Komenti i ajetit: “Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz, dhe me të vërtetë, ajo është e rëndë, përveç për ata që janë të përulur”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Urtësia e Allahut të Lartësuar manifestohet në misionin e njeriut në tokë për të qenë mëkëbës i saj, përmes zbatimit të metodologjisë hyjnore e cila është e bazuar mbi shtylla të forta. Në krye të këtyre shtyllave janë durimi dhe namazi, siç është treguar dukshëm në ajetet e qarta të Kuranit.

Allahu i Lartësuar i është drejtuar popujve të mëparshëm dhe Umetit të fundit me të njëjtën gjë, duke i këshilluar që të kërkojnë ndihmë me këto dy mjete madhështore për të përmbushur detyrën e të qënurit mëkëmbës të Zotit në tokë.

Allahu i Lartësuar ka dashur që Umeti i fundit të përfitojë nga përvoja e popullit të Benu Israilëve në kohën e Musait (a.s.), ndaj i drejtohet atij me të njëjtin urdhër hyjnor: “O ju që besuat, kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz”, për të theksuar rëndësinë e këtyre dy mjeteve.

Durimi dhe namazi mjete për të arritur suksesin. Namazi, synimi i të devotshmëve

Namazi nuk është thjesht një ritual adhurimi, por ai është një mjet për të arritur sukses në të gjitha dimensionet e jetës, dhe një synim për të devotshmit dhe të udhëzuarit. Urdhri hyjnor për të kërkuar ndihmë me durim dhe namaz tregon për realitetin e vështirësive me të cilat njeriu si mëkëmbës i Zotit në Tokë përballet, qofshin ato – vështirësi e sfida – të brendshme apo të jashtme.

Madhështia e durimit qëndron në zaptimin e nefsit të njeriut mbi atë që nuk i përshtatet, duke qenë një xhihad i vazhdueshëm për vetëkontroll dhe disiplinë. Nga ana tjetër, namazi është një përjetim kënaqësie kur njeriu i drejtohet vetëm Allahut të Lartësuar dhe gjen mbështetje e strehim te Krijuesi kur dihet që mbëshjetja tek njerëzit është e varur në fije të perit. Kështu që përmes durimit dhe namazit, njeriu si mëkëmbës i Zotit në tokë merr forcë dhe vendosmëri për të përballuar sfidat dhe vështirësitë.

Barra e rëndë e të kërkuarit ndihmë përveç atyre që janë të përulur

Megjithatë, të kërkosh ndihmë përmes faljes së namazit është e rëndë për nefsin, përveç për ata që janë të përulur, që kanë synime të larta dhe ambicie të mëdha, siç theksohet në ajetin: “Dhe me të vërtetë, ajo është e rëndë, përveç për ata që janë të përulur”

Përulësia, në kuptimin e saj të plotë, ka dy dimensione të ndërthurura:

Përulësia e trupit: që shfaqet në qetësinë, uljen e kokës dhe shikimin drejt tokës, që tregon qetësi dhe nënshtrim të dukshëm.

Përulësia e zemrës: që shfaqet në përulësinë dhe nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar, që është thelbi dhe esenca e përulësisë.

Cilësitë e të përulurve, mëkëmbës të Zotit në tokë:

Përdorimi i emrit “të përulur” (el-khashi’in) në shumës tregon se ata e kanë ushtruar dhe janë stërvitur me të, duke u bërë – kështu – një tipar i qëndrueshëm në personalitetin e tyre.

Kurani i përshkruan ata me dy cilësi madhështore:

E para: “Ata që mendojnë se do të takojnë Zotin e tyre”[1], që tregon sigurinë e tyre dhe besimin, edhe pse nuk e kanë parë akoma. Ky takim mund të përjetohet në këtë botë përmes faljes së namazit dhe veprave të tjera të adhurimit, ku besimtari ndjen afërsinë me Allahun.

E dyta: “Dhe që do të kthehen te Ai”[2], duke treguar sigurinë se në Ditën e Kiametit ata do të kthehen tek Allahu, Ditë në të cilën ata do të shpërblehen dhe do të japin llogari. Dhe si rrjedhojë zemrat e tyre përulen dhe e gjithë qënia e tij nënshtrohet. Kështu që, të qënurit mëkëmbës i Zotit në tokë është i lidhur ngushtë me kërkimin e ndihmës përmes durimit dhe namazit; ato janë sekreti i suksesit dhe fuqizimit.

Autor: Abduselam El-Mexhidi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 46.

[2] – Sure Bekare: 46.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *