Lamtumira e Ramazanit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Prej urtësisë së  Allahut të Lartësuar është se Ai ka përcaktuar që krijesat e Tij të kenë një fillim të ekzistencës dhe shfaqjes në këtë univers, si dhe një fund të ekzistencës dhe jetës në të. Nga ana tjetër, urtësia e Tij ka përcaktuar gjithashtu që Ai të jetë i vetmi me përjetësinë absolute, pa pasur një fillim para Tij dhe pa pasur një fund pas Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Lartësuar është Allahu nga çdo e metë, për Atë që është në qiej dhe në tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti. E Tij është mbretëria e qiejve dhe e tokës. Ai jep jetë dhe jep vdekje, dhe Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë. Ai është i Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Padukshmi, dhe Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë.”[1]

Një nga aspektet e mrekullueshme të reflektimit rreth Librit të Allahut është se Ai e ka ndërlidhur krijimin e qiejve dhe të tokës, dhe sundimin e Tij mbi universin, me cilësitë e Tij të përjetshme si “i Pari” dhe “i Fundit”. Kjo për të theksuar se zotërimi i Tij absolut dhe hyjnia e Tij e përsosur e lartësojnë Atë nga çdo ngjashmëri me krijesat e Tij, pasi Ai ka një jetë të përsosur dhe të pandryshueshme, e cila është e lirë nga çdo mangësi, si krijimi apo shuarja.

Nëse krijimi dhe shuarja janë cilësi të pamundura për Allahun dhe emrat e Tij të bukur – siç dëshmojnë si shpallja ashtu edhe logjika, atëherënga ana tjetër  këto ligje janë të pandryshueshme. Ato nuk ndryshojnë dhe nuk zhduken  kurrë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar fton njerëzit të reflektojnë mbi ligjet e Tij të pandryshueshme në krijimin dhe krijesat e Tij, në mënyrë që të kuptojnë se këto ligje janë të qëndrueshme dhe të pandryshueshme. Allahu thotë: “A nuk presin ata tjetër, veçse ligjin e të parëve? Nuk do të gjesh kurrfarë ndryshimi në ligjin e Allahut dhe nuk do të gjesh kurrfarë shmangie në ligjin e Allahut.” [2]

Kështu, as muaji i Ramazanit nuk bën përjashtim nga ligjet e Allahut, qoftë në botën e jashtme apo në shpirtin e njeriut. Allahu ka përcaktuar që ai të ketë një fund, në të cilin besimtarët ndahen prej tij. Prandaj, për një përshëndetje të denjë të Ramazanit, myslimani duhet të marrë parasysh disa gjëra të rëndësishme:

1 – Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar për faktin që na mundësoi të arrijmë këtë muaj të Ramazanit, sidomos duke pasur parasysh se shumë njerëz që agjëruan dhe falën namaz vitin e kaluar nuk arritën ta jetojnë këtë Ramazan për shkak të vdekjes dhe errësirës së varrit. Kërkojmë nga Allahu falje dhe shpërblim për ne dhe për ta. Ka shumë tekste që tregojnë rëndësinë e falënderimit ndaj Allahut, ndër to është fjala e Tij: “Dhe kur Zoti juaj shpalli: ‘Nëse falënderoni, Unë do t’ju shtoj më shumë, por nëse mohoni, dënimi Im është i ashpër’”[3]

Njësoj me këtë, duhet të falënderojmë dhe të lavdërojmë Allahun që na mundësoi të arrijmë këtë Ramazan duke qenë të sigurtë,  duke pasë shëndet dhe mirëqenie. Këto janë bekime themelore për agjërimin dhe adhurimin e mirëfilltë të këtij muaji, sepse shumë myslimanë janë privuar nga këto mirësi, qoftë pjesërisht apo tërësisht, për shkak të konflikteve politike, sëmundjeve të rënda apo trazirave të hapura e të fshehura, gjë që ka ndikuar në adhurimet e tyre gjatë këtij muaji të bekuar. Prandaj, nuk është e çuditshme që Allahu i Lartësuar i kujton fisit Kurejsh para dërgimit të Profetit (a.s) dy nga mirësitë e mëdha: sigurinë nga frika dhe furnizimin me ushqim, kur thotë: “Për shkak të garantimit që mori fisi Kurejsh, që u garanton atyre  udhëtimin në dimër dhe në verë, le ta adhurojnë Zotin e këtij Shtëpie, i Cili i ushqeu nga uria dhe i siguroi nga frika.”[4]

