Historia e lulëzimit ekonomik të Mekës, sipas rrëfimeve të dijetarëve të historisë, fillon kur Hashimi, gjatë një udhëtimi tregtar në Sham, vuri re se çmimet e mallrave ishin shumë më të larta se sa në Jemen. Ai pa në këtë një mundësi tregtare të shkëlqyer, që do ta vendoste fisin Kurejsh në rrugën e pasurisë dhe begatisë.
Nëse studiojmë gjendjen ndërkombëtare në fund të shekullit të pestë pas Krishtit, periudha në të cilën Hashimi vizitoi Shamin, mund të shpjegojmë ngritjen e çmimeve në Sham dhe uljen e tyre në Jemen me gjendjen e tregtisë botërore në atë kohë, sidomos me gjendjen e rrugëve tregtare ndërkombëtare që lidheshin me tregjet e Kinës dhe Indisë përmes dy perandorive botërore: Persisë dhe Romës.
Tregjet e Kinës dhe Indisë ishin më ndikueset në ekonominë botërore në lashtësi, dhe nga kjo lindi një rrjet rrugësh tokësore dhe detare që i lidhte këto tregje me dy perandoritë, perse dhe romake.
Ky rrjet rrugësh u quajt “Rruga e Mëndafshit”. Ajo nuk ishte një rrugë e vetme, por një grup rrugësh, më e rëndësishmja prej tyre ishte “rruga veriore e mëndafshit”, e cila kishte ndikim të madh në historinë botërore, dhe që Kina përpiqet ende sot ta ringjallë përmes një projekti ekonomik gjigand.
Përreth dy mijë vitesh, rruga veriore e mëndafshit ishte rrugë tokësore që lidhte Kinën me Azinë Qendrore, më pas me shtetin bizantin dhe Evropën. Ajo ishte një nga rrugët më të rëndësishme ndërkombëtare dhe zgjatej gjashtë mijë kilometra, duke kaluar shumë male, shkretëtira dhe vende të populluara. Karvanet e saj transportonin lloje të ndryshme mallrash, ku më i rëndësishmi ishte mëndafshi, për shkak të të cilit i ishte vendousr edhe emri i rrugës, por ajo nuk kufizohej vetëm me të; karvanet mbartnin gjithashtu lloje të ndryshme mallrash si temjan, parfume, gurë të çmuar, erëza e të tjera.
Problemi i rrugës veriore të mëndafshit ishte se ajo binte nën kontrollin e shumë autoriteteve dhe ndikohej nga konfliktet ndërmjet tyre, si dhe nga luftërat dhe përplasjet që shpërthenin mes këtyre palëve.
Sa i përket rrugës së mëndafshit përmes Lindjes së Mesme, ajo ishte rrugë detare që përfitonte nga erërat musone dhe lidhte Indinë me Gjirin Persik dhe më pas arrinte në Basra, e që vazhdonte në rrugë tokësore drejt Irakut që sundohej nga shteti i Sasanidëve, dhe më pas drejt Shamit. Kjo rrugë – gjithashtu – shpeshherë binte nën ndikimin e luftërave ndërmjet sasanidëve, persianëve, dhe bizantinëve.
Rruga e tretë detare është rruga detare jugore që lidh Indinë me Adenin. Kjo rrugë rigjallërohej saktësisht sa herë që dy rrugët e tjera trazoheshin. Pra, nëse konflikti mes dy fuqive botërore – persëve dhe bizantinëve – përshkallëzohej, rruga tokësore veriore dhe rruga detare në Mesdhe pezulloheshin, dhe ajo që ngelej aktive ishte rruga detare jugore.
Në fillim të shekullit të pestë pas Krishtit, pati përplasje të zjarrtë midis fiseve turke në Azinë Qendrore, gjë që ndikoi në rrugën e mëndafshit verior. Po ashtu, përplasjet e vazhdueshme midis persëve dhe bizantinëve çuan në ndërprerjen e rrugës së mëndafshit përmes Mesdheut, duke bërë që çmimet e mallrave të importuara si mëndafshi, temjani, enët, pëlhurat dhe të tjera të rriten. Kështu që nuk mbeti rrugë tjetër veç rrugës detare jugore. Kjo kalonte nga India drejt Adenit, dhe Jemeni –asokohe- ishte nën sundimin e Himjeritëve, të cilët kishin lidhje të vjetra me Indinë. Në këto rrethana, në dritën e përplasjeve midis persëve dhe romakëve, rruga detare jugore ishte më e qëndrueshme sesa dy të tjerat, sepse shmangte pikat e kontaktit midis dy fuqive të mëdha, dhe kështu kostoja e transportit të mallrave binte.
Zakonisht, malli transportohej me anije bizantine, ose me anije nga Abisinia që ishin aleatë me Bizantin, dhe mallrat vinin nga Adeni në Egjipt përgjatë Detit të Kuq, pastaj në Aleksandri, në rrugë tokësore për t’u shpërndarë në Evropë. Anije të tjera i transportonin mallrat drejt portit të Ajlatit ose Akabas, e prej andej drejt Shamit, dhe një pjesë drejt Gazës në Palestinë në rrugë detare dhe më tej në Evropë. Shumica e këtyre mallrave përfshinin temjanin që përdorej në ritualet kishtare. Por përplasjet mes dy fuqive të mëdha ndonjëherë pengonin edhe rrugën e Detit të Kuq, ç’ka çonte në akumulimin e mallrave në portin e Adenit dhe uljen e çmimeve të tyre.
Në këtë periudhë, konspektimi që Hashimit i bëri situatës ishte sebep që do të ndriçonte rolin e Mekës. Mallrat që vinin nga Jemeni detar nga India – relativisht – ishin më të lira, nëse krahasoheshin me çmimin e mallrave të cilat shiteshin në Sham. Hashimi vuri ri se nëse do të ishte e mundur transportimi i mallrave nga Jemeni drejt Shamit dhe Irakut përmes Mekës, atëherë Meka do të bëhej qendër e tensioneve dhe konflikteve mes dy perandorive, dhe tregtia e Kurejshitëve do të lulëzonte, dhe do të shihej përmes dallimeve të mëdha në çmimet midis Jemenit dhe Shamit.
Problemi i karvanëve nëpër shkretëtirë është se ata janë të ekspozuar ndaj bastisjeve të beduinëve, dhe kjo është çështje e zakonshme në Gadishullin Arabik. Por Kurejshëve i ishte dhënë një pozitë e veçantë midis fiseve arabe, dhe kjo i jepte asaj një mundësi të rrallë për të përdorur këtë pozitë për të siguruar mbrojtje për karvanët nga bastisjet.
Sa i përket “ilafit” që përmendet në Kuranin fisnik në suren “Kurejsh”, ai ka dy aspekte:
Aspekti i parë është një marrëveshje tregtare që lejon kalimin e tregtisë së kurejshëve drejt Shamit, Jemenit, Irakut dhe Abisinisë. Kjo përfshin shtete që kanë kufij, pika doganore dhe taksa, dhe tokat e tyre kanë nevojë për leje zyrtare për kalim. Ky është “ilafi” që Hashimi dhe vëllezërit e tij do ta merrnin.
Aspekti i dytë i “ilafit” është një marrëveshje me fiset arabe të vendosura përgjatë rrugëve të shkretëtirës për kalimin e karvaneve. Ilafi i Kurejshëve me këto fise arrihet duke siguruar interes të përbashkët: fiset marrin pagesa për mbrojtjen e karvaneve nga grabitjet dhe në këmbim, përfitojnë nga privilegjet që u jepen për tregti. Kjo i lejon atyre të blejnë produkte ushqimore, armë dhe veshje.
Kështu, “ilafi” bëhet një hartë e re ekonomike dhe politike në Hixhaz dhe pjesën veriore të Gadishullit Arabik. Meka do të zë një pozitë qendrore, dhe ky “ilaf” do të ketë rol thelbësor në kuptimin e natyrës së përplasjes që do të ndodhë në të ardhmen midis shtetit që themeloi Profeti (a.s) në Medinë dhe Kurejshëve. Do të bëhet gjithashtu kyç për kuptimin e aleancave midis dy palëve me fiset që kontrollojnë rrugët tregtare. Siç do ta shpjegojmë kur t’i vijë rradha.
