Masakra e Setifit..Ngjarjet e tmerrshme të 8 majit 1945 .. Kujtime dhe mësime

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Më 8 maj 1945, në kohën kur shtetet e Perëndimit, ose ato që e quajnë veten “bota e lirë”, festonin fitoren e tyre mbi Gjermaninë naziste dhe fitoren e lirisë dhe parimeve të të drejtave të njeriut – sipas pretendimeve të tyre – disa nga këto shtete, që ishin ndër më të rëndësishmet në aleancën kundër nazizmit, shkelën me këmbët e tyre këto të drejta, duke kryer një nga masakrat më të tmerrshme në disa qytete të Algjerisë.

Në këto ditë të vështira që po kalon umeti, veçanërisht në masakrën që po përjetojnë banorët e Gazës, përkujtimi i ngjarjeve të dhunshme dhe tronditëse që ndodhën në maj të vitit 1945 në Algjeri, veçanërisht në qytetet Setif, Guelma dhe Kherrata, ka një rëndësi të veçantë për çdokënd që lexon historinë. Kjo masakër ndodhi për disa arsye: njëra prej tyre është se autorët e krimit, ose ajo që quhet ‘bota e lirë’, janë të njëjtët në të dy rastet — të ngjashëm si në përdorimin e metodave çnjerëzore, ashtu edhe në egërsinë barbare të krimit. Mund të thuhet se modeli i pushtimit kolonialist dhe shfarosës që ka ushtruar Franca në Algjeri është një nga modelet më të ngjashme me pushtimin sionist në territorin e Jeruzalemit dhe rrethinave.

Kështu, organizatat e ndryshme kombëtare, si dhe dijetarët dhe liderët e umetit, e panë këtë ditë, kur kolonizatori dhe aleatët e tij po festonin fitoren mbi Gjermaninë, si një mundësi të përshtatshme për të dëgjuar britmën e popullit të shtypur. Qytetet Setif, Guelma dhe Kherrata, në veçanti, përjetuan një moment historik vendimtar në rrugën e luftës çlirimtare të Algjerisë kundër kolonializmit francez. Megjithatë, këto lëvizje u përballën me një shtypje të egër dhe të pashembullt për kohën, ku banorët e këtyre zonave — burra, gra, të rinj, pleq, fëmijë dhe foshnja — u bënë viktima të njërës prej masakrave më të rënda të kryera nga kolonializmi francez i dhunshëm. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kujtojmë heroizmin dhe sakrificat e tyre, dhe, ndoshta, siç thotë Allahu në Kur’an: “Mos mendo se ata që janë vrarë në rrugën e Allahut janë të vdekur, por ata janë të gjallë te Zoti i tyre, dhe po ushqehen.” Prandaj, është detyra jonë t’i nderojmë kujtimet e tyre mes nesh, që të jenë një dritë që na udhëheq dhe një udhëzues për ne, dhe ky është qëllimi i këtij kontributi modest.

Në prag të ngjarjeve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndjenjat e popullsisë ishin të mbushura me urrejtje ndaj pushtimit. Zemërimi i akumuluar ndër breza, që nga çasti kur kolonializmi i egër francez shkeli tokën algjeriane, për shkak të praktikave shtypëse dhe shfarosëse ndaj popullsisë vendase, përbënte një nga faktorët kryesorë të shpërthimit të reagimit popullor. Nga ana tjetër, kjo ndjenjë urrejtjeje ishte shoqëruar me një gjendje pritjeje, të mbushur me ndjenja shprese dhe dëshirë për ngjarje që do të ndryshonin realitetin e hidhur që po përjetonin banorët. Kjo gjendje u nxit gjithashtu nga atmosfera që u krijua gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të deklaratave të aleatëve mbi lirinë dhe të drejtat e popujve. Një ndikim të veçantë pati përfshirja e parimit “e drejta e popujve për vetëvendosje” në Kartën e Atlantikut, e cila u miratua në gusht të vitit 1941 nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryeministri i Britanisë së Madhe.

Por, ngjarjet në vazhdim treguan sesa të vërteta ishin ato thënie. Pasi këta aleatë bënë zbarkimin në bregdetin algjerian më 8 nëntor 1943, lideri Ferhat Abas, pas takimeve me parti dhe figura të ndryshme kombëtare, përgatiti një deklaratë që përmbante një seri kërkesash për të drejtat e ligjshme të popullit algjerian dhe masat që duheshin marrë për të hequr padrejtësinë dhe shtypjen nga supet e tij. Kjo deklaratë iu dorëzua aleatëve dhe autoriteteve koloniale, por u refuzua. Kjo ngjarje nuk u kufizua me kaq; masakrat e tmerrshme të muajit maj 1945 u kryen para syve dhe veshëve të këtyre aleatëve, dhe armët e tyre ishin një nga mjetet e krimit.

