Kategorizmi i disiplinave të shkencës së hadithit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Shkenca e hadithit ndahet në dy disiplina kryesore:

1 – Ilmu`l – rivajeh: disiplina e transmetimit

Nga ana gjuhësore, fjala “Rivajeh do të thotë: “transport, zhvendosje, tregim, vaditje”

Në terminologjinë e hadithit, termi Ilmu`l – Rivaje përkufizohet me fjalët: “Njohja e çdo gjëje që i cilësohet të Dërguarit të Allahut (a.s) qofshin fjalë, vepra, miratime, cilësi fizike apo morale, informacione rreth tij para apo pas profetësisë, si dhe njohja e çdo gjëje që i cilësohet sahabëve apo tabi`inëve, njohja e mënyrave të transmetimit dhe shpjegimi i fjalëve të tij”

Fusha e kësaj disipline është studimi i çdo gjëje, që i cilësohet të Dërguarit të Allahut (a.s), sahabëve dhe tabi`inëve. Pra, kjo disiplinë merret vetëm me vargun dhe fjalët e hadithit. Për këtë disiplinë, disa dijetarë përdorin këtë emërtim “Ilmu`l – Metn – Disiplina që trajtojnë tekstin”. Kjo disiplinë përfshin disa lloje të shkencës së hadithit si: fjalët e të Dërguarit të Allahut (a.s) fjalët e sahabëve, fjalët e tabi`inëve, shpjegimin e fjalëve të panjohura të hadithit, hadithet që në pamje të parë kanë kundërthënie etj. Thënë më thjesht, kjo disiplinë merret me analiza të pjesshme apo të posaçme të një transmetimi të vetëm dhe i kushton rëndësi tekstit të hadithit.

2 – Ilmu`l – diraje: disiplina e analizës

Nga ana gjuhësore, fjala “diraje” ka kuptimin: “të kuptosh, të përceptosh, të arrish, të dish”. Në terminologjinë e hadithit, termi “Ilmu`d – Diraje ka disa përkufizime, por përkufizimi më i plotë është: “Njohja e rregullave/parimeve, nëpërmjet të cilave bëhet përcaktimi ekzakt i gjendjes së vargut dhe tekstit të hadithit”.

Shembuj të këtyre rregullave:

– Çdo hadith i transmetuar nga transmetues të drejtë, të përpiktë dhe që nuk ka shkëputje të vargut apo shkaqe të fshehta dobësie është hadith sahih.

– Çdo hadith që i cilësohet të Dërguarit të Allahut (a.s), quhet hadith merfua.

Pra, fusha e kësaj disipline është njohja e gjendjes)së vargut dhe tekstit të hadithit. Kjo disiplinë përfshin disa lloje të tjera të shkencës së hadithit si; dallimi i llojit të hadithit – i pranuar apo i refuzuar, disiplina e “El – Xherhu ue`t – Tadil – Kritikës dhe vlerësimit”, biografia e transmetuesve, shkaqet e dobësisë së vargut dhe tekstit etj. Kjo disiplinë bën analiza gjithëpërfshirëse të transmetimeve.

Disa dijetarë e quajnë këtë disiplinë me disa emra, si: Ilmu`l – Mustalah: Shkenca e terminologjisë së hadithit”,Usulu`l – Hadith: Burimet e Hadithit”,Ulumu`l – Hadith: Disiplinat e Hadithit”, apo Ilmu`l – Hadith: Shkenca e Hadithit”.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.