Duke analizuar gjendjen e njerëzve, arrijmë në përfundimin, se shumica e tyre i kushtojnë rëndësi pamjes së jashtme që duket dhe gjërave sipërfaqësore. Ndërkohë që shkujdesja i ka kapluar njerëzit, të cilët kanë harruar t’i kushtojnë rëndësi veprave të zemrës dhe brendisë së tyre. Sa e sa njerëz lodhen shpirtërisht e fizikisht dhe shpenzojnë pasurinë e tyre, pa përfituar asnjë lloj shpërblimi, madje ndoshta hyjnë në gjynah, duke merituar ndëshkimin hyjnor?! A nuk ndodh shpeshherë, që disa njerëz shpenzojnë për të arritur ndonjë përfitim material të kësaj bote?! Njerëz të tjerë shfaqin dashurinë dhe miqësinë me njerëzit, por brenda vetes kanë mllef dhe urrejtje për ta. Të tjerë shfaqen përpara njerëzve si të devotshëm, ndërkohë që kur janë vetëm, nxitojnë për tek mëkati. Pamja e tyre e jashtme është e ndritshme, ndërsa brendia e tyre është sterrë e zezë. Ç`do të ndodhte, nëse do të zbulohej ajo që njerëzit e fshehin në zemra, prandaj edhe Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: Edhe nëse e fshihni atë që keni në zemrat tuaja apo e shpallni haptazi, Allahu e di atë”. Imam Ibn Kethiri, duke komentuar këtë ajet, thotë: “Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i njofton robërit e Tij, se Ai e di të fshehtën dhe të dukshmen. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë – e madhe apo e vogël, -madje dija e Tij i përfshin ata në të gjitha veprimet, rrethanat, situatat dhe në të gjitha kohërat. Ky ajet kuranor i paralajmëron njerëzit, që ta kenë frikë Allahun e Lartësuar dhe të mos i veprojnë ato gjëra, të cilat Ai i ka ndaluar dhe urren që të veprohen, sepse Ai është i Dijshëm për gjithçka”[1].
Prandaj përmirësimi i zemrave konsiderohet si një prej adhurimeve më madhështore. Profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë në trup ka një copë mishi, që nëse përmirësohet, atëherë i gjithë trupi përmirësohet dhe nëse ajo është e prishur, atëherë i gjithë trupi është i prishur. Ajo copë mishi është zemra”[2]. Kështu pra, njeriu duhet të rendë gjithmonë pas veprave të mira, duke synuar përmirësimin e zemrës dhe duke e njohur atë gjë me të cilën Allahu i Lartësuar është i kënaqur, ashtu që ta kryejë atë (veprën) në formën më të mirë.
Sinqeriteti në vepra është i lidhur ngushtë dhe është mjaft i domosdoshëm për përmirësimin e zemrës. Njeriu, i cili e konsideron shikimin e njerëzve më të vlefshëm se shikimi i Krijuesit, ka kryer një veprim tepër të rrezikshëm. Disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Nëse njeriu fsheh diçka në zemër, Allahu do t’ia zbulojë atë që fsheh nëpërmjet mimikës së fytyrës apo nga fjalët që i nxjerr gjuha e tij”.
I Lartmadhëruar është Allahu! A është e mundur që njeriu të fshehë diçka, e Allahu i Lartësuar është“Khabir – i Mirëinformuar” për gjithçka. A nuk e di njeriu, se Allahu i Lartësuar shikon gjithçka, çdo gjë është në Dorën e Tij dhe se Ai i jep afat njeriut zullumqar deri në një kohë të caktuar dhe pastaj e ndëshkon atë rreptë. Ebu Sulejman Derani thotë: “Ai njeri që dëshiron të jetë i pastër, pastrohet. Ai njeri që dëshiron të zhytet në mëkate, zhytet në to. Ai që punon mirë gjatë ditës, shpërblehet natën dhe ai që punon mirë gjatë natës, shpërblehet ditën. Ai, i cili jep sadaka, duke e mposhtur epshin e tij, Allahu ka për t’ia larguar atë(kopracinë) nga zemra, sepse Allahu është Bujar dhe nuk e ndëshkon atë zemër, që e mposht epshin”.
Autor: Elton Harxhi
[1] – “Tefsiri i Ibn Kethirit”, i Ibn Kehtiri, fq: 2/31.
[2] – Buhariu (2051) dhe Muslimi (1599).