“Ilafi” kishte ndikim të madh në pozitën e Kurejshëve në Mekë. Eth Thalebi thotë: “Kurejshitët nuk tregtonin, përveç me ata që vinin në Mekë gjatë stinëve të haxhit dhe panaireve të mëdha në “Dhil Mexhaz” dhe “Ukadh”. Gjatë muajve të shenjtë nuk i largohej tregtia Mekës dhe nuk e kalonin kufirin e saj të shenjtë. Por, për shkak të bashkimit të tyre përmes aleancës dhe respektit që gëzonin në mesin e njerëzve, si dhe për shkak të dashurisë dhe respektit që njerëzit kishin për ta — dhe për shkak të shenjtërisë së Qabes, që ishte e hapur për të gjithë — Mekën e frekuentonin të gjithë, sepse ajo ishte vend paqësor dhe paqebërës për të gjithë njerëzit. Ata – banorët e Mekës – jetonin me atë që i sillte dobi jetesës së tyre, ashtu siç ka treguar Allahu për fjalët e Ibrahimit (a.s.): “Zoti im, unë i kam vendosur disa nga pasardhësit e mi në një luginë pa bimësi, pranë Shtëpisë Tënde të Shenjtë, o Zoti ynë, që të falin namazin…”[1]
I pari që doli nga Meka për në Sham që shkoi me delegacione dhe u prit nga mbretërit, që bëri udhëtim të gjatë, që kaloi në udhën e armiqve dhe krijoi aleanca me ta ishte Hashim ibn Abdumenaf. Ai siguroi dy udhëtime: Një në dimër tek mbretërit dhe sundimtarët e Jemenit dhe të Abisinisë dhe udhëtimi i dytë në verë drejt Shamit dhe tokave bizante.
Nëpërmjet kësaj aleance, ai lidhi marrëdhënie me krerët e fiseve dhe udhëheqësit e tyre për dy arsye:
1 – Për të siguruar mbrojtje nga arabët e shkretëtirës dhe fiset grabitqare që sulmonin karvanët.
2 – Disa arabë nuk e shihnin Qaben si të shenjtë dhe nuk i vlerësonin muajt e shenjtë, siç ishte rasti i fiseve Benu Taj, Hath’am dhe Kuda’ah, kurse të gjitha fiset e tjera arabe e shihnin Qaben si të shenjtë dhe po ashtu edhe muajt e shenjtë.
Kuptimi i “ilafit” është se Hashimi u siguronte krerëve të fiseve një lloj përfitimi tregtar. Ai merrte me vete mallrat e tyre bashkë me mallrat e tij dhe i drejtonte devetë e tyre së bashku me devetë e tij, në mënyrë që t’i shpëtonte ata nga barra e udhëtimeve dhe t’i shpëtonte Kurejshët nga barra e armiqve. Kjo ishte në dobi për të dyja palët: ai që ishte rezident fitonte, ndërsa udhëtari ishte i mbrojtur. Kështu, Kurejshëve ju erdhi bereqeti dhe të mirat e Shamit, Jemenit dhe Abisinisë; gjendja e tyre u përmirësua dhe jetesa u bë e mirë. Kur vdiq Hashimi, me këtë punë u mor Mutalibi; kur vdiq Mutalibi, e mori në dorë Abdu Shemsi; e kur vdiq Abdu Shemsi, e mori Neufeli, edhe pse ishte më i vogli ndër ta.
Dihet se tregtia në Gadishullin Arabik është e lashtë, dhe se rruga tokësore tregtare që lidhte Jemenin me Shamin ka qenë më parë prej shekujsh aktive. Mirëpo organizimi i kësaj rruge u bë në kuadër të një sistemi të institucionalizuar tregtar, i cili shtrihej mbi fise të ndryshme beduine. Ky organizim ka qenë një veprim i Hashimit dhe vëllezërve të tij nga fisi Benu Abdi Menaf. Sipas disa burimeve, kemi njoftime se gjendja e Mekës para marrëveshjes tregtare të “ilafit” nuk ishte e qëndrueshme, kështu që mund të thuhet se marrëveshja e parë tregtare që u arrit nga Hashimi shënoi një pikë kthese në jetën e fisit Kurejsh. Meka e vogël që ndodhej në mes të shkretëtirës, që në aspektin financiar të saj modest merrej me organizimin e haxhit dhe me tregtinë, aq sa për të përmbushur nevojat e njerëzve të saj gjatë evenimenteve dhe tregjeve të saj, shumë shpejt, kjo Meke do të bëhej qendër tregtare për karvanet që kalonin përmes shkretëtirës në drejtim të tregjeve të Shamit, Irakut dhe Jemenit. Kjo qendër ofronte mallra me çmime më të lira dhe përfitime më të mëdha. Për më tepër, kjo ishte më e sigurt për shkak të konflikteve të vazhdueshme ndërmjet Perandorisë Persiane dhe asaj Bizantine.
