Kurani fisnik e ka piketuar metodën e ligjërimit fetar, në një pasazh të shpallur në Mekë, ku thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”.[1]
Kjo është një thirrje që i adresohet profetit Muhamed (a.s) dhe njëkohësisht çdokujt që ndjek besimin Islam pas tij. Ftesa për tek Zoti ose tek rruga e Tij, nuk është diçka specifike për të dërguarin e Zotit (a.s), por është një përgjegjësi të cilën e mban mbi supe i gjithë umeti mysliman pas tij.
Duke iu drejtuar Profetit (a.s), Zoti në Kuran thotë: “Thuaj: Kjo është rruga ime; të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.”[2]
Kushdo që pranon Allahun si Zotin e tij, Muhamedin si të dërguarin e tij dhe Islamin si fenë e tij, konsiderohet si ftues dhe propagandues i këtij besimi. Kjo, bazuar në vetë tekstet e Kuranit fisnik: “Kjo është rruga ime; të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.”[3]
Kështu shohim që umeti mysliman ka të njëjtin mision që ka pasur i dërguari dhe profeti i tij. Ai është i obliguar të përcjellë dhe përmbushë misionin e profetit Muhamed (a.s) dhe të përqafojë ftesën e tij. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Ju jeni dërguar si lehtësues dhe jo si vështirësues.”[4]
Sahabi i nderuar Rebia ibn Amir (r.a) iu shpreh komandantit të ushtrisë perse Rustumit me fjalët: “Zoti na ka dërguar të nxjerrim njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve, nga ngushtia e kësaj bote në gjerësinë e saj, nga dhuna e feve në drejtësinë Islame”. Që këtu, shohim se ajeti i sures Nahl: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” vë piketat e metodës që duhet ndjekur në udhën e ftesës dhe ligjërimit të duhur fetar.
Piketat e ligjërimit të kërkuar fetar në ftesë:
Kurani Fisnik, për metodologjinë e ndjekur në udhën e ftesës Islame ka vendosur disa mekanizma dhe instrumente që e ndihmojnë ftuesin mysliman të përmbushë misionin e tij. Këto mekanizma janë përmbledhur mahnitshëm në Kuran me disa fjalë.
Së pari: Ftesa është një obligim për çdo mysliman.
Pika e parë është se kjo ftesë është obligim dhe detyrë për çdo mysliman, pasi vetë Zoti i Lartësuar i ka ngarkuar me këtë përgjegjësi. Çdo mysliman është i urdhëruar të ftojë në fenë e tij sipas mundësisë. Zoti thotë në Kuran: “Kjo është rruga ime; të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë”
Ajo që duhet pasur parasysh është se format e ftesës ndryshojnë nga një person tek një tjetër, nga një vend tek një tjetër. Ka njerëz të cilët ftojnë në rrugën e Zotit nëpërmjet shkrimit të një ose disa librave. Dikush tjetër fton në rrugën e Zotit nëpërmjet një ligjërate në universitet apo në një qendër kulturore. Një i tretë fton duke mbajtur një hytbe ditën e xhuma ose një këshillë fetare. Një i katërt fton duke komunikuar me njerëzit me edukatë, butësi dhe model të mirë. Një i pestë fton duke mbuluar shpenzimet e ftuesve, duke botuar dijet e tyre, duke ngritur një qendër ftese etj. etj. Profeti (a.s) thotë: “Kush përgatit një luftëtar në rrugë të Zotit, është njëlloj si ai që merr pjesë në luftë.”[5] Bazuar në këtë hadith ne themi që kushdo që përgatit dhe mbështet një ftues në rrugë të Zotit, ka ftuar dhe ai.
Së dyti: Ftesë për të përsosur shpirtin nëpërmjet metodologjisë hyjnore.
Pika e dytë është që ftuesi të jetë i bindur dhe i sigurt se po fton në rrugë të Zotit, në metodologjinë e projektuar prej Tij për udhëzimin e njerëzve për të adhuruar vetëm Zotin, e për rrjedhojë për të perfeksionuar komunikimin mes tyre. Vetëm kështu do të kalojnë një jetë të lumtur në këtë botë dhe do të fitojnë shpërblimin e dëshiruar në botën tjetër.
