Në disa nga artikujt tanë të mëparshëm kemi parë se si disa orientalistë kanë zhvilluar një luftë psikologjike, e cila synon paralizimin e mendjes myslimane, nënvlerësimin e saj dhe pengimin e saj nga të menduarit, duke i veshur asaj kompleksin e inferioritetit dhe të mangësisë përballë mendimit perëndimor. Kështu, u bë një përgjithësim i një gjykimi që mund të ketë qenë i vërtetë për një fazë të caktuar historike, të karakterizuar nga dominimi i pushtimit perëndimor mbi botën islame, por që nuk është i saktë as për historinë islame në tërësi, as për vetë Islamin, dhe sidomos nuk është i saktë për Kuranin, sepse pikërisht Kurani ishte ai që solli një transformim të madh shpirtëror, shkencor, intelektual dhe qytetërues në jetën e myslimanëve.
Në këtë kontekst, vlen të përmendet ajo që ka bërë Malik ibn Nebij në librin e tij “Prodhimi i orientalistëve dhe ndikimi i tij në mendimin islam bashkëkohor”, ku ai analizon rolin e orientalizmit në rrënjosjen e kompleksit të inferioritetit ndaj arritjeve shkencore dhe mendimit racional perëndimor. Kjo ndodhi qoftë duke i atribuar mangësi trashëgimisë sonë qytetëruese islame, qoftë duke e lavdëruar atë dhe duke e paraqitur në një mënyrë të tillë që myslimani të humbasë në gëzim dhe entuziazëm për të, por pa pasur një lidhje praktike me të, përmes së cilës të rikthejë efektivitetin e tij qytetërues dhe klimën intelektuale që e prodhoi atë trashëgimi, të cilën disa orientalistë e nënvlerësojnë, ndërsa disa të tjerë e lavdërojnë.
Megjithatë, Ibn Nebij paraqiti një ide metodologjike shumë të rëndësishme për të rrëzuar pretendimet e orientalistëve, duke theksuar se nuk mjafton të kufizohemi në reagime mbrojtëse; siç është përpjekja për të dëshmuar se Kurani thërret në shkencë, apo se ai përmban mrekulli shkencore, apo përpjekja për ta përshtatur Kuranin dhe për ta shndërruar herë në libër fizike, herë në libër astronomije, e herë tjetër në libër algjebre, e kështu me radhë. Përkundrazi, duhet të parashtrojmë çështjen e “Islamit dhe shkencës” në një formë të re, më përputhëse me lartësinë e fesë dhe logjikën e shkencës, në mënyrë që të mos kërkojmë në ajetet fisnike nëse përmendet pushtimi i hapësirës apo analiza e atomit, por të pyesim: a ka në frymën e tyre diçka që e pengon lëvizjen e shkencës, apo përkundrazi diçka që e nxit dhe e zhvillon atë?
Për këtë arsye, Ibn Nebij thekson domosdoshmërinë e trajtimit të çështjes në mënyrë pozitive, duke ia rikthyer Kuranit efektivitetin e tij, dhe duke pyetur: a është në gjendje Kurani që në një shoqëri të caktuar të krijojë klimën e përshtatshme për frymën shkencore dhe të vërë në lëvizje mekanizmat psikologjikë të domosdoshëm për pranimin e dijes nga njëra anë dhe për përhapjen e saj nga ana tjetër?
Kjo pyetje, në formën që e ka paraqitur Ibn Nebi, na bën të ruajmë për Kuranin statusin e tij si libër udhëzimi, e jo si libër shkencash, historie apo politike në kuptimin shkollor. Kështu, ne shqyrtojmë se si Kurani ka formësuar mjedisin brenda të cilit u themelua fryma shkencore dhe klima intelektuale që çoi në ngritjen e shkencave dhe dijeve, si dhe në shfaqjen e dijetarëve që realizuan vepra gjeniale në fusha të ndryshme të shkencës përgjatë shekujve, përmes ndërtimit të strukturave psikologjike dhe shoqërore që nxisin dijen, krijimtarinë shkencore dhe përhapjen e dijes në botë.
