Lejimi dhe ndalimi janë vetëm e drejtë e Zotit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Islami e ka përcaktuar autoritetin që ka të drejtë për të lejuar apo për të ndaluar dhe e ka shpëtuar nga kompetenca e krijesave, pa marrë parasysh se çfarë pozite kanë në fenë e Zotit ose në botën e tyre, ngase këtë të drejtë e ka vetëm Zoti i Madhëruar. As monakët, as murgjërit, as mbretërit e as sulltanët nuk kanë të drejtë që përherë t’u ndalojnë diçka robërve të Allahut. E nëse ndonjëri prej tyre vepron kështu, atëherë ai e ka kapërcyer kufirin dhe po kundërshton të drejtën hyjnore në legjislacion për krijesat, kurse ai që e pëlqen veprimin e tyre, atëherë i ka bërë shok Allahut, e ithtarët e tillë konsiderohen idhujtarë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “A mos kanë ortakë që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?”[1]

Kurani i ka qortuar ithtarët e Librit, të cilët i autorizuan monakët dhe murgjërit e tyre që të kenë të drejtë të përcaktojnë gjërat e lejuara dhe gjërat e ndaluara.  Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata i konsideruan ahbarët, murgjit dhe Mesihun, birin e Merjemes për zota, pos Allahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër pos për adhurimin ndaj Allahut Një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.”[2]

Adij ibn Hatemi erdhi tek Pejgamberi (a.s) dhe e dëgjoi se e lexonte këtë ajet, e tha: o i Dërguar i Zoti! Ata nuk i kanë adhuruar ata. Pejgamberi (a.s) u përgjigj: gjithsesi, ata ua ndaluan hallallin dhe ua lejuan haramin, e ata (njerëzit) i ndoqën. Ky është adhurimi i tyre.

Krishterët ende supozojnë se Isai (a.s) para se të ngrihet në qiell, i ka autorizuar nxënësit e vet që të lejojnë apo të ndalojnë sipas dëshirës së tyre. Në ungjillin sipas Mateut, 18: 18 thuhet: “Unë ua them të vërtetën! Çdo gjë që e ndaloni në Tokë, do të jetë e ndaluar edhe në qiell dhe çdo gjë që lejohet në tokë, do të jetë e lejuar edhe në qiell.”

Kurani gjithashtu i qorton edhe idhujtarët, të cilët lejonin apo ndalonin pa lejen nga Zoti. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Thuaj: Më thoni atë që Allahu ua dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka tjetër të lejuar? Thuaj: a ju lejoi Allahu apo ju i shpifni Allahut?”[3]  E në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i thuani rrenës së gjuhëve tuaja: Kjo është hallall dhe kjo është haram, e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim.”[4]

Nga këto ajete dhe hadithe të qarta, juristët muslimanë e dinin (kategorikisht) se vetëm Allahu ka të drejtë të lejojë apo të ndalojë nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit të Profetit (a.s) dhe vetëm ata janë të autorizuar ta sqarojnë vendimin e Zotit për të ndaluar dhe lejuar. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju.”[5]

Nuk është detyrë e tyre (juristëve) të sjellin ligje fetare për njerëzit në atë që u lejohet apo nuk u lejohet. Edhe pse ishin të njohur si prijës e muxhtehidë, ata distancoheshin nga fetvatë dhe mbështesnin njëri-tjetrin nga frika që të mos gabojnë në lejimin e haramit apo në ndalimin e hallallit. Imam Shafiu transmeton në librin e tij “El Um” se gjykatësi Ebu Jusufi ka thënë: “Unë njoh dijetarë të mirëfilltë që me vështirësi japin fetva, gjegjësisht urrejnë të thonë; se kjo është e lejuar e ko është e ndaluar, përveç asaj që është e qartë në Kuran dhe që nuk ka nevojë për koment.”

Ibn Saibi transmeton nga Rebi’ ibn Hajthemi se ka thënë: “Ruajuni që ndokush prej jush të thotë: Zoti e ka lejuar këtë apo e ka pëlqyer, e pastaj Zoti ta pyesë se përse e lejove atë që se kam pëlqyer, ose të thotë: Zoti e ka ndaluar këtë, e Zoti t’i thotë: Pse gënjen! Unë s’e kam bërë haram dhe nuk e kam ndaluar.”

Tregohet se Ibrahimi Nahi kur ka folur për shokët e tij ka thënë: “Kur jepnin ndonjë fetva, thonin: kjo është e urrejtur, ap për këtë tjetrën ska gjë. Por sa vështirë është të themi: kjo është e lejuar dhe kjo është e ndaluar.”

Po ashtu kur e pyesnin imam Ahmedin për të dhënë përgjigje për ndonjë çështje ai thoshte: “E urrej, nuk më pëlqen, nuk e dua ose nuk e preferoj.”

Reagime të njëjta transmetohen edhe nga imam Maliku, Ebu Hanifja dhe imamllarë të tjerë.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Muhamed Mustafa

[1] – Sure Shura: 21.

[2] – Sure Teube: 31.

[3] – Sure Junus: 59.

[4] – Sure Nahl: 116.

[5] – Sure En’am: 119.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *