Mevludi Sherif: Mësime të përjetshme nga jeta e më të mirit të njerëzimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në përvjetorin e lindjes së më të mirit të njerëzimit, Muhammedit (a.s), bota kthehet çdo vit për të përkujtuar lindjen e Dritës që shpërndau errësirat e kohës së injorancës dhe ndriçoi për njerëzimin rrugën e mëshirës dhe drejtësisë. Lindja e tij nuk ishte një ngjarje e përkohshme në historinë e njerëzimit, por fillimi i një kapitulli të ri të qytetërimit njerëzor, ku u bashkuan në personin e tij profeti edukator, mësuesi, udhëheqësi, bashkëshorti, fqiu dhe njeriu që mishëroi vlerat më të larta në fjalë dhe vepra.

Kjo seri artikujsh është një përpjekje për t’u afruar me aspekte të ndryshme të jetës së tij (a.s), ku lexojmë etapat e jetës së tij, marrim frymëzim nga vlerat njerëzore që ai shpërndau mes njerëzve, dhe ndalemi tek marrëdhënia e tij me familjen dhe shoqërinë. Më pas, meditojmë mbi ndikimin e tij të përhershëm në histori dhe në realitetin e sotëm.

Ne nuk kemi të bëjmë këtu me një rrëfim thjesht historik, as me një festë formale që mbaron me përfundimin e ngjarjes, por me një thirrje të sinqertë për të ringjallur shembullin profetik në jetën tonë të përditshme dhe për të rikujtuar se Muhamedi (a.s) nuk është vetëm një kujtim, por një mesazh i gjallë që rinovohet me çdo brez.

Lindja që shpërndan errësirën

Përshkrimi i saktë i botës në kohën e lindjes së Profetit (a.s) ishte një botë e errët e sunduar nga padrejtësia dhe të padrejtët. Në mes të shkretëtirës gjendej një popull pa qytetërim; në atë kohë ekzistonin vetëm dy qytetërime të mëdha: persët dhe romakët. Arabët, nga ana tjetër, mbështeteshin në jetën nomade, tregtinë dhe luftërat e gjata, kurse padronët kishin skllevërit të cilët i shtypnin dhe i trajtonin si kafshë pa asnjë ndenjë mëshire.

Megjithëse disa fise arabe ruanin mbetje të besimit të Ibrahimit (a.s), duke trashëguar vlera të mira morale si bujaria, trimëria dhe gatishmëria për të ndihmuar të huajt, padrejtësia ishte dominante për të varfërit dhe shtresat e ulëta në shoqëritë paraislame.

Në mes të kësaj errësire paraislame, lindja e Profetit (a.s) ishte një dritë që ndriçoi jetën e thjeshtë të njerëzve të zakonshëm. Allahu thotë: “Me të vërtetë Allahu i ka dhuruar (një dhunti) besimtarëve kur dërgoi tek ata një të Dërguar prej vetes së tyre, që u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata dhe u mëson Librin dhe Urtësinë, dhe megjithëse ata më parë ishin në humbje të qartë.”[1]

Me këtë dritë, një popull bari u transformua: u shfuqizuan dallimet midis shtresave, besimtarët u bënë vëllezër pavarësisht varfërisë apo pasurisë, dobësisë apo forcës, duke u bërë të gjithë bartës të flakadanëve të ndryshimit dhe ngritjes së njerëzimit, duke çliruar skllevërit dhe duke ngritur lavdinë e drejtësisë dhe mëshirës.

Lindja e Profetit (a.s)  nuk ishte udhëzim vetëm për arabët, por për mbarë njerëzimin. Nga errësira e padijes në dritën e dijes, nga robëria ndaj krijesave për tek robëria ndaj Allahut, nga grindjet dhe përçarjet në dritën e vëllazërisë dhe solidaritetit dhe nga një popull i përçarë në më të mirin e popujve të dërguar për njerëzit, Allahu thotë: “Ju jeni populli më i mirë që është dërguar për njerëzit; urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allah.”[2]

Lindja e Profetit si jetim

Profeti (a.s) lindi jetim pa baba, arsye që e di Allahu i Madhëruar, por kjo ishte një nga tiparet më të rëndësishme të personalitetit të tij, i cili përjetoi shumë vuajtje njerëzore gjatë jetës së tij. Kjo e bëri që në zemrën e tij të lulëzojë mëshira për të dobëtit, dhe dhembshuria ndaj të varfërve dhe jetimëve, duke e bërë atë një mëshirë të dhuruar për njerëzimin. Allahu thotë: “Ne nuk të kemi dërguar ty tjetër veçse si mëshirë për gjithë botën.”[3]

Moral i lartë

Dëshira e Allahut të Madhëruar ishte që profeti i Tij të njihej për moralin e lartë nga të gjithë ata që e njihnin para shpalljes, pra ai nuk ishte një person i panjohur, dhe historia e tij nuk ishte e paqartë. Jeta e tij ishte një faqe e bardhë që dëshmoi shumica e banorëve të Mekës, dhe ai njihej si “i sinqerti dhe besueshmi (Es-sadikul Emin). Allahu thotë për të: “Dhe ti me të vërtetë ke moral të lartë.”[4]

Hatixhja, nëna e besimtarëve, dëshmoi për të kur i erdhi shpallja, duke thënë: “Jo, gëzoju! Pasha Allahun, Allahu nuk do të të turpërojë kurrë; ti i mban lidhjet farefisnore, thua të vërtetën, bart barrën e të tjerëve, mirëpret mysafirët dhe ndihmon në çështjet e drejtësisë.”[5]

Vlera e moralit

Moralin mund ta shohin të gjithë, ndryshe nga besimi që nuk mund të gjykohet ose matet nga njeriu. Prandaj, moralet janë ato që njerëzit mund t’i vlerësojnë dhe gjykojnë. Profeti (a.s) thekson rëndësinë e moralit të mirë duke thënë: “Nuk është besimtar ai që fyen, mallkon, ose është i pahijshëm dhe i fëlliqur.”[6]

Ai gjithashtu thotë: “Nga ju më të dashurit tek unë dhe më afër me mua në Ditën e Kiametit janë ata që kanë moralin më të mirë, dhe ata që më urrejnë dhe më largohen në Ditën e Kiametit janë ata që flasin shumë, të ngarkuar me fjalë boshe dhe që bëjnë shumë zhurmë.”[7]

Në moshën dyzet vjeçare: një urtësi tjetër

Dërgimi i shpalljes profetike ndodhi kur Profeti (a.s) ishte dyzet vjeç, mosha e përmbushjes së urtësisë te burrat. Kur i erdhi shpallja, ai ishte duke u përkushtuar në adhurim në shpellën Hira, duke u angazhuar në ibadet, duke menduar dhe reflektuar mbi lëvizjet e Diellit, Hënës dhe yjeve, duke medituar në ndryshimin e natës dhe të ditës, për të parë me një sy tjetër, jo si njerëzit e zakonshëm, dhe duke kuptuar se të gjitha këto lëvizje nuk mund të jenë krijim i atyre idhujve që ata adhuronin në luginën e Mekës. Pas shumë pyetjesh, i erdhi përgjigja: Lexo me emrin e Zotit tënd që ka krijuar, krijoi njeriun nga gjaku i mpiksur. Lexo! Zoti yt është më bujari, i cili mësoi me laps, mësoi njeriun atë që nuk e dinte.”[8] Më pas i erdhi detyra e shpalljes: “Dhe paralajmëro familjen tënde më të afërt!”[9] “Pra komuniko atë që të urdhërohet dhe shmangu politeistët!”[10]

Nga e gjitha kjo besimtarët mësojnë sakrificën dhe qëndrimin mbi parime kur detyra vjen nga Zoti i botëve dhe kur mesazhi vjen nga qielli, duke pasur parasysh fjalën e Zotit: “Dhe duroni siç kanë duruar të vendosurit në vendime të Profetëve.”[11] Ashtu si duroi Profeti (a.s) deri sa Allahu i shpalli atij mesazhin dhe ngriti flamurin e thirrjes së tij.

Një lindje e re për njerëzimin

Lindja e Profetit (a.s) nuk ishte thjesht lindja e një njeriu të mirë, por një lindje që shpëtoi njerëzimin nga shkatërrimi i pashmangshëm për shkak të luftërave të vazhdueshme, të pakontrolluara nga moralet e larta apo mbikqyrja hyjnore. Klasa e varfër ishte në robëri, dhe gruaja ishte e rrezikuar të merrej rob edhe nëse gëzonze një status të lartë, nëse fisi, qyteti ose fshati i saj sulmoheshin dhe humbnin.

Dr. Seid Omer, profesor i teorisë islame në Fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Universitetin e Kajros, thotë: {Profeti Muhammed (a.s) pati tre lindje që siguruan vazhdimësinë dhe lumturinë e njerëzimit deri sa Allahu të vendosë për përfundimin e jetës në këtë botë dhe Ditën e Llogarisë:

Lindja e parë: Ditën që e lindi nëna e tij, Amineja, pasi babai i tij kishte vdekur dhe ai nuk e pa kurrë atë.

Lindja e dytë: Kur iu shpall mesazhi hyjnor dhe mori detyrën e transmetimit të mesazhit të Allahut.

Lindja e tretë: Ditën e betejës së Uhudit kur zbriti fjala e Allahut: “Muhammedi është vetëm një profet, përpara tij kanë kaluar profetë. Nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheni mbrapsht? Kush kthehet mbrapsht, Allahu nuk dëmton asgjë dhe Allahu shpërblen mirënjohësit.”[12]

Ky ajet zbriti pas shpërndarjes së myslimanëve në betejë dhe largimit të shumicës pasi u përhap lajmi se Profeti (a.s) kishte vdekur. Vetëm një numër i vogël qëndruan së bashku me të duke thënë: “Ne do të vdesim në atë që beson profeti.” Kështu, Profeti njeri, Muhammed ibn Abdullah, u shndërrua në një ide dhe mesazh. Ai është njeri që jeton dhe vdes, por u shndërrua në një ide të pavdekshme, një ide që do të qëndrojë aq sa të vazhdojë jeta mbi tokë. Kjo ishte lindja e tretë dhe përjetësimi i mesazhit që mbart Profeti Muhammed (a.s), që nuk përfundon me vdekjen e tij.}

Kujtimi i lindjes së Profetit (a.s) nuk është vetëm mundësi për të kujtuar jetën e tij, por është mundësi për të hapur zemrat dhe për t’u rikthyer te mesazhi i tij, i cili bashkoi moralin dhe vlerat që nuk janë parë kurrë bashkë përveç nën Islam: mëshirën dhe drejtësinë, besimin dhe veprimin, burrërinë dhe guximin. Umeti, i lodhur nga humbjet dhe dështimet, ka ardhur koha të ngrihet nga gjendja e tij, duke ndjekur rrugën e Profetit (a.s) për të parë se si ishte ai.

Burimi: Mugtama.com

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Ali Imran: 164.

[2] – Sure Ali Imran: 110.

[3] – Sure Enbija: 107.

[4] – Sure Kalem: 4.

[5] – Muslimi.

[6] – Tirmidhiu.

[7] – Tirmidhiu.

[8] – Sure Alak: 1 – 5.

[9] – Sure Shuara: 214.

[10] – Sure Hixhr: 94.

[11] – Sure Ahkaf: 35.

[12] – Sure Ali Imran: 144.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *