Në këtë botë, njerëzit krenohen kur marrin ftesa nga mbretër, presidentë apo figura të njohura. Delegacionet formohen me kujdes, emrat përzgjidhen me rëndësi, dhe nderi i të qenit pjesë e tyre shihet si arritje e madhe. Por ka një ftesë që tejkalon çdo lavdi dhe çdo titull tokësor… “Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar.”[1]
Atje nuk ka protokoll politik. Nuk ka pasaporta, nuk ka lista të rezervuara. Në atë ditë, ftohen ata që kanë pastruar zemrën, që kanë jetuar me sinqeritet, që kanë besuar pa dyshim dhe që kanë dashur Allahun më shumë se çdo gjë tjetër.
Nuk është problem të mos jesh në delegacionet e kësaj bote. Por është humbje e pamasë të mos jesh në delegacionin që shkon tek Allahu. Mos e humb këtë ftesë hyjnore. Mos e lër zemrën të bëhet e ftohtë. Mos e lejo veten të mbetesh jashtë kur të thirret emri yt për të qenë mysafir i të Gjithëmëshirshmit.
Pastroje zemrën me pendim.
Forcoje besimin me adhurim.
Vrapo drejt dashurisë së Allahut.
Dhe bëhu pjesë e delegacionit që nuk refuzohet kurrë.
Autor: Edmir Maxharri
[1] – Sure Merjem: 85.