Mes`hi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “Mes`h” do të thotë: “Kalimi i dorës mbi diçka”. Fikhu e përkufizon Mes`hin me fjalët: “Kalimi i dorës së lagur mbi një copë të caktuar në një kohë të caktuar

Mes`hi mbi meste apo çorape

Mes`hi është fshirja mbi meste apo çorape pa i larë këmbët, mirëpo me kusht që mestet apo çorapet të jenë veshur me abdes. Mestet janë material prej lëkure dhe kanë formën e këpucëve apo çorapeve. Mes`hi (fshirja) është i lejuar nga Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s). Hadithet për këtë çështje janë Muteuatir (shumë të vërteta) dhe janë përcjellë nga rreth 66-70 sahabë.

Hasan Basriu thotë: “Më kanë treguar 70 sahabë të të Dërguarit të Allahut (a.s), se ai u ka dhënë Mes`h mesteve”[1]

Ebu Hanife shënon në Musnedin e tij, se Hamam ibn Haritheh pa Xherir ibn Abdullahun (r.a) duke marrë abdes dhe kur erdhi rradha e këmbëve, ai i fshiu ato pa i larë. Hamami e pyeti për këtë dhe Xheriri i tha: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke vepruar kështu.Unë e kam shoqëruar atë pas zbritjes së sures Maideh (në të cilën është ajeti i abdesit)[2]

Ebu Hanife shënon në Musnedin e tij, se Abdullah ibn Umer (r.a) dhe Sa`d ibn Ebi Uekkas (r.a) filluan të debatonin me njëri – tjetrin për çështjen e fshirjes mbi meste. Sa`di (r.a) i tha: “Fshiji”. Abdullahu (r.a) tha: “Kjo nuk më pëlqen”. Ata shkuan tek Umeri (r.a), që ta zgjidhte çështjen. Umeri (r.a) i tha Abdullahut (r.a): “Xhaxhai yt (Sa`di) e njeh Sunetin më mirë se ti[3]

Kushtet e fshirjes mbi meste

Është kusht, që mestet të vishen në pastërti të plotë dhe personi të jetë me abdes. Ato duhet të mbulojnë këmbët bashkë me kyçet dhe të qëndrojnë në këmbë pa pasur nevojë që të lidhen. Kështu kanë thënë pjesa më e madhe e dijetarëve. Mestet e prodhuara në atë kohë, qëndronin si këpucët pa pasur nevojë të lidhen.

Mugira ibn Shu`be (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) doli për të kryer nevojat personale. Pasi u kthye, unë i solla (dhashë) një enë me ujë. Ai lau duart, fytyrën, krahët dhe fshiu kokën. Unë nxitova për t`i hequr mestet. Ai (a.s) tha: “Lëri, sepse unë i kam veshur duke qenë i pastër (me abes)”. Ai fshiu mbi meste[4]

Abdurrahman ibn ebi Bekër (r.a) përcjell nga babai i tij se i Dërguari i Allahut (a.s) ia lehtësoi udhëtarit që të fshijë mbi meste për 3 ditë dhe për 3 net pa i hequr ato, ndërsa për banorin përcaktoi kohën e meste për një ditë – natë, me kusht që të dy t’I veshin mestet duke qenë të pastër (me abdes).”[5]

Mestet fshihen nga sipër

Mugira Ibn Shu`be (r.a) tregon, se e ka parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke i fshirë mestet nga sipër.”[6]

Aliu (r.a) thotë: “Sikur feja të ishte me mendje (me mendim personal), do të kishte përparësi pjesa e poshtme e këmbës ndaj pjesës së sipërme. Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të), duke i fshirë ato (mestet) nga sipër[7]

Hasani thotë: “Fshirja mbi meste kryhet me anë të gishtave”

Suneti është që mes`hi (fshirja) të fillohet nga majat e gishtave të këmbës dhe fshirja të kryhet me gishtat e duarve bashkë me pëllëmbën.

Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi afër një personi, që po fshinte mestet dhe i tha atij: Jam urdhëruar ta filloj nga majat e gishtave deri tek fillimi i këmbës, pastaj e filloi me gishtat (duke i treguar mënyrën sesi merret Mes`hi).[8]

Mes`hi sipër çorapeve

Lejohet fshirja mbi çorape, me kusht që ato të jenë të trasha dhe jo të tejdukshme. Disa dijetarë e lejojnë fshirjen mbi çorapet e holla, me kusht që të mos jenë të tejdukshme dhe ky është lehtësim për Umetin islam. Ky është mendimi i Ebu Jusufit, Muhamedit, Zuferit dhe mendimi i fundit i Ebu Hanifes. Madje Ebu Jusufi dhe Muhamedi janë të mendimit, se lejohet dhënia mes`h çorapëve edhe nëse ato janë të hollë. Ata e bazojnë këtë mendim në veprimin e Ebu Mesudit (r.a), Umerit (r.a) dhe Aliut (r.a).