Ftuesi mysliman nuk i fton njerëzit tek vetja apo populli i tij, por i fton për t’i afruar me Zotin. “Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe Profecinë, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut”.[6] (Al Imran, 79
Ai nuk po fton për një rend apo filozofi tokësore, as për një ligj pozitivist të përligjur nga sovrani tokësor. Në fakt, ai fton dhe bën thirrje për çlirimin e njerëzimit nga skllavërimi njerëzor. Sipas këndvështrimit të islamit, njeriu s’ka të drejtë dhe mundësi për të vendosur ligje absolute të përhershme, duke lejuar dhe ndaluar sipas dëshirës, ashtu siç ndodhi me ithtarët e Librit një herë e një kohë, akt të cilin e dënon Kurani me fjalët: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet.”[7]
Njerëzit duhen çliruar nga vargonjtë, fetishizimi dhe shenjtërimi i njëri-tjetrit, duke u shndërruar në robër të Zotit, i Cili i krijoi dhe u nënshtroi gjithçka në qiej dhe në tokë dhe i Cili u ka dhënë mirësi të shumta.
Prandaj dhe mesazhet që profeti Muhamed (a.s) u dërgonte perandorëve dhe mbretërve nga ithtarët e Librit, mbylleshin me pasazhin kuranor: “Thuaj: “O ithtarë të Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!”.[8]
Së treti: Ftesa që u bëhet myslimanëve, shoqërohet me urtësi dhe këshilla dashamirëse.
Pika e tretë është se kjo metodologji bazohet në ftesën e myslimanëve në rrugën e Zotit, nëpërmjet dy mënyrave të komunikimit: Urtësia dhe këshilla dashamirëse.
Mënyra e urtësisë
Urtësia është që ti flasësh arsyes me fakte shkencore bindëse dhe me argumente logjike të pakundërshtueshme. Urtësi është edhe t’i flasësh njerëzve në bazë të kapacitetit të tyre intelektual, duke u komunikuar atyre aq sa kuptojnë dhe perceptojnë. Aliu (r.a) thotë: “U flisni njerëzve sipas nivelit të tyre dhe larg gjërave që nuk i perceptojnë dot! Mos ndryshe doni të përgënjeshtrojnë Zotin dhe të dërguarin e tij?!”
Urtësi është edhe tu flasësh në gjuhën që kuptojnë dhe reagojnë. Zoti thotë në Kuran: “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit).”[9] Kuptimi i ajetit nuk është i kufizuar vetëm në gjuhën përkatëse që flet një popull, kinezëve tu flitet kinezçe, rusëve në gjuhën ruse etj. por edhe duke i folur shtresës së thjeshtë me gjuhë të thjeshtë, lindorëve me gjuhën lindore, perëndimorëve me gjuhën e perëndimit, njerëzve të shekullit XXI me gjuhën e këtij shekulli, jo me gjuhën e shekujve të kaluar.
Prej urtësisë është që t’i trajtojmë njerëzit me zemërbutësi teksa u komunikojmë urdhëresat dhe ndalesat e Zotit. Lipset që para se t’ua komunikojmë ligjet hyjnore, t’i kemi përgatitur shpirtërisht dhe moralisht, duke respektuar kështu traditën profetike, e cila na këshillon: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos frikësoni!”[10] Njerëzit nuk duhen ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi që nuk mund t’i mbajnë mbi supe e pastaj të heqin dorë prej teje duke thënë: Të dëgjuam dhe të kundërshtuam. Vetë Profeti (a.s) thoshte: “Kur t’ju urdhëroj me diçka, veprojeni sipas mundësisë!”[11]
Prej urtësisë është që të kemi një listë prioritetesh të urdhëresave dhe ndalesave, ku çdo gjë të jepet sipas kohës, vendit dhe rëndësisë.
S’është aspak e qëlluar dhe e përshtatshme që t’u flasim njerëzve në çështjet dytësore, ndërkohë që ata i shkelin me dy këmbët parimet kryesore. Atyre nuk mund t’u flasësh për vlerën e lëmoshës vullnetare, nëse nuk japin zekatin, nuk u flitet për vlerën e namazit të Duhasë, nëse nuk falin farzet, nuk u flitet për urdhëresat e ndalesat, pa ia pasur idenë fare për akiden.