Zhvillimi teknologjik që njohim sot nuk mund të mohojë faktin se ai është ndërtuar mbi disa nga arritjet shkencore të myslimanëve, si sistemi dhjetor në algjebër, aritmetikë dhe gjeometri, si dhe shumë shkenca të tjera që myslimanët i shpikën, falë klimës intelektuale që themeloi Kurani. Prandaj, bashkë me Ibn Nebijun, shtrojmë pyetjen: a do të ishin në gjendje makinat dhe pajisjet elektronike e mekanike që njohim sot – siç thotë Ibn Nebij – të kryenin funksionet e tyre, po të mos ishte përgatitur më parë sistemi dhjetor, përmes të cilit ne mund të shkruajmë, për shembull, numrin e Avogadros me vetëm pesë simbole, ose shtatë, nëse kërkojmë saktësi më të madhe? A nuk i detyrohemi vendosjes së këtij sistemi gjenial asaj klime intelektuale që e formësoi vlera kuranore në shoqërinë islame?
Po ashtu, nëse do të pyesnim për rolin e algjebrës në zhvillimin e aritmetikës, duke e shndërruar atë nga një shkencë e numrave të ndjeshëm në një shkencë të simboleve abstrakte, dhe duke pasur parasysh se vetë termi algjebër është arab si në formë ashtu edhe në prejardhje, do ta kuptonim se sa shumë i detyrohet mendja njerëzore mendjes islame për një mjet pa të cilin ajo nuk do të mund të ecë dhe të përparojë në fushën e shkencave të matjes dhe përcaktimit. Dhe e gjithë kjo i kthehet klimës që themeloi Kurani.
Fjalët që Ibn Nebi ka sjellë rreth rolit të sistemit dhjetor, algjebrës dhe shkencave të tjera islame në zhvillimin e shkencës dhe qytetërimit nuk synojnë atë imitim impulsiv që lidh çdo arritje shkencore në mënyrë mekanike me ndonjë ajet kuranor apo hadith profetik, siç kanë vepruar shumë ithtarë të “mrekullisë shkencore” në Kuran dhe Sunet në një mënyrë fëmijërore. Sepse “Kurani Fisnik nuk ka ardhur, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të prerë, as me sistemin dhjetor e as me algjebrën, por ai ka ardhur me klimën e re intelektuale që i mundëson shkencës të zhvillohet.”
Dhe ne shtrojmë pyetjen: pse dhe si e ka lidhur Ibn Nebij Kuranin me zhvillimin e shkencës, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, refuzon lidhjen fëmijërore të ajeteve kuranore me zbulimet shkencore?!
Ibn Nebij na përgjigjet përmes një vërejtjeje metodologjike jashtëzakonisht të rëndësishme, të njohur për dijetarët e sociologjisë së dijes ose sociologjisë së shkencës, sipas së cilës: “Zhvillimi i shkencës nuk varet vetëm nga të dhënat shkencore, por nga të gjitha rrethanat psiko-shoqërore që formësohen brenda një klime të caktuar.”
Pa dyshim, transformimi historik që Kurani ka sjellë në strukturën e të menduarit, në strukturat shoqërore, shkencore dhe kulturore, si dhe në fusha të ndryshme të jetës, është i pamohueshëm për këdo që ka vështrim dhe njohje, veçanërisht në lindjen dhe zhvillimin e shkencës.
Ky është pikërisht këndvështrimi nga i cili mund t’i kuptojmë marrëdhëniet e përgjithshme midis Islamit dhe shkencës: qëndrimi i njeriut mysliman përballë botës së dukurive, drejtimi që ndjek mentaliteti islam nën shtysën e tekstit kuranor, si dhe klima e re intelektuale brenda së cilës do të zhvillohet ky mentalitet, këta faktorë përbëjnë, në vijim, elementet themelore të çështjes.
Autor: Bedran ibn Lahsen
Përktheu: Elton Harxhi
Ardhmëriaonline.com



















