Islami dhe edukimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Besojmë se Islami i kushton rëndësi të veçantë edukimit dhe orientimit, ashtu siç i kushton rëndësi ligjit dhe ligjësimit, madje edukimit i kushton më shumë rëndësi sesa ligjit, pasi ligjet nuk prodhojnë shoqëri, ndërsa edukimi i vazhdueshëm dhe orientimi i thellë formojnë shoqëri të suksesshme. Baza e çdo reformimi dhe ndryshimi është ndërtimi i njeriut me mendim dhe ndërgjegje, me besim dhe moral. Njeriu i mirë është themeli i shoqërisë së mirë. Allahu i Madhërishëm përmend në suren Asr se vetëm njeriu i mirë është ai që do të shpëtojë: “Betohem për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.”[1]

Njeriu i mirë është pozitiv, bashkon mes besimit dhe punës, rregullimit të vetes dhe të tjerëve, pranon këshillën nga të tjerët, kur ata e këshillojnë me të vërtetën dhe durimin, ashtu siç i këshillon edhe të tjerët me të vërtetën dhe durimin. Mes muslimanëve, i madhi e pranon këshillën edhe kur kjo këshillë i vjen nga ai që është më i vogël. Për këtë arsye, mendojmë se është detyrë që institucionet të orientohen me kujdesin më të madh, qysh nga çerdhja deri në universitet, në mënyrë që të mësohet besimi përkrahas shkencës, morali përkrah mjeshtërisë, të kultivohet përkushtimi që pastron shpirtin përkrah kulturës që ndriçon mendjet. Po ashtu duhet t’i kushtohet një rëndësi e veçantë të gjitha elementëve të edukimit duke filluar nga metodologjia e përshtatshme, libri i përshtatshëm, mësuesi i përshtatshëm, administrimi i duhur dhe ambienti shkollor i përshtatshëm, të cilët ndihmojnë në nxënien e mësimit në formën më të mirë, etj.

Edukimi i kërkuar është edukimi integrues, i cili punon për formimin shpirtëror, shkencor, të ndërgjegjshëm, moral, fizik gjuhësor, shoqëror, politik, ekonomik, ushtarak dhe atdhetar të muslimanit. Vetëm kështu formohet një personalitet musliman, morali i të cilit është Kurani dhe shembulli i të cilit është Muhamedi (a.s).

Treguesit kryesorë të arsimit të synuar për brezat e muslimanëve janë:

Ruajtja e pasurisë së besimit, duke e mbrojtur nga mitologjitë,

Ruajtja e pastërtisë së Teuhidit, duke e mbrojtur nga idhujtaria,

Forcimi i besimit të patundur në botën tjetër,

Ruajtja dhe konsolidimi i moraleve të larta, si: vërtetësia në të folur, përsosmëria në punë, përmbushja e amanetit dhe besës, përmbajtja e drejtësisë, bamirësisë, mëshirës dhe dhembshurisë, të dojë të mirën, turpin, ndershmërinë, thjeshtësinë, krenarinë, thënia e të vërtetës, kundërshtimi i të pavërtetës, transparenca dhe këshilla në fe, xhihadi në rrugë të Allahut me jetë dhe pasuri, ndryshimi i të keqes me dorë, me gjuhë dhe me zemër – sipas mundësisë -, rezistenca ndaj padrejtësisë dhe tiranisë, refuzimi i mbështetjes së zullumqarëve, edhe nëse ata kanë pushtetin e Faraonit dhe pasurinë e Karunit.

Është detyrë që t’i kushtohet rëndësi e veçantë institucioneve të medias së shkruar dhe asaj visive. Media sot orienton mendimet, shijet dhe prirjet e njerëzve si dhe udhëheq opinionin publik drejt asaj që synon të arrijë. Për këtë arsye, media duhet pastruar nga gjërat që shmangin besimin, ndotin mendimin, apo devijojnë sjelljet morale dhe duhet orientuar që të jetë në shërbim të objektivave madhore të shoqërisë.  Kjo arrihet nëpërmjet programeve të mirëstudjuara dhe të përzgjedhura, larg nga tensionet dhe keqinformimi. Boshti i medias duhet të jetë: vërtetësia, dhe saktësia në lajme, pjekuria në orientim dhe maturia në programet argëtuese, promovimi i vlerave morale. Kjo arrihet, duke bërë integrimin e këtyre vlerave në programet e ndryshme, si dhe duke përdorur pajisjet e teknologjisë së fundit.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Rushit Musallari

[1] – Sure Asr: 1-3.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.