Transmeton imam Buhariu nga Ibn Abasi (r.a), se i dërguari i Zotit kur nisi Muadh ibnu Xhebelin për në Jemen, i tha: “Ti do të shkosh tek një popull ithtarë të Librit, prandaj le të jetë gjëja e parë që do u flasësh dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Nëse të binden, thuaju se Zoti i ka obliguar me pesë namaze në ditë. Nëse të binden për këtë, u thuaj se Zoti i ka obliguar të japin zekatin e pasurive të tyre, i cili do u merret pasanikëve dhe do u jepet fukarenjve.”[12]
Shohim që Profeti (a.s) nuk ua kërkoi të falin namazin vetëm pasi të kenë njohur dhe besuar Zotin.
Mungesë e urtësisë është kur dikush tregohet strikt me nafilet dhe lë pas dore farzet. Një ndër rregullat e njohura në këtë fushë, është se Zoti nuk e pranon nafilen derisa të përmbushet farzi. Kurse disa të ditur, thonë: “Atë që e angazhon farzi dhe lë nafilen, është i justifikuar, kurse atë që e angazhon nafilja dhe lë farzin është kapadai.”
Në të njëjtën linjë qëndron edhe marrja me çështjet e diskutueshme ku shumë njerëz humbasin çështjet që gëzojnë unanimitetin e mbarë umetit. Këtu hyjnë tematika si mbulimi i fytyrës për femrën, a bën gjynah një femër që nuk e mbulon fytyrën etj. ndërkohë që sot problemi nuk qëndron tek zbulimi i fytyrës por tek zbulimi i pjesëve të turpshme. Sot jemi dëshmitarë të shfaqjes së femrave të veshura lakuriqe.
Më kujtohet se lidhur me këtë temë, kam diskutuar dhe me dijetarin e Gadishullit Arabik, shejh Bin Bazin, i cili u pajtua që myslimania e kohës tonë të mjaftohet me mbajtjen e hixhabit.
Urtësi është që të kemi parasysh atë që unë personalisht e kam quajtur “fikhu i prioriteteve”, duke i dhënë prioritet çështjeve të akides (kredos) ndaj veprave, farzeve bazë ndaj detyrimeve të tjera, obligimeve ndaj të pëlqyeshmeve, suneteve të pëlqyeshme ndaj suneteve të tjera, luftën ndaj gjynaheve të mëdha ndaj gjynaheve të vogla etj.
Urtësisë është që me njerëzit të përdorim metodën e përshkallëzimit që është ligj universal po aq sa është edhe fetar. Lidhur me faktin që është ligj universal, këtë e vërejmë qartësisht në krijimin e njeriut, i cili fillon me një pikë fare, një copë mishi, eshtra që më pas vishen me mish, krijesë njerëzore e plotë, lindjen e tij, foshnje që ushqehet me qumështin e nënës, fëmijë, i ri, burrë dhe mandej plak. “ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?”[13]
E njëjta gjë vlen dhe për botën bimore e cila zanafillën e ka me një farë që kalon nga një fazë në një tjetër derisa të bëhet bimë ose pemë e mbushur me kokrra dhe fruta.
Ai është edhe ligj fetar, pasi Zoti i Lartësuar e urdhëroi profetin e Tij që fillimisht të kultivojë bazat e besimit (kredos) dhe të moraleve, gjë e cila vihet re menjëherë në suret e shpallura në Mekë. Më vonë, Kurani u mor me aspektin praktik në mënyrë të përshkallëzuar, duke filluar me faljen e namazeve që ishin obliguar para hixhretit. Më vonë u sanksionua zekati, agjërimi i Ramazanit në vitin e dytë hixhri dhe më pas kryerja e Haxhit për ata që munden.
E njëjta linjë përshkallëzimi u ndoq edhe me ndalesat, ku u fillua me ato gjëra që cenojnë dinjitetin e njeriut, ato që shkaktojnë prishje të rendit dhe jetës, siç është vrasja, marrëdhëniet jashtëmartesore, vrasja e fëmijës nga frika e varfërisë, keqpërdorimi i pasurisë së jetimit, shkelja e besës, mendjemadhësia, arroganca etj, të cilat kanë të bëjnë më shumë me spektrin moral sesa me spektrin ligjor sheriatik.
E megjithatë unë shikoj që disa vëllezër ftues që nuk e respektojnë ligjin e përshkallëzimit me personat që i ftojnë. Kështu, me të rënë komunizmi në shumë vende myslimane, si në Bosnje dhe Shqipëri banorët e të cilëve e përjetuan këtë sistem për 50 vite dhe u shkëputën nga jeta islame, kishin nevojë për dikë që i tërheq drejt besimit në mënyrë të përshkallëzuar, duke e nisur punën me parimet kryesore mbi të cilat pajtohen të gjithë myslimanët. Por disa vëllezër, Zoti i drejtoftë, nuk e morën parasysh këtë fakt dhe ndërmorën një fushatë të egër ndaj rrymës së esharijëve dhe maturidive e cila është e përhapur tek myslimanët e lindjes dhe të perëndimit dhe që mësohet në shkolla e universitete të shumta në mbarë botën Islame.
Beteja jonë e sotme nuk është me ata që besojnë në Zotin dhe ditën e Gjykimit edhe pse i interpretojnë cilësitë e Zotit, si në rastin e dorës, të cilën e interpretojnë me fuqinë e Tij, kurse Kursijin me gjerësinë dhe madhështinë e pushtetit. Beteja jonë e vërtetë është me ateistët dhe mohuesit e Zotit, të cilët njohin vetëm materien dhe i shpallin luftë kujtdo që thotë se i besoj një Zoti. Këta vëllezër ftues, nuk u mjaftuan me kaq por filluan tu kërkojnë burrave në këto vendeve të mbajnë mjekra të gjata, të shkurtojnë pantallonat, ndërsa grave të mbajnë perçe në fytyrë. Madje, disa prej tyre dërguan me mijëra perçe në këto vende me qëllim që femrat e atjeshme t’i veshin.
Nëse vuajmë ne që jetojmë në zemrën e vendeve islame, nga burrat që heqin mjekrat, përse duhet t’ua kultivojmë mjekrat myslimanëve të Evropës të cilët lënguan për gjysmë shekulli nën zgjedhën komuniste?!
Mos vallë lëshimi i mjekrave është nga shtyllat e islamit dhe obligimet (farzet) madhore, që ia vlen të fillojmë me to duke i dhënë një rëndësi kaq të madhe në fe?!
Këta ftues zemërmirë dhe dashamirës, patën ndërmarrë dhe një fushatë tjetër kundër çdo forme të sofizmit, duke e akuzuar si diçka të huaj në Islam.
Umetit në përgjithësi dhe këtyre popujve në veçanti u lipsej edukimi shpirtëror i cili do i nxirrte nga ferri i materializmit bashkëkohor që i ka bërë të harrojnë Ahiretin, krijesat dhe Krijuesin. Atyre u lipsej edukimi fetar dhe moral, i cili në thelb ka shpirtëroren, i cili e edukon njeriun të thotë të vërtetën, të jetë i moralshëm, tu bëjë mirë njerëzve dhe të shtojë devocionin. Zoti në Kuran thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.”[14]
Pjesë e urtësisë e cila duhet përvetësuar nga ftuesit tanë është komunikimi butësisht me njerëzit, me dashamirësi dhe etikë, ashtu siç e përshkruan Zoti të dërguarin e Tij në Kuran me fjalët: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.”[15]
Nëse njerëzit nuk e durojnë të dërguarin e Zotit, të cilit i vjen shpallja hyjnore, si mund të durojnë një njeri të thjeshtë të ashpër e të vrazhdë?!
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Nahl: 125.
[2] – Sure Jusuf: 108.
[3] – Sure Jusuf: 108.
[4] – Buhariu.
[5] – Buhariu.
[6] – Sure Ali Imran: 79.
[7] – Sure Teube: 31.
[8] – Sure Ali Imran: 64.
[9] – Sure Ibrahim: 4.
[10] – Buhariu dhe Muslimi.
[11] – Buhariu dhe Muslimi.
[12] – Buhariu.
[13] – Sure Nuh: 14.
[14] – Sure Nahl: 128.
[15] – Sure Ali Imran: 159.