Qëllimi i këtij artikulli nuk është të bëjë ndonjë shpikje të re, por përkundrazi, të vendosë konceptet brenda kontekstit të tyre paradigmatik. Ky artikull ka për qëllim të hedhë dritë mbi origjinën e debatit mes laikëve dhe atyre, që e shohin Islamin si një fe gjithëpërfshirëse, që përfaqëson një botëkuptim tjetër nga ai i Krishterimit- dhe nga ai laik, medoemos. Islami e sheh fare të pakuptimtë, mungesën e Kishës si institucion bosht dhe ndarjen mes Kishës dhe fesë.
Problemi kryesor qëndron tek ndryshimi brenda kornizave të referimit.
Përkufizimi i laicizmit
Laicizmi në teori dhe laicizmi si proces historik nuk do të thotë thjesht ndarje mes kishës dhe shtetit, sepse kjo nënkupton se proceset e laicizmit kufizohen thjesht në sferën politike dhe atë ekonomike. Ndërkohë që një numër i madh dijetarësh pohojnë, se laicizmi është një botëkuptim gjithëpërfshirës, që vepron në të gjitha lëmitë e realitetit nëpërmjet një sërë mekanizmash të drejtpërdrejta dhe të tërthorta.
Botëkuptimi laik në thelb të tij ka vënien e Zotit sa më në periferi, madje shkon gjer atje, sa shpall vdekjen e Tij dhe vënien e njeriut në qendër të Universit si logo të tij. Dualizmi i ndërlikuar i monoteizmit transcendent është zëvendësuar me një dualizëm të ashpër mes njeriut dhe natyrës, gjë që manifestohet krejt qartë në konfliktin mes të dyve; ndërkohë që njëkohësisht bëhen përpjekje, që të sqarohet natyra njerëzore, duke u përqendruar vetëm tek dimensioni i saj fizik dhe material. Megjithatë, në fund problemi zgjidhet në favor të materiales dhe kështu njerëzorja përthithet apo përmblidhet në kategorinë e natyrës.
Gjatë procesit të laicizmit, humanizmi fillestar iluminist është zëvendësuar me një kundër-humanizëm natyralist dhe dualizmi fillestar mes njeriut dhe natyrës është zëvendësuar me një monizëm kryekëput natyralist: që do të thotë, përshkallëzimi i realitetit në një ligj natyror, të pashmangshëm në të gjitha çështjet. Ky është thelbi epistemologjik për një proces shkatërrimi dhe zhveshjeje nga shenjtërimi, që u bë jo vetëm prizmi nga i cili shihej natyra, por prizmi nga shihej vetë qenia njerëzore dhe të gjitha kriteret e saj transcendentale.
Feminizmi: Fazë e Laicizmit
Përpjekja për të kontekstualizuar feminizmin dhe për të kuptuar arkeologjinë e tij lidhet shumë me historinë e shekullarizimit të mendjes evropiane dhe të gjitha shkencave të saj. Mentaliteti prej brezash i aktivisteve dhe teoricienëve për çlirimin e grave është modeluar edhe sipas nocioneve marksiste mbi sistemin patriarkal dhe qëndrimin ndaj familjes. Ato ide lidhen gjithashtu dhe me qëndrimin marksist ndaj fesë, ku feja shihet si një paketë idesh shtypëse të krijuara nga burrat, sidomos kur flitet për gratë. Këto ide depërtuan madje dhe në qarqet jomarksiste, por aty ku zunë vend, mirë ishin shumica e shkrimeve dhe ligjërimeve feministe.
Është për t’u habitur, se si analiza e ndërtimit shoqëror të realitetit në sociologjinë e viteve 60-të u çua më tej nga feministët, në vitet 90-të, duke u fokusuar tashmë jo në ndërtimin shoqëror, por në atë seksual të realitetit. Kontrata shoqërore, mbi të cilën qasja liberale iluministe humaniste kishte bazuar idetë e saj për barazi, u prish dhe vendin e saj e zuri një kontratë seksuale, e cila që atëherë është bërë dhe boshti i çdo debati.
Si shembull i një ligjërimi vetë-referues dhe vetë-përmbajtës shërbejnë format e feminizmit lesbik dhe biseksual; ku trupi është bërë logoja e çdo botëkuptimi, duke e shtyrë natyralizimin e qenies njerëzore aty ku nuk shkon as imagjinata, si dhe duke i dhënë një goditje të fuqishme arritjes së një kthjelltësie të plotë në çështjet morale. Tani besoj se është e qartë zhvendosja nga njeriu si qendër e botës tek trupi. Kjo lloj analize mund të zbatohet dhe në nivelin e teorisë politike, në mënyrë që të kuptohet kalimi nga preokupimi modern për njësinë politike tek interesi entuziast feminist dhe postmodern për shtetin. Edhe ky është një çast laik i historisë.
Leviatani i Ligjshëm
Që nga viti 1945 janë hartuar mbi njëzet instrumente ligjore ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me çështjet e grave. Konventa e Kombeve të Bashkuara qe traktati i parë i shumanshëm, që parashtroi qartë normën e mos diskriminimit mes gjinive. Ka pasur dhe konventa lidhur me mbrojtjen e grave nga diskriminimi dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke përfunduar me Deklaratën për Zhdukjen e Diskriminimit ndaj Grave.
Është shumë e rëndësishme të analizohen supozimet, që janë bërë në këto dokumente, lidhur me rolin e gruas në shoqëri, supozime të cilat identifikojnë disa modele bazë, që kanë dalë në këtë proces kodifikimi. Duke u nisur nga përmbajtja e këtyre traktateve lidhur me rolin e gruas në shoqëri, tri janë kategoritë analitike, që mund të zbatohen. Ata tentojnë të krijojnë apo ruajnë çështjet mbrojtëse, korrigjuese dhe mos diskriminuese.
Së pari, disa shkrime argumentojnë, se kategoria mbrojtëse përshkruan ato masa, që pasqyrojnë një konceptualizim shoqëror ndaj grave, ku ato shihen si një grup shoqëror, që nuk duhet dhe nuk mund të përfshihet në disa aktivitete të caktuara. Të mbrojturit normalisht merr formën e disa masave përjashtuese, nene që përcaktojnë disa aktivitete, prej të cilave gratë përjashtohen.
Së dyti, kategoria korrigjuese i identifikon gratë si një grup më vete, që do kujdes të veçantë, por synohet ndryshimi dhe përmirësimi, pa bërë ndonjë krahasim të hapur me trajtimin e burrave në këto fusha.
Së treti, kemi kategorinë mos-diskriminuese, seks-neutrale, e cila përfshin masat që mohojnë konceptualizimin e grave si një grup më vete dhe që përkundër kësaj, burrat dhe gratë i shohin si dy njësi, që meritojnë trajtim të barabartë.
Dikush mund të thotë, se këto kategori përfaqësojnë një vlerësim historik të feminizmit, si një nënçështje e procesit të laicizmit. Kësi ligjesh laike konsiderohen të padrejta e patriarkale dhe procesi i tyre i legjislacionit është objektivi i vetë atyre, me qëllim që të arrijnë një barazi të llojit feminist, kështu që shqetësimi i fundit është pushteti dhe pushteti politik.
Duke pasur forcën legjislative në duar, shteti u bë personazh kryesor në këtë proces. Shteti gjithashtu ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në procesin e shekullarizimit, i cili çoi në zhdukjen e lidhjeve shoqërore dhe mbizotërimin e lidhjeve formale. Shteti u bë personazhi kryesor në të gjitha fushat, gjer sa rrënoi familjen e zgjeruar dhe në vend të saj ngriti një realitet të ri, atë të familjes së patundshme bërthamë.
Shteti gjithashtu mori nën kontroll shumicën e aktiviteteve, që gjer atëherë kryheshin nga institucionet fetare dhe u bë rojtar i të gjitha aspekteve si shkollimi dhe kujdesi mjekësor. Madje dhe morali – një moral laik pa etikë – u bë rendi i ditës.