Në vazhdim të asaj që u tha më parë, falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut që na mundësoi të agjërojmë Ramazanin, ta falim atë dhe të shfrytëzojmë kohën e tij me përmendjen e Allahut, leximin e Kuranit, madhërimin dhe lavdërimin e Tij, kërkimin e faljes, dërgimin e salavateve mbi Profetin (a.s) , lutjet dhe përgjërimet përpara Allahut të Lartësuar, si dhe kënaqësinë e qëndrimit në xhami. Përveç kësaj, përfitimi nga këshillat, ligjëratat dhe tubimet e dijes dhe përmendjes ishte një tjetër dhuratë e madhe e këtij muaji.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se shfrytëzimi i kohës së Ramazanit për këto adhurime mund të bëjë që njeriu të harrojë se kjo është një dhuratë dhe mëshirë nga Allahu, i Cili e udhëzoi për to. Kjo, ndërkohë që shumë njerëz u penguan nga gjendje të ndryshme dhe e kaluan këtë muaj të bekuar duke u marrë me gjithçka tjetër përveç adhurimit të Allahut. Ata e bënë Ramazanin një periudhë për kryerjen e mëkateve të rënda si sharjet, mallkimet, padrejtësitë ndaj të tjerëve, fitimi i pasurisë nga e ndaluara, si dhe thashethemet, përgojimet dhe shikimi në të ndaluarën. Për më tepër, ata u angazhuan me argëtime të kota dhe gjëra të lejuara, duke humbur kështu rastin për të shfrytëzuar këtë muaj për t’u afruar me Allahun.

Allahu i Lartësuar na kujton se njeriu i bindet Atij duke mos ndjekur shejtanin. Bindja ndaj Allahut dhe shmangia nga shejtani është një pastrim i shpirtit, një dhuratë dhe mëshirë nga Allahu. Ai thotë: “O ju që keni besuar! Mos ndiqni hapat e shejtanit, sepse ai ju urdhëron për të keqen dhe të shëmtuarën. E sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, askush prej jush nuk do të ishte pastruar kurrë. Por Allahu e pastron atë që dëshiron. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm.”[5]

2 – Të shtojmë lutjet dhe t’i drejtohemi Allahut, duke kërkuar që të na pranojë të gjitha adhurimet dhe përkushtimin tonë ndaj Tij. Besimtari është i bindur se, pavarësisht sa shumë të ketë vepruar, puna e tij mbetet e pamjaftueshme nëse Allahu nuk e përfshin me mëshirën dhe pranimin e Tij. Një dëshmi për këtë është fjala e Allahut pas përfundimit të haxhit: “E kur të keni kryer ritet tuaja, përmendni Allahun ashtu siç përmendni prindërit tuaj, madje edhe më fort.”[6]

Në lidhje me këtë urdhër të Allahut për ta përmendur Atë pas përfundimit të haxhit, komentuesi i njohur i Kuranit, Fahrudin Razi, përmend disa mendime të dijetarëve, duke thënë: “Disa kanë thënë se kuptimi i kësaj është që pas përfundimit të haxhit, njeriu duhet të angazhohet me lutje dhe të kërkoj falje. Sepse ai që ka duruar ndarjen nga familja dhe vendlindja, ka shpenzuar pasurinë e tij dhe ka përballuar vështirësitë e udhëtimit për të kryer haxhin, është më se i denjë që, pasi ta përfundojë atë, t’i drejtohet Allahut me lutje dhe përulje, të kërkojë falje dhe të shkëputet nga gjithçka për t’u kthyer tek Zoti i tij. Kjo është edhe arsyeja pse pas çdo namazi është e pëlqyer të bëhen lutje të shumta.”[7]

Këtë e kanë kuptuar mirë edhe të parët tanë të devotshëm. Tabiini i nderuar Jahja ibn Ebi Kethir bënte këtë lutje kur afrohej Ramazani: “O Allah! Më bëj të arrij Ramazanin, më ndihmo ta kaloj atë siç duhet dhe pranoje prej meje me pranim të plotë!”

