Profeti (a.s) duke qenë shembull i virtytit, është bërë modeli i jetesës dhe i vënies në zbatim të vlerave morale. Duke i jetuar këto vlera vetë si qenie njerëzore dhe duke i demonstruar ato në një mënyrë të qartë, ai u bë model për ne.
Përveç fesë, vlerat përcaktohen nga inteligjenca, emocionet dhe ndjesitë – me fjalë të tjera nga njeriu. Teoritë e vlerave të përcaktuara jashtë fesë janë të lidhura me njeriun – me botën e tij emocionale, mendore dhe sensacionale. Për këtë arsye, në përcaktimin e vlerave që lidhen me njeriun, nuk është e mundur të flasim për vlerat morale të përgjithshme të lidhura me gjithë njerëzimin, ose me fjalë të tjera për vlerat morale universale, sepse njeriu ndryshon dhe ka ndryshime mes njerëzve në kohë dhe vende të ndryshme. Kjo parandalon formulimin e një teorie universale për vlerat dhe shkakton skepticizmin moral, sepse ne nuk mund ta dimë asnjëherë plotësisht, se çfarë është e drejtë në një kohë dhe vend të caktuar.
Për të folur për parimet morale universale, duhet të ketë vlera morale absolute. Vetëm vlerat morale të përcaktuara nga një Qenie Absolute mund të cilësohen si absolute. Sipas teorive të vlerave që përcaktohen nga feja, burimi i të gjitha gjykimeve të vlerave është Zoti, pavarësisht nëse ato janë përcaktuar vetëm nga shpallja, apo nëpërmjet inteligjencës. Vargjet kuranore përveçse përshkruajnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, janë gjithashtu gjykime, që përcaktojnë vlerat në lidhje me të drejtën dhe të gabuarën, hallallin dhe haramin, të bukurën dhe të shëmtuarën. Hadithet e profetit tonë janë gjykime në formën e fjalëve, veprimeve dhe shpjegimeve, që përcaktojnë dhe japin vlerë në përputhje me kuptimin kuranor. Gjithë jeta e tij tregon sesi gjykimet e Kuranit, të cilat përcaktojnë vlerat, duhet të kuptohen, të interpretohen dhe të jetohen. Si pasojë, qenia e profetit tonë si një shembull i virtytit rrjedh nga të qenit një model i vlerave morale. Gjykimet e Kuranit dhe vlerat që ai parashtron janë universale. Për shkak se ato nuk ndryshojnë sipas kohës, vendit dhe kushteve, ato janë larg relativizmit. Për shkak se ato predikojnë vlerat absolute, ato janë larg nga skepticizmi moral. Ky mesazh hyjnor ka ardhur për njeriun. Megjithatë, ai ka nevojë të zbatohet nga një qenie njerëzore, në mënyrë që ai të bëhet funksional në jetën e një individi. Me fjalë të tjera, profeti (a.s) tregoi se si duhet të interpretohen dhe të zbatohen parimet kuranore në jetën sociale duke i jetuar ato. Në këtë pikë, ne kemi nevojë për shembullin e profetit tonë, sepse është e mundur ta interpretojmë jetën e tij si një mishërim të vlerave fetare, si një transformim i tyre në një mënyrë jetese, ose si shpëtim nga relativiteti dhe fitimi i objektivitetit. Në personalitetin e profetit me mund të shohim në mënyrë të qartë, se çfarë personi do të shfaqet nga vënia në zbatim e urdhrave të Allahut.
Për më tepër, sipas vargjeve kuranore, ndjesia dhe besimi te vlera që është një kusht për ekzistencën njerëzore është i fshehur te njeriu dhe i paraprin rregullat fetare. Ndjesia e moralitetit (e drejtë-e gabuar), e fesë (e shenjtë-e zakonshme) dhe e artit (e bukur-e shëmtuar) dhe si pasojë vlerat e lidhura me të, iu dhanë çdo shpirti kur ai u krijua. “Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij”[1] Ky varg tregon se vlerat iu dhanë njeriut nga Allahu, kur ai u krijua. Njeriu do të marrë profetin si një shembull për të kuptuar, përdorur dhe zbatuar vlerat, që janë paraqitur nëpërmjet shpalljes hyjnore dhe i janë dhënë krijimit. Muhamedi (a.s) është një model virtyti, i cili i jetoi vlerat morale para profecisë dhe i jetoi vlerat kuranore pas profecisë, të cilat përputhen me njëra-tjetrën, sepse rrjedhin nga i njëjti burim. Për shkak se Allahu është i Plotfuqishëm, veprimet që bëhen për të arritur kënaqësinë e Tij duhet të jenë të përshtatshme për Të. Për këtë arsye, profeti synonte që ne “të fitojmë kënaqësinë e Allahut” me sjelljen tonë. Çdo përpjekje dhe çdo formë e sjelljeje, me të cilën ne nuk fitojmë kënaqësinë e Tij, nuk ka vlerë. Pra, vlera më e lartë në moralitetin islam është të fitosh kënaqësinë e Allahut, dhe veprimi më i vlefshëm është ai, që është i përshtatshëm për të fituar kënaqësinë e Tij.
Në Kuran përmendet shpesh “ata që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira”. Shprehja “vepra të mira” ndonjëherë është përdorur për të shprehur të mirën, ndonjëherë të bukurën, ndonjëherë për atë që është hallall ose vlerë dhe ndonjëherë për sjelljen e duhur. Kuptohet se “sjellje të mira” përdoret për sjelljen që është moralisht e mirë, e përshtatshme me faktet në lidhje me dijen dhe e bukur në lidhje me estetikën. Sjellja që përfshin këto tre cilësi të veçanta ka statusin e “veprave të mira”. Në fakt, kur merret parasysh sjellja e profetit, mund të vihet re se ai ka vepruar me mirësi në lidhje me njerëzit, ai ka thënë gjithmonë të vërtetën dhe në të njëjtën kohë e kuptoi këtë sjellje të mirë dhe të vërtetë në mënyrën më të mirë. Sjellja, së cilës i mungon bukuria, nuk mund të vlerësohet si e mirë.
Koha, gjatë së cilës profeti jetoi në Medinë, u bë një kohë, kur zbatimi i vlerave që krijuan një jetë të re sociale dhe rregulli u përjetuan nëpërmjet profetit. Përshtatja e vlerave të reja dhe kalimi i vështirësive në zbatimin e tyre, u bënë të mundura nga zbatimi i tyre nga vetë profeti.
Për përjetimin dhe zbatimin e vlerave nga profeti mund të jepen shumë shembuj. Megjithatë, transformimi i jetës së shokëve të profetit, të cilët e morën atë si shembull është shumë impresionues. Mes transformimeve të shokëve të profetit, të cilët ndoqën shembullin e profetit për jetesën dhe zbatimin e vlerave islame, është shembull i jetës së Umerit. Ndryshimi i tij është shumë mbresëlënës. Personaliteti i Umerit para se ai të merrte dije për Islamin përshkruhet në librat e historisë si shumë i ashpër, i papërkulshëm, i pamëshirshëm dhe mizor. Megjithatë, me kalimin e kohës ndodhi një transformim i madh. Për shkak se virtyti nuk është diçka, që njerëzit e fitojnë në çast, por karakteristikat që ata i fitojnë me kalimin e kohës si rezultat i zakoneve, ai kaloi një kohë të gjatë duke u përshtatur dhe duke asimiluar, ndërsa e ndoqi profetin si shembull. Rezultatet e kësaj periudhe të internalizimit mund të vihen re qartë në personalitetin e kalifit Umer. Umeri krenar u largua dhe u shfaq kalifi Umer i përulur, i cili mbajti në shpinë thesin me miell të një gruaje të varfër. Umeri i ashpër dhe i pamëshirshëm u largua dhe u shfaq Umeri i dhembshur, i cili nuk nguronte të qante.
Sot është përgjegjësia jonë, të kuptojmë drejt vlerat islame, që na janë dhënë nga Allahu dhe që janë theksuar në Kuran, të studiojmë se si duhet të jetohen dhe të zbatohen ato në jetën sociale, duke shqyrtuar shembujt konkretë të jetës së profetit, dhe të përpiqemi të jetojmë sipas tyre. Si rrjedhim, ne do ta kuptojmë Islamin dhe profetin e tij plotësisht dhe kështu do të shpëtojmë nga imitimi i pafrytshëm.
[1] – Sure Shems: 7-8.