Kjo bëri, që lëvizja dhe mendimi feminist të jepeshin pas kërkimit të pushtetit, duke u munduar të bëhen gjithmonë e më të pushtetshëm; duke e parë ligjin thjesht si një vegël, që u mundësonte të drejta të barabarta sipas botëkuptimin feminist të barazisë, sidomos në sferën politike. Shumë pak vëmendje iu kushtua vdekjes së familjes, e shpallur hapur tashmë. Duke parë situatën, shumë njerëz iu vunë mbrojtjes së vlerave familjare, madje dhe ata që luftonin për çështje si individualizmi apo të qenit i pavarur.
Me daljen e lëvizjeve lesbike dhe homoseksuale dhe me teorizimin e fuqishëm të epistemologjisë lesbike, shumë gra u trembën, madje dhe u tronditën. Në po të njëjtën linjë mendimi, sipas analizave të fundit (laike), familja nuk duhet të përkufizohet vetëm në sajë të disa bazave fikse të njëanshme dhe para-moderne! Struktura klasike familjare, sipas ligjërimit lesbik dhe homoseksual, duhet të merret në shqyrtim; tashmë duhet të jepet një formë e re dhe një konceptim tjetër për “familjen”.
Nëse dikush shpreh një qëndrim ndryshe nga ai i lëvizjeve homoseksuale, akuza më e lehtë do të ishte homofobia, më e ashpra “fundamentalizmi”.
Islami i feminizuar: ta bësh shtetin prind
Ligjërimi feminist në botën arabe dhe atë myslimane ka përjetuar gjithashtu një ndryshim cilësor, duke kaluar nga kërkesa e përgjithshme për barazi në pranimin e axhendës së gjerë ndërkombëtare të feministëve; jo duke kritikuar fenë si të tillë, por mashkullin, apo për të qenë më të saktë, interpretimin patriarkal të saj. Kërkesat për lesbianizëm nuk u diskutuan hapur, për shkak të rrethanave kulturore të shoqërive arabe dhe atyre islame.
Lëvizja përdori gjithnjë e më shumë qasjen me ligj për problemet e grave. Ndërsa përsa u përket krizave lidhur me vlerat familjare në shoqëritë e modernizuara, nuk u vu re ndonjë shqetësim apo lëvizje. Fushata e fundit e ndërmarrë nga feministët, më së shumti nga avokatë profesionistë, ishte për të ndryshuar ligjin e statusit personal, atë që lidhet me çështjet familjare në Egjipt, Liban dhe Marok, dhe përpjekjet e tyre të pashtershme për të ndryshuar kontratën martesore, me qëllim që të sigurojnë më shumë barazi. Të gjithë janë shembuj që flasin vetë.
Po si mund të sigurohet barazia në ato struktura shoqërore, të cilat përballen me varfërinë gjithnjë e në rritje, madje dhe me mungesën e kushteve bazë të jetesës, që sigurohen nga Programet Përshtatëse Strukturore të diktuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore; shumica e aktivistëve feministë nuk e pyesin ndonjëherë veten për këto gjëra. Përgjigjet do të çonin në një diskutim më të thellë të gjendjes shoqërore dhe politikave ekonomike, por duke qenë se janë mëse të nevojshëm për të pasur miratimin e shtetit, që axhendat e tyre të përkthehen në ndryshime ligjore, nuk u leverdis të zemërojnë regjimet.
Kushtet politike, që lidhen me praninë e ligjshme feministe, janë në përgjithësi kufizuese. Deri tani, ligji që funksionon si instrument, me të cilin mund të bëhen pazare, është keqpërdorur nga shteti dhe interesat feministe, aq sa nuk mban më. Brenda kësaj peshoreje pushtetare, lëvizja feministe është bërë një nga aleatët e regjimeve kundër kërcënimit fundamentalist. Sipas ligjërimit të lëvizjeve feministe arabe, diskutimi i drejtpërdrejtë i çështjes së implementimit të plotë të sheriatit duhej margjinalizuar, me qëllim që të mos humbiste mbështetjen e masave të grave, të cilat nuk do toleronin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve islame.