Kështu pra, fillimi i marrëveshjes tregtare “Ilaf” ishte me Hashimin, por ajo nuk mori formën e plotë vetëm se disa vite pas vdekjes së tij. Më e besueshme është që marrëveshja e Hashimit ishte me autoritetet që përfaqësonin pushtetin bizantin në Sham, dhe se në rrugën e kthimit për në Mekë, ai kishte rënë dakord me krerët e fiseve të rajoneve përreth për sigurinë e rrugës tregtare që të çonte në Sham.
Marrëveshja u zgjerua më vonë dhe përfshiu rajone të tjera, përveç Shamit. Abdulmenafi arriti të realizonte marrëveshje me mbretin e Abisinisë, Nexhashiun, dhe me autoritetet që përfaqësonin Sasanidët në Irak, si dhe me mbretërit e Himjerit në Jemen. Në këtë mënyrë, karvanët e Kurejshitëve mund të kalonin nëpër shkretëtirë në mënyrë të sigurt, duke u furnizuar me nevojat e tyre të ndryshme. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e përvojës së tregtarëve të Kurejshëve nëpër tregjet e ndryshme, u zhvilluan pesë rrugë kryesore tregtare.
Rruga tregtare që kalonte nga Meka në drejtim të Jethribit (Medinës), më pas në Hajber dhe Tebuk e deri në Gaza. Kjo ishte e rëndësishme sepse Gaza ishte një port detar prej nga mallrat transportoheshin drejt Evropës përmes detit. Kjo ishte rruga që zakonisht përdorte Hashimi në tregtinë e tij, dhe ai vdiq në një nga udhëtimet e tij drejt Gazës, dhe aty u varros, për këtë arsye njihet Gaza e Hashimit.
Rruga e dytë nisej nga Meka, kalonte përgjatë bregut të Detit të Kuq dhe shkonte në veri të Shamit, përmes bregut të detit. Ishte një rrugë detare që nisej nga porti i Shuejbah, në Detin e Kuq, dhe mallrat transportoheshin nga ky port përmes Detit të Kuq drejt Abisinisë, në mbretërinë e Aksumit.
Një degë e kësaj rruge kalonte në veri drejt Aljatit, sot Akaba.
Ndërsa rruga e katërt kalonte përmes Jemenit dhe arrinte në Irak përmes Nexhdit.
Dhe rruga e pestë nisej nga Meka përmes Taifit dhe vazhdonte në drejtim të Jemenit.
Kështu pra, Meka u bë një qendër që lidhte katër tregje të mëdha: Shamin, Irakun, Jemenin dhe Abisininë. Tregtia e kurejshëve përfitonte nga ndryshimet sezonale dhe klimatike: udhëtimi i dimrit ishte drejt Jemenit dhe Abisinisë, kurse udhëtimi i verës drejt Shamit, kalonin për nga Basra në periferi të Gasasinëve, por shumica e tregtisë përfundonte në Gaza, e cila ishte një port i rëndësishëm për transportimin e mallrave drejt Evropës.
Këto rrugë lulëzonin sa herë që shtohej konflikti bizantino-persian, sepse Meka bëhej pikëkalimi alternativ për tregtinë ndërkombëtare, kur rrezikohej gjendja ndërkombëtare ose kishte trazira në Detin e Kuq. Në ato raste, vetëm karvanët kurejshitë mund të vazhdonin transportin e mallrave ndërmjet Jemenit dhe Shamit.
Autor: Uedah Hanfer
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Ibrahim: 37.



