3 – Ndër veprat e rëndësishme në përfundim të Ramazanit është edhe vendosmëria për të agjëruar ditët e mbetura nga ky muaj, sa herë që Allahu e lehtëson këtë për robin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë të tjera. Allahu dëshiron lehtësim për ju dhe nuk dëshiron vështirësi për ju.”[8]

Duke qenë se prej mëshirës së Allahut është që nuk i ka detyruar njerëzit t’i kompensojnë menjëherë ditët të cilat nuk i kanë agjëruar gjatë Ramazanit, por u ka dhënë afat deri në muajin Shaban të ardhshëm – siç dëshmohet në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të), e cila tha: “Nuk mund t’i kompesoja ditët e ngelura nga Ramazani përveçse në muajin Shaban.”[9]

Fidja për ata që nuk mund të agjërojnë

Një çështje e ngjashme është edhe ajo që lidhet me fjalën e Allahut: “E ata që e përballojnë me vështirësi (agjërimin), le të japin fidje – ushqim për një të varfër.”[10]

Kjo tregon se ai që nuk ka mundur të agjërojë Ramazanin për shkak të një arsyeje të justifikueshme dhe nuk ka mundësi ta kompensojë atë, është përfshirë nga mëshira e Allahut, e cila e ka liruar nga detyrimi i agjërimit dhe ia ka lehtësuar duke e zëvendësuar atë me kompensim (fidje) në formën e ushqimit për një të varfër.

Në këtë rast, një adhurim i rëndësishëm është nxitimi për të dhënë fidjen ose të paktën vendosmëria për ta kryer atë sa herë që bëhet e mundur, në të njëjtën mënyrë siç vlen për kompensimin e agjërimit.

Zekati i Fitrit

Gjithashtu, një veprim i rëndësishëm për ata që përcjellin Ramazanin është dhënia e Zekatit të Fitrit sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara nga sheriati. Abdullah ibn Omeri (r.a) transmeton: “I Dërguari i Allahut (a.s) e bëri obligim Zekatin e Fitrit: një sa’ (njësi matëse) me hurma ose një sa’ me elb, për çdo musliman, qoftë skllav apo i lirë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh. Dhe ai dha urdhër që ai të jepet para se njerëzit të dalin për faljen e namazit të Bajramit.”[11]

Kjo na kujton edhe synimin e Zekatit të Fitrit, i cili përveçse i vjen në ndihmë të varfërve, shërben gjithashtu për të pastruar agjëruesin nga mangësitë dhe gabimet që mund të ketë bërë gjatë agjërimit të Ramazanit. Ibn Abbasi (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e bëri obligim Zekatin e Fitrit për të pastruar agjëruesin nga fjalët e kota dhe sjelljet e pahijshme, si dhe për të ushqyer të varfërit. Kush e jep atë para faljes së namazit (të Bajramit), ai është një Zekat i pranuar, ndërsa kush e jep pas faljes, ajo është një sadaka e zakonshme.”[12]

Duke qenë se mëshira e Allahut të Lartësuar ka caktuar që adhurimet kryesore në Islam të kenë edhe nafile të ngjashme me to, të cilat i plotësojnë mangësitë që mund të kenë ndodhur gjatë kryerjes së tyre, agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval është bërë si një lloj suneti pas Ramazanit. I Dërguari i Allahut (a.s)  ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditë nga Shevali, ai është si të ketë agjëruar tërë vitin.”[13]

Ramazani – një pikë kthese në jetën e muslimanit

Gjithashtu, është e rëndësishme që muslimani të vendosë me vendosmëri që ky Ramazan të jetë një pikë kthese në jetën e tij, veçanërisht në rrugën e tij drejt Allahut të Lartësuar.

Duhet që përfundimi i këtij muaji të shënojë një fillim të ri në rrugën e udhëzimit dhe drejtësisë, duke bërë një pendim të sinqertë dhe të palëkundur, pa kthim pas. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Pendohuni te Allahu me një pendim të sinqertë!”[14]

Autor: Samir Hal

Përktheu: Elton Harxhi.

[1] – Sure Hadid: 1 – 3.

[2] – Sure Fatir: 43.

[3] – Sure Ibrahim: 7.

[4] – Sure Kurejsh.

[5] – Sure Nur: 21.

[6] – Sure Bekare: 200.

[7] – Tefsir Er Razi: 5/344.

[8] – Sure Bekare: 185.

[9] – Muslimi.

[10] – Sure Bekare: 184.

[11] – Buhariu.

[12] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[13] – Muslimi.

[14] – Sure Tahrim: 8.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *