Profeti Ibrahim (a.s) u sprovua me një urdhër hyjnor që trondit çdo zemër: të flijonte të birin e tij, Ismailin – një dhuratë e çmuar që e kishte pritur me vite lutjesh.
Në atë moment, sprova nuk ishte vetëm bindja ndaj Allahut, por edhe shkëputja nga ajo që zemra donte më shumë.
“Ai tha: O biri im! Unë pashë në ëndërr se po të flijoj. E ç’thua ti për këtë? Ai tha: O babai im, bëj atë që të është urdhëruar.”
Ibrahimi mund ta kishte zbatuar urdhrin pa e pyetur djalin e tij. Por pse e bëri këtë?
Pse e ngarkoi me një pyetje kaq të rëndë një djalosh që sapo kishte nisur jetën?
Mendoj se në këtë veprim ka një urtësi të madhe:
Kur përballemi me sprova, me vendime të vështira, me barrë mendimesh dhe ndjenjash, zgjidhja nuk është në heshtje, por në bisedë. Sidomos në familje, sidomos me fëmijët.
Biseda hap zemrat. Biseda afron shpirtrat. Biseda ndërton besimin. Por nëse në atë bisedë është edhe hatri i Zotit, lutja ndaj Zotit, mbështetje tek Ai, atëherë ajo nuk mbetet thjesht bisedë, ajo bëhet dritë dhe rrugëdalje.
Autor: Vladimir Kera