Fraza që gratë shpesh përsërisin para meje, ndërsa burri i tyre dëgjon ankesat e saj, është: “Ai nuk kujdeset për mua.” Kur i kërkoj të japë disa shembuj të kujdesit që ajo ka parasysh, ajo thotë: “Nuk më ka blerë një dhuratë, qoftë edhe një lule. Nuk i kushton vëmendje detajeve të punëve që bëj, si rregullimi i shtëpisë, veshja e diçkaje të re, prerja e flokëve apo vendosja e grimit. Nuk mban mend datat e rëndësishme, si ditëlindjen time apo përvjetorin e martesës sonë. Kur flas me të, nuk më dëgjon me vëmendje dhe rrallëherë shpreh ndjenjat apo emocionet e tij ndaj meje.”
Kur burrat dëgjojnë këto ankesa, shpesh habiten nga kërkesat e grave, duke ndjerë se nuk kanë munguar në përkushtimin e tyre ndaj familjes. Një herë, i thashë një burri për këto ankesa, dhe ai u përgjigj: “Unë nuk jam treguar asnjëherë neglizhent në sigurimin e një jete të mirë për të dhe për fëmijët. Jam duke mbajtur një barrë të madhe financiare: pagesën e qirasë, ushqimin, shkollimin e fëmijëve, punonjësen shtëpiake, si dhe pushimet vjetore që ajo kërkon. Unë punoj ditë e natë për ta, dhe mendoj se ato që ajo kërkon janë gjëra të thjeshta në krahasim me ato që unë i ofroj asaj. Ajo i kthen në probleme të mëdha nëse nuk ia ofroj këto gjëra të thjeshta. Më çudit fakti se si ajo flet me gjuhën sikur unë jam neglizhent, sikur nuk kam bërë asgjë për familjen.”
Ky dialog që ju përcolla përsëritet në shumicën e shtëpive dhe familjeve. Po ta analizonim situatën më thellë, do të vërenim se gjuha e mirëkuptimit midis dy palëve nuk është e shëndoshë. Gruaja flet me një gjuhë të ndryshme nga ajo me të cilën përgjigjet burri, sepse secili prej tyre flet për veten e vet. Por e drejta është që secili prej tyre duhet të kuptojë nevojat e tjetrit dhe t’i përmbushë ato, sepse ky është edhe qëllimi i martesës.
Kërkesat e gruas, edhe pse mund të duken të vogla për burrin, shumica e tyre janë në aspektin emocional: ajo dëshiron një dhuratë, qoftë edhe një trëndafil, një prekje apo një shprehje të ndjenjave, ashtu siç dëshiron të ketë një bisedë apo një ulje të përbashkët. Ndërsa burri i komenton këto kërkesa duke iu referuar asaj që ai ofron në aspektin material për familjen. Por ajo nuk flet për aspektin material, sepse e di se ai nuk është i mangët në atë aspekt. Ajo thjesht po shpreh nevojën e saj emocionale, ndërsa ai e kuptoi sikur ajo po e nënvlerësonte. Në të vërtetë, ajo vetëm dëshironte mbështetje emocionale.
Shumica e burrave nuk e kuptojnë këtë ‘gjuhë’ të gruas, sepse nuk janë edukuar me të që në fëmijëri dhe askush nuk ka folur me ta për nevojat emocionale të gruas. E njëjta gjë vlen edhe për gruan, e cila nuk ka kulturën e duhur se si të komunikojë me burrin. Prandaj ndodhin mosmarrëveshjet mes tyre.
Ka një rregull themelor që, nëse burrat do ta kuptonin, jeta e tyre familjare do të ishte më e qëndrueshme: gruaja i do gjërat e vogla, të thjeshta, por të përsëritura. Sepse këto veprime të vogla e të vazhdueshme emocionale e mbushin atë shpirtërisht dhe emocionalisht dhe si rrjedhojë ajo i përballon sfidat e vogla të përditshme në jetë.
Për shembull, nëse burri e ndihmon gruan e tij, qoftë edhe me një ndihmë të thjeshtë në punët e shtëpisë, ajo e sheh këtë veprim si diçka të madhe, sepse ajo e interpreton këtë sjellje si tregues se ai kujdeset për të, vlerëson përpjekjet e saj, dëshiron t’ia lehtësojë barrën dhe e do atë. Kështu e kupton ajo situatën.
Ndërkohë, edhe burri pëlqen që gruaja ta lavdërojë kur ai lodhet për të siguruar të ardhmen e familjes në aspektin material, punon dhe përpiqet për t’i bërë ata të lumtur. Pra, nëse secila palë e kupton ‘gjuhën’ që e pëlqen pala tjetër dhe komunikon me të, problemet familjare do të jenë të pakta.
Po ashtu, nëse gruaja e kupton se burrat, në përgjithësi, fokusohen te zgjidhjet praktike, te sfidat e mëdha dhe se gjuha e tyre për të shprehur dashurinë është ndryshe, dhe nëse ajo mëson si të sillet me këtë mënyrë të të menduarit, edhe problemet e saj me burrin do të pakësohen.
Zgjidhja e problemit, pra, është që secili ta kuptojë gjuhën dhe nevojat e tjetrit dhe të stërvitë veten që të japë atë që kërkon pala tjetër, pa refuzim dhe pa gjykim se ajo është diçka e parëndësishme apo e vogël.
Autor: Xhasim Mutava
Përktheu: Elton Harxhi