Qasja epistemologjike dhe politike është shumë e rëndësishme për të kuptuar dilemat reale të feminizmit në botën islame, sidomos kur flitet për çështjen e barazisë apo të drejtave ligjore të grave. Por nuk mund të arrihet të kuptohet thellë dhe në mënyrë të kthjellët, nëse këto analiza nuk bëhen në nivel ndërkombëtar, si dhe në rrjetin ndërkombëtar të NGO-ve dhe pa rolin e tyre në lidhje me marrëdhëniet mes Veriut dhe Jugut si agjentë të një Rendi të Ri Botëror, ose së paku si lehtësues të mekanizmave strukturore të botës.
Shoqëria: Bashkimi
Nuk besoj se duhet të përsëriten prapë mësimet e hidhura, që na ka dhënë modernizmi. Ne kemi nevojë të përqafojmë ide të reja dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime, duke rënë në të njëjtin kurth, që askush nuk e kishte parashikuar para se të niste projekti iluminist evropian. Neve na është dhënë mundësia e artë për ta rifilluar rilindjen tonë, duke vëzhguar me kujdes se ku dhe si gjërat morën mbrapsht.
Nëse sociologët në Perëndim po studiojnë me kujdes ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve shoqërore në periudhën e vonë kapitaliste, për ne kjo analizë ka rëndësi shumë më të madhe. Neve akoma na duhet të ndryshojmë strukturën tonë shoqërore dhe të punojmë për çështje si barazia dhe drejtësia shoqërore, përsa u përket lidhjeve shoqërore ekzistuese – pa dashur t’i humbim ato lidhje apo të shohim me trishtim zgjidhjen e tyre. Nuk është e nevojshme të vijmë me një formë të re bashkimi, nëse do të arrijmë të lirojmë gruan pa prekur familjen.
Në jetën e grave ka shumë aspekte dhe çështje të ndërlikuara, që ne si shkencëtarë në shkencat shoqërore të dhënë pas përpjekjeve politike për drejtësi dhe dinjitet njerëzor, na duhet t’i eksplorojmë. Studimet e fundit socio-antropologjike të ndërmarra nga studiuesit perëndimorë – studiuesve vendas zakonisht nuk u lejohet një gjë e tillë – janë munduar t’i qasen jetës së shumicës së grave të varfra në forma të ndryshme. Në këto studime u pa se si gratë e mundnin realitetin e hidhur nëpërmjet lidhjeve shoqërore dhe fisnore, pjesë e strategjive të tyre për mbijetesë dhe se si këto strategji ia dilnin mbanë në përmirësimin e jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre. Një tjetër fenomen nën mbikëqyrje është rëndësia e ekonomisë shtëpiake si një sektor jozyrtar, të cilin gratë mund ta përdorin në të mirë të tyre.
Nuk duhet që të shkuarën e Perëndimit ta kthejmë në të ardhmen e Lindjes. Shumë gra të shkolluara në botën islame po zbulojnë sërish potencialin çlirues të traditave të tyre fetare. Ata kërkojnë respekt dhe marrin pjesë aktive në jetën ekonomike dhe politike, por në të njëjtën kohë janë dhe krenare për statusin e mëmësisë si vlerë dhe rol, ato besojnë tek familja si një institucion shoqëror dhe e konsiderojnë veten si rojtare të kulturës. Një numër i konsiderueshëm prej tyre, nganjëherë dhe jashtë vullnetit të familjeve të tyre, zgjedhin të jenë pjesë e rishfaqjes së gjerë islame. Ata vuajnë nga kufizime dhe madje jo rrallë herë diskriminohen dhe u dhunohen të drejtat nga regjimet politike.
Gjithashtu dhe jeta e tyre është model për t’u ndjekur dhe për të nxjerrë mësime dhe çka duhet thënë më shumë, për të treguar se sa qasje të thjeshta nevojiten, përsa i përket identitetit dhe vetëdijes së tyre.
Autor: Heba Rauf Ezat