Një pasqyrë e shkurtër e ngjarjeve

Profesori Toufik El-Madani (Allahu e mëshiroftë) shkroi për këto ngjarje duke thënë: “… Më 8 maj të vitit 1945, bota perëndimore “e lirë…” festoi nënshkrimin e armëpushimit me Gjermaninë. Algjerianët deshën të merrnin pjesë në këtë festim dhe ta përdornin atë si një mundësi për të shprehur ndjenjat e tyre dhe për të paraqitur qëllimet e tyre, por kolonizatorët kishin përgatitur planin e tyre dhe kishin zgjedhur vendin e betejës. Nuk kishte kaluar shumë kohë nga organizimi i një proteste paqësore në qytetin Sétif në mëngjesin e asaj dite, kur francezët u provokuan me pretendimin se protestuesit po ngrinin flamurin algjerian, dhe guvernatori i policisë vrau me duar një djalë mysliman që mbante flamurin. Ky incident shënoi fillimin e një masakre ndër më të tmerrshmet dhe më të shëmtuara të kolonializmit në botë.
Ushtarët francezë, duke përfshirë këmbësorinë, pilotët, trupat e blinduara dhe ushtarët e marinës franceze, të cilët ishin të pozicionuar në brigje, si dhe evropianët që kishin marrë armë dhe ishin përgatitur për këtë ‘ditë të kuqe’, u bashkuan për të vrarë muslimanët në rajonin që shtrihej mes Sétif, Kherrata dhe Guelma.
Të gjithë hapën sezonin e gjuetisë njerëzore, dhe myslimanët u ndoqën nëpër qytete, fshatra dhe vendbanime të vogla, ashtu siç përndiqen kafshët e egra nëpër pyje. Masakrat që francezët ushtruan u përfshinë në shumë fshatra, dhe askush nuk shpëtoi, as burra, as gra, as fëmijë. Karrocat e blinduara franceze kalonin rresht dhe shkatërronin fshatrat dhe ata që ishin brenda, burra, gra dhe fëmijë, duke i shkrirë ato në një me tokën. Gjakderdhja ishte kaq e tmerrshme saqë ajo e mbuloi gjithçka në ngjyrën e kuqe dhe shërbeu si një mundësi për fotografët që të merrnin pamje të saj nga avionët. Disa fshatra të tjera u shkatërruan nga avionët, duke lënë asgjë pas.”

Ndër qytetet e mëdha, si Sétif dhe Guelma, burra nga “milicia” e europianëve vullnetare sulmonin shtëpitë, kapnin elitën e intelektualëve algjerianë dhe i çonin ata jashtë qytetit, ku, nën kërcënimin e armëve, i urdhëronin të gërmonin varrezat masive. Më pas, ata vrisnin grup pas grupi dhe urdhëronin çdo grup që të varroste grupin e mëparshëm.”

Ky është një përshkrim i shkurtër, nga i cili mund të kuptohet disi tragjedia që kanë përjetuar të dobëtit dhe heronjtë në përballje me arrogancën e ulët, kolonializmin e shëmtuar.

Dëmet e shkaktuara

Masakra e Setif-it të 8 majit 1945 shkaktuan dëme të mëdha: njerëzore, materiale, politike dhe sociale për popullin algjerian. Më poshtë po paraqesim llojet e kwtyre dëmeve:

1 – Dëmet njerëzore

Viktimat algjeriane: nga 20 000 deri në 45,000 të vrarë, sipas burimeve të ndryshme.

Të plagosur dhe të zhdukur: mijëra të plagosur dhe shumë të zhdukur, për të cilët nuk u mbajtën shënime të sakta.

Të arrestuar: mbi 10,000 algjerianë u arrestuan; shumë prej tyre u burgosën pa gjyq ose u dënuan me vdekje.

2 – Dëmet materiale

Fshatra të tëra u dogjën dhe u shkatërruan nga forcat ajrore dhe tokësore franceze, sidomos në zonat rurale përreth Setif-it, Guelma-s dhe Kherrata-s.

Shtëpi të shkatërruara dhe pasuri të grabitura ose konfiskuara nga autoritetet koloniale.

Ekonomi lokale e paralizuar, pasi shumë burra që ishin punëtorë u vranë ose u arrestuan.

3 – Dëmet shoqërore dhe politike

Shtypje e rëndë politike: shoqatat algjeriane, partitë nacionaliste dhe lëvizjet kulturore u ndaluan ose u goditën rëndë.

Rritje e zemërimit popullor: masakrat rritën ndjenjat kundër kolonializmit francez dhe forcuan kërkesat për pavarësi.

Radikalizimi i lëvizjes nacionaliste algjeriane, që më vonë çoi në Luftën për Pavarësinë e Algjerisë (1954–1962).

Autor: Abdunur Muhaned

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *