në këtë gjendje derisa të ndërrojë jetë, në ditën e Gjykimit do ta nënvlerësojë adhurimin e tij (për shkak të sevapit të madh që sheh) dhe do të dëshirojë të rikthehej përsëri në dunja, që t`i shtohej sa më shumë sevapi dhe shpërblimi”

Përktheu: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.