Në lidhje me pesë shtyllat e Islamit nëse na lejohet që të shprehemi mund të themi se shehadeti është testi i zemrës, namazi është testi gjymtyrëve dhe mundësia e robit për të organizuar kohën e tij, zekati është testi i pasurisë së njeriut, agjërimi testi i forcës së njeriut për të lënë pas epshet për hatër të Zotit dhe haxhi është testi i sakrificës ndaj vështirësive dhe lodhjes në rrugë të Allahut të Madhëruar.
Duke sqaruar – shkurtimisht – sa përmendëm më lart themi se:
Nëse zemra e njeriut është e mbushur me besimin tek Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij, atëherë besimi i njeriut është promotori i kryerjes së veprave të mira. Sufjan Eth Theuri ka thënë: “Nëse besimi (bindja) do të ishte e rrënjosur në zemrën e njeriut, atëherë njeriu do të fluturonte i përmalluar për të shkuar në Xhenet dhe do të arratisej nga Xhehenemi.”[1]
Shtylla e dytë i Islamit (namazi) ka lidhje me gjymtyrët e njeriut, i cili qëndron i përulur ndaj Krijuesit me zemër të çiltër, gjuha e tij reciton “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, i lutet Zotit ta udhëzojë në rrugë të drejtë e pjesët (gjymtyrët) e tjera të njeriut qëndrojnë para madhështisë së Atij që e meriton të adhurohet duke sjellë nëpërmend qëndrimin para Tij në Ditën e Gjykimit. Pastaj njeriu bie në ruku dhe sexhde duke e madhëruar Allahun me tesbih, e ai sikur thotë: Unë nuk përkulem dhe nuk gjunjëzohem vetëm se ndaj Atij që më ka krijuar, furnizuar dhe udhëzuar në rrugë të drejtë. E kështu raporti midis robit dhe Zotit të tij forcohet për çdo ditë.
E përsa i përket shtyllës së tretë, ajo ka të bëjë me pastrimin e zemrës së njeriut nga kopracia e kështu ai i vjen në ndihmë vëllezërve të tij nevojtarë. Kështu që nëpërmjet zbatimit të kësaj shtylle, tek njeriu rrënjoset ndjenja e vëllazërisë dhe zhduken siptomat e mëndjemadhësisë, fodullëkut dhe arrogancës.
Ai që është i pasur jeton në këtë botë dhe ka frikë se mos bie pre e arrogancës, kurse ai që është i varfër ka frikë nga humbja e shpresës dhe privimi nga të mirat. Kështu që të dy kategoritë kanë nevojë për autokritikë dhe vetëpërmbajtje të nefsit. E kush më mirë se agjërimi luan rolin e edukimit të shpirtit dhe triumfit ndaj veseve të këqija?!
Duke qenë se Islami është fe për të gjithë njerëzimin, atëherë me patjetër duhet të ketë edhe një takim solemn për këtë. Allahu i Madhëruar i ka obliguar besimtarët – ata që kanë mundësi – që të takohen në kongresin botëror që organizohet për çdo vit. Të gjithë njerëzit janë të barabartë qysh në momentin kur veshin rrobën e ihramit në disa ditë të caktuara duke e përmendur Allahun e Madhëruar me dhikër, që i udhëzoi në rrugë të drejtë.
Një fakt i pakundërshtueshëm është se këto pesë shtylla nuk përbëjnë të gjithë Islamin, ato janë shtyllat mbi të cilat shtëpia mbështetet. E shtëpia nuk mund të konsiderohet e tillë nëse nuk është e mbushur me tulla, e mbuluar me çati, e ajrosur me dritare dhe e zbukuruar me orendi. A nuk e ke lexuar fjalën e profetit (a.s) i cili thotë se: “Besimi është shatëdhjetë e disa pjesë: më e larta është shprehja Nuk ka zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahut dhe më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. E turpi është pjesë e besimit.”[2]
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – “Fet’hul Bari” fq: 1/48.
[2] – Muslimi