Mes`hi sipër këpucëve dhe sandaleve

Në lidhje me mes`hin mbi sandale apo këpucë, themi se kjo është çështje e debatueshme mes dijetarëve, mirëpo mendimi më i njohur është, se ky veprim nuk lejohet, pasi hadithi – sipas mendimit më të drejtë të kritikëve të hadithit – nuk është i vërtetë, por i dobët.

Veprime që e prishin mes`hin

1- Mes`hi bëhet i pavlefshëm kur i kalon afati: Koha e mes`hit fillon me çastin e parë kur personi prish abdes. Nëse personi ka marrë abdes për namaz të Sabahut dhe e ka prishur abdesin para namazit të Drekës, ai falet me Mes`h deri në namazin e drekës së nesërme. Disa dijetarë thonë, se koha e Mes`hit fillon nga çasti kur personi merr Mes`h për herë të parë. Shurrajh ibn Hani tregon: “E pyeta Aishen (r.a) për mes`hin mbi meste. Ajo më tha: “Shko dhe pyet Aliun, sepse ai e di më mirë se unë këtë çështje, pasi ka udhëtuar me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të). Unë e pyeta dhe ai më tregoi, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Udhëtari i fshin mestet për tre ditë dhe tre net, ndërsa banori i fshin për një ditë dhe një natë”[9]

2- Heqja e mesteve apo çorapeve: Nëse një person i heq mestet apo çorapet, mes`hi bëhet i pavlefshëm dhe nuk vlen, edhe nëse i vesh ato në çast. Nëse personi është me abdes dhe i mbaron koha e mes`hit, ai lan vetëm këmbët. Një nga shokët e të Dërguarit të Allahut (a.s) u pyet për rastin, kur një person i heq mestet, pasi u ka dhënë Mes`h atyre. Ai u përgjigj: “Le të lajë vetëm këmbët”

Nëse këmba laget më shumë se 3/4 e saj, Mes`hi nuk është më i vlefshëm, sepse kjo konsiderohet larje dhe jo fshirje.

3- Xhunubllëku, cikli menstrual dhe lehonia: Mes`hi bëhet i pavlefshëm, atëherë kur personi bëhet xhunub, apo kur femrës i vjen cikli menstrual ose kur është lehonë. Safuan ibn Asali (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na udhëronte, që të mos i hiqnim mestet gjatë udhëtimit për tre ditë dhe tre net, përveç rasteve kur bëheshim xhunubë. Ai na urdhëronte që të mos i hiqnim mestet pas kryerjes së nevojave, pas urinimit dhe pas gjumit”.

Mes`hi mbi plagë dhe mbi fasho

Është lejuar mes`hi mbi plagë dhe mbi fasho, apo kur me përdorimin e ujit mendohet se mund të pengohet apo të vonohet shërimi. Në raste të tilla, parimi është: “Çfarë mund të lahet pa u dëmtuar, ajo pjesë lahet, dhe çfarë nuk lahet – pasi mund të dëmtohet -, asaj i jepet mes`h”.

Xhabiri (r.a) tregon: “Ishim në një udhëtim. Një nga shokët tanë u plagos në kokë nga një gur. Gjatë natës, ai u bë xhunub në ëndërr. Ai pyeti shokët e tij, nëse i lejohet të marrë tejemum. Ata i thanë: “Nuk mendojmë se lejohet, që të marrësh tejemum, sepse ti ke ujë dhe mund ta përdorësh atë”. Ai mori gusul, por pastaj vdiq. Pasi u kthyem tek i Dërguari i Allahut (a.s), i treguam se çfarë kishte ndodhur. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “E kanë vrarë, i vraftë Allahu! Përse nuk kanë pyetur kur nuk kanë ditur! Shërimi i injorancës është pyetja. Atij i mjaftonte tejemumi. Le ta lidhte kokën me fasho, t`i jepte mes`h asaj, ndërsa pjesën tjetër të trupit ta lante”.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Thënie e dobët.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Ibn Maxheh dhe ibn Khuzejmeh. Hadithi është i saktë.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Ibn Maxheh, Ibn Khuzejmeh, etj. Hadithi është i saktë.

[6] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[7] – Ebu Daudi dhe Darakutni. Hadithi është i saktë.

[8] – Ibn Maxheh. Hadithi është i dobët.

[9] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *